Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen me veteranë të LANÇ-it dhe ish të përndjekur politikë të regjimit komunist:

“Vendi im nuk është në fundin e botës, apo diku në skajin e saj, por në Europë ku farkëtohen fatet e qytetërimit perëndimor.” Janë fjalët e njërit prej atyre që përshkuan të gjithë ferrin komunist dhe dolën prej tij pa mllef, pa ndjenjën e revanshit, pa asnjë fije energjie hakmarrëse në shpirt, At Zef Pllumi.

Dashuria dhe sakrifica e At Zef Pllumit dhe e mijërave të tjera për atdheun, që u tregua me ta aq i padrejtë, sa i bëri të vuajnë vuajtjet e një ferri tokësor, u përdor gjatë gjithë viteve pas rënies së regjimit komunist për propagandën antikomuniste të shumëkujt, që atë ferr jo vetëm nuk e kishte parë, por përkundrazi, për mbajtjen gjallë të flakëve të atij ferri kishte punuar.

Kur ne erdhëm në krye të vendit me votën e një milionë shqiptarëve, si një Aleancë për Shqipërinë Europiane u gjendëm përpara faktit rrëqethës të shumë të përndjekurve politikë, të cilët edhe pse jeta i kishte përcjellë përmes dhimbjesh të mëdha dhe padrejtësisht të mëdha deri në buzë të varrit, ende nuk kishin marrë asnjë qindarkë kompensim. Nuk do ta harroj kurrë dhe nuk do ta përdor këtu emrin e tij, se nuk kam autorizim që ta bëj një gjë të tillë, por edhe sepse nga eksperienca kur më është dashur, apo kur kam dashur të përmend ndonjë emër të këtyre dëshmitarëve të sojmë, kam parë sesi hienat janë hedhur menjëherë në sulm për ta shqyer dhe për ta përbaltur, më ka çuar një mesazh ku më thoshte: “Jam 86 vjeç. Kam po aq vite burgu sa ç’kanë vite në këtë që na u tregua për demokraci dhe për ne u bë pjesa e dytë e romanit të ferrit. Dua vetëm një qindarkë, sepse jo vetëm që nuk kam më kohë për t’i marrë të gjitha ato që më takojnë, por as nuk më duhen më, edhe sikur të mi jepni, por më duhet një qindarkë për të ikur nga kjo botë, me idenë se më në fund qeveria e këtij vendi e kuptoi se ne të përndjekurve na detyrohet së paku, respekt.”

Dhe në tetë vitet e fundit, përpara ardhjes sonë në krye të vendit, e vërteta është se dëmshpërblimet e të përndjekurve politikë nuk jua afrua asnjëherë një shume, sa shuma që ne kemi arritur të disbursojmë deri tani, me gjithë shtrëngesën e jashtëzakonshme financiare ku e gjetëm vendin. Në total u akorduan aq fonde, sa dy këste pagesash. Ndërkohë që sot, ne jemi në një fazë kur po ndajmë këstin e 4-t, me vetëdijen e plotë se nuk mund të vazhdojmë as të dëmshpërblejmë duke iu ribërë nga e para biografitë të përndjekurve të regjimit komunist dhe duke i ndarë në të tanët dhe në të atyre, siç edhe u rindanë për fat të keq, nga një palë tjetër, pas rënies së regjimit komunist dhe me bindjen se përpara sesa të mendojmë për të shpërblyer pasardhësit duhet të shpërblejmë një nga një dhe deri në fund, të gjithë ata që janë ende gjallë dhe që e kanë gjurmën e torturave të ferrit në shpirtin e tyre, jo për shkak të babait, as për shkak nënës, as për shkak të dajës apo të xhaxhait, por drejtpërdrejtë në shpirtin  tyre. Dhe ajo çka ne jemi zotuar, sot është në rrugën e realizmit, duke bërë që, së pari, deri në fund të vitit të ardhshëm, ne të jemi shlyer përfundimisht me të gjithë të përndjekurit që janë mbi moshën 75 vjeç dhe deri në fund të këtij mandati, ne të jemi shlyer përfundimisht me të gjithë të përndjekurit që burgun e kanë bërë vetë, në vetë të parë dhe që janë gjallë e mes nesh.

