Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me artistë të rinj, për të nderuar sopranon Enkelejda Kamani, fituese e vendit të parë në Konkursin e Teatrit prestigjioz “La Scala”:

Ndjesë për zërin tim mbas zërit të Enkelejdës, por këtë kam, s’kam tjetër.

Jam shumë i nderuar që jam këtu, sot. Është një nga ato momente, kur privilegji i të qenit në këtë detyrë ndihet në të gjithë botën emocionale të njeriut, pasi të jepet mundësia që të jesh shumë pranë njerëzve si Enkelejda, që është një nder dhe një fat për të gjithë ne.

Më vjen po ashtu shumë mirë, që më jepet mundësia ta përshëndes Enkelejdën këtu, jo thjeshtë për atë që ajo bën në skene – për atë që bën në skenë e përshëndesin njerëz shumë më kompetentë sesa unë që s’jam fare kompetent në këtë fushë, -por për shembullin e saj. Forca e shembullit të saj është një dhuratë shumë e çmuar që Enkelejda i bën të gjithë djemve dhe vajzave të këtij vendi, duke treguar sesi dikush pa një mbiemër të njohur, pa një familje që ka mundësi të jashtëzakonshme, por, përkundrazi, nga një familje e zakonshme prindërish që jetojnë me punën e tyre të ndershme dhe e rritur në një qytet që nuk është metropol i muzikës, as i arteve, pranë Tiranës, por njëkohësisht shumë larg Tiranës në shumë aspekte, mund t’ia dalë, duke ndjekur me kurajë, pasion, vullnet dhe sakrifica, ëndrrën e vet.

Sigurisht nuk është e para, por është një tjetër dëshmitare e mrekullueshme në vazhdën e atyre që kanë dalë nga bota jonë e vogël dhe kanë pushtuar skenat e botës së madhe të muzikës, të operës, me talentin e tyre dhe me atë që me siguri kanë shumë të veçantë, përderisa spikasin mes mijëra apo qindra mijëra të tjerëve, që vijnë nga vende shumë më të mëdha, kanë një rrugë shumë më të lehtë, por që në fund fare ballafaqohen në skenë me forcën e tyre të brendshme dhe me aftësinë për ta transmetuar këtë forcë.

Më vjen shumë mirë edhe për Zanën [Çela] që ka sjellë mbarësi në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku me plot të drejtë është pritur si rikthimi i “shtrigës”, por ku edhe njëherë tjetër jam i bindur se do provojë se është “shtriga” e duhur për Teatrin tonë të Operës dhe Baletit. Teatrin që po ndërtohet më në fund, pas shumë e shumë dekadash i lënë pas dore, ku e vetmja gjë që shkëlqente ishte performanca e artistëve në skenë dhe ku çdo gjë tjetër rrezatonte trishtim, rrezatonte plakje, rrezatonte edhe një braktisje të këtij ishulli fantastik, që i ka dhënë Shqipërisë shumë e shumë më tepër, sesa çfarë i kanë dhënë politikanët në gjithë këto vite, për të përmendur thjeshtë një kategori të shquar.

E besoj se është edhe një shembull fantastik që e ardhmja është e atyre që besojnë tek bukuria e ëndrrave të tyre dhe se një ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, është me siguri në gjendje që ta realizojë, nëse është i gatshëm të përshkojë gjithë rrugën drejt asaj ëndrre, një rrugë jashtëzakonisht e vështirë dhe sa më e madhe ëndrra, aq më e vështirë rruga. Prandaj shumëkush, ëndrrat me sy hapur preferon që t’i  vrasë në kafene, duke marrë nëpër gojë botën dhe duke mallkuar të gjithë të tjerët, përse nuk u bë dot ai apo ajo që donte të bëhej.

Ndërkohë janë të paktë ata që preferojnë të kapërcejnë detin për t’ia dalë dhe ia dalin.

Unë nuk e di çfarë ka treguar Enkelejda kur ka qënë e vogël, por mua më kujtohet kur Ermonela Jaho ishte e vogël dhe thoshte unë do këndoj në “La Scala”. Të gjithë, jo ata që kishte në lagje, por ata që kishte në Liceun Artistik, e shikonin me keqardhje të madhe, si një njeri që thjeshtë kishte marrë rrugën e marrëzisë. Mirëpo Ermonela Jasho këndoi në “La Scala” dhe vazhdon këndon në skenat me prestigjioze të botës, falë një talenti të posaçëm, të cilin e ktheu në fuqi komunikimi përmes një vullneti të jashtëzakonshëm, një besimi të pashoq e sakrificash që vetëm ajo mund t’i tregojë. Kur ne shohim yjet që shkëlqejnë në skenë, shikojmë vetëm pikëmbërritjen, por sesa shumë është dashur dhe çfarë heqin ata që arrijnë ta kthejnë trupin e tyre në një burim rrezatimi kaq të fortë, këtë e dinë vetëm ata.

Enkelejda, mora vesh që është e dashuruar me Klodianin. Lum si ti Klodian! Shpresoj dhe Enkelejda të thotë për veten ‘lum si unë’. Kështu që të takon ty ta bësh të jetë e lumtur gjithmonë me ty.

