Kryeministri Edi Rama në llogaridhënien publike në Korçë:
Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit që këtë paradite po e ndani me ne. Ky është takimi i fundit i fushatës së llogaridhënies publike. Një fushatë që është atipike, sepse partitë në 20 e kusur vite i kanë bërë fushatat kur ka pasur zgjedhje për të kërkuar votën, ndërsa kjo fushatë nuk është as për zgjedhje, as për të kërkuar votën, por për të dialoguar, për të folur e për të dëgjuar dhe për të vazhduar një përpjekje tejet të vështirë, por të domosdoshme, të ndërtimit të një ure solide mes qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm, si një bazë e bashkëqeverisjes që kemi premtuar e për të cilën jemi votuar dhe që synojmë ta realizojmë. Natyrisht, nga e thëna në të bërë, thotë populli, është në mes një det i tërë. Nuk është e lehtë, ne nuk jemi të përsosur, kemi shumë gjëra për të korrigjuar në procesin e qeverisjes, sepse kemi një trashëgimi shumë të rëndë.
Unë dua ta nis në mënyrë pak të veçantë këtë takim, sepse rrethanat e diktojnë. Duke përfituar nga rasti t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së punonjësit të Gardës, i cili u nda nga jeta, pasi mori një vendim ekstrem dhe befasues për të gjithë ne dhe dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën më të fortë të keqardhjes për faktin se edhe përtej tragjedisë, edhe përtej dhimbjes së pangushëllueshme të një familjeje për djalin, për vëllain, për një njeri të shtrenjtë, ata nuk mundën të gjejnë së paku qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë së tyre, sepse u gjendën nën rrebeshin e zi të sulmeve politike. Sulmeve politike për të njëjtat arsye të mosarsyes që e kanë dominuar për kaq shumë kohë politiken tonë e që vazhdojnë ta dominojnë pa dashur fare t’ia dijë për respekt, për të vërtetën jo e jo, por as për njerëzit e thjeshtë të një familjeje të thjeshtë, në kulmin e një momenti dhimbjeje. Agresioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta, përfshirja e tij në një skenar fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshme, për të goditur qeverinë, vërtetë që nuk ka fjalë për t’u komentuar.
Është i neveritshëm, është i turpshëm, është një tjetër shembull i një vështirësie të jashtëzakonshme dhe artificiale në të cilën gjendet hapësira e debatit politik, që karakterizoi edhe gjithë procesin për të marrë më në fund datën për çeljen e negociatave me Bashkimin Euorpian.
Ne bëmë gjithçka mundëm, e pamë nga afër me sytë tanë, dëgjuam me veshët tona, kuptuam nga komunikimet me të gjithë partnerët se sa shumë vlerësim pati nga njëra anë, për gjithçka kemi bërë, por në të njëjtën kohë dhe se sa e vështirë ishte që të gjitha vendet e BE-së të vendosnin bashkërisht për të caktuar datën e çeljes së negociatave, për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Shqipërinë dhe me ecurinë e reformave tona, por që lidhen me dinamika të brendshme në disa vende të Bashkimit Europian. Është e hatashme të shikosh se si pasqyra e opozitës sonë të pafe, pa atdhe, pa din, pa iman, e përthyen edhe këtë kapitull kaq të rëndësishme për Shqipërinë e për shqiptarët, jo për Partinë Socialiste, jo për qeverinë thjesht, se si përpiqet t’u tregojë shqiptarëve formën e një gënjeshtre të madhe si të ishte një e vërtetë e hidhur, ndërkohë që e vërteta është shumë e thjeshtë, Shqipëria mori nga Komisioni Euorpian rekomandimin pozitiv, pa kushte, për të çelur menjëherë negociatat e është Komisioni Europian mekanizmi i vlerësimit objektiv të të gjithë aspekteve teknike të procesit, është makineria e ngritur nga shtetet anëtare për të ndjekur në çdo hap procesin në të gjitha drejtimet e për të dhënë konkluzione.
Ndërkohë që kur vendimet e Komisionit Euorpian shkojnë në Këshillin Europian, aty jemi në nivelin e subjektiviteti politik të shteteve anëtare, që lidhet edhe me situatat brenda për brenda tyre dhe jo rastësisht e jo pse kjo kishte lidhje me Shqipërinë apo me Maqedoninë, deri një orë përpara përfundimit të maratonës së bisedimeve, datë, jo datë, tre shtete ishin të vendosura që të mos jepnin datën, ndërkohë që 25 shtete të tjera, me Gjermaninë në krye ishin të vendosura për të marrë datën.
