Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në konferencën Ekonomia në Fokus, me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj:

 

Kryeministri Edi Rama: Sot, në këtë forum të hapur të javës mbi ekonominë, fokusin do ta kemi tek procesi i rindërtimit, si një proces që do të duhet të garantojë siç po garanton dita- ditës strehim të ri dhe cilësor për familjet e goditura nga fatkeqësia e madhe e tërmetit; Punësim masiv, siç po garanton për 27 mijë persona që janë përfshirë në këtë program dhe që falë kantiereve të hapura të rindërtimit në të gjithë territorin e  zonës së prekur çojnë rrogën në familjet e  tyre; Impakt të konsiderueshëm në një ekonomi të cënuar nga kjo kohë e mallkuar pandemie. 

Si të gjithë këqijat që nuk vijnë vetëm për keq, tragjedia e 26 nëntorit ka hapur një hapësire të re për mundësi të reja dhe Programi i Rindërtimit ka ndikuar dhe po ndikon ndjeshëm në ekonominë tonë. Këto janë tre aspektet kryesore të këtij procesi.

 

Zoti Kryeministër, përse duhet t’u votojë një intelektual që paguhet me pagë 1,6 milionë lekë të vjetra dhe që tatohet me 23% dhe pse s’duhet të votojë ai Lulzim Bashën që ka thënë se do ta tatojë vetëm me 9% pagën e tij? Po flas në këtë rast për rrogëtarët, jo për bizneset. Pse duhet të votojnë PS-në dhe jo PD-në.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për pyetjen, edhe pse, me thënë të drejtën dhe e them shumë sinqerisht, është kohë e humbur të diskutojmë propozimet e PD-së, pasi në tërësinë e vet, programi i PD-së është si karakteri i liderit të PD-së, i dobët dhe pa shtyllë kurrizore. Sidoqoftë vlen, në parim them, që t’i përgjigjem pyetjes tuaj, sepse është një diskutim parimor që ndan qartësisht rrugët dhe alternativat tona. 

Taksa e sheshtë është taksë për të pasurit. Taksa e sheshtë është taksë për t’u dhënë edhe më shumë atyre që fitojnë më shumë dhe për t’u marrë shpirtin atyre që fitojnë më pak. Kjo është pak, por e sigurtë. Sot jemi në kushtet kur taksa jonë që unë e quaj taksim i ndershëm dhe që konsiderohet si koncept taksë progresive është qartësisht një taksë që ka dhënë rezultat, qoftë në aspektin e moralit shoqëror, qoftë në aspektin e të ardhurave për individët dhe për shtetin.

23%, të cilit ju i referoheni dhe që e kam dëgjuar nga shumë, është keqinterpretim në fakt. Sepse 23% nuk fillon në atë pikë ku ju iu referuat 1,6. Ky është fakt. 

Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm për nevojën që të bëjmë një rishikim të progresivitetit për të ardhurat personale me synimin që të jemi më të hapur ndaj nevojë së atyre që janë jo në pjesën e sipërme fare të të ardhurave personale, por në atë pjesën që ju prekët. Kjo do të bëhet bazuar në, e para, bindjen se është koha për ta bërë dhe ne e kemi këtë bindje. E dyta, do të bëhet pa asnjë lidhje me fushën elektorale. 

Ne nuk duam që fushata elektorale dhe zgjedhjet të jetë një arsye për të dobësuar karakterin tonë, për të dobësuar pikërisht atë që është baza e qeverisjes sonë, qeverisje mbi parimin që “kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak”. 

Të gjithë ata që e bëjnë këtë interpretim, e kam dëgjuar shpesh, e bëjnë gabim, se progresiviteti mbi të ardhurat personale ka një tjetër shtrirje.  Po ja kaloj fjalën ministrit, për të bërë një paraqitje shumë të detajuar në aspektin e korrektesës ndaj shifrave, lidhur pikërisht me progresivitetin mbi pagën.

Ministri Arben Ahmetaj: Faleminderit Kryeministër! Ne kemi bërë një analizë të detajuar mbi të gjithë pikat e të ashtuquajturit program, por sigurisht do t’i referohem me fjalën korrekte edhe për shkak të seriozitetit të çështjes.

Pikë së pari, progresiviteti siç u referua Kryeministri është në favor të klasës së mesme dhe e të gjithë shtresës që ka të ardhura më të ulëta. Fakti i vërtetueshëm kollaj, tregon që nëpërmjet asaj le të themi shtyrje nga taksa e varfërisë siç i referohemi ne taksës së sheshtë tek progresiviteti, sot që flasim mund të numërohen 960 milion dollarë të kaluara në duart, në xhepat e familjes të klasës së mesme ku janë realisht 94.5% e të punësuarve.

Taksa e sheshtë favorizon një pakicë, që ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër, por sigurisht dhe një pjesë shumë e mirë e tyre më duhet ta them na kanë votuar, por në korrektesë të programit tonë, të filozofisë tonë, të shtyllës kurrizore tonë, praktikisht ajo pjesë, ajo shtresë e të punësuarave dhe e popullsisë duhet të mbajë në kurriz një barrë më të madhe fiskale se 94.5% e të punësuarve, e shqiptarëve.

Dhe rikthimi i taksës së sheshtë bën 3 gjëra midis të tjerave Ngarkon shtresën, klasën e mesme dhe pjesën që ka të ardhur atë ulëta me më shumë taksa dhe liron 2 grupe nga një shifër e konsiderueshme, duke përfshirë këtu e mbani mend gjithë debatin për dividentin. Unë kam një pyetje retorike për të shpjeguar atë pikë të draft programit.

Cila është arsyeja që nëpërmjet taksës së sheshtë, gati 53 miliardë lekë, 530 milionë dollarë do të duhet të ikin nga buxheti, të ikin nga investimet për spitale, të ikin nga ndihma ekonomike, të ikin nga rindërtimi që s’u fol asnjë fjalë, ky është një diskutim më vete dhe të shkojnë në xhepat e kompanive të mëdha. Cila është arsyeja?

Arsyeja është fare e thjeshtë. Praktikisht është filozofi e dy forcave të mëdha politike. Njëra që e mbështet programin e vet tek mbështetja sociale, tek progresiviteti dhe një tjetër që fokusohet tek 3%.

Gjithë ky diskutimi, ndjesë që e them për oligarkët është bolori politike, por aman kur kemi shprehjen (Letra vlen), te letra ju e shikoni që janë 530 milionë dollarë 140 milionë dollarë në vit që ky draft program, që unë nuk e konsideroj program i kalon nga qytetarët, nga buxheti, nga spitalet nga beteja kundër pandemisë tek kompanitë e mëdha.

 

E dyta që është sinqerisht Kryministër me lejen tuaj, është habi e madhe, është ulja nga 24 në 18 e kontributit, domethënë për çdo profesionist, kjo do ishte një habi ekstreme dhe e pa kuadruar dot në shifra. Që tua them fare thjeshtë, kjo do të thotë që shqiptarët një ditë të mos kenë mundësi të marrin pension, domethënë është një gënjeshtër, një tallje e madhe, një mungesë serioziteti ndaj shqiptarëve, me gjithë korrektesën që përpiqem të kem unë me këtë çështje serioze. Pra praktikisht e çon deficitin e skemës së pensioneve në gati 830 milionë dollarë, por shifrat i korrektojmë edhe me decime nëse doni dhe prish komplet reformën. Pra, në qoftë se ju kontribuoni sot, ju nuk jeni të garantuar çdo shqiptar që nesër të gjithë 643- 650 mijë pensionist të kenë të garantuar pensionin e tyre.