Ndërkohë dua t’ju siguroj të gjithëve se, kur ndodhin gjëra të këtyre përmasave, është një motivim shumë i më madh për ne. Është edhe një motivim shumë i madh, për arsye se ndjehemi më keq, sesa ndjehemi zakonisht dhe ju siguroj se zakonisht ndjehemi keq për faktin sesa shumë gjëra u lanë pa bërë në shumë vite dhe mund të ishin bërë për Operën, për muzeumet, për Akademinë e Arteve, për Shkollën e Baletit dhe në sektorë të tjerë dhe sa të drejtë kanë njerëzit që të jenë të paduruar dhe t’i duan gjërat të bëhen menjëherë. Është një ndjesi jo fort e mirë, por që ka në të njëjtën kohë, edhe një energji të brendshme që rrit motivimin dhe vetëdijen sesa më shumë ne bëjmë për të krijuar kushte dhe për të zgjeruar hapësirën  e ushtrimit të talenteve, aq më shumë ky vend do të jetë në gjendje që talentet e veta të mos i humbasë në rrugë, që vështirësohen edhe më shumë për shkak të privimeve, të mangësive, të boshllëqeve të mëdha.

Më kanë shkuar shumë gjëra për sa shumë gjëra ka bërë Ministria e Kulturës, por unë nuk dua të zgjatem për sa shumë kemi bërë. Në fakt është e vërtetë se kemi bërë shumë në krahasim ku ishim, por shumë më tepër mbetet për t’u bërë, po të shohim veten në pasqyrën e asaj që duam të jemi. Shumë më tepër mbetet për t’u bërë, sepse shumë më tepër mund të bëhet, por edhe sepse duhet të bëhet. Shumë më tepër mund të bëhet dhe duhet të bëhet, në mënyrë që njerëzit e këtij vendi të kenë kushte normale për të mundur që t’i japin jetë ideve të tyre, duke përdorur talentin e tyre.

E vërteta e provuar e këtyre 20 e kusur viteve është që individualisht, ne shqiptarët jemi vërtetë njerëz të veçantë, kemi treguar se rezistojmë përballë vështirësive që ndonjëherë, kur i dëgjon, thua nuk ka mundësi t’i kenë kapërcyer këta njerëz. Këtë e kemi treguar kudo ku kemi shkuar. Por, kur jemi gjendur këtu në atdheun tonë të përbashkët, kjo gjë na ka munguar. Mbase se këtu kemi provuar rrugën më të lehtë, rrugën e kushëririt, të partisë, të ryshfetit, të mikut, të shokut, të xhaxhait e kështu me radhë. Ndërkohë, këto gjëra nuk ekzistojnë kur kalojmë kufijtë. Aty jemi ne dhe bota dhe midis nesh dhe botës ka një det të tërë për t’u kaluar në këmbë.

Nga ana tjetër, edhe kushtet e krijuara në vite, në vend që të stimulonin një sjellje individuale, si ajo që ne kemi kur jemi jashtë kufijve, kanë stimuluar një sjellje krejtësisht të ndryshme. Ju e dini shumë mirë që s’ka asnjë shqiptar që kalon kufirin dhe i jep makinës pa rrip sigurie, ndërsa këtu jemi akoma në betejë që t’i bindim që duhet vënë rripi i sigurisë. E shembuj të tillë mund të merren pa fund, që nga më të rëndomtit, deri tek më të sofistikuarit. Por ajo që në fund del si konkluzion i thjeshtë është që na duhet të bëjmë shtet dhe na duhet të krijojmë kushtet që çdo institucion të jetë në vendin e vet dhe çdo individi të ketë vendin e vet, ku përmes mundësisë për punë të gjejë vetveten dhe pastaj, me vetveten të nxjerrë maksimumin për veten dhe për familjen e tij.

Duke u rikthyer përsëri tek Enkelejda që na mblodhi këtu sot, unë nuk mundem veçse t’i shpreh dhe njëherë mirënjohjen. Ti nuk e bëre për ne, por edhe ne përfitojmë nga kjo. Ti e bëre për vete, mund ta kesh bërë edhe për Klodianin, edhe për prindërit, por në momentin kur e bëre, shpresoj të jemi kujtuar edhe ne të tjerët, se e vërteta është që të gjithë ne marrim sadopak nga rrezatimi i shembullit tënd.

Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi dhe të mos kemi parë gjë akoma dhe jam i bindur që s’kemi parë gjë akoma, sepse të pashe edhe kur këndove që sytë e tu ishin shumë larg.  Arritsh aty ku shikojnë sytë e tu kur këndon!

Ne, sa të kemi mundësi, do të bëjmë ç’është e mundur për ty dhe për të gjithë ata që sot vijnë nga rruga e familjeve të zakonshme të këtij vendi, e vështirësive, e shpresave dhe e ëndrrave, që të kenë mundësi që ëndrrat dhe shpresat e tyre t’i bëjnë realitet.

Por është e sigurt që, sado të bëjmë ne, pa shembuj si shembulli yt, pakkush ose askush nuk do arrijë të besojnë që çka ti arrite, mund ta arrijë edhe ai apo ajo.

Shumë faleminderit që ekziston! Mund të këndoni një ditë të dy bashkë në një skenë, nga ato ku ne të themi në fund qenka Enkelejda, po qenka edhe Klodiani. Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.