Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Turoperatorët, hotelierët dhe profesionistët e turizmit në qytetin e Durrësit, ishin sot bashkëbiseduesit e Kryeministrit Rama në një diskutim për sezonin veror që po afrohet, për angazhimin maksimal që kërkohet nga të gjithë, si edhe për turizmin si industri që ka transformuar imazhin e Shqipërisë, e cila sot pret më shumë se trefishin e vizitorëve të huaj, krahasuar me një dekadë më parë, teksa po hartohen projekte të reja për digjitalizimin e të dhënave në turizëm dhe një strategji të qartë deri në vitin 2030.

Në takim mori pjesë edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Sot, besoj unë, Shqipëria është në një pozicion krejt tjetër, në raport ku ishim dhe nga jemi nisur, në të gjitha aspektet. Por po kështu, jam i bindur që ajo që ka ndodhur dhe po ndodh me turizmin është diçka përtej të gjitha pritshmërive të shumëkujt sepse nuk jemi bërë thjeshtë një vend që jemi destinacion i ri, për shkak se ishim tërësisht të pazbuluar.

Por jemi një vend që kemi një potencial akoma të madh të rritemi edhe më shumë në funksion të të gjitha këtyre gjitha të mirave që vijnë nga kjo rritje, të punësimit, të rritjes së pagave në sektorin e turizmit  që janë rritur në mënyrë të ndjeshme faktikisht, sepse të gjithë tani e kanë kuptuar që krahu i lirë i punës nuk mund të jetë një avantazh konkurrues dhe siç dëshmojnë shumë realitete të sektorit, ne kemi praktikisht paga që janë njësoj ose edhe më të mira se në Greqi në një nivel të caktuar të hotelerisë sonë dhe sot kemi rreth 40 hotele që janë me brande të mëdha ndërkombëtare me 5 yje. Kemi një volum projektesh në vazhdim që janë vërtet një gjeneratë tjetër e turizmit, një gjeneratë tjetër e arkitekturës, një gjeneratë tjetër e të kuptuarit të cilësisë dhe një gjeneratë tjetër e volumit financiar që është përgatitur të investohet në Shqipëri nga investitorët vendas dhe investitor të huaj.

Faktikisht besoj që edhe volumi i investimeve të qeverisë dhe të bashkive është rritur si asnjëherë për përpara në funksion të turizmit dhe do vazhdojë të rritet.

Kini parasysh që sipas Organizatës Botërore të Turizmit, ne jemi vendi me rritjen më të lartë në Europë. Gjithmonë kemi parasysh rritjen në raport me vetveten, rritjen më të lartë në Europë dhe jemi në pesëshen parë në botë për rritje të vazhdueshme çdo vit në këtë sektor.

E përsëris në këto janë të dhëna që gjenden fare lehtë në klasifikimin e Organizatës Botërore të Turizmit, nuk janë të dhënat e mia.

Po ashtu kemi në mënyrë të përsëritur nga Forumi Ekonomik Botëror si Republika e Shqipërisë, një pozicion në 10 vendet me përmirësimin më të madh në indeksin e zhvillimit të udhëtimit në funksion të turizmit. Kemi rritjen më të madhe vjetore të numrit të netëve, të netë qëndrimeve në strukturat akomoduese turistike me 56%, kjo duhet marrë me një rezervë, sepse faktikisht e kemi pasur dhe e kemi akoma të ulët numrin e netë qëndrimeve, pra duhet ta kemi më të lartë, por ama rritja është shumë domethënëse dhe është një rritje, e cila tregon potencialin e madh që kemi dhe tregon në të njëjtën kohë bazën shumë solide që kemi vendosur.

Por duhet të jemi të gjithë të qartë për një gjë, që jemi akoma në një moment të brishtë, sepse nëse e marrim të mirëqenë këtë që kemi arritur dhe nëse nuk investojmë akoma më shumë në drejtimet e duhura, ne mund ta humbim këtë volum. Për ta mbajtur këtë volum dhe për ta rritur, natyrisht jo me këto ritme, sepse s’do shkojmë 100 milionë turistë, po për ta rritur në mënyrë të qëndrueshme graduale, ne duhet të jemi shumë të qartë çfarë do të bëjë sektori privat, çfarë do të bëjë shteti. Dhe në këndvështrimin tim, sektori privat duhet të ketë vetëm një fjalë, me të cilën duhet të zgjohet në mëngjes, edhe me të cilën duhet të flejë në darkë, cilësinë, cilësia e shërbimit. Cilësia në çdo gjë që bëhet, pra nuk është më koha e sasisë, nuk është më koha e hedhjes së parave kuturu, por është koha që çdo qindarkë të investuar ta investojë në cilësi sektori privat.

