Drejtimi i institucioneve arsimore vijon të mbetet një sfidë për sistemin, ku problematikat ende ekzistojnë, kryesisht në aspektin e menaxhimit në shkolla.
“Ambicia është që të kemi një sistem, ku nuk mund të bëhesh dot drejtor shkolle pa patur trajnimin adekuat për këtë përmes këtij sistemi dhe pa qenë i licencuar për këtë, njësoj si duhet të jetë dhe mësuesi”, – theksoi mes të tjerash, kryeministri në bashkëbisedimin me qytetarë të Korcës, ku tha gjithashtu se këtij qëllim i shërben edhe shkolla e drejtorëve, një eksperiecë e re kjo në Shqipëri.
“Unë mendoj se tek arsimi dhe mbase në ccdo fushë është e njëjta situatë si tek rindërtimi. Janë faktikisht pastruar shumë nga rrënojat e të shkuarës. Nuk flas thjeshtë ne sensin fizik, por flas në sensin e të gjithë sistemit. Rrënojë e së shkuarës ishte p.sh punësimi i mësuesve me porosi nga lart, mem tarafe, me ryshfete, me krushqi e me parti. Ndërsa sot është një rrënojë e pastruar sepse mund të ketë tek-tuk raste, që nuk i përjashtoj absolutisht, por sot sistemi është absolutisht ndryshe, me platformën, portalin “Mësues për Shqipërinë”, me testimet sistematike dhe me përzgjedhjen që bëhet në bazë të klasifikimit. Ndërkohë që, ne kemi një problem të madh dhe në këtë pike ne nuk kemi ecur si në aspekte të tjera dhe është problemi i drejtimit të shkollave. Ju nuk jeni rasti për t’u marrë sepse i përkisni asaj pjese të drejtuesve të shkollave që janë shembull, por përgjithësisht drejtimi ynë i shkollave nuk ka pësuar ndryshim. Drejtimi ynë i shkollave është një drejtim për inerci dhe arkaik në sensin e njohurive dhe të aftësive të menaxhimit në shkolla, – u shpreh kryeministri gjatë bashkëbisedimit. – E për këtë arsye, ne kemi hapur shkollën e drejtoreve që është një eksperiencë e re në Shqipëri, me kurrikula dhe me profesore të huaj, por nuk është problemi se janë të huaj dhe janë të duhurit, por e kanë kryer këtë eksperiencë në vendet e tjera, dhe edukimi në vazhdim i drejtorëve të shkollave është tani një program më vete, por do kërkojë kohën e vet për të filluar të japë rezultate. Të gjithë drejtorët e shkollave kanë filluar të futen në një proces që është proces edukimi për të bërë atë detyre dhe licencimi. Ambicia është që të kemi një sistem, ku nuk mund të bëhesh dot drejtor shkolle pa patur trajnimin adekuat për këtë përmes këtij sistemi dhe pa qenë i licencuar për këtë, njësoj si duhet të jetë dhe mësuesi.”