 

Përtej kësaj kemi dhe të gjithë heqjen e taksave, unë po jua them me një gjuhë të thjeshtë, jam gati të përballem me ju dhe me këdo në detaje shifrore dhe analitike për çdo propozim të tyre, por po ju them vetëm kaq: Që ky program të funksionojë do të duhet të rritet ekonomia me 25% e të ardhurave dhe po ju them që në trajektoren normale të rritjes së Shqipërisë që po i japim edhe një hapësirë me 5 % apo 5.5%, praktikisht Shqipëria falimenton në vitin e dytë të një mandati potencial por të pamundur të këtyre. Unë dy fjalë do ti them përtej, le të themi përtej korrektesës, sinqerisht më kujtohet ajo platforma e dikurshme e qeverisë së dikurshme të partisë së PD e partnerizuar me Suden, “Me ne fitojnë të gjithë” dhe pastaj humbet e gjithë Shqipëria. Realisht e dini që duhet të shkonte borxhi përtej 90%, e dini që duhet të shkonte deficiti përtej 8 apo 9%, e dini që shtesë duhet të ketë në treg, në treg të financohen operacionet e buxhetit dhe ata 2 apo 3 që marrin vesh aty, ata djemtë dhe jo Sudia, 3.4 miliard ku do i gjejnë, ku do i gjejnë operacionet, si do të financohen operacionet nga do i marrin do prodhojnë aty tek Shqupi para. Ndjesë, por mungon serioziteti.

 

Më kujtoi Kryeministri për pyetjen tuaj. 23% praktikisht fillon aplikohet me një pagë 4 milion lek të vjetra dhe me kërkesë të kryeministrit ne prapë po i shikojmë fashat, por në aspektin e progresivitetit një pagë mbi 4 milion lekë të vjetra sigurisht që do të ngarkohet në atë nivel dhe praktikisht optimalja është më e vogël se 23%, për fashën mbi 1milionë e 500 mijë të vjetra deri në 4 milion lek të vjetra dhe përqindja duke u rritur shkon nga 8% të punësuarve deri në 3% të punësuarve. Pyetja juaj ishte fokusuar ne ligjimitetin tuaj për 8 deri në 3% të të punësuarve. Pra, duke u ngjitur kategoria e pagës, duke u zvogëluar nga 8% në 3%. Pra ju pyetët për 8 deri në 3% të të punësuarve. Kryeministri ju përgjigj për 95% të të punësuarve. Pra, edhe për korrektesë ndaj pyetjes tuaj, ju referua edhe asaj page

 

Kryeministri Edi Rama: Pra, nuk ka 23% në 1,6. E kam dëgjuar këtë në mënyrë të përsëritur. Është si shumë pasaktësitë e qëllimshme, ose pastaj të pafajshme për shkak të përhapjes së tyre, që në 1,6 milionë lekë rrogë filloka taksimi 23%. Kjo është e pasaktë. Nuk po them gënjeshtër, sepse nuk të takon ty kjo fjalë, por ata që e kanë përhapur, janë thjeshtë gënjeshtarë. Ose nuk dinë të bëjnë asnjë llogari dhe është sipas rastit 7×7 = 42, për qëllime thjeshtë politike dhe kush ta besojë, ta besojë dhe ta përsërisin sa më shumë, që ta besojnë sa më shumë. Por nuk është kështu, është krejt ndryshe. Ne jemi duke studiuar një rivizatim, një rishpërndarje në strukturën e progresivitetit për të ardhurat personale për atë fashën që lidhet me shqetësimin tënd, por duke mos harruar që 23% fillon kur rroga është katër milionë e lartë, jo më poshtë, sot që flasim.

 

Duke qenë se jemi pikërisht dhe në këto diskutime dhe ju folët mbi taksën progresive, sa konkretisht pritet që të ulet taksa mbi të ardhurat personale? Pyetja e dytë lidhet me Konferencën e Donatorëve, duke qenë se edhe pak ditë mbushim një vit nga realizimi i kësaj Konference. Nëse bëjmë një bilanc, sa para kemi marrë gjithsej dhe sa janë investuar nga këto para të marra?

Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e dytë, unë do të kërkoj ndjesë, por duhet të rishikosh paraqitjen e ministrit se ishin të gjitha aty dhe pasi ta rishikosh do të nxjerrësh dhe shifrat që kërkon, pasi nuk mund, të paktën me ju që jeni këtu dhe që mbani edhe shënime, të përsërisim pafundësisht të njëjtat gjëra. 

 

Sa i përket taksës, ne nuk do të bëjmë asnjë lloj fushate me taksën. Ne do të vazhdojmë të përsërisim ato që kemi thënë në fillim, kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë, kush fiton më pak, do të paguajë më pak. Duke qenë se ne jemi të akuzuar pafundësisht si qeveria dhe forca politike që mbron oligarkët, siç i quajnë, ne nuk do t’i lëmë në asnjë mënyrë 530 milionë dollarë që të mbeten në xhepat e kompanive të mëdha apo të oligarkëve që i quajnë këta. Kjo është pak, por e sigurtë. Ne nuk do t’i lëmë aty 530 milionë dollarë që janë për t’u investuar në infratsrukturë, në shkolla, në spitale, në rritje pagash, në rritje pensionesh e kështu me radhë, që të kthehen mbrapsh, siç ndodhte para se në të vinim në qeveri dhe të rivendosnim këtë parim në bazë të qeverisjes, në xhepat e më të pasurve. 

 

Biznesi i vogël me ne ka zero taksë. Nuk e ka asnjë vend në rajon. Nuk po shkoj në Europë se as nuk bëhet fjalë, se Europa i ka të larta taksat, prandaj edhe bën shumë gjëra që këtu shumëkush i kërkon sa hap e mbyll sytë, duke harruar që në Europë, gjysma e të ardhurave shkon për taksa e kontribute, por nuk kemi këtu fare mundësi dhe as nevojë të krahasohemi me Europën. Ne krahasohemi me rajonin. Asnjë nuk ka zero taksë. Biznesi i vogël ka zero takes dhe ka zero TVSH-në deri në 100 mijë dollarë xhiro. E paimagjinueshme pak vite më parë. U bë e mundur sepse kemi konsoliduar bazën e financave të këtij shteti. Pjesa tjetër deri në 140 mijë dollarë xhiro e ka zero taksën e fitimit dhe ka TVSH-në, kuptohet. 

 

Ҫfarë propozojnë këta? T’ua bëjmë 9% kompanive të mëdha dhe njëherë thonë do t’ia bëjmë 1,5, pastaj thonë do t’ia bëjnë 0.5. Për çfarë arsye, apo që t’i vënë në kurriz prapë nga e para taksidarët e kohës së qepës. Ne jemi në fazën kur po i heqim komplet inspektorët nga biznesi i vogël. Biznesi i vogël, siç është fakt që është çliruar nga taksa mbi fitimin dhe nga TVSH-ja, do të çlirohet përfundimisht nga vizitat tek dera për gjoba dhe për rryshfete. Këta duan t’i kthejnë prapë. 

 

Por lajmi i mirë është që të gjitha këto janë muhabete që do t’i marri era se nuk ka asnjë mundësi që ky lloj programi, që është shëmbëlltyrë e lidershipit të PD-së, një karakter i dobët, pa shtyllë kurrizore, të mund të ketë shans të realizohet. Jo vetëm sepse, nëse do të vinin ata në qeveri, nuk do të mund t’i bënin se janë të pabëshme, sepse falimenton shteti komplet, por që ata nuk do të vijnë në qeveri. Kështu që është bisedë që do ta marri era. Por për respekt të pyetjeve, ne jemi këtu për t’u përgjigjur, gjithmonë me mirëkuptimin që Elia do garantojë për ekranin e vet dhe për të gjitha ekranet që tema e ditës nuk do të anashkalohet

 

Kur do bëni publik programin tuaj për një mandat qeverisës të tretë, nëse do të keni një të tillë, që qytetarët të kenë mundësi për të ballafaquar të dy programet, atë të maxhorancës dhe atë të opozitës jashtëparlamentare?

