Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e përjavshme për shtyp “Ekonomia në fokus”, e përqendruar në infrastrukturën kombëtare rrugore, aeroportuale dhe Plani 28 miliardë Euro i Bashkimit Europian për rajonin në infrastrukturë, energji, digjitalizim:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita!

Sot kemi fokusin tek ekonomia për të sjellë informacion, fakte, shifra, me lutjen që, siç keni bërë edhe herë të tera dhe për këtë ju falënderoj, të mund të bëni kronika të fokusuara tek ekonomia dhe mundësisht, njerëzit të mund të marrin sa më shumë informacion të panakatosur me politikë dhe me thashetheme.

Sot, së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë do të flasim për infrastrukturën kombëtare, me fokus në rrjetet rrugore, por edhe infrastrukturën portuale dhe aeroportuale, ku ka nisur e do të vazhdojë me intensitet një transformim rrënjësor.

Dua të vë theksin tek vizioni që është korniza e gjithë hapave që ne kemi hedhur dhe do të hedhim në të ardhmen e afërt më tutje, për të materializuar një transformim të integruar për të cilin do ta na ndihmojë jashtëzakonisht shumë edhe plani i ri i investimeve të KE, i cili ka tre shtylla;

Infrastrukturën me rrjetet e transportit hekurudhor dhe të rrugëve automobilistike;

Energjia ku Shqipëria ka një pozicion kyç dhe një avantazh të rëndësishëm, në raport me vendet e tjera të rajonit, për të qenë protagonist në këtë pjesë të programit, pasi Shqipëria është vendkalimi i Gazsjellësit TransAdriatik dhe Shqipëria ka një plan të qartë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit, qoftë në Veri me gazsjellësin AdriatikoJonian që shkon në Mal të Zi, Kroaci e pastaj lidhet me rrjetet europiane të gazit, qoftë me degëzimet e tjera, duke filluar nga degëzimi i Kosovës, që për ne është strategjik;

Digjitalizimi, ku bëhet fjalë për një ndërhyrje masive për të fuqizuar ndërlidhjen digjitale në rajon.

Të tre këto shtylla kanë në thelb komponentin e impaktit rajonal, por janë shtylla që do të ngrihen individualisht në çdo vend.

Ne jemi duke përgatitur një thirrje publike për ekspertët shqiptarë jashtë vendit, që do të duan të bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje dhe të integrohen në skuadrën tonë të ekselencës që do të ngremë për projektet dhe mundësisht për të mundur të fillojmë thithjen e fondeve nga ky plan i madh. Me të hyrë në fuqi  plani, me aprovimin e buxhetit të BE-së nga Komisioni Europian dhe nga Këshilli Europian dhe për të mundur të shohim zbatimin në periudhën 2012-2023, si procese që përfshijnë këtë mandat dhe këtë plan buxhetor të Komisionit të ri Europian.

Dua të nënvizoj se krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, ne kemi në proces disa kantiere të mëdha të transformimit të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale.

Nuk më ka rënë në sy, mbase e keni bërë, por asnjë deri tani nuk ka shkuar të shikojë kantierin e Kukësit, ku po bëhet një punë e jashtëzakonshme e përditshme, me orë të zgjatura, për Aeroportin e  Kukësit. Tanimë, gjithë aeroporti i ri ka filluar të marrë një formë edhe pse faza përmbyllëse e punimeve dhe mundësisht fillimi i operimeve do të kërkojë disa muaj.

Jemi duke punuar çdo ditë. Për hir të së vërtetës, dita ime nis me telefonata me ministren në mëngjes dhe mbyllet vonë po me ministren, për të çarë shtegun e mbyllur nga pandemia të procesit për Aeroportin e Vlorës. Besoj se në ditët në vijim do të kemi një qartësi për ecurinë e këtij procesi. Procesi i garës është ndërprerë në momentin e  mbylljes së përgjithshme në pranverë. Do të rihapet aty ku është ndërprerë, në një periudhë të shkurtër kohe të mbetur. Ajo çka ne duam të garantojmë është që do të ketë prezencë të kompanive të interesuara, të cilat në panoramën globale të krizës janë pjesa më e goditur. Flas për kompanitë që merren me aeroporte dhe transportin ajror.

Me të mbyllur procesin e Vlorës, sapo gara të mbyllet, ne jemi gati të lançojmë procesin për Aeroportin e  Sarandës, për të cilin është bërë  e gjithë përgatitja, por strategjia jonë ka qënë dhe mbetet të bëhen hap pas hapi dhe jo përnjëherë. Aeroporti i Sarandës është një aeroport më i vogël, natyrisht, me një impakt strategjik për turizmin. Ne kemi shumë besim se, në rast se Vlora do të jetë një sukses në aspektin e pjesëmarrjes dhe në mundësisht të përfshirjes së një entiteti prestigjioz ndërkombëtar, atëherë edhe Saranda nuk ka arsye pse të mos jetë një sukses. Por Vlora është strategjike në funksion edhe të Sarandës.

Besoj që me këto katër aeroporte, Tiranën, Kukësin, Vlorën dhe Sarandën, ne hyjmë në një epokë të re, qoftë në aspektin e infrastrukturës aeroportuale, qoftë në një kanal të ri shumë të rëndësishëm ekonomik që hapim, me impakt jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.

Sa i takon infrastrukturës portuale, së shpejti do të fillojmë transformimin e madh të Durrësit. Plani ynë është të spostojmë portin ekzistues, i cili e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit, një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh, me standarde mjedisore shumë të ulëta, për të mos thënë zero dhe pengon mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi në një epokë tjetër për Durrësin turistik. Por ndërkohë është një infrastrukturë që ka një potencial të jashtëzakonshëm përsa i përket turizmit dhe ne jemi në diskutime të vazhdueshme me partnerë ndërkombëtarë. Flas për shtete, nuk flas për kompani dhe shpresojmë që më herët se vonë do të arrijmë të kemi një marrëveshje shtetërore për të sjellë aty një investim, që do të jetë investimi më i madh privat në Shqipëri historikisht, natyrisht, në një formulë bashkëpunimi me shtetin.

