Kryeministri Edi Rama prezanton ekipin e ri të prefektëve për 12 qarqet e vendit:
Mirdita!
Sot dëshiroj të komunikoj lirimin nga detyra të të gjithë prefektëve të Shqipërisë dhe emërimin në detyrë të prefektëve të rinj, në mbledhjen e sapo përfunduar të qeverisë.
Jemi në një fazë të re të procesit qeverisës, pas një sërë reformash, ndër të cilat, reforma rrënjësore administrativo-territoriale që shënoi çeljen e një kapitulli të ri për nivelin e dytë qeverisës, por edhe për shtetbërjen në Shqipëri. Njëkohësisht jemi në çeljen e një faze të re qeverisëse me disa sfida themelore, për të cilat lipset ndër shumë të tjera, edhe një institucion i Prefektit i ridimensionuar tërësisht, si një institucion përfaqësues i Kryeministrit dhe i qeverisë në çdo Qark.
Nëse do të kthejmë kokën pas, ky është një institucion që mbeti në hije, në një pozicion letargjik dhe ndërkohë, dinamika e re e kësaj faze të re qeverisëse, si dhe pritshmëritë e larta që njerëzit kanë nga kjo fazë qeverisëse kërkojnë një qasje dhe një profil të ri të figurës së Prefektit.
Kemi ndërtuar një proces për rreth 40 ditë dhe në mënyrë aktive, por edhe skrupuloze kemi vlerësuar, pasi kemi rënë dakord mes vedi për profilin e ri të Prefektit, një numër kandidaturash nga radhët e ushtarakëve të lartë, që nuk janë më pjesë aktive e Forcave të Armatosura, por që janë bartës të një eksperiencës të çmuar që ky vend nuk ka luksin të mos e përdorë në funksion të së ardhmes së tij.
Siç e thashë, na ka interesuar në radhë të parë profili, pasi kemi bërë një analizë të të gjithë ecurisë në vite të institucionit dhe pastaj kemi kaluar në një filtër të imët kandidaturat potenciale, duke vlerësuar 12 prefektët e rinj për përgjegjësinë për shërbim publik pa kushte, për formimin e tyre të lartë profesional dhe për lidershipin e tyre. Po ashtu, edhe për aftësitë menaxhuese dhe ekzekutuese në një karrierë ku ata kanë qenë të përfshirë në sfida të rëndësishme dhe në detyra brenda apo jashtë vendit, për eksperiencën e gjatë në drejtim, si dhe për një eksperiencë të çmuar që ata sjellin edhe në një fushë që vit pas viti po bëhet gjithmonë e më sensitive e më prioritare, siç janë Emergjencat Civile. Padyshim, edhe për aftësitë e tyre në funksion të një domosdoshmërie themelore të këtij mandati, që është vëzhgimi, vëzhgimi, vëzhgimi i të gjithë veprimtarisë së administratës shtetërore në raport me publikun, në funksion të një shërbimi gjithmonë më të mirë ndaj tij dhe të luftës ndaj korrupsionit. Në këtë proces, – në ditët në vijim do të paraqesim edhe hapa të tjerë, por ky është një hap, – ne jemi të angazhuar vendosmërisht që fazën e dytë të betejës së hapur kundër kultivimit të kanabisit, për t’i shkuar nga pas dhe për t’i vënë prapa hekurave rrjetet dhe elementët kriminalë, si dhe për të rimarrë për publikun asetet e tyre, të përfituara nga veprimtaria kriminale, roli i prefektëve merr një rëndësi të veçantë.
Nga prefektët e rinj kërkohet edhe një transformim rrënjësor i vetë institucioneve të Prefekturave, ku ata do të hyjnë duke filluar nga dita e nesërme, për të vendosur në kontroll të plotë, rigoroz dhe efektiv në të gjithë fushën e tyre të përgjegjësisë, por edhe një kullë vrojtimi për të gjithë veprimtarinë shtetërore në territor.
Prefekti si institucion është një zyrtar me përgjegjësi shumë të larë, por këta prefektë do të jenë përgjegjës përpara qeverisë për situatën e kontrollit të territorit në rang qarku, në kuptimin e marrjes dijeni në kohë reale për të gjitha problematikat, që pastaj institucionet e tjera duhet t’i trajtojnë dhe t’i zgjidhin.
Vendosja e parametrave optimalë të rendit dhe të sigurisë publike, për të çuar më tej një histori treguesish pozitivë, do të kërkojë edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të prefektëve, si interlokutorët në kohë reale të zyrës së Kryeministrit dhe padyshim, edhe të ministrit të Brendshëm.
Nga ana tjetër, koordinimi, monitorimi, vlerësimi i performancës dhe i gatishmërisë së strukturave të pushtetit qendror në institucionet vendore, si dhe të vetë pushtetit vendor, në funksion të gatishmërisë për të përballuar çdo emergjencë civile, do të jenë në fokusin e tyre.
Me shumë mirënjohje për gatishmërinë me të cilën të gjithë prefektët e rinj e pritën propozimin për të marrë këtë detyrë jo të lehtë, sepse ambicia është e madhe, objektivat janë ambiciozë dhe reforma që kërkohet në këtë drejtim nuk është e lehtë, si dhe me vlerësimin më të lartë për të gjithë, nga i pari tek i fundit në rend alfabetik, apo në listën që unë do të paraqes, më vjen shumë mirë të informoj publikun se nga nesër, Prefekti i Kukësit do jetë një kolonel në rezervë, zoti Zenel Kuçana, i cili ka përballuar detyra të vështira dhe ka qënë edhe një ndër ata që kanë përballuar sfidën e rëndësishme të krizës së vitit 1999 gjatë luftës së Kosovës dhe flukseve të vëllezërve dhe motrave të shpërngulura me dhunë nga Kosova për në Shqipëri, në atë kohë.