Kemi ndeshur gjatë gjithë këtij viti, jo një, as dy, as dhjetë, por qindra të përndjekur, nga ata të vërtetët, politikë dhe jo nga ata që u bënë politikë pasi u  rreshtuan në një parti dhe madje, pasi nuk kishin lënë kënd pa spiunuar nëpër biruca, që s’kishin marrë ende asnjë këst, asnjë pagesë për asnjë vit burgu. Dhe brenda katër muajve të parë të qeverisjes, në të njëjtën kohë që negocionim me FMN një program të ri për ta rikthyer Shqipërinë në binarët e arsyes financiare dhe për të rivënë rregull në librat e llogarisë shtetit, ne kemi dorëzuar paratë e dëmshpërblimeve për njëmijë të përndjekur që nuk kishin marrë kurrë asnjë qindarkë nga qeveria, në 24 vjet. Gjatë këtij viti janë 1639 të përndjekur që kanë marrë këstin e tretë, ndërkohë do të vazhdojmë pagesat, edhe në ditët e fundit të këtij viti, për këstin e tretë për 700 të tjerë të përndjekur që janë gjallë, për të vijuar më tej me këstin e  katërt edhe për ata.

E pra, e gjitha kjo ka një aspekt të rëndësishëm moral, por ka edhe një faturë të rëndësishme financiare. Një faturë që nuk është asgjë në krahasim me vuajtjet e gjithë këtyre njerëzve, por që është shumë për arkën e shpuar nga të katër anët të këtij shteti, ku kush gjeti shesh, bëri një përshesh për 20 vite me radhë. Janë 20 milionë dollarë të tjera që do t’i shkojnë vitin e ardhshëm, vetëm këtij qëllimi, që asnjë i përndjekur që është ende sot mes nesh, pasi ka kaluar nëpër rrathët e ferrit komunist, të mos largohet nga kjo botë i pa dëmshpërblyer deri në fund apo nëse jeta do të tregohet jo bujare me të dhe do ta marrë rrugën e botës tjetër përpara sesa ky mision i yni të mbarojë brenda këtij mandati, të mos ndjehet i shpërfillur deri në pikën ku kurrë asnjëherë të mos ta ketë parë shtetin në derë, qoftë edhe për një qindarkë të vetëm.

Nga ana tjetër, ne besojmë shumë që jo për shkak opinioni, por bazuar në fakte, ajo çka ndodhur me të përndjekurit në gjithë këto vite, në kuptimin e shpërdorimit të vuajtjeve të tyre për qëllime politike, në kuptimin e shpërdorimit të fondeve të vëna në dispozicion për dëmshpërblimin e tyre, në kuptimin e korrupsionit që nuk ka lënë pa prekur, por përkundrazi ka bërë kërdinë edhe në këtë aspekt, ka përmasën e një ripërndjekjeje tjetër. Por, nëse e para ishte një përndjekjeje ideologjike, e dyta ishte një përndjekje imorale e një kohe të re me ustallarë të vjetër.

Ustallarë të vjetër, të dalë nga barku i kohës së vjetër, që rendën ta kthejnë xhaketën dhe të shfaqen si tërbim antikomunist, ndërkohë që i kishin shërbyer komunizmit jo si veteranët e luftës, jo si ata të cilët dhanë jetën në vijën e parë për ideale të mëdha dhe të pacenueshme as sot e gjithë ditën nga kushdo, as si ata që besuan dhe jetuan me punën e tyre të ndershme, duke shkuar pas një ideologjie që i ju ofroi njerëzve ferrin, ndërkohë që ju premtoi parajsën, por si ata skuthat e aftë për të bërë karrierë në çdo regjim, duke i ofruar servilizmin dhe bashkëpunimin ekstrem, në dëm të të tjerëve, çdo regjimi, çdo epoke, çdo sistemi.

