Sot çeli dyert hoteli më i ri e më i madh në vend i brandit prestigjioz ndërkombëtar Meliá, buzë bregdetit Adriatik, si një shëmbëlltyrë e Shqipërisë turistike që përparon çdo ditë.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast përshëndeti edhe Kryeministri Rama:
“Duke dëgjuar Artanin që të fliste aq gjatë mu kujtua vetja që flas gjatë për punët që bëjnë të tjerët sepse e vërteta është që ky kompleks këtu është falë punës së jashtëzakonshme të një Dulaku tjetër, jo të atij që mbajti fjalimin, por të atit. Kurse ky i treti që erdhi tani, erdhi me vonesë se ky bën lajme me krime në televizor dhe promovimin e turizmit ia lë vëllezërve.
Ndërkohë me erdhi keq për gjithë këta miq të huaj që dëgjojnë gjithë këto fjalime të gjata shqip dhe kur pyeta pse nuk është garantuar përkthimi, më thanë që Artani donte që këtë ta paguante qeveria.
Kështu që më vjen shumë keq, Gabriel. Mirë se erdhe. Nuk ka përkthim sepse qeveria nuk pagoi për të.
Jam absolutisht krenar që këtu është edhe dikush që do të jetë një vlerë e shtuar me eksperiencën dhe artin në profesionin e tij, profesor Galiberdi që ka sjellë nga Italia praktikën e tij të mrekullueshme për t’i bërë njerëzit të ndihen më mirë nëpërmjet shumë gjërave që ai bën dhe jam i sigurt që shumë gra këtu dhe gra të tjera që do të vijnë, dhe gra të tjera që do të vijnë me ato gra, do të jenë të kënaqura të kalojnë nga klinika e profesorit që është pjesë e këtij kompleksi.
Kështu që faleminderit shumë, Gabriel. Faleminderit, profesor!
Do të vazhdoj në gjuhën tonë që ju nuk e kuptoni, por që ju betohem, është vetëm për të thënë gjëra të bukura.
Dua të vazhdoj me njerëzit që bëjnë punën po nuk iu del emri sepse në fakt ndoshta protagonisti kryesor që ka sjellë Melian në Shqipëri, është Blendi Klosi i cili është i ftuar këtu si bashkëudhëtar i këtij projekti dhe që krah përkrah me Artanin edhe me familjen Dulaku kanë punuar për të ardhur në këtë ditë. Natyrisht që ky është një investim që flet vetë.
Fjalimi im i gjatë shkonte kur bëmë inaugurimin që s’kishte asgjë këtu përveç Artanit, Adit dhe një gruaje të dërguar nga Melia. Tani ju e kuptoni vetë që fjalimi i gjatë i mbajtur atëherë ishte për të mbajtur gjallë entuziazmin po askush nuk e besonte, natyrisht përveç Blendit, meje dhe vetë Artanit dhe Adit që këtu do të ndodhte ajo që tregohej në 3D dhe për hir të vërtetës çfarë është ndërtuar, është edhe më e bukur se çfarë ishte e paraqitur në 3D dhe për këtë unë dua t’i përgëzoj të gjithë dhe me bindjen që të gjithë ju do merrni frymë lirisht që unë ta mbyll tani fjalimin se u bë një paradë e gjatë këtu fjalimesh, madje duke parë Anin që fliste, u kujtova që në asnjë nga mitingjet në Durrës nuk kemi ndenjur kaq gjatë në tribunë kështu që shumë faleminderit të gjithëve.
Faleminderit për ftesën dhe për sa i përket rrugës, një sqarim të vogël se meqë Artani e tha në fund , madje e gjeti edhe si justifikim që ishte COVID-i që e pengoi qeverinë ta bënte, nënkupton që tani që s’ka COVID, qeveria duhet ta bëjë rrugën, në fakt edhe Artani, edhe Doda që kam unë këtu afër, edhe të tjerë që duan të zhvillohen këtu, kanë pasur një ide fantastike që unë e kam përkrahur që në fillim që ta bëjnë rrugën vetë, natyrisht me mbështetjen tonë për të gjithë procesin e bërjes së rrugës kështu që duke ju garantuar të gjithëve që unë i qëndroj fjalës që i kam dhënë Artanit, që këta ta bëjnë rrugën vetë dhe ne t’i mbështesim, edhe një herë faleminderit të gjithëve dhe gëzojuni kësaj bukurie që është ndërtuar këtu.
Shumë faleminderit!