Për këtë arsye, ne do të fillojmë në javët në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në një garë ndërkombëtare Portin e  ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër, aty ku është edhe plani i zonës së lirë ekonomike për të cilën jemi shumë optimistë që do të funksionojë më së fundi dhe kemi shumë kërkesa.

Po kështu do të bëjmë dhe me Vlorën. Porti ekzistues është infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standardeve, në aspektin e shërbimeve, në aspektin e impaktit negativ që ka në zonën e bregdetit, që prek drejtpërdrejtë qytetin. Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare me Lungomaren, me fazën e tretë, përfshin edhe një port turistik, që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën, sikundër me Durrësin.

E ndërkohë, edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve në anën tjetër.

Në pak javë do të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë turistik, që do të jetë i pari që do të fillojë faktikisht, në Sarandë, gjë për të cilën kemi marrë një propozim që është fantastik dhe që ndryshon aty gjithë paradigmën e zhvillimit të Sarandës.

Shqipëria do të hyjë shpejt në një hartë ku ka munguar me dekada, që është harta e turizmit të detit, në aspektin e  ekonomisë së detit, jo në aspektin e  zhytjeve dhe daljeve nga uji të personave.

Ndërsa, siç edhe e thashë, ne besojmë që Aeroporti i Kukësit do të jetë operacional në pranverë. Unë nuk e kam harruar objektivin që 120 vota për PD-në, t’i sjell me avion nga Londra. Do të përzgjidhen mes atyre që kanë sharë dhe kanë përqeshur më shumë idenë e Aeroportit të Kukësit. Nëse më ndjekin, i ftoj që të fillojnë të akumulojnë kredite për udhëtimin falas, duke sharë e duke u tallur sa më intensivisht. Kush do shajë dhe do tallë sa më shumë, do hypë në avion dhe do zbresë në Kukës për të votuar Partinë Demokratike. 120 vota me fluturim falas. Ky është objektiv. Shpresoj ta realizojmë.

– Zoti Rama, ju e keni akuzuar shpesh paraardhësin tuaj, z. Berisha se me gërshërë elektorale priste shirita para ose gjatë fushatave elektorale, përveç cilësisë dhe standardeve që ju theksoni se nuk kanë të krahasuar me rrugët që po bëni ju. Ku ndryshon qeveria juaj, që siç tha dhe ministrja , numëron një numër të madh, jo vetëm rrugësh, por dhe portesh, aeroportesh që përfundojnë, ose nisin në 2021-in, që përkon me zgjedhjet e 2021-it.

– Duke qenë se është një pyetje që ka shumë interes dhe ngjall debat në Shqipëri, është pikërisht ajo që lidhet me vizitën e djeshme të ministrit grek, duke qenë se nuk patëm mundësi të bënim dhe pyetje. Çfarë do kërkojë Shqipëria në Gjykatën Ndërkombëtare, sepse tashmë Greqia i ka bërë të qarta se ku kërkon të shkojë me këtë marrëveshje të re me Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Projektet për të cilat ne flasim, nuk janë asfalt elektoral, siç bëheshin në të shkuarën, por janë vepra që nuk fillojnë në momentin kur fillojnë gërmimet, por në momentin kur nisin projektimet. E për këto vepra, projektimet kanë nisur prej shumë kohësh. Nëse sot themi që në 28 tetor do të dimë fituesin e garës ndërkombëtare për aksin Milot-Fier, është një aks për të cilin është bërë një studim nga ËBIF (Ëestern Balkans Investment Fund) për rajonin dhe për të cilin është punuar me intensitet të madh prej një kohe të konsiderueshme. Nëse flasim për Aeroportin e Vlorës sot, jemi në këtë moment për shkak se na u ndërpre procesi në pranverë, kur ne e kishim hapur garën. Nëse flasim për tunelin e Llogarasë sot, flasim pasi kemi bërë studime, kemi një garë më parë për projektin, ka mbaruar gara dhe ka dalë fituesi që tani është në terren dhe po punon në terren.

Pa hyrë t’jua numëroj të gjitha, ne jemi në përmbushje të objektivave të mandatit.

Më lejoni t’jua përsëris, nuk është mungesë modestie, por fakt, ne nuk kemi nevojë për asnjë nga këto për të fituar zgjedhjet. Ne jemi të vetëdijshëm për sa shumë gjëra ka akoma për të bërë, për sa probleme ka qeverisja në gjithë shkallët e veta, jemi të vetëdijshëm për gabimet e për të drejtat tona, por ne kemi qartësisht mirëkuptimin e shumicës së arsyeshme të shqiptarëve. Anketimet tona të përmuajshme janë të qarta. Nëse zgjedhjet bëhen ditën e diel, ne dalim më mirë, ata dalin më keq se në 2017-ën.

Këto nuk janë projekte për të kaluar radhën. Këto janë projekte të mëdha e si të tilla kërkojnë kohën e tyre. E kam përsëritur shpesh që, po të shohim rindërtimin, është një rast për të bërë dallimin mes kohëve për shkak të procedurave. Ne jemi duke i përfunduar shkollat që kemi nisur e pjesa më e madhe do të hapen në 26 nëntor. Bashkimi Europian që ka një pjesë të konsiderueshme të projektit të shkollave do t’i nisë punimet në javët në vijim.