Kryeministri Edi Rama: Qytetarët e kanë shumë të thjeshtë, duhet të ballafaqojnë karakteret, pastaj sigurisht edhe programet, pastaj çfarë është bërë dhe kush mund të bëjë dhe më shumë. Por kjo fillon nga karakteret. Nga karakteri i lidershipit, nga karakteri i forcave politike. Besoj që qytetarët kështu mendojnë gjithmonë kur votojnë. Sigurisht, programet kanë kohën e vet dhe e kemi thënë me kohë që ne do të ndajmë me qytetarët një platformë për Shqipërinë e vitit 2030. Sepse ne jemi në kushtet kur nuk mund të flasim me qytetarët për një program elektoral për të marrë në dorë punët e vendit, por duhet të flasim për një vizion dhe ecurinë e punëve të vendit, bazuar në çfarë është bërë, që është krejt e pamjaftueshme në raport me atë që duhet bërë dhe për të ndarë me qytetarët bindjen tonë se vetëm ne jemi në gjendje të bëjmë atë që qytetarët duan, që ne duam, që të gjithë së bashku duam. Shpresoj që së shpejti do të kemi mundësi ta ndajmë këtë vizion me qytetarët.

 

Kohët e fundit, ju keni patur disa kritika ndaj BE-së për ato që mund t,’ quajmë si “egoizëm” që BE-ja ka treguar lidhur me mënyrën e shpërndarjes së vaksinës. Por disa ditë më pare, Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në BE është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk duhet të përgojoni BE-në, por duhet të plotësoni kushtet dhe ai liston një sërë prej tyre, duke përmendur që është shkelur Marrëveshja për 5 qershorin; gjithashtu ligji për median nuk është përmirësuar; zyrtarët që janë përfshirë në manipulimin e votave i kanë shpëtuar ndjekjes penale; kushtetueshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019-ës nuk është vërtetuar dhe pastrimi i parave mbetet një shqetësim. Si do t’i përgjigjeshit ju deklaratave të tij?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e njoh kush është ky dhe nuk kam arsye pse t’i përgjigjem deklaratës së tij. Se kam fare idenë.

Tani që ma prezantove, nëse do të kem kohë, të mësoj më shumë për këtë person, por gjithmonë duke ju referuar atyre që the ti, sepse atë nuk e njoh dhe i marr me rezervë citimet, të gjitha këto që rreshtove janë përrallë nga e kaluara. Nuk kanë lidhje me realitetin dhe sigurisht nuk kam asnjë koment për këtë. Ajo që unë dua të shtoj këtu është se ku është lidhja e këtyre me këtë që kam thënë unë për vaksinën. Ma gjeni ju dot këtë se ku lidhen këto me vaksinën, ku lidhen zgjedhjet e 2019-ës me vaksinën? Ku lidhen të tëra ato fabulat e tjera, që i kemi dëgjuar vazhdimisht si këngë nga ata, të cilët marrin informacion të njëanshëm nga Shqipëria dhe faktikisht e marrin nga kanalet e SHQUP- it, me vaksinën? 

 

Ndërkohë ju ku hyni në këtë mes? Me kë jeni ju? Jeni me domosdoshmërinë që shqiptarët të kenë vaksinën, apo jeni me koordinatorët e Parlamentit Europian që merren me storie që nuk kanë asnjë lidhje me vaksinën? Ju keni hall se po përgojohet BE-ja dhe çfarë përgojimi ka këtu e si mund të përdoret termi “përgojim”. Po të flasim për përgojime, të gjitha këto që u rreshtuan këtu janë përgojime të pabazuara në fakte të vendit tonë. Por për këto unë nuk fajësoj koordinatorët e PE-së. Unë për këto e di shumë mirë se kush është fajtori. Janë ata që nxjerrin rrugëve të botës tërë llafet e zeza për Shqipërinë dhe që duan të vijnë në qeveri me pseudoprograme që janë ofendim i madh i inteligjencës së të gjithë njerëzve që dinë të bëjnë dy llogari, jo më shumë. 

 

Unë nuk kam përgojuar BE-në. Unë kam thënë atë që po e thonë sot, të gjithë. I dëgjoni çfarë po thonë në Europë dhe vende të caktuara të Europës për çështjen e vaksinës. Apo çfarë po thotë Presidentja e Komisionit të BE-së. Po përgojon ajo Bashkimin Europian dhe Europën? Pse, kur ne apo unë, në rastin konkret, që nuk flas për shtëpinë time, nuk flas për veten time, por flas edhe për ju. Kur flasim këtu me njëri-tjetrin për programet e partive, është krejt normale që unë flas për një palë, ti flet për një palë tjetër, por kur flasim e kur flas për të tjerët, unë flas edhe për ty. Ky është dallimi mes vendeve që kanë politikanë seriozë e kanë parti serioze dhe vendeve ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët. Këtu bëhet fjalë për vendin e popullin tonë, bëhet fjalë për njerëzit tanë, për gjyshen e gjyshin tënd, për prindërit e tu, kur flitet për vaksinën dhe kur flitet për këtë situatë që nuk e krijuam ne, nuk e krijoi Shqipëria, por u krijua nga qasje dritëshkurtër, e palogjikshme dhe urdhëro, ja ku janë rezultatet. Nuk ka nevojë të mbrojë asnjë koordinator i Parlamentit Europian, BE-në nga unë. Nuk është e nevojshme. E mbroj vetë BE-në më mirë se çdo koordinator i Parlamentit Europian, – le të jetë gjerman, holandez, spanjoll a çtë dojë, – po të jetë për devocion ndaj projektit Europian, për përkushtim ndaj rrugës europiane dhe për respekt ndaj BE-së.

 

Por këta janë mësuar të flasin kështu, sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, ushqehen nga Tirana, mbështeten nga Tirana. Prandaj janë mësuar të flasin kështu dhe nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Me kë flet ai, për ndonjë shokun e vet?  Ku është, në kafene në Babrru apo në Bruksel, që tregon kushtet dhe parakushtet kur ne flasim për shëndetin dhe vaksinën?! 

Ҫfarë po na tregon, që nuk meritojmë vaksinën se nuk kemi dakordësi për zgjedhjet e 2019-ës!? Apo do na tregojnë që ne nuk meritojmë të vaksinohemi njësoj si të gjithë të tjerët në Gjermani, në Francë, në Belgjikë e kudoqofshin, meqë s’kemi rënë dakord për 5 qershorin? Dengla dhe dokrra të pakonceptueshme. Dhe është për të ardhur keq që këto dëngla dhe këto dokrra janë produkt “made in Albania”, nuk janë “made in Germany”. Dezinfomim dhe manipulim i njëanshëm. 

 

Për cilin 5 qershor është fjala se unë njoh 1 qershorin, nuk di ndonjë festë tjetër në qershor. Çfarë është 5 qershori? Ҫ’punë ka një koordinator i PE-së me data pa lidhje fare dhe i vë përpara edhe “mos përgojo BE-në”. Çfarë jemi ne këtu, të hamë bar dhe mos hapim gojën kur shohim para syve një fakt? E kam thënë dhe e përsëris, jo për vete, por për ju si shqiptarë. Mos harroni që jeni shqiptarë në radhë të parë, pastaj jeni gazetarë, pastaj jeni të punësuar në një ekran nga pronarë që ju shtyjnë majtas e ju shtyjnë djathtas. Por në radhë të parë jeni shqiptarë dhe jini pak më dinjitozë si shqiptarë. Mos u jepni kaq shumë zë dhe figurë lloj-lloj tipave që në vendin e tyre nuk i njeh njeri se kush janë. Na bëhen këtu personalitete dhe na tregojnë sesi rrotullohet bota, ku është BE-ja dhe ku bie hëna. Është për të ardhur keq, nuk e bën asnjë vend këtë që bëni ju dhe natyrisht, ju nuk jeni fajtorët. Ju jeni bashkëfajtorët që merrni pjesë në këtë karagjozllëk të madh, që disa politikanë që duan pushtet me çdo kusht bëjnë me Shqipërinë. Për pushtet, për një karrige këtu bëhet Shqipëria cope, sa herë që hapin gojën, me gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha dhe me të pavërteta fare që janë gënjeshtra të trasha. E çfarë fitoni ju në këtë mes, “Like” për faqet e mediave apo audiencë për reklamat? 

