Shkolla 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, në Durrës është një tjetër shkollë e rindërtuar rishtas, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Shkolla është një nga 12 shkollat e përfunduara që i shtohen së fundi listës së objekteve arsimore të rindërtuara në Durrës, që ofrojnë për nxënësit infrastrukturë moderne, të njëjta me shkollat në qytetet europiane.
Kryeministri Edi Rama vizitoi shkollën e re, ku gjithçka ka përfunduar dhe ku fëmijët e mësuesit janë rikthyer për të vijuar procesin mësimor. Kryeministri vizitoi mjediset e reja të shkollës, bibliotekën e re për të cilën do të ketë edhe marrëveshje të posaçme me shtëpitë botuese për pajisjen me libra. Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj informoi se janë edhe rreth 12 objekte arsimore të përfunduara, të cilat presin rikthimin e nxënësve dhe vijimin e procesit mësimor.
* * *
Kryeministri gjatë vizitës së tij në Durrës inspektoi edhe punimet për rehabilitimin e rrugës historike Egnatia, e cila falë këtij investimi do të rrisë vlerën bizneseve që janë në gjatësinë e saj.
“Jemi në fund të objektit të rehabilitimit të rrugës Egnatia. Është në projekt që ka filluar në fund të vitit 2019, por nga goditja e tërmetit u stopua puna. Ky është segmenti i fundit që po punojmë. Është vendosur gjelbërim nga e para. Janë mbjellë rreth 170 pemë bliri dhe është bërë dhe ndriçimi i komplet rrugës. Kanë qenë me drita me konsum të lartë dhe tani është vendosur sistemi LED”, – u shpreh kryebashkiakia e Durrësit, Emirjana Sako.
Me rrugën Egnatia përfundon edhe rehabilitimi i akseve të rëndësishme të bulevardit.