Nëse do t’ju thosha që në Republikën Federale të Gjermanisë, një projekt rruge merr 10 vjet nga nisja, pra, qëkur konceptohet e deri në momentin kur hapet rruga, mund ta bëni krahasimin, në funksion jo për të thënë sa të shpejtë jemi ne, sepse shpejtësia na ka marrë në qafë në kohën kur qeverisnin ata që sot lehin sikur të jetë ajo piktura e Huan Miro, ku qeni i leh hënës dhe rrugët u lanë rrugëve të gjitha. Ju kishit përpara syve sot, një fakt shumë të thjeshtë. Më shumë se 50% e financimit për rrugët e deklaruara të përfunduara në fushatën famëkeqe të 2013-ës është kryer pas 2013-ës, në disa vite. Ministrja përmendi aspektin financiar, pra, rrugët e Saliut janë financuar më shumë nga qeveritë pas Saliut, sesa nga qeveritë e Saliut, që të jemi të qartë. Meqë ai ishte heroi i rrugëve nëpër rrugë, të rrugëve pa rrugë.

Ka edhe një element tjetër. Jo vetëm kemi financuar pjesën më të madhe të atyre rrugëve të lëna rrugëve, për t’i përfunduar, por na është dashur të ndryshojnë çdo projekt. Nuk njoh asnjë projekt nga ato që u deklaruan rrugët e mrekullisë shqiptare, që ne nuk e kemi rikonceptuar qoftë plotësisht, qoftë pjesërisht.

Përsa i përket pyetjes tjetër, mendoj që vetëm kush nuk do ta kuptojë, nuk e kupton. Çështjen e detit nuk e ka hapur Greqia, e ka hapur Shqipëria. Për Greqinë, çështja e detit ka qenë e mbyllur me Marrëveshjen e bërë me Saliun, me Lulin dhe me Ilir Metën. Greqia nuk ka pasur asnjë pretendim më shumë, sesa aq sa mori nga ajo Marrëveshje. Për Greqinë ishte çështje e mbyllur. Atë çështje e rihapa unë, së bashku me Partinë Socialiste në opozitë dhe me disa aleatë të asaj kohe. Në Gjykatën Kushtetuese ka shkuar Partia Socialiste. Gjykata Kushtetuese, 9-0 e ka rrëzuar atë Marrëveshje me kërkesë si paditës të Partisë Socialiste.

Çështja është rihapur, me thënë të drejtën, falë këmbënguljes, durimit, vullnetit tonë në komunikimin me palën tjetër dhe falë vizionit – e them këtë me shumë respekt, – për të ardhmen e përbashkët të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili, së bashku me ministrin e Jashtëm që ishte dje këtu, qartësisht ka zgjedhur të vërë në dispozicion të zgjidhjes të të gjitha çështjeve dhe të ardhmes së përbashkët të dyja vendeve, të gjithë vullnetin e tij të mirë. Kështu që, më në fund, pala greke ra dakord me ne. Me qeverinë e mëparshme nuk kemi arritur të biem dakord për ta çuar çështjen përpara drejtësisë ndërkombëtare. Me këtë qeveri arritëm të biem dakord që ta çojmë çështjen përpara drejtësisë ndërkombëtare, në duart e një gjykate që i ka të gjitha kompetencat, ka të gjithë ekspertizën që të japë drejtësi të drejtë për këtë problem.

Kjo është një zgjidhje ideale për ne, që, natyrisht, në bazë të gjithë protokolleve dhe standardeve do të ulemi e do të përgatitemi siç e kërkon procedura, për të arritur në një zgjidhje të drejtë.

Kështu që, çfarë kërkojmë, ne është shumë e qartë. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë. Marrëveshja e mëparshme ka qenë e padrejtë për Shqipërinë.

Të tjerat janë skandale mendore, janë shprehje të ligësisë që furnizon injorancën me qëllim, në funksion vetëm të pushtetit të disa mediokërve që duan me çdo kusht plaçkë në Shqipëri. Shqiptarë këta! E duan Shqipërinë plaçkë! Këtyre nuk u shkon një sekondë t’ju prekë gjumin as deti, as ajri, as toka, por vetëm plaçka. Këta janë plaçkitës të lindur. E kanë treguar sa herë kanë pasur pushtet. Kush bie pre e tyre, thjesht është dembel nga trutë e kokës, se nuk ka asnjë mundësi.

– Gjithë këto projekte ambicioze, me një buxhet vetëm prej 7,3% për infrastrukturën, a është e mjaftueshme?  Pyetja e dytë në lidhje me portet, mos ju duken pak të ekzagjeruara këto premtime? E kam parasysh pyetjen, sepse gjatë vitit 2016, ju keni dhënë një leje për portin e Karpenit, gjithashtu dhe ngjitur me Portin e Durrësit është dhënë një tjetër leje për një port turistik, ndërkohë që për portin e Karpenit u fol se do të ishte një ndër investimet më të mëdha në Europë.

– Për ministren Balluku; Përsa i përket infrastrukturës rrugore nuk pashë tek tabela rrugën Qukës-Qafë Plloçë. Çfarë po bëhet me këtë rrugë? Pyetja e dytë për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës. Në mos gaboj, fondet janë gati prej vitesh, por nuk dimë si po shkon procesi. A ka filluar tenderimi, për të filluar ndërtimin e hekurudhës?

Kryeministri Edi Rama: Këto nuk janë premtime. Këto janë projekte në proces. Premtimet janë poezi, ndërkohë që këtu jemi në prozë. Premtimet janë ëndrra, ambicie, dëshira, vullnet i mirë për të shkuar drejt një objektivi, kurse këto janë projekte. Kur flasim për porte, nuk flasim për premtime. Flasim për procese që aktualisht janë të avancuara. Në pak javë, Porti i ri i Durrësit do jetë në garë ndërkombëtare, së bashku me gjithë zonën ekonomike. Në pak javë, procesi i Portit të ri të Vlorës do jetë i hapur. Nuk janë premtime këto. Për portin e madh turistik të Durrësit, siç ju thashë, jemi në bisedime me një shtet mik, për të bërë një proces shtet me shtet. Natyrisht nuk dua të jap më shumë detaje, por jemi në një proces shumë të avancuar dhe shkojnë bashkë, sepse për të marrë angazhimin për të transformuar Portin e Durrësit në një port turistik, që do të jetë një qytezë në ujë aty ku sot janë malet me krom, duhet të garantojmë portin e ri që të spostohet aktiviteti. Porti turistik i Sarandës nuk është premtim, është proces gati në përfundim dhe investimi fillon në pak muaj.