 

Nuk është fare personale, e kam me të gjithë. Shikoni të gjithë mediat e rajonit dhe më thoni në cilin tjetër vend të rajonit që kanë po të njëjtat problematika, që janë në të njëjtin pozicion me ne, bëhen personalitete publike dhe futen në konferenca shtypi me kryeministrat dhe me presidentët e vendit njerëz komplet të panjohur, që nuk i njeh njeri në vendin e tyre, ose janë njerëz të dorës të tretë e të katërt në vendin e tyre, që kanë detyrën e tyre, shumë mirë, ne i respektojmë, nuk merremi me ta. Çfarë kanë ata që merren me ne gjithë kohën? Çfarë na tregojnë këta, ne? Nuk kanë punë tjetër këta? Sepse ushqehen nga këtu me dezinformim të vazhdueshëm, mbështeten nga këtu, përdoren nga këtu dhe keqpërdoren nga këtu.

 

Sa i përket pyetjes tjetër, kur flet për afatet e rindërtimit, ki parasysh dy gjëra, Ambrozia. E para, mes kohës së angazhimeve tona dhe kohës më pas u fut COVID-i, i cili vonoi shumë procese. E dyta, kur flet për rindërtimin në Shqipëri, mos shko larg, shiko Italinë. Kjo që po bëhet me rindërtimin në Shqipëri është histori suksesi në të gjithë zinxhirin e procesit. Këtë histori suksesi po e shijojnë dhe do ta shijojnë gjithmonë e më shumë qytetarët e prekur; ata që kthehen në shtëpi që nuk i kishin parë as në ëndërr; ata që kthehen në shkolla që as nuk i kishin imagjinuar të ishin me standarde njësoj si shkollat më të mira në BE; ata që riparojnë përditë ambientet e brendshme të apartamenteve të tyre dhe i kanë më të mira se ç’i kishin dje; ata që do të hynë në apartamentet e reja që do të ndërtohen. Kjo ka rëndësi për mua. Ndërsa kur përmendni afatet, kini parasysh që ne mes ka hyrë COVID-i që solli shtyrje të të gjitha proceseve në botë, jo vetëm këtu në Shqipëri.

 

Ju u shprehet që rindërtimi i shkollave e objekteve po bëhet me standarde europiane, por në fakt jeni duke ndërtuar me legjislacioni që i përket viteve ‘78-’89-të. A është kjo garanci për këto objekte që po ndërtohen, përsa i përket aspektit sizmik, duke qenë se ato u dëmtuan nga një fenomen i tillë dhe deri më tani nuk është se jemi njohur me projektligje të reja që po bëhen rindërtimet apo ndërtimet e tjera më pas. 

Ju u shprehët se keni ulur përqindjen e taksës progresive. Pse e bëtë pikërisht tani? Cili ishte efekti i më hershëm i kësaj takse që e ulët tani, apo kemi të bëjmë me kthim mbrapsht tek taksat në mandatit të pare, kur bëtë dhe ndryshimin e tyre?

Kryeministri Edi Rama: Cilën taksë progresive kemi ulur tani?

 

Për pagat. Deklaruat që është 18%.

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk është e vërtetë 

 

– A do të bëhet ky ndryshim vetëm për 3% apo 8% të popullatës? Të të punësuarve më saktë. 

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk është e vërtetë.

 

– Cila është e vërteta?

Kryeministri Edi Rama: E vërteta është që nuk ka ndryshuar asgjë. 

 

– Sapo u shprehët për ndryshime për pagat dhe ndryshimi për pagën nga 1 milionë e gjysmë të vjetra deri në 4 milionë lekë do të jetë 18% e do të jetë 23% për pagat mbi 4 milionë lekë të vjetra. Jam saktë?

Kryeministri Edi Rama: Jo nuk je saktë. 

Ministri Ahmetaj: Taksa efektive ka diferencë në definicion teknik financiar dhe logjik midis ngarkesës përse ligjore dhe efektives.

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam unë që duhet t’ju tregoj si të bëni punën tuaj, janë ata që ju drejtojnë, por merr shënim, dëgjo me vëmendje, mos insisto në gabim, mos cito personat që i ke përpara e të thonë jo. Sepse shpjegimi që u bë ishte për Eljan, për të thënë që nuk është e vërtetë që 23% fillon tek 1.6, por fillon tek 4 milionëshi. Nuk u tha që janë bërë ndryshime në këtë aspekt, sepse nuk janë bërë faktikisht. Madje unë thashë që ne nuk do bëjmë as fushatë, as zgjedhje me ndryshime të tjera taksash. Thashë që ne po studiojmë një fleksibilitet më të madh tek taksa progresive mbi të ardhurat për atë pjesën që kishte parasysh Elja dhe do ta bëjmë, por kjo nuk është sot, nuk është për fushatë, nuk është për zgjedhje. 

 

Zgjedhja është shumë e qartë, ose 540 milionë dollarë nga buxheti i shtetit në xhepat e kompanie të mëdha të të ashtuquajtura oligarkë, ose 540 milionë dollarë në buxhetin e shtetit për spitale, për shkolla, për të gjitha, siç janë sot. 

 

Nuk do ndryshojmë taksat as për kompanitë e mëdha, ndërkohë që për biznesin e vogël kemi ndryshuar maksimalisht. Zero. Poshtë zeros mund ta çojë vetëm Lulzim Basha, siç po çon Partinë Demokratike.  Ndërkohë që mbi zero nuk do ta lejojmë edhe pse ata e propozojnë. Gjyshja ime thoshte, “errare è umano, perseverare è diabolico”. 

 

Pyetja tjetër përsa i përket legjislacionit për ndërtimet e reja.  Flasim për standard ndërtimi, Zoti Kryeministër. 

Kryeministri Edi Rama: Për atë flasim dhe shkollat që ne ndërtojmë janë standard i lartë euorpian. 

 

Kam dy pyetje që lidhen me qarkun kryesor ku është përqendruar rindërtimi, Durrësi. Së pari, ju thatë dje se keni një borxh Durrësit dhe a mund të na shpjegoni çfarë borxhi i keni Durrësit, ku nënkuptuam kandidim edhe atje dhe në këtë këndvështrim, kur ju mendoni të kandidoni paralelisht në dy qarqe, a keni në konsideratë një rekomandim të fundit të Venecias që dekurajon kryetarët e partive që të përmbahen e të mos e shfrytëzojnë këtë hapësirë të re ligjore? 

Në vitit 2017, ju ndërtuat një fushatë të gjerë me moton kryesore për të çuar LSI-në për skrap. Ndërkohë së fundmi, disa figura kryesore të LSI-së, ju i keni pranuar në partinë tuaj, mes tyre dhe dy ministra të rëndësishëm dhe jetëgjatë, Lefter Koka dhe Nasip Naço. Çfarë ndodh, këta njerëz janë abuzivë kur janë pranë Zonjës Kryemadhi dhe Zotit Meta e kur vijnë pranë jush, aktivizoni veti të mira, apo si ndodh ky ndryshim i perceptimit? Kryeministri Edi Rama: Ke dëgjuar ndonjëherë që unë të flas për këta njerëz si njerëz abuzivë? 

 

– Ishin pjesë e tepsisë. Nëse ishin ministra që qeverisnin bashkë me ju dhe për atë parti, nëse e keni kuptuar gabim, unë tërhiqem. 