Mjafton një logjikë e shëndetshme fëmije për të kuptuar që në këtë konfiguracion problemi ishte i brendshëm. Problemi lidhej me si disa nga këto shtete do të arsyetonin një vendim të tillë në opinionet e tyre publike, ku ka shumë erëra kundër zgjerimit të Europës, ku ka shumë forca dhe burime të populizmit antizgjerim dhe anti të Bashkimit Europian në tërësi.
Ne ia dolëm të marrim datën dhe duhet ta dinë të gjithë që, edhe sikur vendimi të ishte marrë, për t’i çelur negociatat menjëherë, përsëri do të vendosej një datë, e cila mund të ishte në dhjetor, mund të ishte në qershor, me kushtin e fillimit të punës përgatitore, sepse negociatat nuk nisin të nesërmen, por janë një proces përgatitor. Është gjithë rrjeti i personave që do të negociojnë, është gjithë hulumtimi i gjithë sistemit ligjor në çdo sektor, për të parë ku duhen vendosur pikat, për të vazhduar përputhshmërinë me sistemin ligjor të Bashkimit Europian e kështu me radhë. Ajo që ka ndodhur dhe që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë është që është dhënë data orientuese për në qershorin e ardhshëm, por është hapur drita jeshile për të filluar punën përgatitore menjëherë, a thua se do të fillonim që sot negociatat.
E gjitha kjo është një mënyrë për ta njohur meritën e Shqipërisë, për të njohur meritën e Maqedonisë, por për të pasur më shumë lehtësi nga vendet anëtare, nga ato vende që e kishin problem me opinionet e tyre publike, të cilat e kishin sipas tyre të pamundur që t’u thoshin që ne i hapëm menjëherë negociatat me dy vende të tjera, ndërkohë që nga ana tjetër kërkojnë rishikimin e vetë Europës. Ndërsa kështu, secila palë mund të vazhdojë procesin, sipas interesave të veta. Është një zgjidhje politike e dobishme dhe shumë e mirëseardhur për ne.
Nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj kohë për të përgatitur gjithë strukturat dhe infrastrukturën e negociatave dhe sigurisht, edhe për të thelluar reformat. Ato nuk janë kushte, në kuptimin që “nuk i kishit bërë këto”, “bëni këto, pa të shohim”. Nuk është kështu. Gjithë procesi i integrimit, deri në fund, deri kur të firmosim anëtarësimin është një proces kushtëzimesh të vazhdueshme për të kryer detyra. Mali i Zi sot është në proces negociatash. Sot që flasim, ka 94 kushtëzime për të plotësuar në çdo aspekt, sepse i gjithë ky proces është ndërtimi i makinerisë europiane të shtetit brenda shtetit që negocion. Është shtetbërie europiane. E prandaj është i rëndësishëm për ne.
Ne nuk e duam procesin e integrimit thjesht si një proces që një ditë të bëhemi anëtarë të familjes europiane. Se këtë gjë nuk e kuptojnë shumë njerëz e thonë ç’na duhet ne Europa. Jo, ky proces është themelor për ne, për të çuar deri në fund shtetbërien, sepse është një proces ku ka një barrë të tërë dijeje të shtetbëries, të përkthyer në indikatorë, të përkthyer në objektiva, të përkthyer në harta veprimi e të përkthyer në mekanizma. Është një asistencë që nuk e gjejmë dot gjëkundi tjetër. Që nuk e jep dot askush tjetër dhe ky është thelbi i procesit, për këtë na duhet. Ato që janë të shkruara, janë gjëra që ne do t’i bënim, si me datë, si pa datë.
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit do vazhdojë, si me datë, si pa datë. Ne sot në Shqipëri kemi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e statistikave, që nga dita e parë që janë mbajtur statistika për vrasjet. Numrin më të ulët në Shqipëri, në mesataren e vendeve europiane. Jemi tek mesatarja për numrin e vrasjeve në vit dhe ky vit është edhe më i mirë sesa i shkuari. Për çfarë flasim?
Sigurisht që ka shumë e shumë gjëra të tjera për të bërë, siç ka shumë për të bërë për ekonominë. Por jo më larg se dy ditë më parë morëm të dhënat e ekonomisë për 3 mujorin e parë, 4.55% rritje ekonomike. E kam thënë në fushatë dhe e përsëris prapë edhe këtu. Ne duhet të kalojmë 5% që të fillojë rritja ekonomike të ndihet realisht në ekonominë familjare. Por e kemi filluar me 0 presje diçka në vitin 2013. As 1%. Sot, 4.55%.
