Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër, shumë shpejt do të kthehet në një qendër shërbimesh model. Punimet në këtë kantier janë drejt fundit, duke e kthyer drejtorinë rajonale më të madhe në veri të vendit në një drejtori me kushte dinjitoze si për punonjësit, ashtu edhe për qytetarët që marrin shërbim. Kryeministri Rama këtë investim e konsideroi si një ndryshim nata me ditën, teksa bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR, Blendi Gonxhe, ishin në këtë kantier.

Ky investim do të eliminojë edhe përmbytjet e herëpashershme të godinës, si dhe do të transformojë rrënjësisht cilësinë e shërbimeve në këtë drejtori, ku kryhen afro 133 mijë shërbime në vit për drejtuesit e automjeteve. “E kemi gjetur në një situatë shumë të rëndë të gjithë Drejtorinë, pasi ndodhej në një godinë me qera, e cila nuk mjaftonte as për t’i shërbyer qytetarëve, as për të bërë kolaudimin. Tanimë jemi shumë pranë përfundimit të kësaj godine, ku përveç të gjitha zyrave që do të përmbushin kushtet e ofrimit të shërbimit siç ne duam, jemi duke investuar për të ofruar edhe të gjitha shërbimet online, të cilat tashmë Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor është avangardë dhe i ofron”, – tha ministrja Balluku.

Kjo ndërhyrje garanton rindërtimin dhe kompjuterizimin e godinës, shtimin e numrit të parkimeve, sallën e testimit teorik të kandidatëve me elementët e monitorimit të testimit dhe përmirësimin e shërbimit të kontrollit fizik, i cili deri pak kohë më parë kryhej në rrugë.

Synimi në këtë drejtori është kalimi i sa më shumë shërbimeve online. Vetëm gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti janë ofruar rreth 30 mijë shërbime online për qytetarët. “Kjo është shumë e rëndësishme për faktin që është drejtpërdrejtë një transformim komplet i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin. Flitet pa pushim administrata, korrupsioni, por në thelb problemi themelor që kemi trashëguar është ryshfeti në shërbime, sepse aty është përballja e qytetarit me administratën dhe këtë thelb ne po e transformojmë. Në momentin kur ne bëjmë kalimin në online, faktikisht kemi fituar një avantazh të jashtëzakonshëm në luftën me ryshfetin dhe e kemi hequr qytetarin nga rruga e pengesave, për të varur fatin e kërkesës së tij  tek individë që i thonë eja nesër apo pasnesër. Kompjuteri nuk thotë eja nesër ose pasnesër. Sigurisht, këtu duhet bërë një punë e madhe me njerëzit që janë suport mbrapa kompjuterit në mënyrë që të përgjigjen në kohë, që të reagojnë me shpejtësi, por kjo do kërkojë pak kohë. Por thelbi është që këtu ishte një han me shtatë porta dhe dihej që nuk merrje dot një shërbim pa paguar lekë. Sot është komplet ndryshe. Nuk them që është eliminuar 100% se nuk mund ta them as këtu, as gjëkundi, por është komplet ndryshe. Sot mjafton të hapësh telefonin, të bësh aplikimin dhe merr përgjigje për këto që janë bazike. Deri në fund të dhjetorit do futet edhe një pjesë tjetër shërbimesh dhe detyrimisht ulja e ryshfetit do jetë drastike, jo këtu, por në të gjitha shërbimet e tjera” – u shpreh Kryeministri Rama.

Investimi do të përfshijë rrjetin elektrik dhe informatik tërësisht të ri. Gjithashtu do të realizohet ribrandim dhe unifikim i veshjes strukturore të fasadës në përputhje me imazhin e ri të DPSHTRR-së. “Është shumë domethënëse që sulmi i vazhdueshëm. i organizuar dhe i udhëhequr nga PD kundër Drejtorisë së Transportit Rrugor, bazohet tek fjala po “investojnë për luks, për fasada”, sepse konsiderojnë luks një mjedis ku njeriu hyn dhe ndjehet njeri. Stallat që kishin i konsideronin të mjaftueshme për njerëzit. Por përtej fasadës, në kuptimin e asaj që është pamja fizike e godinës, që është shumë e rëndësishme për një shërbim dinjitoz, se po të ishte ashtu, bota nuk do harxhonte,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi që “ndryshimi në të gjitha këto nuk është ai që duket, është faktikisht gjithë përmbajtja e punës, sepse kalohet në një sistem komplet tjetër, që është sistem dixhital dhe impersonal, që e ke marrëdhënien me institucionin, nuk e ke me një person që të thotë eja nesër se më dhemb koka. E për më tepër, në një drejtori të tillë që ka në dorë me thënë të drejtën një pjesë të rëndësishme të sigurisë fizike të njerëzve, si mund të jetë një rrumpallë që i jepeshin patentat si tesera partie. LSI-ja patentat i kishte si tesera partie. I jepnin patentat për t’u bërë votues i LSI-së.“

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.