Kryeministri Edi Rama: Duhet të tërhiqesh pa e pranuar unë gabimin, duke e pranuar ti gabimin. Ҫuarja për skrap e LSI-së, një praktikisht projekt i përbashkët me Lulzim Bashën, por i tradhtuar nga Lulzim Basha. Unë nuk e kam tradhtuar projektin, unë vazhdoj të besoj tek ai projekt. Lulzim Basha e ka tradhtuar projektin, sepse ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI-në për skrap, ishte ai që u betua që nuk do ketë më matrapazllëqe me LSI-në, SHPK-ja etj. dhe sot është thjesht një aksioner në SHPK-në e katër ortakëve, ku ai është ortak minorance faktikisht, se ortakët kryesorë janë Saliu, Ilir Meta. Kështu që e ke impostuar gabim këtë opinionin. LSI-ja është projekt që duhet zhbërë. Kjo nuk është çështje personash. Unë gjithmonë besoj, kam besuar më përpara, besoj sot e besoj gjithmonë që nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, por janë sistemet që korruptojnë njerëzit, Të njëjtët njerëz në sisteme të ndryshme sillen ndryshe dhe ju keni prova plot. Mjafton që ju të ndryshoni ekran dhe do jeni njerëz të tjerë. Por kjo është temë tjetër. Unë besoj që LSI-ja është një sistem që duhet çmontuar komplet. Besoj, kam besuar dhe besoj. 

 

Përsa i përket çështjes së borxhit, kjo lidhet me origjinën time, me jetën time, me kujtimet e mia, lidhet me mua personalisht, me Durrësin. Natyrisht lidhet edhe me faktin që Durrësi ka një potencial të jashtëzakonshëm ende për t’u shfrytëzuar dhe në kushtet kur Vlora ka bërë shumë përpara, Durrësi duket padrejtësisht sikur është shumë më mbrapa. Nuk është shumë më mbrapa, por ka nevojë për një shtysë të re. Ky është borxhi, në sensin personal dhe në sensin e interesit të madh të përbashkët, jo vetëm për durrsakët, por për gjithë Shqipërinë. Durrësi ka potencialin që të jetë një motor i pazëvendësueshëm ekonomik i Shqipërisë. Sot, kur ne në Durrës e kemi vendosur një bazë të fortë ndryshimi. Durrësi ka shumë probleme, siç ka probleme Shqipëria në çdo sector, por po të kthejmë pak kokën mbrapa e të kujtohemi pak për Durrësin e përpara 7-8 viteve, atëherë do shohim që ndryshimi është i konsiderueshëm. Pra, ka një bazë. Tani ka ardhur koha që Durrësit t’i jepet një shtytje shumë e fortë dhe çka është më e rëndësishme, këtu nuk flasim më siç mund të flisnim përpara 4-5 vitesh, – 7 vitesh po e po, – që gjërat ishin thjesht vizion dhe ide. Këtu flasim për konkretizim të vizionit dhe të ideve. Transformimi i portit aktual të Durrësit, që është një gangrenë në mes të qytetit, në një port turistik nga më të mëdhenjtë në Mesdhe, ku për vetëm ndërtimin do të investohen mbi 2 miliardë dollarë dhe paralelisht me këtë, ndërtimi i një porti të ri tregtar të Durrësit në anën tjetër, ku standardet do të jenë 100% më të larta sesa këto të papranueshmet që janë sot, bashkangjitur me zonën e re ekonomike, e cila nuk është më një vizion, një ide, por është një mundësi konkrete, janë dy pole zhvillimi që Durrësin do ta çojnë në një nivel krejt tjetër, por do të impaktojnë të gjithë ekonominë e vendit tonë. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një transformim fizik apo për një sasi të madhe fondesh që do të investohen në periudhën X të kohës, por bëhet fjalë për një gjenerator punësimi cilësor, me paga më të larta. Po ashtu, një gjenerator ekonomik me transakosniet që do të kryhen në gjithë këto hapësira. Këto do të impaktojnë në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo është një shtysë shumë e fortë që ne të fokusohemi në mënyrë prioritare në Durrës në 4, 8 apo 10 vitet e ardhshme.

 

A janë pajisur me leje ndërtimi banorët e shtëpive që janë dëmtuar më lehtë nga tërmeti dhe po kryejnë rikonstruksione dhe a po monitorohen dhe po verifikohen këto projekte dhe cilësia e punimeve?  

Pak ditë më parë Ministria e Jashtme ka njoftuar dëbimin e një diplomati rus nga Shqipëria. Ky dëbim, a rrezikon të ndezë një konflikt mes dy vendeve? 

Ministri Ahmetaj: Shkurt, po, në bazë të nenit 6 të ligjit për urbanistikën dhe monitorohen nga bashkia dhe njësia zbatuese.  

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë, nuk shoh asnjë arsye pse të krijohen tensione mes dy vendeve. Rasti është një rast fatkeq i ditur dhe arsyet janë bërë publike. Nuk ka asgjë këtu për t’u alarmuar për ndonjë përshkallëzim konfliktesh mes dy vendeve.

 

Më lejoni t’ju citoj. Ditën e djeshme, ju thatë që nuk keni paragjykime përsa shkencën ruse apo kineze kur vjen fjala tek vaksinat, por do të synoni gjithmonë vaksina në krahun perëndimor të globit. Por çdo ditë që kalon, flasim për jetë njerëzish, pra, 13 të vdekur ditën e djeshme. Pyetja ime është, a po luani një lojë, apo a po rrezikoni jetën e njerëzve për hatër të interesave gjeopolitike, apo janë gurë të sakrifikueshëm në lojën e shahut që thatë se luani për negociatat për vaksinën? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, sepse impakti i vaksinës nuk është kaq imediat, sa të numërosh tani jetët fatkeqësisht të humbura dje. 

Vaksinat në krahun lindor nuk është se janë gati sa hap e mbyll sytë, që të jemi të qartë. Pra, nuk është se janë aty tek dera dhe i kemi mbyllur derën ne. 

Ne kemi zgjedhur vaksinat e prodhuara në krahun perëndimor sepse ne jemi pjesë e familjes europiane. Jemi pjesë e familjes europiane pa lojëra me dy porta.

Të jesh i sigurt që ne jemi në kushtet kur po e zbatojmë planin tonë. Vonesa e krijuar nuk ka lidhje me ne, por është një vonesë që nuk do të jetë kronike. Mbrëmë vonë në darkë kemi marrë konfirmimin nga Pfizer që në mes të shkurtit do bëhet lëvrimi i sasisë tjetër, pra, sasia e premtuar për fundin e janarit dhe shkurtin do të mbërrijë me konfirmimin e mbrëmshëm po brenda shkurtit. Ndërkohë jemi në negociata dhe me AstraZeneca. Kështu që këto lidhje janë pa lidhje. 

 

Në fakt, dua të sqaroj pak, sepse ose jemi ne të keqkuptuar, ose jeni keqkuptuar aty. Ligji aktual për taksën progresive thotë që nga 0 deri në 300 mijë lekë është zero tatim. Nga 300 mijë lekë deri në 1 milionë e gjysmë është 13%. Nga 1 milionë e gjysmë e më sipër është 23%. Mund të më sqaroni pse thuhet mbi 4 milionë lekë? A ka një keqkuptim tek kjo?

Kryeministri Edi Rama: Jo nuk ka asnjë keqkuptim, është shumë e qartë. Ta sqaron dhe një herë tjetër, ministri. 