Unë e di që për shumë njerëz, 4.55% është një shifër që nuk i thotë asgjë. Ashtu sikundër është e pakuptueshme, më saktë, unë e kuptoj nga buron, por nuk mund ta pranoj gjithë atë lukuni komentatorësh nëpër televizione, apo me profile fals në Facebook, sipas të cilëve, “populli nuk ka bukë, populli nuk ka punë”. Është e pavërtetë. Në Shqipëri ka probleme jo të vogla me papunësinë dhe me varfërinë, por problemi në Shqipëri nuk është buka. Është rritja e mundësive dhe përmirësimi i kushteve për shumë e shumë komunitete dhe familje.
Këto janë të vërteta e ne nuk fshihemi se kemi hall se po na hedhin baltë, kur i themi këto të vërteta. Sot ishin 720 vende pune në panairin e punës këtu në Korçë dhe 720 vende pune të deklaruara në bashkëpunim me zyrën e punës, se ka shumë më tepër se kaq. Ne kemi sot një të dhënë të muajit qershor për punësimet e bëra nga zyrat e punës në rang republike. Janë mbi 3000 dhe do të arrijmë mbi 25 000 punësime vetëm nga zyrat e punës, duan apo nuk duan këta që duan ta kthejnë përmbys vështrimin e njerëzve me propagandën terrorizuese të fundit të botës dhe të ardhjes së ditës së kiametit.
Duke thënë këtë, nuk harroj të them që rrogat e ulëta janë ende shumë të ulëta, por të tilla janë në të gjitha vendet e rajonit. Nuk mundet dot rrogat të rriten se kemi ne dëshirë t’i rrisim. Kush është ai kryeministër që nuk do të rrisë rrogat? Po nëse rrogat do rriteshin me dëshirë, pse Gjermania nuk i bën 10 000 euro për të gjithë?
Meqë këtu ka derdimenë që komentojnë dhe thonë, bëjini rrogat 600-700 euro, po Gjermania, pse nuk i bën 10 000? Si rriten rrogat, nëse nuk ke para si t’i paguash e si krijohen paratë për të paguar rroga më të larta?
Është një zinxhir i tërë që duhet venë në lëvizje e ne këtë po bëjmë, po vëmë një zinxhir të tërë të ekonomisë në lëvizje. 4.55% është një shifër shumë inkurajuese, por në ndërkohë është vetëm momenti i fillimit të kantiereve të mëdha. Filloi kantieri i rrugës së Arbrit. Janë disa kantiere të mëdha në radhë për të filluar. Janë mbi 1.4 miliardë që ne do të injektojmë në ekonomi ku do të ketë një gjallërim të mëtejshëm të zinxhirit të ekonomisë dhe një rritje të mëtejshëm të punësimit, të mundësive për punë. Patjetër kjo do të përkthehet dhe në ekonominë familjare.
Si mund të bënim një volum të tillë investimesh, si mund të bënim infrastrukturat e mëdha në 4-vjeçarin ku ne gjetëm një mal me borxhe!
Në fund të fundit, kush ia kërkon qeverisë këtë apo atë, e ka shumë të thjeshtë, pse në shtëpinë tënde, kur ke shumë nevoja, nuk i bën të gjitha gjërat që do? Je ngushtë?
Apo hidh një kat tjetër, pse nuk e hedh dot? Sepse e di që nuk ke mundësi, ose duhet të shkosh të marrësh borxh. Por, nëse merr borxh dhe nuk e ke të mbuluar borxhin në vite, humbet shtëpinë.
Kush është ai prind që nuk do t’i japë fëmijëve, kur nisen për studime, më shumë para? Por nuk i kanë. Po i mori borxh, nuk i lan dot e po nuk i lau dot, do vijnë t’i marrin shtëpinë.
Ky është edhe shteti.
Nuk mund të jetojë dot një familje jashtë mundësive. Jashtë mundësive të veta, jeton një familje bixhozçinjsh, një familje që ka një kryefamiljar bixhozçi, siç kishim ne kryeministrin që luante bixhoz elektoral me paratë e popullit. Ai mund ta bëjë këtë, të jetojë jashtë mundësive të veta, por deri në një moment të caktuar dhe pastaj, e gjithë shtëpia kolapson dhe të gjithë borxhlinjtë e kryefamiljarit i kanë në derë gruaja dhe fëmijët.
Lamë gjithë ato borxhe. Sot përgatisim daljen me një Eurobond tjetër. Po të shikoni se çfarë thonë tregjet, është shumë inkurajues.
