Durrës, vijojnë punimet në ambjentet e përbashkëta të banimit

Godinat e dëmtuara nga tërmeti i një viti më parë në Durrës jo vetëm po përforcohen, por gjithashtu po krijohen mjedise të reja të përbashkëta për komunitetin që jeton aty.

Në Durrës janë në total 615 pallate, të cilët do t’i nënshtrohen procesit të riparimit të dëmeve, gjë të cilën e pohoi edhe kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, gjatë inspektimit sot të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin ,Arben Ahemtaj në këtë kantier të rindërtimit. “Në fund të realizimit të këtyre punimeve do kemi ndërhyrje në 615 objekte në gjithë zonën e Durrësit”, – u shpreh Sako.

Godinat e dëmtuara jo vetëm po meremetohen, por edhe po transformohen në mjediset e brendshme dhe nga pamja e jashtme. Banorët e Durrësit, por jo vetëm, do të kenë banesat e tyre më të mira, më të bukura e më të forta sesa ato që kishin para tërmetit tragjik i 26 nëntorit.