Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Procesi i rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti vazhdon dhe paralelisht vijon akomodimi i familjeve në shtëpitë e reja. Tre familje në zonën e ish Kënetës në Durrës morën sot në dorëzim çelësat e strehës së re. I pranishëm në hapjen e dyerve të shtëpive të reja, Kryeministri Rama shprehu vlerësim për cilësinë e ndërtimit dhe kompletimit të shtëpive, duke bërë dallimin mes shtëpive të reja dhe atyre që u shkatërruan nga tërmeti.

Familja e parë, e cila mori në dorëzim çelësat, është shpërngulur nga Tropoja për në zonën e ish Kënetës në Durrës prej 15 vitesh, pasi shtëpia në vendin e origjinës u dogj nga një zjarr në vitin 1997. Kryefamiljari e falënderoi Kryeministrin që i qëndroi zotimit për rindërtimin e shtëpive të familjeve, të cilat e humbën shtëpinë e tyre nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019. Përgjatë daljes, Kryeministri Rama u shpreh se njësoj si ju që jeni nga Tropoja dhe prekët ndryshimin përmes rindërtimit të shtëpisë tuaj, ashtu edhe shumë të tjerë do ta prekin këtë ndryshim ditë pas dite.

Në ndalesën e dytë, një tjetër familje nga Tropoja mori në dorëzim çelësat e shtëpisë së rindërtuar. E vendosur në këtë zonë 24 vjet më parë, me mund kishte ndërtuar jetesën e tyre, edhe kjo familje rinisi sot jetën në një shtëpi më të mirë e të madhe se ajo që kishte.

Në ndalesën e fundit, Kryeministri Rama u mikprit në një familje nga Burreli, e cila dhe ajo u pajis me çelësat e shtëpisë së rindërtuar. Kryeministri ritheksoi se procesi i rindërtimit do të vijojë me intensitet deri në pajisen me çelësat e shtëpive të reja të të gjithë familjeve që i humbën ato natën e 26 nëntorit.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.