Është koha që të investojë në cilësinë e të gjithë zinxhirit shërbimeve dhe për këtë arsye, unë përsëri ju them dhe ju inkurajoj të mos të mos hezitoni, të rrisni pagat edhe më shumë. Se është kuptuar vonë, po është kuptuar që gjithë këto Fatosi tek ky hoteli ku jemi, ka konsumuar energji, ka konsumuar djersë punëtorie dhe ka konsumuar edhe një pjesë të konsiderueshme parash për të vënë gjithë ato lule në fasadën e hotelit dhe kolona lule, lule, kolona, kolona lule, të cilat për kohën patjetër që kanë qenë një, një gjë ndryshe dhe një gjë. Por, pse e solla si shembull? Sepse më mirë mos kesh ato kolona, ato lule, se sa të mos paguash sa duhet atë që ta mban hapur hotelin dhe që është fytyra jote kur njerëzit vijnë dhe është reputacioni jot gjatë gjithë ditëve që njerëzit qëndrojnë.

Gjë që përderisa këtu jemi në një vend të suksesshëm bëhet, por ama duhet më shumë e më shumë e më shumë, sepse ajo që duhet të synojmë ne nuk është të rrisim numrat, pafundësisht, po të rrisim numrin e turistëve që konsumojnë më shumë, e atyre që vijnë dhe harxhojnë më shumë këtu, në mënyrë që të mbeten më shumë para këtu. Ndërkohë që, nga ana jonë, ne jemi shumë të vetëdijshëm për punën që duhet të bëjmë.

Por ama, kur mendon se në këtë vend nuk kishte asnjë lloj legjislacioni për turizmin, s’kishte ligj për turizmin, ishte komplet një fushë, xhungël. Në këtë vend s’kishte asnjë lloj rregullore për plazhet, xhungël. S’kishte asnjë lloj sistemi ndërveprimi mes qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë vend, yjet viheshin duke shkuar te marangozi, duke i prerë, duke i lyer me të verdhë dhe duke i rrasë aty 5 yje me emrin e një hoteli që ishte kombinimi i emrit çunit, emrit të gocës dhe emrit vjehrrës. Tani, kjo ka qenë situata,  edhe ky ka qenë kaosi që ne kemi trashëguar, por ama ajo që vlen sot të kuptohet nga të gjithë është që kjo që kemi bërë është shumë e rëndësishme, në raport me ku ishim, por nuk mjafton në raport me ku duhet të shkojmë dhe për këtë arsye dhe këtu ku jemi në plazhin e Durrësit kemi bërë përsëri një investim të madh kapital për gjithë pjesën e shëtitores së plazhit që nuk mjafton dhe për këtë arsye kemi bërë dhe investimin tjetër, kemi investuar, tani do të ekzekutohet, zgjerimin e hapësirës ranore me 100 metra.

Pra, vitin e ardhshëm, sepse do punohet në mos ka filluar akoma, se do fillonte këto ditë, puna ka filluar që të marrim nga deti 100 metra në gjithë vijën. Që do të thotë që nuk do kemi më as atë kërcënimin që tha Luani që erdhi uji tek dera dhe për shkak të gjithë marrëzive që u bënë, hidh gurë e shtro ura në ujë, mole, por edhe për gjithë mënyrën sesi është menaxhuar pjesa brenda. Tani do të kemi një plazh tërësisht të rilindur në kuptimin më të vërtete të fjalës që do të lidhet me plazhin tjetër të ri që po krijohet tek marina e Durrësit që dhe ai besoj e keni parë, po pastron një zonë komplet të infektuar nga vajrat e nga qymyri shekullor atje dhe po krijon një lidhje organike që do të lidhë gjithë këtë zonë me marinën e re ku po punohet intensivisht ndryshe nga c’duket dhe ku tani puna do të hyjë në një ritëm tjetër sapo të fillojë spostimi i portit tregtar tek pjesa tjetër

Nga ana tjetër, kemi një projekt shumë ambicioz në anën tjetër, këtej i bie, që urojmë që ta çojmë përpara me një grup shumë të madh investitorësh që për herë të parë do provojmë krijimin e një territori brenda në det. Të gjitha këto rrisin vlerën e këtij plazhi dhe rrisin vlerën e gjithë investimeve që keni bërë ju dhe rrisin vlerën e çdo investimi tjetër që bëhet.

