U nënshkrua sot partneriteti i ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë për të mbështetur bizneset shqiptare, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar më shumë mundësi për sipërmarrësit.
Në eventin e zhvilluar në mjediset e Bankës së Shqipërisë mori pjesë edhe kryeministri Rama, i cili theksoi se programi synon t’u japë bizneseve akses në financim të përballueshëm, përmes kredive me interesa minimale dhe garancisë sovrane të shtetit, duke u krijuar mundësinë sipërmarrjeve të hedhin hapin e radhës drejt zgjerimit dhe modernizimit të aktivitetit të tyre. Sipas tij, kjo nismë lind nga nevoja konkrete e bizneseve për financim të aksesueshëm dhe përfaqëson një mbështetje të drejtpërdrejtë për ata sipërmarrës që kanë potencial të rriten, të krijojnë vende pune dhe të kontribuojnë më tej në zhvillimin ekonomik të vendit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe në radhë të parë, jo për formalitet, por për sinqeritet, dua që t’i falënderoj një nga një përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë dhe në radhë të parë, Guvernatorin, Bordin e Bankës së Shqipërisë për angazhimin dhe për të gjithë diskutimet që kemi pasur, në funksion të arritjes në këtë ditë të shënuar sipas këndvështrimit tim, për sipërmarrjen shqiptare.
Dje, presidentja e Bankës Evropiane të Investimeve ka vizituar për herë të parë Shqipërinë dhe kemi qenë së bashku në një ceremoni të nënshkrimit të një marrëveshjeje me njërën prej bankave këtu të pranishme, Intesa Sanpaolon, një marrëveshje e cila në konsideratën tonë duhet të shihet dhe duhet të ndiqet sa të jetë e mundur dhe nga bankat e tjera me Bankën Evropiane të Investimeve
Ne ia kemi shtruar Bankës Evropiane dëshirën tonë që marrëveshja e parë me Intesa Sanpaolon të zgjerohet edhe më banka të tjera të nivelit të dytë, sepse është një marrëveshje që shkon drejtpërsëdrejti në të njëjtin shtrat të marrëveshjes së sotme, një marrëveshje për të financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë motor i ekonomisë sonë dhe që sot kanë në gjirin e tyre realitete me potencial të jashtëzakonshëm.
Personalisht kam mundur të shoh një sërë ndërmarrjesh të vogla, të cilat bazuar në eksperiencën e shqiptarëve dhe shqiptareve të kthyer nga emigracioni, bazuar në shpirtin inovativ, bazuar në vullnetin për të bërë diçka domethënëse në komunitet dhe për të punësuar familjen dhe njerëzit përreth, kanë qenë eksperienca të jashtëzakonshme, prekëse do thoja dhe ndërkohë, eksperienca që më kanë treguar qartësisht se me një mbështetje financiare të arsyeshme, ato ndërmarrje, ato realitete mund të rriten edhe mund të sjellin të reja kuptimplota për ekonominë tonë, por nuk është vetëm eksperienca e atyre që janë kthyer, por është edhe eksperienca e atyre qe kanë punuar këtu qysh në krye të herës dhe që sot janë gati të hedhin një hap tjetër.
Në fund të çdo bisede, problemi ka qenë financimi i aksesueshëm dhe i arsyeshëm në pamundësi për të marrë kreditë normale, komerciale, të cilat nuk mund t’i përballojnë për të hedhur hapin tjetër dhe kështu ka lindur edhe ky projekt, i cili fillimisht ishte një projekt i dedikuar për bujqësinë, nga i cili ne nxorëm mësimet tona bashkërisht dhe sot është një projekt që është kthyer në një program shumë serioz mbështetjeje të qeverisë shqiptare, për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Dhe sot, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, duhet ta dëgjojnë qartësisht që brenda një kohe shumë të shkurtër pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje, do të futet në zbatim një program i cili u hap të gjithëve një derë për të dyfishuar sipërmarrjen e tyre, natyrisht bazuar në planin e biznesit dhe në gjithë komponentët e tjerë që janë të patjetërsueshëm dhe të pazëvendësueshëm për bankat e nivelit të dytë.