Por ky është i gjithi një proces. Nuk mund të ndodhë nga sot nesër. Ashtu skundër është një proces edhe transformimi i administratës. Unë e di shumë mirë, është problemi, shqetësimi dhe dhimbja më e madhe e kokës, përditë, për mua, me një administratë që në hallkat e saj nuk ju përgjigjet qytetarëve. Që ka akoma plot parazitë dhe grabitqarë që konfirmojnë atë që kam thënë. Nuk është çështje LSI apo PD këtu. Këtu është çështje e një tepsie ku janë infektuar të gjithë ndër vite, ku kemi parë plot, edhe nga të paudhët e shtëpisë sonë, që të shkojë atje e t’i harrojnë të tëra e të fillojnë të fusin duart në xhepat e njerëzve.
Si mund ta luftojmë këtë sëmundje më shpejt dhe më me efikasitet, sesa luftohet normalisht, në gjithë procesin e shtetbëries e të reformimit? Sepse korrupsioni luftohet me sisteme, por sistemet duan kohën e tyre që të vihen në punë. Flasim për hipotekën, është vërtetë një tmerr, por që hipoteka të funksionojë ashtu siç duhet, duhet të ketë një sistem të tërë hartash të integruara. Ju nuk e keni idenë se çfarë ka ndodhur në gjithë këto vite, edhe në vitet që për fat të keq qeverisëm ne e ku copa e tepsisë së hipotekës i takoi tjetër kujt, me hartat.
Ndërkohë ne kemi nevojë që të jemi bashkë. Një qytetar nuk mundet dot të zgjidhë problemin e vet, nëse nuk ka një mundësi dhe një rrugëzgjidhje që është e mundshme. Ia kemi dhënë rrugëzgjidhjen e mundshme. Na i ka dhënë teknologjia. Platforma shqiperiaqeduam.al është 3 minuta për çdonjërin në qytet dhe në fshat, i ri apo i moshuar. Sepse, nëse nuk di ta përdorsh vetë iphone, nëse nuk ke fare iphone, tek posta, tek zyrat e bashkëqeverisjes që kemi hapur, tek njësia administrative, 3 minuta dhe e zgjidh brenda 10 ditësh, nëse të takon atë që ke muaj apo vite apo e zgjidhur.
Por nuk është vetëm kjo.
Ndërkohë ne zbulojmë një tjetër të paudhë, sepse dikush është shkaktari i problemit tënd që nuk e more zgjidhjen për dy vjet dhe e more për 10 ditë. Është ai punonjësi apo ata punonjësit që kanë dosjen tënde. Për pensionin, për hipotekën, për tatimet, për legalizimet, etj. ka gjithmonë një punonjës, apo një grup punonjësish që kanë dosjen. Ata përgjigjen. Atyre u shkohet nga mbrapa e u thuhet se dikush kishte 2 vjet që nuk e zgjidhte, u ankua dhe iu zgjidh për 10 ditë. Përderisa u zgjidh për 10 ditë, atëherë kjo zgjidhej dhe pse nuk e zgjidhe?
Kështu ne kemi çuar disa në prokurori, drejtues dhe punonjës e do të vazhdojmë të çojmë. E kemi vendosur rregull, për çdo rast të zgjidhur ka një rast të ndëshkuar, që gjithë administrata marrë mesazhin që, nëse një grua e moshuar, që duket njeri pa njeri dhe unë e trajtoj siç jemi mësuar ta trajtojmë 20 e kusur vite, mund të më bëjë gjëmën. Mjafton t’i thotë nipit apo mbesës t’ia shkruajë problemin tek platforma dhe ajo kthehet në forcë që ka fuqinë e vetë ministrit, se është ministri apo ministrja që merret vetë me të.
Ne po bëjmë dhe do ta aprovohet në parlament në javët e ardhshme, një ulje të re taksash. Një ulje të qenësishme taksash për ata që janë të punësuar, apo që kanë punësuar të tjerë në biznesin e tyre të vogël, duke e rritur fashën. Pra, çdo biznes që ka një xhiro nga 80-140 milionë, sot që flasim paguan 15% taksë. Kjo pengon shumë biznese të vogla, që e kalojnë de facto 80 milionëshin, që të bëjnë deklaratë reale dhe gënjejnë. Të gjithë gënjejnë sepse po të kalojnë mbi 80 milionëshin, Tatim fitimi u kalon nga 5 në 15%. Ne do t’i japim fund kësaj historie, duke e çuar në 140 milionë fashën.