Për këtë arsye, unë dua ta theksoj faktin që kemi parë me shumë vëmendje projektet e reja. Ka projekte shumë të bukura dhe unë do ju inkurajoja që çdo tullë që do vini duhet ta mendoni mirë dhe ta vini me cilësi sicc thashë, sepse tani gjërat e reja që ndërtohen këtu, duhet të synojnë turistë që vijnë dhe paguajnë dhomën më shumë, paguajnë qëndrimin më shumë dhe ata kanë nevojë për disa kushte të tjera.

Gjithë këto hotele që janë ndertuar i përgjigjen një lloj shtrese dhe shumë mirë se kjo është shtresa bazë por duhet të ndërtojmë infrastrukturën që i përgjigjet një lloj shtrese tjetër. Dhe për këtë arsye po punojmë për zgjerimin e aeroportit të Tiranës, të Rinasit, për këtë arsye po punojmë dhe për portet e tjera turistike e kështu me radhë.

Nuk dua të zgjatem më tutje. Unë jam i bindur që ky shiu që po bie mbi çatinë e Fatosit është bereqeti që Fatosi përpiqet ta minimizojë sepse ja thashë se po bisedonim siç ja kam thënë më përpara, kemi një problem ne me ju dhe ju e dini shumë mirë që e kemi këtë problem. Deklarimet tuaja për dhomat e zëna nuk e pasqyrojnë  realitetin dhe ia kujtova Fatosit që kur kemi diskutuar kohë më parë më thoshit ule atë TVSh bëje 8% se pastaj ne do formalizohemi dhe do deklarojmë të gjitha se është TVSh 20%. Jo 8, e bëmë 6% TVSh, është më e ulta në Europë, më e ulëta në rajon edhe patjetër që solli më shumë të ardhura për ju, por sikur nuk solli dhe aq shumë të ardhura për ne, për shtetin. Ja si qesh ai, e di shumë mirë ai, të gjithë ju e keni një buzëqeshje, ai nuk e mban shumë se është i ri, ju që jeni me më shumë eksperiencë po ju shkëlqejnë sytë sepse ju kujtohet sa shumë keni fituar me këtë stil.

Megjithatë duhet pasur parasysh që dhe ne nuk është se kemi qenë të pavetëdijshëm për këtë, por siç kemi bërë për AirBnB që masivisht janë vënë në funksion, se nuk munden dot. Se si rriten me 56% netë qëndrimet në Shqipëri dhe ku flenë këta njerëz. Ne e dimë shumë mirë që Tirana është e mbushur me AirBnB, e mbushur plot. Janë të ardhura që nuk deklarohen asgjëkundi. Durrësi po ashtu ka plot AirBnB. Vlora është e mbushur me AirBnB, por për momentin, ne me vetëdije kemi lënë që njerëzit të akumulojnë të ardhura në këtë fazë, të akumulojnë të ardhura dhe në ndërkohë hoteleria të rritet dhe të forcohet se nuk jemi ne në kushtet që e përballojmë dot në hoteleri gjithë kërkesën.

Ama, ajo që tha ministrja që sistemi i ri i e-Visitors, sistemi i ri i regjistrimeve etj, do futen tani në funksion gradualisht se i erdhi koha, nuk mund t’i vinim përpara se do mbysnim dhe 5 vetë që punonin në mënyrë të padrejtë.