Nga ana tjetër, unë besoj se shpërblimi i fundvitit, duke përcaktuar një shumë të ndryshme për veteranët e luftës dhe për të përndjekurit nga pensionistët e tjerë, financiarisht është simbolik, por simbolikisht është me një peshë të veçantë, për të qenë pranë tyre në natën e Vitit të Ri dhe për t’ju mundësuar që t’i bëjnë, nëse duan, një dhuratë nipave e mbesave të tyre, pa pasur frikë të fusin dorën në xhep se nuk ka mbetur më asgjë për shkak të gjithë detyrimeve të tjera, se nuk ka të përndjekur apo veteran që nuk paguan energjinë elektrike, nuk ka të përndjekur apo veteran që nuk paguan faturën e ujit, nuk ka të përndjekur apo veteran që nuk respekton ligjin dhe nuk respekton shtetin, edhe pse shteti për vite të tëra, më shumë se në një rast ka treguar mungesë të plotë respekti, qoftë ndaj veteranëve, qoftë ndaj të përndjekurve. Dhe në fund të fundit, veteranët dhe të përndjekurit që janë sot mes nesh janë dy anët e të njëjtës medalje. E medaljes së një iluzioni të madh që u kthye në një dështim të madh, e medaljes së një lufte të madhe, ku u derdh gjak i pastër idealesh, që nxori një pushtet që mbi ato ideale dhe përmes manipulimit të njerëzve të idealeve ndërtoi një ferr tokësor, siç ishte ai prej ku fatmirësisht dolëm në vitin 1990, por dolëm duke pasur ne, gjenerata më e re, kokën lart, sepse veteranët e luftës na dhanë mundësinë e madhe që si shqiptarë të ndjehemi krenarë për atë që Shqipëria bëri përgjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të ndjehemi të barabartë mes të barabartësh me ata aleatë të mëdhenj strategjikë, që sot janë pjesë e NATO-s, që sot janë pjesë e BE-së dhe që u bënë bashkë për shpëtuar botën nga mortaja nazifashiste.

Megjithatë ka ende shumë për të bërë. Ka ende shumë për të bërë, sigurisht, nga njëra anë për t’i bërë më të lehta, ditët e vështira të njerëzve që kjo kohë e ngatërruar i gjeti në muzgun e jetës së tyre, të bindur që sado që të bëjmë, kurrë nuk do mund të bëjmë dot, aq saç meritojnë lufta nacionalçlirimtare, nga njëra anë dhe vuajtjet e tmerrshme të atyre që u morën rob për arsyen e mosarsyes të pushtetit që buroi nga ajo luftë.

Dhe nga ana tjetër ka ende shumë për të bërë, me vetëdijen se kjo histori meriton vendin e duhur në sytë, në zemrat dhe në mendjet e gjeneratave të tjera. Meriton vendin e duhur si një histori e lavdishme beteje për liri në të dyja anët e medaljes. Sepse betejë për liri ishte ajo e djemve dhe vajzave që vunë jetën e tyre në altarin kombit, betejë për liri ishte ajo e shumë burrave, por jo dhe e pak grave, që nuk e negociuan dinjitetin dhe të drejtën e tyre për të menduar ndryshe dhe për të qëndruar në pozicion të ndryshëm nga imponimi i regjimit totalitar.

