Mozaiku i transformimit urban të Durrësit do të plotësohet edhe me dy projekte të tjera të rëndësishme të pozicionuara në pika kyçe të qytetit, me impakt të drejtpërdrejtë në përditshmërinë e banorëve të të gjitha grupmoshave.
Parkimi Publik me 6 nivele pranë Stacionit të Trenit, është një nga projektet për të cilin puna në kantier sapo ka nisur. Projekti do të shtrihet në një sipërfaqe rreth 15 mijë metra2, në dispozicion për 450 mjete dhe evente të ndryshme me një hapësirë të posaçme në nivelin e sipërm. E ndodhur midis stacionit të trenit, portit të qytetit, terminalit të autobusëve interurbanë, qendrës së qytetit dhe daljes në drejtim të rrugëve kombëtare, qendra e re e parkimit ka një potencial të veçantë në qytet, për zhvillimin, jo vetëm të zonës përreth, por dhe më gjerë. Ndërtesa pritet të përfundojë në harkun e një viti dhe do të furnizohet me energji diellore.
Kryeministri Edi Rama, inspektoi në vijim punën në kantierin e Parkimit publik, për të cilin Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako shpjegoi se “Projekti është shumë i rëndësishëm për qytetin, pasi është praktikisht në hyrje të Durrësit dhe mund të shërbejë dhe si moment ku mund të lësh makinën dhe më tej të lëvizësh në këmbë për pjesën tjetër të qytetit, plus është shumë afër me parkimin ngjitur me Portin, është ngjitur me stacionin e trenit dhe me hyrjen e Durrësit, kështu që është një hap i parë për të marrë masa për zgjidhjen e problematikave të trafikut në qytetin e Durrësit. Sigurisht ne kemi bërë dhe një analizë me projekt të detajuar për unazat e qytetit. E kemi gati si projekt dhe kur të vijë momenti, do kemi mundësi tua prezantojmë dhe atë për mundësinë e financimit.”
Ndërsa Parku i madh urban “Vala” është projekti më i ri për krijimin e këndeve sportive dhe argëtuese dedikuar fëmijëve dhe jo vetëm. Aty ku deri dje kishte vetëm mbeturina dhe makina të parkuara vend e pa vend, sot po formësohet një mjedis rekreativ, ku fëmijë e të rritur do të gjejnë hapësirën e tyre komunitare. “Këtu kemi një sipërfaqe rreth 8000 metra katrorë. Është një investim shumë i rëndësishëm i cili kurorëzon dhe një investim shumë të madh që kemi bërë vjet me FSHZH, ku kemi veshur rreth 44 pallate të para 90-ës me sistem kapotë, të cilat janë rehabilituar të gjitha dhe ky terren sportiv ndodhet pikërisht në qendër të këtyre objekteve që do t’i shërbejë, jo vetëm komunitetit këtu, por ka edhe fusha të ndryshme në gjithë territorin që do të jenë atraktive edhe për zonat e tjera.” – shpjegoi Kryetarja e Bashkisë Sako lidhur me projektin, punimet për të cilin janë drejt fundit.