Por tani ka ardhur koha dhe duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Ashtu sikundër dhe ajo marrëveshje që ne kemi propozuar është një marrëveshje e hapur. Kush do e merr, kush s’do se merr. Që të paguajë që kontribut fiks bazuar në përqindjen e pikut dhe mbi përqindjen e dimrit. Kush do e merr, kush s’do se merr por kush e merr shpëton nga çdolloj inspektimi, nga çdolloj stresi, “jo erdhi inspektori, jo vajti te dhoma, jo ishte turistja duke krehur flokët, jo i ra derës, jo ajo mendoi se erdhën ta rrëmbejnë se ashtu kishte dëgjuar”. Këto janë strese pastaj që nuk kemi çfarë i bëjmë nëqoftëse juve nuk e merrni marrëveshjen

Nga ana tjetër, e kam thënë me të gjithë biznesin e madh, me të gjithë biznesin që është mbi 140 mijë euro xhiro, që paguan tatim fitimin, se deri në 140 mijë askush s’paguan tatim-fitimi, jemi unikal në këtë rast, do të bëjmë një propozim paqeje fiskalë dhe do t’i ofrojmë të gjithë biznesit mundësinë që të paguajë mbi bazën e një kalkulimi paraprak, që do të thotë çdo vit biznesi paguan rritjen ekonomike, pra nga vjet sivjet kalkulohen të ardhurat e paguara vjet, kalkulohet rritja ekonomike sivjet dhe biznesi paguan këto me 15%. Por i jepet mundësia që të paguajë më shumë me 5%, pra mbi këtë shifër biznesi mund të deklarojë më shumë se ato që Fatosi nuk i deklaron se thotë “t’i kem për një ditë të keqe.”

Duke menduar që ditët e këqija do t’i përballojmë bashkë, kështu që nuk do të mbetesh vetëm, mund t’i deklarosh dhe mund të fillojë e të bëhen dy fasha; një fashë deklarimi i të ardhurave të vitit dhe një fashë çfarë ka mbetur nën jastëk, është harruar padashje, nuk është puna se e keni lënë me qëllim, por padashje diku nën një jastëk atje, këtej disa lekë të tjera dhe aty ku thoni “Kjo dhoma nuk ka qenë e zënë, kjo ishte e zënë, por nuk ka qenë turist, por ka qenë vjehrra se ka qenë disa ditë se ishte e stresuar” mendoj që kjo do jetë një mundësi. Nuk e kemi shpikur ne, e kemi parë në vende të tjera, ka dhënë shumë rezultat me thënë të drejtën për biznesin, kështu që do ta bëjmë dhe këtë gjë, ndërkohë që do vazhdojmë fuqimisht investimet në Durrës.

Durrësi ka marrë një volum të konsiderueshëm investimesh për hir të vërtetës në këto vite, të kombinuar flas, buxheti, bashkia dhe Fondi i Zhvillimit, do vazhdojmë dhe kini parasysh një gjë që kur flisni për by-pass e Golemit mos harroni që rruga, që autostrada, që Korridori Blu që do të ndërtohet dhe që praktikisht do ta anashkalojë këtë zonë sepse do lidhet direkt Thumanë-Kashar-Rrrogozhinë, pra do hyjë në krahun tjetër, do bëjë që këtu të jetë kryesisht ose pothuajse komplet fluksi që vjen për këtu. Kush shkon për Fier, për Vlorë e për më tutje do ketë, do dalë nga Rrogozhina, pra do dalë nga Tirana ose do vijë nga veriu nga Kosova, do shkojë e do ikë nga Rrogozhina, nuk do kalojë më këtu.

Këtu do kalojnë ata që do të ndalojnë këtu dhe kjo do ta lehtësojë shumë ngarkesën mbi zonën, ndërkohë që ju do ta keni shumë më të thjeshtë kur doni të ikni për më poshtë të dilni nëpërmjet aksit këtu, nga Rrogozhina e më poshtë.

Këtu po e mbyll pak a shumë që të mos ju lodh sepse kam shumë gjëra që mund të themi, por besoj që çka kemi bërë dhe çka mund të bëjmë së bashku, kuptohet, për turizmin është diçka historike dhe jam i bindur që e kemi të gjithën vetë në dorë tanimë që ta bëjmë dhe ta bëjmë me shumë sukses dhe me përfitim, tani në këtë rast thuhet përfitim reciprok, por Fatosi do ketë më shumë përfitim, por do ketë dhe bashkia përfitimin e vet, do ketë dhe qeveria përfitimin e vet. Po të drejtohem ty sepse je i zoti i shtëpisë dhe je simboli i rezistencës pozitive për të ndërtuar një sektor vibrant këtu bashkë me gjithë të tjerët.

Shumë faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.