E në këtë përpjekje, pas një deformimi skandaloz të gjithë këtyre viteve, ku është folur ndoshta më shumë se kudo tjetër për të shkuarën, por ku më shumë se kudo tjetër në ish-perandorinë komuniste, e shkuara ka marrë peng të ardhmen dhe lidhjet e së shkuarës janë përdorur për të manipuluar të tashmen. Ne kemi domosdoshmërinë që ta bëjmë hapin e munguar prej kaq shumë vitesh, të hapjes së dosjeve të së shkuarës. Jeni të gjithë dëshmitarë, të dyja krahët e këtij auditori, ashtu si të gjitha krahët e shoqërisë sonë, që sot, natyrshëm dhe lavdi Zotit, është e ndarë në shumë pozicione, sepse është një shoqëri e lirë, edhe pse jo demokratike në kuptimin më të plotë të fjalës, meritojnë që të gjithë të dinë plotësisht se çka ndodhur në të shkuarën, jo për revansh, as për hakmarrje, as për të bërë lustracione absurde dhe as për të kalëruar mbi të shkuarën, sepse boll kemi kalëruar mbi të shkuarën, apo kemi parë të tjerë të kalërojnë mbi të shkuarën, por për të vendosur një raport të ndershëm dhe të drejtë me historinë. Pa një raport të ndeshëm dhe të drejtë me historinë, çdo komb e ka të vështirë të ndërtojë të ardhmen e vet, të shkëputur nga tentakulat e monstrave të së shkuarës. Dhe nëse e shkuara ka prodhuar një monstër të madhe, ajo ka qenë mostra e hijes së frikës, të ndërtuar dhe të lartësuar mbi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit.

Por të gjithë jemi dëshmitarë sesi në të shkuarën në këto 20 vjet, dosjet janë tundur për të bërë politikë dhe për të trembur kundërshtarët politikë, madje-madje, për hir të së vërtetës, janë tundur prej atyre që mbase i kanë pasur frikë dosjet më shumë sesa të tjerët. Dhe kush ka kërcënuar me hapjen e dosjeve, mbase ka pasur më shumë për të fshehur në dosje dhe kush ka treguar dosjet për të hapur debate sa herë që, në fakt, debatet duhej të përqendroheshin tek problemet reale të vendit, tek problemet e ekonomisë, tek problemet e arsimit, tek problemet e shëndetësisë dhe të zhvillimit, e ka bërë si shejtan budallai, për të hedhur një gur djallëzisht në lumë dhe për të kapërcyer një lumë tjetër, ndërkohë që të tjerët të shkojnë të nxjerrin gurin e shejtan-budallallëkut që nuk ka të mençur që e gjen dot.

E pra, ne kemi zgjedhur një model, një model suksesi, një model transparence, një model ndershmërie, që është modeli gjerman, për t’i hapur dosjet e së shkuarës përmes një procesi transparent, që do të mundësojë që të përndjekurit dhe familjet e tyre, por edhe shoqëria të njihet me monstrën e errët që kaq shumë ka vazhduar të përdoret edhe mbas rënies së regjimit, edhe mbas zhdukjes së Sigurimit të Shtetit si një hije, duke thelluar një përçarje të padrejtë në shoqërinë tonë.

Gjithë ky proces i ngritur mbi modelin gjerman do të na mundësojë që të lehtësojmë këtë barrë të së shkuarës dhe të mos kemi më nëpër këmbë, hijet e të shkuarës apo litarët e të shkuarës, që ustallarët e kohës së shkuar vazhdojnë të na i vërtisin.

Së treti, kemi dëgjuar më shumë se njëherë, jo vetëm për dosjet, por edhe për institutin e famshëm të memories, të kujtesës. S’ka asnjë gjurmë nga ky Instituti i Kujtesës, që është premtuar solemnisht sa herë që ka qenë nevoja për të hedhur ndonjë një tjetër gur të shejtan-budallallëkut në një tjetër lum, edhe për të kaluar një tjetër lum. Madje ka shumë të dhëna se një pjesë e mirë e kësaj kujtese e mishëruar në ato dosje është zhdukur. Dhe e kanë zhdukur ata që kanë premtuar që do ta nxjerrin në dritë. Ne do të ndihmojmë që bashkë me Institutin e të Përndjekurve Politikë të ngrihet kjo instancë e memories, e kujtesës, emri pak rëndësi ka, por rëndësi ka që në përmbajtjen e vet do të jetë një pikë referimi, jo vetëm për ata që janë sot dëshmitarë të gjallë të një historie që duan ta lexojnë deri në fund, por edhe për ata që nesër do të duan të dinë çfarë ka ndodhur në këtë vend. Nuk mund t’i lëmë që ta marrin vesh nga artikujt e “Rilindjes Demokratike”, se po t’i referohen atij burimi, më shumë do të ngatërrohen, sesa do të marrin vesh ndonjë gjë.