Parafytyrojeni, 91% e bizneseve në Shqipëri do të paguajnë vetëm 5% Tatim fitimi. Nuk e ka asnjë vend i rajonit, nuk gjendet askund. Sepse ne kemi nevojë për këtë, jo për të thënë që jemi më të avancuarit, por, sepse kjo është një nevojë sot për ekonominë dhe për biznesin dhe kjo është përgjigja për të gjithë ata maluketër, që, siç bëjnë me Shqipërinë kur vjen puna për t’i dhënë një dorë Shqipërisë, – parafytyrojeni, në tryezën e ministrave të Këshillit Europian, ministri i Jashtëm i Greqisë dhe ministri i Jashtëm i Italisë kanë luftuar sikur të ishin aty ministrat e Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kanë luftuar 1000 herë më shumë, sesa ka luftuar opozita e këtij vendi. Vendet anëtare, të gjithë miqtë tanë kanë luftuar për Shqipërinë 1000 herë më shumë e këta jo vetëm nuk kanë luftuar, por kanë luftuar kundër, – bëjnë me biznesin e vogël, që i mashtrojnë njerëzit me lajme të rreme, që u vu TVSH-ja, do ju rritet kjo e do ju rritet ajo, do vijë fundi i botës për ju.
Siç mashtrojnë me çdo lloj grupi interesi, me çdo lloj individi. Si mund t’i thuash dy prindërve ta vranë mafiozët djalin, kur djali në kushte të një gjendjeje që nuk ka se kush ta shpjegojë tjetër dhe ai vetë tanimë nuk është më, kryen vetëvrasje! Si mund t’ia bësh këtë një familjeje!
Kjo është një gjë që nuk mund të perceptohej as në Shqipërinë e mesjetës. Si mund të rrish të dokërrdisësh çdo ditë dynjanë në televizor, në radio, në gazetë, në Facebook, a thua se këtu nuk ka fëmijë që duhen edukuar! A thua se këtu nuk ka të rinj që duhet të mësojnë normat e mirësjelljes! A thua se këtu nuk ka familje që duhen ndihmuar, ose të paktën lënë rehat dhe u futesh nëpër shtëpi, duke thënë 1001 të zeza, në mënyrën më paedukatë, në mënyrën më pa sens, jo patriotik, por pa sens njerëzor, çdo ditë! Si mundet! E pra, mundet! Ja, në këto kushte jemi!
Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli. Ne kemi plot gjëra për të përmirësuar. Ne kemi bërë gabimet tona, nuk diskutohet. Nuk jemi engjëj, jemi shqiptarë si gjithë të tjerët, me të mira e me të meta, por një gjë është e sigurt, që në këtë punë jemi të angazhuar me mish e me shpirt, me aq sa dimë, me aq sa mundemi.
Të mundeshim më shumë, nuk do e linim pa bërë!
Çfarë mundemi, e bëjmë!
Përpiqemi që të mundemi më shumë. Sapo mundemi më shumë, bëjmë më shumë.
Po këta, çfarë janë këta? Nga vijnë këta? Nga cili pyll i errët i historisë sonë kanë dalë këta? Çfarë janë këta që na kanë risjellë Esat Pashë Toptanin në shekullin e XXI, në mes të parlament e në mes të mexhlisit! Ca efendilerë që vetëm gënjejnë, vetëm shajnë, vetëm përbaltin, pa dallim gjinie, burra e gra, që flasin pa dashur t’ia dinë fare se ku shkon fjala. Do bëhet teatri dhe 230 -250 milionë u vodhën. Por ajo e gjitha kushton aq. Është një çmenduri. Do bëhet kjo – u vodhën, thonë.
E ka thënë mirë një fjalë e mençur. Nëse akuzon dikë për diçka që ai nuk e ka bërë, ose e ke bërë vetë, ose je gati ta bësh vetë, po t’u dha mundësia. Se nuk më shkon mendja mua që t’i akuzoj në këtë formë, se nuk i kam bërë ato gjëra e nuk dua t’i bëj ato gjëra. Ujku, ujku, po çakalli bën kërdinë. Po këta çakallit i marrin të keqen. Nuk e di me cilën specie mund të krahasohen, pa fyer specien që përdor për krahasim.
Është e pabesueshme, më besoni, të jesh përballë figurave më të larta të shteteve europiane, që të pyesin, si e shpjegoni ju, që opozita juaj bën çmos që Shqipëria të mos e marrë këtë që meriton e që ju e kërkoni me kaq ngulm; Apo si e shpjegoni ju, që kemi marrë nga opozita juaj këtë e këtë, që janë qartazi gjëra të pabesueshme, por pse e bëjnë ata?
Si të shkosh në një takim me prindër e të të shohin të gjithë të tjerët, sikur ke hatanë në shtëpi. Ja, kjo është.
Shumë faleminderit!