Ministri Ahmetaj: Deri në 300 mijë lekë është zero taksa. Kur fillojnë kategoritë ngjiten tek 400 mijë lekë, taksohet vetëm 100 mijë lekëshi i vjetër dhe taksa efektive, pra, megjithëse taksa në referencë të ligjit nominal është 13%, ajo që quhet në teknikë fiskale ngarkesa efektive është gati 1%. Dikur ishte 0.8%. E njëjta gjë vlen edhe për 1,6 milionëshin. Duke kaluar çdo kategori me nga, le të themi ndoshta deri 100 – 200 mijë punonjës në pagat e rritura, progresiviteti në kalkulim ka diferencë midis 23% që është nominalja me ngarkesën reale efektive, sepse kategoritë taksohen në bazë të diferencës që është nga 300 mijë lekë. Është një ushtrim aritmetik madje, por dua që ju ta kuptoni që ngarkesa efektive dhe nominale janë dy gjëra krejt të ndryshme në rastin e taksës progresive. Po të pyesësh dikë që e ka 400 mijë lekë pagën, – që është le të themi paga minimale në administratë, – sa e ke taksën, nuk të thotë kurrë e kam 13%, por e kam gati 1%, se është 13% i 100 mijë lekëshit diferencë mbi 300 mijë lekëshin.  

Kryeministri Edi Rama: Pra, nëse 300 mijë lekëshi është baza, zero taksë dhe nëse në atë që lexove mekanikisht, nga 400 mijë lekëshi deri tek 1.6 është 13%, tek 400 mijë lekëshi, nuk është 13%. Është tek fasha kjo shifër, por tek 400 mijë lekëshi është 13% e njëqindmijëshit. Që i bie në total 1.3%. Nëse, nga 300 mijë lekëshi që është zero, merr 400 mijë lekë, atëherë, të llogaritet plus 100-ta dhe tek plus 100-ta, ke këtë kontribut që në total është 1.3%. Merr 500 mijë lekë, të llogaritet plusi mbi 0, jo 500 me 13%. Prandaj llogaria është 7 herë 7 = 42, në rastin kur u thuhet njerëzve që ju paguani 23%. Mjafton që secili të bëjë llogarinë me rrogat tuaja, me ato të deklaruarat kuptohet. Bëni llogarinë sa merrni të deklaruar dhe të regjistruar, sa ju mbahet dhe do shikoni që nuk është 13% e asaj që merrni, pavarësisht se ju jeni brenda fashës 13%. 

U kuptuam apo duhet akoma? Se një financier e shpjegoi, një piktor e shpjegoi, nëse duhet akoma, atëherë duhet të thërrasim një aktor, por aktori do ju ngatërrojë, siç ju ka ngatërruar deri më tani. 

 

Pse vendosët të rishikoni kontratën koncesionare për Rinasin në një periudhë zgjedhore dhe të rinegocioni një nga kushtet bazë të kontratës, që është kohëzgjatja e koncesionit? 

Zoti Basha ka premtuar që me ardhjen në krye të qeverisë do të anulojë zgjatjen e kontratës me argumentimin që ka shkelje ligji. A keni një koment për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Më kujtohet njëherë, kemi qenë në një ngushëllim me Fatos Nanon. Ishte kryeministër. Ishte një person atje dhe po i thoshte Fatosit që nuk keni gjë në vijë kështu, ju thjesht duhet t’i bini shkurt. Nuk kanë pse marrin gjithë katunarët toka. Merrini të gjithë tokat, tha, kthejuani pronarëve të mëdhenj të vjetër. Merrni gjithë çfarë janë mbi tokë, kthejuani atyre dhe kështu zgjidhet puna, nuk keni pse i bini kaq gjatë. Fatosi i tha, kjo ideja jote është shumë ambicioze, por këtë mund ta realizojë vetëm Sabriu që nuk ka gjë në dorë. Kështu që edhe Luli. Të gjitha ato që nuk i ka në dorë, do t’i bëjë patjetër, jam i bindur. Çfarë nuk e ka në dorë dhe nuk ka për ta pasur ndonjëherë në dorë, është e sigurtë që do ta bëjë dhe do t’ju thotë që vetëm unë mund ta bëj. Se nuk e ka në dorë. 

Ndërkohë, përsa i përket aeroportit, unë jam shumë i lumtur që aeroporti kaloi nga duart e kinezëve në duart e shqiptarëve. Unë jam shumë i lumtur që aeroporti do të ketë më në fund çmime normale, si në të gjithë botën, edhe për shqiptarët, sepse ishte aeroporti më i shtrenjtë i Europës. Ju të gjithë e dini mirë këtë dhe unë kam marrë mallkime, sharje, ankesa e përqeshje pa fund, sepse njerëzit me të drejtë ankoheshin që çmimet ishin më të larta se kudo dhe nuk kuptonin që këtë nuk e kisha në dorë unë, nuk e kishte në dorë qeveria, po e kishte në dorë kinezi me kontratën e bërë shumë kohë përpara dhe nuk kishim asgjë për të bërë. 

Jam shumë i lumtur që aeroporti më në fund do të kthehet në një kantier investimesh të reja që nuk janë bërë më përpara nga kinezët. Terminali i ri që do të fillojë menjëherë, pista e re që më në fund do të zgjatet e do të hyjë në parametrat e një piste që do të funksionojë edhe për avionët e mëdhenj që bëjnë fluturime transoqeanike, sepse ju e dini shumë mirë që, pavarësisht se na pengoi pandemia, ne nuk kemi hequr dorë nga çuarja e “Fan Nolit” në Amerikë e anasjelltas dhe nga fluturime të tjera. Efektet do të jenë zinxhir. Është aeroporti me çmimin më katastrofik të jetfuel, në Europë po e po. Do të ulen të gjitha dhe parashikueshmëria mbi bazën e marrëveshjes së re është se të gjithë, edhe ju, edhe vetë ata që e kundërshtojnë kot këtë gjë, do kenë udhëtime 25% më të lira. Nuk janë pak, janë kthimi në normë dhe konkurrueshmëria e aeroportit. 

Pse jo sot? Zgjedhjet janë një proces demokratik që ne e kemi një stacion të pashmangshëm, por unë, ne nuk punojmë për zgjedhjet. Dëgjoj shumë, lexoj shumë “tani që vijnë zgjedhjet”. Jo, ne kemi punuar çdo ditë maksimalisht, me mish e me shpirt. Nuk ka kohë për të humbur, që të presim njëherë të mbarojnë zgjedhjet, ose t’i bëjmë këto. Ne duam që investimet në aeroport do fillojnë menjëherë dhe investimet do fillojnë menjëherë. Do ta shikoni. 

Kur e kishin kinezët, nuk fliste njeri. Nuk dilnin këta të thonin do ta anulojmë kontratën koncesionare, që ishte realisht një kontratë problematike. Sapo e merr një shqiptar, që nuk e mori nga qeveria e Shqipërisë, që të jemi të qartë, por ua mori kinezëve dhe u dha paratë. Menjëherë fillojnë xhagajdurët dhe flasin. Ky është kulmi. 

Ndërkohë që kontrata është krejt e qartë, krejt transparente, e lexueshme për të gjithë ata që duan ta lexojnë, por duhet lexuar ashtu siç ju shpjeguam taksën progresive, përndryshe del me humbje 4 miliardë. Po jap një shifër, se mund të dalë dhe 14 miliardë. Si tha ai figura, kur e pyeti gazetari, ku do i gjeni lekët për këtë programin? Do t’i këpusim duart korrupsionit, – i tha, – aty do i nxjerrim lekët. Domethënë, do hapin një dyqan kasapi bashkë me Ilir Metën, se dhe ai kishte një kohë që donte të këpuste duar dhe bam e bum si Këthe Spiri. Është bërë për t’ju recituar Këthe Spirin, “o i shkret i punëtuar, bam me këmbë e bam me duar”.

 

Vetëm dje në mbrëmje mbërritën vaksinat e Pfizer, vaksina që ishin parashikuar të mbërrinin më herët në janar, por siç e deklaruat dhe ju, furnizimi u vonua për shkak të një vendimmarrje të kompanisë. Furnizimi u vonua jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në kushtet kur këto vaksina u vonuan, mendoni se mos ndoshta duhet t’i kërkoni ndjesë Francës për atë çka thatë në janar për këtë vend? Që Franca nuk shpërndante vaksinat që kishte stok për vendet e Ballkanit Perëndimor? 