Ndërkohë dua ta ri sjell këtu atë që tha në fjalën e tij Guvernatori, sepse është një moment për ta nënvizuar. 5 vjet më parë kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 miliardë euro, sot pas 5 vjetësh kredia në Shqipëri është 10 miliardë euro. Jemi në një dyfishim të kapacitetit financues të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë që tregon qartësisht me fakte se ekonomia është në një gjendje të shëndetshme dhe me potencial të madh rritjeje të mëtejshme, ndërkohë që siç e dini ju të parët, kreditë e këqija kanë rënë në nivele të papërfillshme si kërcënim potencial për ekonominë, kur një dekadë më parë ishin thuajse 25% kreditë e këqija.
Vetëm në 2 vitet e fundit kredia e re ka prekur pothuajse tavanin e 5 miliardëve. Është diçka e jashtëzakonshme, por nga ana tjetër, është një arsye më shumë për të hedhur një hap tani kurajoz, falë bashkëpunimit dhe falë disponimit total të Bankës së Shqipërisë për ta mbështetur rritjen ekonomike përmes rritjes të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe falë punë që kemi bërë së bashku.
Kështu që për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vihet në dispozicion një linjë kredie me një interes minimal 2% dhe maksimal 3% dhe këtu dhe një herë kërkojmë bashkëpunim dhe solidaritet të plotë nga ana juaj, por natyrisht e shoqëruar me një garanci sovrane të qeverisë shqiptare për të ulur në mënyrë kuptimplotë riskun e kredisë për bankat. Një garanci sovrane që varion nga 30% në 70% sipas nivelit të vlerësuar të riskut.
Natyrisht që nuk do harroj të them se bankat duhet të jenë pak më kurajoze edhe në raport me sektorin e bujqësisë ku patjetër niveli i riskut është i lartë, ku kemi mësuar tanimë se projektet nga ky sektor, të financueshme, duhet të jenë projekte që kanë natyrshëm një risk më të ulët dhe që lidhen me agrobiznesin, që lidhen me inovacionin, që lidhen me teknologjitë e reja dhe me patjetër agroturizmin, gjë në fakt, komponent në fakt që juve e keni mbështetur pa probleme.
Kjo është dita e sotme dhe unë besoj shumë që edhe një fond granti, i cili do të vendoset në dispozicion për të hartuar planet e biznesit, pra për t’i ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të bërë aplikimet e tyre, do të vijë si vlerë e shtuar në lehtësimin e marrëdhënies mes subjekteve dhe bankave. Natyrisht që ky grant do duhet të administrohet në mënyrë të koordinuar që të kuptojmë ekzaktësisht edhe se çfarë ka më shumë për të mësuar në këtë proces.
Kështu që në fund uroj që Guvernatori të na vërë në dispozicion dy zëvendësguvernatoret për të na ndihmuar në këtë projekt dhe nga ana tjetër, nuk mund ta mbyll pa i bërë një kompliment “vëllait” tonë turk për shqipen e tij përfundimisht të kolauduar me minimum risku. Sot, Sehan kuptova që mund të konsiderohesh përfundimisht i gatshëm për ta marrë pasaportën shqiptare, në qoftë se s’e ke marrë akoma.
E more? Atëherë je i gatshëm për të ta dhënë pasaportën edhe një herë tjetër me ceremoni, me gjithë kolegët e tjerë, duke të dhënë dhe një certifikatë mirënjohjeje që shqipen e ke përsosur dhe jemi në rregull tani. Pavarësisht se nga aritmetika me turqishten je më para sesa me shqipen se dihet ajo punë, ju jeni tregtarë më të rrahur me vaj edhe me uthull se ne, por edhe ne nga ju mësojmë.
Shumë faleminderit!