Ne i kemi një detyrim të madh veteranëve të luftës, që ka të bëjë jo drejtpërdrejtë me ta, por ka të bëjë me atë çka i çoi ata në vijën e parë të luftës, jo për të ndërtuar komunizmin, por për të ndërtuar një shoqëri ku të ketë barazi mundësish dhe barazi përpara ligjit. Tek barazia e mundësive, ne shohin një prej arsyeve pse jemi në politikë dhe pse i kemi kërkuar popullit shqiptar, një mandat për të qeverisur vendin.

Tek kjo barazi e mundësive mund të flasim shumë, por unë dua të fokusohem tek skema e re e pensioneve, e cila më në fund do të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, bazuar tek reforma që ne e bëmë brenda këtij viti, vitit të parë të qeverisjes sonë, pasi u shty 20 vjet me radhë. Ajo shtyrje për 20 vjet me radhë ka bërë që pensionet sot të mos jenë më të larta se ç’janë. Ndërkohë që synimi ynë është që me skemën e re të pensioneve, jo vetëm të përfitojnë, siç do të përfitojnë drejtpërdrejtë veteranët dhe të përndjekurit politikë, si dy kategori të posaçme në tërësinë e pensionistëve tanë, por edhe të bëhet e mundur që djemtë dhe vajzat tuaja të mundet që sot të përpiqen që nesër të kenë një pension shumë më dinjitoz. Sepse pensioni nuk do të varet më nga një tavan i paravendosur, puno sa të duash, atë pension ke dhe s’ka tjetër, por do të varet nga puna dhe vullneti i gjithsecilit. Paralelisht me përpjekjen që shkon në drejtim të atyre që janë në punë, ka një përpjekje tjetër madhore për të bërë, duke filluar nga janari, që të përfshihen në skemën e sigurimeve ata që punojnë, por që janë sot e gjithë ditën skllevër të pronarëve, të sipërmarrësve, por  edhe të drejtueseve të papërgjegjshëm të shoqërive aksionere apo dhe të institucioneve shtetërore. Janë qindra miliona dollarë që mungojnë në arkën e pensioneve për nesër, jo për sot. Në arkën e pensioneve për ata që do të dalin në pension pas 10 apo 15 vjetësh, për shkak se qoftë në instancat e sektorit privat, qoftë në instancat e sektorit publik nuk janë paguar sigurimet shoqërore. Sot e gjithë ditën nuk paguhen sigurime shoqërore.

Ne duam ndihëm tuaj, duam ndihëm e çdo pensionisti dhe pensionisteje që nuk ka problem vetë, sepse pensionet tuaja do të vazhdojnë normalisht dhe ne do të mundohemi me patjetër, që jo vetëm ato të veteranëve apo të përndjekurve, por edhe të të tjerëve të rriten një orë e më parë, por edhe për pensionet e vajzave dhe djemve, e nipërve dhe mbesave që ju do t’i nxisni të mos pranojnë të punojnë pa u siguruar që punëdhënësi i tyre derdh në emër të tyre, sigurimet shoqërore, derdh në emër të tyre, kontributin e pensionit. Në mënyrë që nesër, e ardhmja e tyre në pension të jetë e garantuar. Kjo do të jetë një betejë e madhe dhe ne do t’i bëjmë apel ndjeshmërisë suaj ndaj ligjit, ndjeshmërisë tuaj ndaj shtetit, ndjeshmërisë suaj ndaj domosdoshmërisë për barazi mundësish, për të thënë fjalën tuaj në familjen tuaj dhe për t’u siguruar që në bijtë dhe bijat tuaja, nipërit dhe mbesat tuaja, që janë në marrëdhënie pune të mos pranojnë të punojnë pa qenë të siguruar, sidomos atyre që janë në sektorin privat. Sepse përsa i përket sektorit shtetëror besoj do ta kemi më të lehtë, për të garantuar që të mos ketë më histori nga ato që kemi mundur të nxjerrim në pah nga hapja e librave të tetë viteve të shkuara, një rrëmujë e jashtëzakonshme dhe një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme. Sepse shteti i ka pasur paratë për të siguruar punonjësit e vet, por në hallka të caktuara të shtetit, drejtuesit i kanë devijuar këto para.