Pra, këto nuk janë premtime, por janë projekte në proces, që po maturohen pas shumë vitesh përpjekjeje. Natyrisht kemi pasur edhe sprapsje dhe zhgënjimet tona nga përpjekje që nuk kanë konkluduar, siç është rasti i portit të Karpenit, janë gjëra që ndodhin kudo. Ama, ajo që ka lidhje me atë çfarë kemi folur sot, këto nuk janë premtime. Këto janë projekte. Rruga Milot- Fier nuk është premtim. Ishte premtim në 2013-ën, kur unë thosha “Korridori Blu”, Saliu zgërdhihej si një punëtor rrugësh që bridhte lartë e poshtë, duke qepur e shqepur rrugë e duke arritur një rekord botëror.

E dini kush është rekordi botëror?

Nga Shkodra në Muriqan e deri në Kakavijë, nëse nisesh ka 28 standarde gjatë rrugës. Imagjino sikur të veshësh xhaketën time, këmishën e Erion Braçes, pantallonat e Bashkim Finos dhe jelekun antiplumb të Saliut. Imagjino se çfarë dordoleci do dukeshe. 28 standarde!

Ndërkohë që ne po standardizojmë dhe ministrja dha një të dhënë që është shumë domethënëse. Nga pak mbi 400 mijë automjete, sot kemi pak mbi 600 mijë automjete dhe nga 300 e ca aksidente jemi në 100 e ca aksidente. Kjo sigurisht ka ardhur nga një punë e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe e strukturave që merren me infrastrukturën.

Ne duam të rrisim standardet e sigurisë.

Çfarë sigurie  kanë ofruar rrugët e  Saliut, këto qepje, shqepje nëpër gjithë Shqipërinë? Nëse niseshe nga Shkodra për Tiranë, më thoni çfarë sigurie ofrohej?

Ne e kemi përmirësuar në mënyrë të ndjeshme, por jemi larg standardit. Natyrisht që drejtuesit gabojnë në matjen e shpejtësisë së deles, kur delja i ndërpret rrugën, por, nëse delja ose lopët i largojmë nga rruga, nëse trampolinat, pishinat, magazinat, që janë në anë të rrugëve, i ndajmë nga rruga dhe nëse u japim njerëzve një korridor që, nëse hyn në Shqipëri nga Muriqani, ke një korridor e shkon në Vlorë dhe nuk të del përpara fauna shtëpiake, apo fauna e egër e ndonjë zone ku mund të dalë edhe ndonjë sorkadhe, kaproll, lepur apo ndonjë ujk, atëherë, siguria natyrisht që është diçka tjetër. Shikoni rreth rrotullimet, çfarë pikash katastrofike kemi trashëguar.

E gjitha kjo është proces. Mendoj se jemi në mes të kthesës së madhe që kemi nisur. Nuk kemi dalë nga kthesa dhe duhet të vazhdojmë derisa të dalim nga kthesa në të gjithë këto aspekte.

Ministrja Belinda Balluku: Do t’i keni në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në faqen e Instagram-it do keni këtë prezantim, i cili është në një format prezie dhe për çdo zone, çdo rajon, çdo qytet mund të klikoni dhe do t’ju dalin të gjitha të dhënat për secilin projekt që është duke avancuar në atë zonë. Mund t’i kontrolloni edhe vetë online. Ndërtimi i Qukës-Qafë Plloçë, unë nuk po i rikthehen, besoj se për atë jemi të qartë si është historiku, pra, janë hapur lote, të cilat kanë qenë të pafinancuara. Marrim rastin e Lotit 3, ku financimi edhe në projektim e 2011-ës ka qenë 50 milionë euro, por janë gjetur vetëm 25 në atë kohë dhe sot, ne kemi nisur ë gjitha procedurat për të përfunduar gjetjen e financimit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë gjithë procesin e studimeve teknike, çfarë duhet shtuar në këto lote, kush është problematika. Kryeministri e ka thënë disa herë në media që në Qafë Plloçë kemi një rast ekstrem, ku është gjetur njëra këmbë e urës 17 metra poshtë këmbës tjetër. Pra, kemi këtë lloj problematike. Kemi bërë studimin teknik nga e para. Kemi pasur probleme teknike, kemi pasur mungesë financimi. Janë projekte që kanë nisur pa financim, jo atë që ne sot po bëjmë, edhe për të dhënë një argument, pse projektet tona nuk kanë asnjë lidhje me projektet elektorale, pra, janë projekte me studim të thelluar. Janë projekte që ne nuk i nisim nëse nuk kemi siguruar financimin dhe janë projekte, të cilat kanë një timeline, një tabelë kohore afatesh, kur bëhet gara, kur lidhet kontrata, kur realizohen e të tjera.

Në rastin e Qukës – Qafë Plloçë, Ministria e Financave ka hyrë në bisedime me dy banka të mëdha ndërkombëtare për të finalizuar kërkesat e të tre lotëve. Nëse do keni interes, unë mund t’ju them se si janë në këto momente. Në lotin 1 kemi arritur në 86.52 fizikisht punimet, por ndërkohë situacionet janë pranuar në 72%, pasi nuk korrespondon çfarë ka qenë në preventiv dhe çfarë ka qenë në terren. Nuk e vëmë në dyshim që nuk janë kompanitë që kanë abuzuar, pasi puna në terren ka qenë më e madhe se preventivi i kërkuar, apo  projekti i bërë. Megjithatë, ne jemi atje edhe për të vendosur ligjshmërinë e këtyre projekteve. Nuk mund të pranojmë gjithçka, e cila po na vjen sot për mungesë të projekteve teknike. Kështu që Ministria e Financave do konkludojë shumë shpejt me njërën nga dy bankat, por padyshim me Fondin Saudit që do të vazhdojë pjesën e financimit, 50% e Lotit 3, që i korrespondon 25 milionë eurove. Në ndërkohë po mundohemi të gjejmë financimin për Lotin 1 dhe Lotin 2 të mbetur të bllokuar prej vitesh. Ju do ta keni ecurinë tek ai prezantim që do ta keni të aksesueshëm pas mbarimit të kësaj konferencë për shtyp.

