Investime të rëndësishme për Durrësin, të konkretizuara në projekte madhore parashikohen të realizohen së shpejti, duke gjeneruar njëkohësisht shumë vende të reja pune.
I tillë është projekti i madh i transformimit të qytetit në një port turistik ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe, për të cilin kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Durrësi se “Investimi do të jetë rreth 2 miliardë dhe bëhet nga një prej kompanive më të mëdha të botës në fushën e turizmit, projekt i cili do të fillojë, procedurat janë kryer, masterplani është aprovuar, kompania ka paraqitur projektin e fazës së parë për aprovim dhe është çështje ditësh. Në ndërkohë do të fillojë krijimi i menjëhershëm i shumë vendeve të punës si rezultat i këtij investimi të jashtëzakonshëm.”
Kryeministri theksoi gjithashtu se “Do të fillojë dhe transformimi i gjithë hapësirës së tregtisë përmes detit, duke ndërtuar portin e ri tregtar, duke e hequr këtë port tregtar nga zemra e qytetit, duke spostuar të gjitha ato prani të dëmshme për mjedisin, të dëmshme për shëndetin, si rezultat i përpunimit të mallrave mu në zemër të qytetit dhe duke krijuar një port me standarde krejt të tjera më standarde europiane, në zonën e Porto Romanos.”
Ndërsa i vlerësoi këto dy investime të jashtëzakonshme, Kryeministri tha se nuk janë të vetmet për qytetin bregdetar. Një tjetër projekt madhor, i cili ndodhet aktualisht në proces me garën ndërkombëtare është ai i Parkut të Dytë Fotovoltaik, pasi ka filluar ndërtimi i parkut të parë fotovoltaik në zonën e Karavastasë, që është parku më i madh fotovoltaik në rajon.
Përsa i takon procesit të rindërtimit, i cili po vijon në Durrës, si në cdo qytet tjetër të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, Kryeministri tha se puna ka filluar me lagjen e re në zonën e Spitallës, një realitet i ri që do të krijojë strehim cilësor për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti dhe për më shumë se kaq. “Do të ndërtohet në atë zonë, në zonën e Spitallës, lagja e re e Rindërtimit për të cilën ka filluar puna me infrastrukturën tanimë dhe që do të financohet nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, është një tjetër realiteti i ri që do të krijojë strehim cilësor për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti dhe për më shumë se kaq.” – u shpreh Kryeministri Rama, duke vijuar më tutje me projektin e zonës ekonomike industriale ku do të vendoset një pjesë e konsiderueshme aktivitetesh prodhuese dhe përpunuese, që do të krijojë patjetër mundësi të reja punësimi për mijëra njerëz. “Zona ekonomike industriale që tanimë është pjesë e këtij procesi, si një projekt në rrugën e realizimit, jo si një premtim elektoral që është bërë prej 30 vitesh ku do të vendoset një pjesë e konsiderueshme aktivitetesh prodhuese dhe përpunuese, që do të krijojë patjetër mundësi të reja punësimi për mijëra njerëz. Parku, eko parku që në javët në vijim do të hapet për publikun, aty ku ishte gangrena më e madhe e Shqipërisë, fusha e plehrave në Porto Romano që u bë edhe motiv për kronika televizive në kanalet e mëdha europiane si një vullkan ndotjeje mu në zemër të Mesdheut dhe pa diskutim, vazhdimi i punës për të sistemuar krejt infrastrukturën, në shërbim të komuniteteve që nga Durrësi, lart në Krujë dhe në gjithë zonën që mbulohet nga bashkia e Shijakut.” – u shpreh kryeministri Rama teksa foli sot për projektet transformuese të qytetit bregdetar të Durrësit.