Së fundmi, dua t’ju siguroj që nga 2015, ne parashikojmë rritje të përvitshme të pensioneve dhe përputhje të pensionit minimal me minimumin jetik të jetesës. Gjithashtu, falë rritjes së transparencës, në 2015 nuk do të kemi raste shpërblimesh për pseudo veteranë të luftës, siç ka ndodhur në të shkuarën, pa llogaritur që janë futur tek veteranët edhe bashkëpunëtorët e nazistëve. Ky është një turp më vete dhe një çështje tjetër. Po flas për pseudo veteranë. Ashtu sikundër do të garantojmë që të krijohet gjithë baza e dixhitalizuar e të dhënave për pensionet, për të mos pasur më pensione të dubluara apo ditëlindje të falsifikuara. 1500 raste të tilla janë zbuluar vetëm gjatë këtij viti. Janë më pak sesa ato që me siguri janë në sistem, por është hera e parë që ndodh një krehje e tillë e skemës, që paratë e pensioneve të shkojnë tek pensionistët, që shpërblimet për veteranët të shkojnë tek veteranët, që paratë për të përndjekurit të shkojnë tek të përndjekurit dhe jo që dhjetëra miliona dollarë të vazhdojnë të hidhen në xhepat e atyre që nuk kanë qenë as veteranë, as të përndjekur, s’janë as pensionistë dhe kështu me radhë.

Duke ju uruar nga zemra një Vit të Ri të gëzuar, unë do të dëshiroja të ritheksoja se shpërblimi i fundvitit për veteranët dhe të përndjekurit, që është hera e parë që jepet dhe që dallon në vlerë simbolikisht, do të vazhdojë deri kur të jetojë veterani  fundit dhe i përndjekuri i fundit. Ndërkohë që nuk mund të rri dot pa sqaruar të gjithë ata që nuk e dinë, si gjithmonë xhanëm, por në këtë rast meqë jemi në këtë temë, ata, të cilët na treguam me gisht se medemek dhamë shpërblime të padenja, nuk kanë dhënë asnjë shpërblim, as në vitin 2010, as në vitin 2011. Kanë rendur të japin shpërblime në 2012 vetëm për një kategori dhe e bënë për zgjedhjet, se ishin zgjedhjet në 2013. Siç rendën të japin ca shpërblime në 2013 për të përndjekurit, vetëm për një kategori, sepse kishin zgjedhjet në 2013 dhe kishin hall se do ju ndodhte ajo që do ju ndodhi, në fakt, nuk e shmangën dot. Sepse shqiptarët mund të kenë shumë të meta, por askush nuk i bën dot për budallenj. Por jo vetëm kaq. Është hera e parë qysh se jepen shpërblime, që marrin shpërblime personat me aftësi të kufizuar. Nuk kanë marrë asnjëherë. Është hera e parë qysh se jepen shpërblime, që marrin shpërblime familjet në ndihmë ekonomike. Nuk kanë marrë asnjëherë. E përsëris, jo se këto shpërblime zgjidhin probleme, por këto shpërblime tregojnë respekt dhe dhembshuri për të qenë pranë atyre që nuk mundet dot të përjashtohen nga tërësia e njerëzve që duan dhe nuk munden t’ju bëjnë dhuratë nipërve dhe mbesave për Vitin e Ri.