Ndërkohë po shkoj tek hekurudha Tiranë – Rinas – Durrës dhe Durrës – Rinas – Tiranë. Dua të theksoj një fakt, pasi edhe hekurudha, pavarësisht që nuk ka qenë për asnjë moment, përveçse ne kemi qenë një palë që kemi marrë pjesë në hartimin e kritereve, si dhe në procedurë, por kemi qenë njëra nga palët, pasi pala tjetër ka qenë BERZH-i dhe kjo është e ditur, sërish është një projekt i goditur pafund nga politika. E nuk po flas opozita apo jo, pasi të gjithë e kanë goditur këtë projekt. Dua të theksoj një fakt, na është dashur të ndërhymë me Kryeministrin deri tek Presidenti i BERZH-it për të përshpejtuar procesin një vit më parë, pasi ishim në mungesë të No Objection. Projektet që financohen nga BERZH kërkojnë që të marrin No Objection përsa i përket konkurrentëve dhe flasim për projektin teknik. Ka ndërhyrë Kryeministri pranë Presidentit dhe e kemi marrë atë një vit më parë për pjesën teknike. Ndërkohë që No Objection për pjesën financiare është dhënë në 21 shtator. Tashmë ka fituar një kompani shumë e madhe dhe shumë e njohur italiane e pavarësisht se morën pjesë 14 kompani, në fazën finale ishin 6 nëse nuk gabohem, u anatemuam që kjo kompania e njihnim, kishte lidhje me ne. As nuk e njohim, as nuk e kemi parë kurrë, pastaj kemi dalë me kontakte të jashtëzakonshme me të gjithë kompanitë e mëdha të botës, që i ndikokemi, i sillkemi vërdallë dhe i bëjmë çfarë të duam ne. Kompania ka fituar, ka kaluar 24 muaj nga të gjitha filtrat e IBRD-së dhe është dhënë No Objection nga IBRD. E theksoj këtë dhe do doja shumë që ju ta verifikoni pasi ka përfaqësues në Shqipëri dhe mund të flisni me ata. Është abuzuar pafund me projektin e kësaj hekurudhe. Jemi në fazën finale, pra, të elementëve për lidhjen e kontratës dhe nis menjëherë puna. Ndërkohë që kemi nisur aplikimin pranë IBRD për fazën e dytë të kësaj hekurudhe, që lidhet me stacionin e madh të Tiranës. Ministria e Financave ka bërë kërkesën pranë BERZH-it dhe besojmë që do të na aprovohet shumë shpejt.

– Zoti Kryeministër, nga projekti i ri i investimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor, me çfarë projektesh konkurron Shqipëria dhe sa është ambicia juaj për të përfituar nga këto fonde? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Është herët për të folur për këtë, pasi ne duhet të ngremë skuadrën speciale që do të merret me këtë plan. Ndërkohë do presim miratimet e planit në instancën e Këshillit Europian dhe pastaj sigurisht do të fillojmë me planin tonë. Kështu që është shumë herët për të folur për këtë. Janë 28 miliardë të dedikuara. Janë 9 miliardë grant nga të cilat 1 miliardë është në dispozicion si garanci sovrane për 20 miliardë të tjera që janë kredi. Kështu që faktikisht janë 28 miliardë, plus 1 që është garancia. Besoj se është një oportunitet historik për ne dhe ne do bëjmë çmos që ta shfrytëzojmë më së miri.

– Në mars të 2013-ës, kur ju kërkonit të vinit në qeveri, teksa prezantuat programin tuaj për infrastrukturën dhe turizmit thatë se dy projektet e juaja ambicioze ishin Korridori i Kaltër që lidhte bregdetin dhe Korridori i Gjelbër që niste nga Hani i Hotit në Kapshticë. Në mandatin tuaj të parë i zëvendësuat këto terma me metaforën e rrugëve të lëna rrugëve. Tashmë, pas 7 vitesh, sa pjesë e këtyre korridoreve janë të realizuara?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, shih, shkruaj.

– Të gjitha këto akse të reja rrugore që thatë se do të ndërtohen, Korridori Blu, tuneli i Llogarasë, si do të jenë të aksesueshme nga qytetarët, falas apo me pagesë, sikundër bëhet sot në Rrugën e Kombit?

Kryeministri Edi Rama: Nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Akset do të jenë me pagesë dhe pa pagesë. Që do të thotë, do zgjedhësh sa shpejt do që të shkosh në destinacion. Nëse do të shkosh në destinacion me shpejtësi, pa ndërprerje dhe në aksin e shpejtësisë, do hysh në aksin e shpejtësisë dhe do paguash.  Nëse do zgjedhësh të ndjekësh rrugët alternative, do shkosh me rrugët alternative. Llogaraja e ka rrugën sot, rruga  nga kalojmë të gjithë. Kush do dëshirojë, të vazhdojë të kalojë në atë rrugë, të shijojë edhe panoramën. Mua personalisht më pëlqen jashtëzakonisht. Rruga e Llogarasë është një nga kënaqësitë më të mëdha të miat kur udhëtoj në Shqipëri dhe besoj që do dëshiroj ta bëj e do kaloja nga ajo, edhe kur të jetë tuneli. Nëse do që t’i biesh shkurt nga tuneli, do paguash tunelin e do kalosh si në gjithë Europën e botën. Është shumë e thjeshtë.