Kryeministri Edi Rama: Unë mund t’ja mirëkuptoj ambasadores franceze që të bjeri viktimë e përkthimit të gabuar, por ty nuk ta mirëkuptoj dot, sepse ti shqipen e ke gjuhë të nënës si unë dhe unë nuk kam akuzuar Francën. Nga i nxirrni këto?! Ose e ke dëgjuar ti nga ambasadorja franceze dhe ma sjell mua këtu. Unë nuk kam akuzuar Francën për asgjë. Unë kam sjellë një shembull. Solla Francën, mund të sillja vende të tjera plot e nuk ka lidhje kjo. Se po më the që të gjitha vendet e BE-së nuk kanë stok tani që flasim, pra, nuk po vaksinojnë sot për shkak të vonesës së ardhjes së vaksinave, atëherë do të them po, kam gabuar unë. Por nuk është e vërtetë. Këtu nuk bëhet fjalë për të bërë ndonjë sakrificë të madhe. Këtu bëhej fjalë, në opinionin tim bëhet fjalë, që Bashkimi Europian të mos e linte jashtë një zonë në mes të vetvetes. Kam parë me shumë interes deri dhe figura të mëdha të këtij planeti që nuk e dinë që rajoni ynë rrethohet nga Bashkimi Europian. Ne të 6 vendet në këtë rajon jemi të rrethuar nga Bashkimi Europian, të gjithë kufijtë tanë janë kufi të Bashkimit Europian? Jemi si mëlçia brenda në trup. Këta duan ta mbajnë mëlçinë në xhep, por a mbahet mëlçia në xhep pa rrezik infektimi! Të kesh një zonë me një popullatë europiane brenda trupit dhe ta përjashtosh nga shpërndarja, mua më duket që është absurde, jo vetëm politikisht, as thjesht moralisht, por nuk funksionon logjikisht. Do ishte akoma më mirë e do ishte akoma më korrekte moralisht dhe politikisht që secili vend të merrnim pjesën sipas proporcioneve të shpërndarjes, por unë nuk thashë këtë. Unë thash gjithë ky Bashkim Europian nuk ia jep dot 10 mijë doza secilit e t’i thotë, për sa kohë COVAX-i nuk po shfaqet, për sa kohë kontratat bilaterale me kompanitë nuk po ndodhin, filloni vaksinoni mjekët dhe infermierët, që si në gjithë botën janë më të ekspozuar ndaj riskut. Pse duhet gjyshi yt të shikojë televizor se si vaksinohen më të moshuarit një orë larg nga Shqipëria? Pse duhet të ndihen shqiptarët apo dhe të tjerët në këtë rajon, edhe kur vjen puna tek lufta me vdekjen, sikur janë qytetarë të dorës së dytë? Apo se është prishur Marrëveshja e 5 qershorit? Apo se nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e 2019-ës, që nuk ka as çfarë shprehet në fakt. S’e kanë marrë vesh akoma që nuk ka çfarë shprehet, ata që flasin, se këtu nuk bëhet fjalë për gjithë BE-në. Ma gjeni argumentin pse dhe pse për këtë nuk duhet folur dhe pse duhet t’i kërkoj ndjesë Francës, kur nuk kam bërë ndonjë akuzë? 

Ne nuk paskemi të drejtë të themi një opinion? 

Këtë mua nuk ma heq dot askush, nuk ka si të ma heqi. Mua jo njëherë. 

Ju nuk e di si ndiheni, ndiheni në faj që është shqetësuar Franca në këtë situate, apo ndiheni në faj se është shqetësuar ai koordinatori i parlamentit atje? 

Bëri ambasada franceze një reagim që ishte reagim i bazuar në “lost in translation”. Mos u shqetësoni. Më besoni që Bashkimi Europian është shumë i madh dhe nuk është thjesht çështje e një gjëje këtu e një gjëje atje. Mbi të gjitha, merrni një këshillë nga unë, që t’ju respektojnë më shumë, mos kini asnjëherë ngurrim të thoni atë që mendoni kur mbroni interesin e vendit tuaj dhe mbroni parimshmërinë e profesionit tuaj. Mos kini asnjëherë ngurrim, do ju respektojnë më shumë, edhe pronarët e TV-ve tuaja. 

 

Zoti Kryeministër, është një bisedë që ne e kemi bërë edhe herët, para shumë vitesh, kur ju ishit në opozitë në lidhje me deklarimin e të ardhurave. Meqë nuk e dimë akoma programin tuaj dhe dimë vetëm atë të PD-së. Atëherë keni thënë kur ju kam bërë të njëjtën pyetje, nëse mund të bëhej një ligj për deklarimin e të gjithë të ardhurave për të gjithë popullatën, keni thënë se ekonomia është shumë e dobët për të hyrë në një sistem të tillë. Sot, pas 10 vitesh, kur ju keni qenë 8 vite në pushtet, a kemi ardhur në momentin që e gjithë popullata, nga 18 vjeç e deri sa të jenë gjallë të deklarojnë të ardhurat, pasurinë e të mos shohim fenomene që persona që nuk janë në punë, ose deklarojnë si punonjës ujësjellësi të qarkullojnë me makina nga 200 mijë euro e me pasuri që nuk kanë mundësi që t’i justifikojnë? E për t’i dhënë kështu dhe një goditje korrupsionit, e cila është një nga plagët më të mëdhaja të shoqërisë sonë?

Nuk e dimë akoma se cilat do të jenë listat tuaja, por nisur dhe nga shqetësimet e ambasadores amerikane dhe ambasadorit britanik, a do të ketë në listat e kandidatëve të Partisë Socialsite, persona që janë prekur më parë nga ligji i dekriminalizimit, apo persona të shpallur non grata në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan? 

Kryeministri Edi Rama: E para, këtë ambasadorin britanik nuk e kuptoj fare pse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri, sinqerisht. Kam shumë respekt për të dhe realisht është një person që meriton respect, por nuk e kuptoj se, pse është kaq i përfshirë në këto bisedat e brendshme të Shqipërisë kur vjen puna për zgjedhjet. Po e them dhe publikisht këtë, se ia kam thënë dhe personalisht. Ndërkohë që, përsa i përket pyetjes, unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane, natyrisht, ajo është në të drejtën e vetë të thotë atë që mendon, unë e respektoj, por kjo përgjigje nuk është për të, është për ju. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane, ka thënë këtë dhe atë. Unë nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë janë të respektuar. Nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinator në Parlamentin Europian, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar. 

 

Ligji është shumë i qartë. Fare i qartë. Kush ka bërë në të shkuarën 1, 2, 3, 7 vepra penale për të cilat është dënuar, duhet të mos kandidojë për një funksion public. Madje, unë e kam nxitur që të shtohet edhe në administratën publike, jo vetëm në politikë. Ligji bazohet mbi vetëdeklarimin e individëve dhe mbi kontrollin e vërtetësisë së vetëdeklarimit. Unë nuk kam shpresë që ju do ta mësoni, sepse ju doni që të vazhdoni të bëni lajme me këto histori, por po jua përsëri se nuk di asnjë rrugë tjetër se çfarë mund të bëj unë apo Partia Socialiste, apo çdo parti tjetër në raport me këtë. Nuk e kuptoj dot akoma, 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale përpara ligjit e të lirive e të drejtave të secilit, t’i kërkohet partive politike dhe kryetarëve të partive politike të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri del se ka gënjyer. Unë nuk e kuptoj dot këtë. 