Besoj që po kështu dhe po me këtë dhembshuri, ne do të vazhdojmë edhe në vitet në vijim, duke shpërblyer njerëzit që meritojnë të shpërblehen, sepse nuk janë të papunë ngaqë nuk duan të punojnë, apo ngaqë ju bëjnë naze punës, por se nuk kanë mundësi, janë fizikisht të pamundur, apo janë në pamundësi për të pasur një punë aty ku jetojnë. Ndërkohë që qysh prej këtij viti, por duke filluar nga viti në vijim, cilido që do të ketë një ofertë për punë dhe do ta refuzojë duke i pasur të gjitha aftësitë e nevojshme fizike, nuk do të marri më ndihmë ekonomike. Ndihma ekonomike do t’u shkojë atyre që realisht atyre që e meritojnë dhe që realisht nuk e kanë pasur një mundësi pune. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, unë jam shumë krenar që pavarësisht vështirësive, ne, në krahun tonë i ndiejmë si aleatët më të qëndrueshëm në betejën  për t’i dhënë fund vjedhjes masivi, kolektive, të turpshme, që është një njollë për Shqipërinë në mes të Europës, të energjisë, pikërisht pensionistët, veteran, të përndjekur apo pensionistë në tërësi, që janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike, së bashku me personat me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë, meqë kjo është një temë e ditës, edhe pse kemi hequr fashën për të mos lënë më që të kamurit apo spekulantët të fshihen mbas fashës që është vënë aty për ata në nevojë, ne do t’u japim paratë në xhep, që mos ta ndiejnë fare ndryshimin e çmimit nga heqja e fashës, pensionistëve kryefamiljarë, personave me aftësi të kufizuar dhe familjeve në ndihmë ekonomike.

 

***

Në Sallën e Hartave në Kryeministri u ulën sot të ftuar të veçantë, veteranë të Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare dhe ish të përndjekur politikë të regjimit komunist. Ata ishin të ftuarit e përbashkët të Kryeministrit Edi Rama në një pritje me rastin e festave të fundvitit, për t’ju përcjellë mirënjohjen dhe respektin për sakrificën e tyre. Kryeministri shoqërohej nga ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Erion Veliaj dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

“Pikënisja e parë e asaj që mund të ishte paqëtim” e konsideroi takimin e përbashkët të veteranëve dhe ish të përndjekurve, Bilal Koka, ish i përndjekur dhe drejtues i Institutit të të Përndjekurve Politikë.

Ministri Veliaj theksoi vëmendjen e qeverisë ndaj tyre, si një reflektim dhe respekt ndaj së shkuarës sonë.

“Për herë të parë rikthyem shpërblimet për veteranët dhe për të përndjekurit njëkohësisht, si një mënyrë për të treguar që ne reflektojmë dhe ne e respektojmë të kaluarën tonë dhe ata që kanë dhënë kaq shumë për këtë komb. Në të njëjtën frymë, në frymën e solidaritetit që bashkon të gjitha palët e shoqërisë sonë, ne do ta vazhdojmë në fillim të vitit tjetër me një iniciativë tjetër, që është iniciativa e hapjes së dosjes,” – tha ndër të tjera, ministri Veliaj.

Ndërsa ministrja Kodheli nënvizoi se Shqipëria e gjeneratës tjetër “nuk do mund të ishte dhe nuk do mund të jetë pa atë që ju që jeni prezent në sallë dhe që përfaqësoni edhe shumë të tjerë keni bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe unë kërkoj një duartrokitje fort të madhe, për faktin që ju ekzistoni, për faktin që ju jeni pjesë e historisë dhe pjesë e memories, keni çfarë të tregoni, keni çfarë të na mësoni.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.