Mos harroni që investimi Milot – Fier është një investim që parashikohet të jetë 1.2-1.4 miliardë. Është një investim masiv. Investimi më i madh i drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare dhe është investim privat, nuk është investim me lekët e buxhetit të shtetit. Do të investojë privati, do bëjë rrugën e shpejtësisë ku do vendoset një pagesë, do bëjë edhe rrugët alternative ku mund të vazhdojmë, por që, – është pak, por e sigurt, – rrugët alternative do jenë shumë më rrugë dhe shumë më të mira e më të sigurta sesa rruga që është sot aktualisht, që është alternativa e alternativës në mungesë të një trashëgimie të denjë. Një trashëgimi miserabël dhe ajo çka ne kemi bërë aty ka qenë thjesht një përmirësim goxha i ndjeshëm, por i pamjaftueshëm. Unë jam i vetëdijshëm për këtë.

– Zoti Kryeministër, disa javë më parë ju i premtuat vlonjatëve që brenda ditëve të para të tetorit do të hapej gara për tenderin për Aeroportin e Vlorës. Jemi pothuajse në fund të muajit. A kemi një datë fikse se kur do të hapet gara?

Me çfarë buxheti pritet t’i paguani ju 120 biletat për kuksianët që janë në Londër e që do zbresin në Aeroportin e Kukësit, me taksat tona, apo me buxhetin tuaj personal.

Meqenëse ju e përmendët vetë, nëse do të votohej të dielën, do kishit mundësi të dilnit më mirë se kundërshtarët tuaj, sa më mirë? Me 65 apo 67 mandate, apo 74?

Kryeministri Edi Rama: Jemi në një fazë të jetës tonë publike ku aritmetika po pëson goditje të mëdha. Kështu që nuk e di, kur them më mirë se në 2017-ën, si del llogaria me 65. Unë e mirëkuptoj këtë influencën e tabelave të gabuara të shumëzimit dhe të pjesëtimit, se na doli tani që 10 pjesëtim për 3, bëjnë 3, e patë besoj. Por, për të qenë serioz, kam një pyetje, e di sa taksa paguani? Nuk e diskutoj që paguan, por ti vetë, personalisht, e di sa taksa paguan? Sa e ke rrogën dhe sa taksa paguan? Rroga është konfidenciale, po sa taksë mbi rrogën paguan, e di?

– Po të shprehem se sa përqind të pagës time shkojnë për taksa, atëherë do të merrej vesh dhe rroga ime.  Unë kam një detyrim mujor të konsiderueshëm që shkon për taksat.

Kryeministri Edi Rama: Sa përqind të rrogës paguan taksë?

– Në deklarimin vjetor ka qenë një shumë e konsiderueshme.

Kyreministri Edi Rama: Nuk e diskutoj, por sa përqind e rrogës? Nuk e di, nuk ka problem. Nuk kam asnjë arsye të provokoj, thjeshtë e bëra pyetjen për të thënë diçka tjetër, nuk e kam fare personale, por, sepse shumë shpesh e dëgjoj, sidomos nga ata që nuk e dinë as sa taksa paguajnë, ose nga ata që nuk paguajnë taksa fare, – nuk është rasti yt nuk diskutohet, – të thonë “taksat tona”. Sikur të pagunin taksa dhe të dini sa taksa paguajnë këta që flasin për taksa, do të ishte vërtetë një hap i madh përpara. Ndërkohë mos ki asnjë merak, sepse nuk do të jetë një fluturim me taksat tuaja, natyrisht nuk mund të jetë një fluturim me shpenzimet e mia, se nuk e kam mundësinë për një fluturim të tillë, por, kur ta bëjmë fluturimin, do të informoheni edhe sesi do të bëhet fluturimi i 120 kuksianëve që do votojnë Partinë Demokratike me një udhëtim falas, si rezultat i përqeshjeve dhe i sharjeve të pambarimta që kanë bërë nga Londra për Aeroportin e Kukësit, që me demek ishte një lojë, ishte një përrallë, ishte një gënjeshtër, ishte një 3D. Kjo është thjesht ideja.

Shumë ide dashamirëse, nuk ka asnjë të keqe brenda, por realisht është fatkeqësi e madhe, kur akoma sot, shumëkush nuk do që ta kuptojë që projektet nuk nisin kur mbarojnë. Nisin në tryezë kur fillojnë konceptohen dhe nga ideja tek zbatimi është një rrugë shumë e gjatë dhe ka edhe të papriturat e veta. Me të drejtë e kujtove atë që thashë dhe për Aeroportin e Vlorës dhe e shpjegova më parë që kjo nuk është ë dorën tonë 100%, madje nuk është fare në dorën tonë në këto momente, sepse neve na duhet garanci që rihapja e garës nuk do të sjellë dështimin e garës. Na duhet garanci që kompanitë e interesuara, apo kompani që mund të jenë të interesuara të mund të vijnë e të marrin pjesë. Ky është problemi, se nuk na pengon asgjë ta hapim garën, por, nëse hapim garën dhe brenda 2 javësh, apo 20 ditësh sa ka mbetur nga gara nuk vjen njeri, dështon i gjithë procesi dhe nuk dua ta dështojmë procesin. Kjo ka ardhur si rezultat i pandemisë, i goditjes që ka marrë gjithë industria e aeroporteve dhe kompanive ajrore, për fat të keq.

– Në programin e qeverisë të vitit 2013, ju keni folur për modernizimin e rrjetit hekurudhor, duke synuar integrimin në korridoret europiane hekurudhore dhe lidhjen me portet kryesore të vendit. Sot, pas më shumë se 7 viteve, si është gjendja e hekurudhës shqiptare?