Prefekti i Dibrës do të jetë një tjetër Kolonel në rezervë, zoti Nexhbedin Shehu, i cili ka kryer kualifikime afatgjata në Austri dhe në Gjermani dhe ka ushtruar detyrat e larta të Komandantit të Akademisë së Mbrojtjes, si dhe drejtorit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes.
Prefekti i Shkodrës do të jetë një tjetër Kolonel në rezervë, zoti Çesk Millja, i cili ka drejtuar një sërë projektesh modernizimi të Forcave të Armatosura, ka kryer kualifikime në Gjermani, ka mbuluar detyrat e pedagogut në Akademinë Ushtarake dhe drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes me Shtabin e Përgjithshëm.
Prefekti i Lezhës do të jetë Major në rezervë, zoti Gjergj Prendi, i cili ka pasur një rol të spikatur në strukturat ushtarake të rezervës dhe ka kryer një sërë detyrash të rëndësishme në kuadrin e Forcave të Armatosura.
Prefekti i Durrësit do të jetë një Kapiten i rangut të parë i Forcave Detare në rezervë. Ka kryer kualifikime afatgjata në Turqi. Ka mbuluar detyrat e Shefit të Shtabit të Forcave Detare, si dhe Komandant i Distriktit Detar, zoti Roland Nasto.
Prefekti i Elbasanit do të jetë një Gjeneral Major në rezervë, Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me kualifikime në Holandë, Kroaci dhe Gjermani, zoti Maksim Malaj.
Prefekt i Fierit do të jetë një Kolonel në rezervë, drejtor i Drejtorisë së Modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes me Shtabin e Përgjithshëm, me kualifikim në SHBA, mban gradën Doktor i Shkencave, ka drejtuar shumë projekte të rëndësishme të modernizimit të Forcave të Armatosura, zoti Baki Bala.
Prefekti i Beratit do jetë një Kapiten i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Komandant i Distriktit Detar, drejtor i kantierit të ndërtimit të anijeve në Vlorë, drejtues në disa projekte të rëndësishme të ndërtimit të anijeve moderne të Forcave Detare, zoti Harilla Dafa.
Prefekti i Vlorës, edhe ky me arsim ushtarak dhe civil në nivelin universitar, ka shërbyer për një kohë të gjatë në Forcat e Armatosura, zoti Flamur Mamaj.
Prefekti i Korçës, Gjeneral Brigade në rezervë, drejtor i Drejtorisë së Personelit në Shtabin e Përgjithshëm, Komandant i Forcës Ajrore të Republikës së Shqipërisë, me kualifikime në Gjermani, me gradën Doktor i Shkencave, zoti Dhori Spirollari.
Prefekt i Gjirokastrës do të jetë Kapiteni i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Komandant i Akademisë së Forcave Detare, Atasheu ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Itali, me kualifikime afatgjata në Itali, zoti Astrit Aliaj.
Prefekte e Tiranës, e para Kolonele në historinë e Forcave të Armatosura, Kolonele në rezervë, zonja Suzana Jahollari, Komandante e Akademisë së Nënoficerëve Tomson, drejtore e Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes, me kualifikime në Holandë dhe SHBA, e aktivizuar në forume të NATO-s, që lidhen me barazinë gjinore dhe çështje të tjera.
Këta janë 12 prefektët e rinj të Republikës së Shqipërisë. Unë jam i bindur që me integritetin, eksperiencën, gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer popullit shqiptar pa kushte, do ta çojnë institucionin e Prefektit në një nivel tjetër dhe do të jenë një vlerë e shtuar në përpjekjen e qeverisë tonë për të bërë shtet, për të luftuar vendosmërisht në çdo pjesë të territorit krimin dhe korrupsionin, për të përballuar me shumë më tepër dinjitet dhe eficencë Emergjencat Civile dhe për të koordinuar punën mes dy ministrive kryesore që lidhen me punën e tyre, Ministrinë e Brendshme për një sërë aspektesh dhe Ministrinë e Mbrojtjes, si Ministria që merr në kuadrin e reformës së strukturimit, përgjegjësinë për Emergjencat Civile në Republikën e Shqipërisë.
Ju folët për një profil të ri të Prefektit. A do të kenë këta prefektë edhe kompetenca të reja ligjore? Pyetja e dytë; Në dorëheqjen e zotit Visho Ajazi Lika, a shpjegohet motivacioni i kësaj dorëheqje dhe a është e vërtetë që është dakordësuar me ju një veprim i tillë? Mund të na i sqaroni këtë pjesë ju lutem?
Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e parë mund t’ju them me bindjen më të madhe se legjislacioni ekzistues ka të gjithë hapësirën e nevojshme që detyra e Prefektit të kryhet më së miri, në funksion të të gjithë objektivave që ne kemi dhe në funksion të qëllimit të madh që kemi për të bërë Shqipërinë shtet.
Zoti Kryeministër, pse i shkarkuat 12 prefektët e tjerë on block? Kush ishte argumenti që ju bëri që t’i shkarkoni të 12-të njëherësh?
Kryeministri Edi Rama: Argumenti është çdonjëri nga perfektët që janë këtu, on block.