– Ju ndoqa në debatin televiziv për inceneratorët disa ditë më parë dhe kam një pyetje. Në vendimin e Gjykatës së Shkupit për aksidentin e Zotit Ahmetaj në Kumanovë në 2017-ën, përmendet se në makinë me të ka qenë dhe Zoti Mirel Mërtiri. Fituesja e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit është kompania në pronësi të bashkëshortes së Zotit Mërtiti. Ndërsa sa i përket inceneratorit të Fierit i është dhënë kompanisë së juristit të Zotit Mërtiri, që është Zoti Klodian Zoto. Sipas një investigimi të BIRN, zbulohet se Zoti Zoto ka lidhje dhe me inceneratorin e Tiranës. Ju keni pasur dyshime në lidhje me mënyrën sesi janë dhënë koncesionet për inceneratorët dhe pse nuk i jeni drejtuar SPAK-ut për të shuar çdo dyshim për këtë aferë korruptive?

Pyetja për ministren Balluku; Duke qenë se kemi mundësinë t’ju pyesim sot, prej disa ditësh, grevës së naftëtarëve të Ballshit i janë bashkuar edhe gratë, duke qenë se ju jeni vetë një grua, a jeni të shqetësuara se këto gra po rrezikojnë jetën dhe a keni menduar një zgjidhje për këtë çështje?

Kryeministri Edi Rama: Dua t’i kërkoj ndjesë ministres, do përgjigjem unë për këtë, duke thënë edhe një herë që asnjë presion, asnjë ultimatum i asnjë forme nuk funksionon me mua dhe me këtë qeveri. Në rastin e naftëtarëve të Ballshit e kam bërë shumë të qartë dhe e kam përsëritur dhe sot, ne nuk jemi palë përballë një pale. Ne jemi pjesë e një familjeje dhe me naftëtarët nuk kemi asnjë llogari të hapur, apo asnjë llogari për të mbyllur, për shkak se ajo është një marrëdhënie private, por në kushtet kur ata kanë këto vështirësi të mëdha e në kushte kur ata refuzojnë të hyjnë në programin e asistencës shtetërore, sipas të gjitha ligjeve në fuqi, ne jemi të gatshëm të ulemi, të diskutojmë e të qajmë këtë hall, që as nuk e ka krijuar qeveria, as nuk kemi një shkop magjik që ta zgjidhim me telegrame. Duhet të dalin nga greva nëse duan të bisedojnë me ne, sepse grevat bëhen për të sensibilizuar. Ne nuk kemi nevojë të sensibilizohemi lidhur me këtë çështje, sepse jemi të sensibilizuar maksimalisht nga dita 1. Me ultimatume, me presione, me shantazhe, me kërcënime, me forma detyruese, me shprehje “pagat, pastaj ulemi flasim”, më vjen keq, por nuk funksionon.

Jam shumë i keqardhur për ata që kanë ndërmarrë këtë iniciativë, sepse natyrisht nuk është aspak e lehtë të flesh jashtë shtëpisë, por jam i gatshëm sot, në sekondë, që të fillojmë të bisedojmë me ta me logjikë. Gjëja më e lehtë është të thuash që po futemi në grevë e qeveria të bëjë këtë e të bëjë atë. Dalin ca në rrugë dhe thonë na bëni sot kanalizimet, se përndryshe ne do bllokojmë rrugën. Ku jemi këtu?

Ne nuk jemi duke ndenjur, nuk jemi duke i kthyer shpinën askujt. Ne jemi duke bërë gjithçka mundemi dhe gjithçka kemi në dorë të bëjmë, por, nëse është krijuar një qytet i tërë me ndërtime pa leje, patjetër që do ketë probleme me përmbytjet. Edhe aty nuk kemi ndenjur duar kryq. Kemi bërë kanalizime, do vazhdojmë t’i bëjmë. Por nuk bëhen dot të gjitha gjërat sa hap e mbyll sytë.

Me presione nuk fitohet asgjë me mua dhe me qeverinë tonë. Zero! Këtë gjë duhet ta mësojnë të gjithë, si xhagajdurët, si njerëzit që janë në hall. Nuk fitohet, është e pamundur!

Përsa i përket hekurudhave, ministrja e sqaroi shumë mirë me shembullin e hekurudhës Tiranë – Durrës. Është një proces që ka vite ka filluar dhe BERZH-i, që është financuese e këtij projekti, ka marrë vite. Projektet e infrastrukturës nuk janë shtëpi që ndërtohen brenda një kohe relativisht të shkurtër. Janë projekte komplekse, masive, por të gjitha janë në proces. Unë kur kam folur në 2013-ën, nuk kam pasur parasysh që do mbarojë punë në 2017-ën. Kështu që janë të gjitha në proces.

Ndërsa për pyetjen tjetër refuzoj të përgjigjem, sepse unë nuk merrem me survejime në vrimë e çelësit se kush është bashkëshorti i kujt e kush udhëton me kë. Këto nuk janë punët e mia. Puna ime është t’ju them vetëm kaq, shikoni gjendjen e plehrave sot dhe dje. Shikoni si ishte dje Sharra, si ishte dje Elbasani, si është Fieri akoma edhe për pak kohë. Është shumë e thjeshtë. Nuk janë fare punët e mia këto. Unë nuk merrem me procedura, unë shoh rezultatin. Pastaj, nëse ka probleme me procedurat, ato i zgjidhin institucione të tjera, jo unë. Por ama di një gjë; shpifje,  akuza, sajesa, fabrikime, marrëzira, më shumë se këtë herë, të grumbulluara bashkë, në sulm kundër një modernizimi fantastik që është bërë, sepse është fantastike ajo që është bërë. Kush nuk e sheh, ose nuk do të shohë dhe këmbëngul të mos shohë, është i pashërueshëm nga verbëria e shkaktuar prej mllefit. Është fantastike ajo që ka ndodhur. Standarde ndërkombëtare të nivelit A. Pastaj, procedurat nuk janë punët e mia fare. Nuk merrem unë me procedurat.

– … [e padëgjueshme] është një nga objektivat e qeverisë. Do doja të dija çfarë po ndodh me termocentralin e Vlorës, duke qenë se është një vepër e mbetur pezull prej shumë vitesh dhe ministrja Balluku, në mos gaboj, në Fier pati deklaruar se po shikohet për një zgjidhje lidhur me këtë projekt, nëse keni një përgjigje në këto momente? Dhe është projekti tjetër i Orikum – Dukat. Çfarë do ndodhë, do fillojë në vitin 2021, duke qenë se është një nga koncesionet më të diskutuara vitet e fundit?

Ministrja Belinda Balluku: Të gjitha koncesionet janë të diskutuar vitet e fundit, bilës tender dhe koncesion është bërë frikë t’i përmendësh, ndërkohë që janë procedura të njohura dhe ne nuk i kemi shpikur. Janë bërë në gjithë botën dhe i bëjmë dhe ne, pasi ndihmojnë buxhetin e shtetit. Shqipëria është një vend në ndërtim, është një kantier ndërtimi dhe do jetë kështu edhe për disa dekada të tjera dhe jo gjithçka mund të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Po e nis nga Orikum – Dukat, që ka marrë një shtyrje për shkak të pandemisë. Afat të fundit ka pasur, nëse nuk gabohem, 2 ose 3 tetorin, për përmbushjen e kushteve dhe procedimit të kontratës. Por, duke qenë se kemi pasur ato muajt e vështirë të mbylljes, ka marrë vetëm pak ditë afat, nëse nuk gabohem, 15 apo 20 nëntor, por pa përfunduar nëntori, duhet të mbyllen të gjitha kërkesat që koncesionari duhet të  përmbushi dhe të hapet kantieri. Është një kusht i vendosur nga Ministria e Infrastrukturës, pra, kemi vendosur këtë afat një muaj e 20 ditë, pasi ky projekt është shumë i lidhur dhe me projektin e tunelit. Duke qenë se ne synojmë të nisim punë brenda pranverës së 2021-it për tunelin e Llogarasë, duhet të avancojë dhe projekti i Orikum – Dukat, duke mbyllur kështu një segment shumë të rëndësishme dhe që lidhet kështu në Tragjas me daljen e Bypass-it të Vlorës dhe mbarojmë në bllok të gjithë aksesin nga Vlora për në jug të vendit.

Përsa i përket termocentralit të Vlorës, siç ju jeni në dijeni, ka pasur 2 gara të hapura, për të mos folur për problematikën që ne kemi pasur me një kontratë të mëparshme të lidhur me fondet të BB-së dhe KESH-it, që sot e kësaj dite paguhet një kredi, por që i gjithë procesi nuk është përmbyllur për shkak të kushteve teknike që aty ka, që është kalimi nga qymyr në naftë apo gaz, siç ka qenë në projektin e parë dhe padyshim procesi i ftohjes, një proces i nevojshëm për të gjithë termocentralet që bëhen me qymyr, apo me naftë, me gaz, por që në pozicionin që ndodhet është shumë i vështirë. Ka një studim të tërë që ka të bëjë me temperaturën e detit e të tjera.

Tani po kthehemi tek zgjidhja më e fundit që i kemi dhënë, pasi patëm pjesëmarrje të tre kompanive të mëdha. Që të tria nuk arritën të sillnin një ofertë të vlefshme, qoftë teknike e më pas të kalonim tek ajo financiare, por ranë të tria tek ajo teknike. Kështu që pas një bisedimi shumë të gjatë që unë kam pasur me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe pas takimit që pata me Sekretarin e Energjisë në muajin janar të vitit të kaluar, arritëm në një marrëveshje shumë të rëndësishme, sigurisht mbështetur kjo me punën e palodhur të Ambasadores Kim, që të jetë pjesë e paketës së marrëveshjes që kemi firmosur para pak ditësh, në këtë sallë, me përfaqësuesin e qeverisë amerikane, pra, në një marrëveshje ndërqeveritare për një bashkëpunim në fushën energjetike. Kontrata e parë për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës me kompaninë Bechtel është firmosur këtu. Ndërkohë që jemi duke finalizuar të gjitha hapat për të firmosur një kontratë me një kompani shumë të njohur amerikane, të sugjeruar nga Departamenti i Energjisë, përsa i përket ndezjes dhe funksionimit, kthimit në operacional të termocentralit të Vlorës, me gaz të lëngshëm.

Çfarë kemi arritur tjetër gjatë kësaj marrëveshje, e cila shpresoj të firmoset shumë shpejt, është të kthejmë një pjesë të zonës industriale të Vlorës, në një port të lundrueshëm për shpërndarjen e gazit të lëngshëm, duke e kthyer kështu në efeciencë, jo vetëm përdorimin e këtij TEC-i për të prodhuar energji, por edhe kthimin e zonës së Vlorës dhe Shqipërisë, përgjithësisht, në një hub për shpërndarjen e gazit të lëngshëm në zonën e Ballkanit Perëndimor. Sot që flasim bëhet vetëm për shkallën e vogël, për atë që njihet nga ekspertët si small scale, pra, për përdorim të konsumatorëve, siç është rasti i ngrohjes apo i gatimit me anë të autoboteve që e kemi prezantuar në muajin shkurt me Ambasadoren Kim dhe bëhet nga Serbia. Ndërkohë që ndërtimi i këtij porti të lundrueshëm në Vlorë do ta kthente në një pikë shumë të rëndësishme energjetike Shqipërinë për gazin e lëngshëm, për të mos iu referuar unë, pasi jemi zgjatur kam përshtypjet dhe me kohën, të gjithë zhvillimit gjeopolitik që sjell në rajon dhe në Shqipëri ky bashkëpunim me SHBA-në.

Kryeministri Edi Rama: Besoj që sot ezauruam çka kishim për ë folur, edhe falë pyetjeve tuaja.

Mbani maskën sapo dilni nga shtëpia, respektoni distancat, lani duart sa më shpesh dhe mbetemi në kontakt për gjithçka.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.