 

Ҫfarë duhet të bëj unë e çfarë duhet të bëjë cilado parti politike në Shqipëri e si mundet një parti politike të penetrojë nëpër zgafellat e dokumenteve që bota i ka të mbyllura sepse nuk ka në Europë një ligj si ky. Bota, mbas 5 vjetësh të konsideron të larë. Ke bërë, çfarë ke bërë, bota të thotë, “il fatto non esiste”, meqë e kemi me Italinë kryesisht këtë problem, pra, nuk ekziston. Sepse zgjedhja për të jetuar në demokraci është zgjedhja për të pasur të drejtën të gabosh pa u pushkatuar e për të pasur të drejtën të rehabilitohesh pasi ke kryer dënimin. Kjo është zgjedhja që kemi bërë. Ne kemi bërë një ligj që e shkel këtë të drejtë, me vetëdije të plotë të partive politike, me konsensus mes partive politike. Kjo e drejtë themelore është shkelur dhe kjo është arsyeja pse, as Partia Socialiste, as Partia Demokratike e as cilado parti tjetër që ka votuar këtë ligj nuk e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese të planetit që këtë ligj e konsideron konform lirive dhe të drejtave të njeriut. Por nuk e kemi çuar sepse ky ka qenë kompromisi, që të jemi të qartë. Se u bë këtu sikur jemi në malin Athos dhe bëjmë moral pa lidhje dhe kërkojmë llogari në adresa të gabuara. 

 

Partia Socialiste ka qenë e para parti politike që, kur ka bërë listat e deputetëve, kur unë kam qenë kryetar i saj në zgjedhjet e para, kemi kërkuar dëshminë e penalitetit të të gjithëve. Ky është dokumenti që ndan ligjërisht për secilin nga ju çfarë raporti ke me ligjin. Dëshmia e penalitetit në Republikën e Shqipërisë, mbas 5 vitesh që ke krye një denim është e bardhë. Me këtë ligj, vetëdeklarimi vendos. Ti deklaron që je i pastër dhe ndërkohë në moshën tënde 18 vjeçare apo 23 vjeçare, ti ke bërë një krim. Ai krim nuk është i lexueshëm nga unë e nga ti. Bëni investigime, nuk ua jep njeri. Janë në analet e policive, krime të të kaluarës, të gjykuara, dënime të kryera, ka mbaruar. Këtë proces nuk e bën dot partia politike. Këtë proces e bëjnë institucione të tjera. Në momentin kur del X apo Y që ka gënjyer, ikën nga puna, ikën nga detyra dhe shkon përballet me ligjin. Kjo është mënyra se si ligji e zgjidh këtë çështje e kjo është mënyra se si duhet ta mbyllim këtë temë njëherë e mire, se është turp i madh që e bëmë këtë vend, sikur këtu çdo gjë ka mbrapa një pisllëk. 

Domethënë, e bëmë këtë vend, vendin ku në Itali bëhet një hetim dhe hetimi nxjerr që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, përveç një dyqani rrobash e me paturpësinë më të madhe, partia që do të vijë në pushtet gjen një blerje 44 mijë lekë në atë dyqan rrobash për kominoshe nga një institucion dhe thotë, ja prova e lidhjes së Edi Ramës me mafien. 44 mijë lekë kominoshe në një dyqan. 

 

Kështu e bëmë këtë vend me kontributin e të të gjithëve ju dhe të të gjitha mediave që për Like e për spektakël nuk i vunë njëherë një fre kësaj maskarade me Shqipërinë. Dhe të gjitha këto mblidhen dhe shkojnë te koordinatorët e Parlamentit Europian, që duan mish për top, që nuk u intereson fare ku bie Shqipëria me hallet, me problemet, me sfidat e saj, por bëjnë politikë për punët e tyre atje dhe ndihmojnë shokët e tyre këtu. 

 

Ne do bëjmë të njëjtën gëj që kemi bërë as më shumë e as më pak e këtë nuk ka nevojë të ma thotë as ambasadorja amerikane, as ambasadori anglez, as ambasadorja holandeze, as ambasadori islandez. Unë këtë e di sepse kjo është detyra jonë. Absolutisht nuk ka qenë kurrë qëllimi që të fusim nëpër lista njerëz që kanë pasur probleme në të shkuarën, por nuk kemi pasur informacion. Si mendoni ju, që po të kishim pasur informacion, do i fusnim në listë që pastaj të dëgjonim daullet? Duhet të jesh idiot që ta bësh këtë gjë. 

Unë nuk jam ndonjë i mençur i madh, ka shumë më të mençur se unë, por deri këtu jo. Kaq e thjeshtë është. Unë di që ka ligj, ka dhe respekt për ligjin. Kush nuk e respekton ligjin duhet të paguajë. Le të jetë kush të dojë. Nuk janë përgjegjësia ime ata, të cilët në një moment të caktuar abuzojnë me detyrën, abuzojnë me funksionin, abuzojnë me ligjin, abuzojnë me të tjerët. Është përgjegjësi individuale. Nuk ka përgjegjësi kolektive në këtë sistem që kemi zgjedhur. Partitë politike, organizatat, kompanitë dhe familjet si familje natyrale nuk përgjigjen pse një anëtar i familjes iku në drejtim të gabuar, por mbajnë përgjegjësi për mënyrën si reagojnë; e marrin në mbrojtje, e strehojnë në kundërshtim me ligjin, e fshihen nga duart e ligjit, apo i thonë nuk kemi punë me ty, bëj dënimin. 

 

The që kemi 8 vjet në qeveri. Nuk kemi 8 vjet në qeveri akoma. Kemi filluar punën në fund të shtatorit të vitit 2013, nuk janë 8 akoma. Kjo ka rëndësi për faktin se ditët, muajt dhe vitet tona janë të gjitha të mbushura me punë. Kështu që kur të bëhen 8, do jenë bërë shumë më tepër punë, sesa janë bërë deri tani. Për këtë vlen, jo për ndonjë gjë tjetër, se normalisht referenca që bëre ti ishte dy mandate. 

 

Përsa i përket programit, e përsëris, programi ynë është i qartë, i hapur, i ditur publikisht. Merreni, shikojeni, ne i kemi vendosur shtyllat, kemi vendosur piketat, vazhdojmë punojmë për të realizuar çfarë kemi thënë. Në rastin konkret, ne do të bëjmë publike një platformë me një program pune. Jo program do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet, se kjo është, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. E dini si mund të realizohet kjo? Vetëm nëse e dënd atë qumësht që mbetet me niseshte. Ky është programi që në fakt fyen fjalën program, po ta quajmë program. Do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet, domethënë, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. 

 

Do të jetë një plan pune, një vizion të Shqipërisë 2030. Dhe këtë mos e lidhni me mua, ju lutem, sepse nuk është e lidhur me mua, por deri në 2030-ën, Partinë Socialiste do keni në pushtet, që të jemi të qartë. Me apo pa mua. Kështu që mos e lidhni me mua. Mos thoni ky do na bëhet gogol, por kur themi 2030-të, është vizioni Partisë Socialiste për 2030. 

 

Vetëm një ditë më pare, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës akuzoi direkt duke thënë që qeveria po tregohet e pamëshirshme me Shkodrën, duke mos dhënë asnjë lloj ndihme për banorët e prekur nga përmbytjet. Ndërkohë ka dalë në media edhe një lajm, që mosoperimi i linjës së interkonjeksonit Shqipëri – Kosovë është një nga arsyet e përmbytjes. A qëndrojnë këto argumente?

Pyetja e dytë lidhet me fundjavën. Ju keni qenë në Korçë dhe keni deklaruar se Shqipëria do të shikojë dhe mundësinë… 

Kryeministri Rama: Të lutem, si ishte kjo, mungesa e operimit të interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë është arsyeja e përmbytjeve? 

 

Një nga arsyet. Ka dalë informacion…

Kryeministri Edi Rama: Nga kush ka dalë informacioni? 

 

Ka dalë në media një ditë më pare. Ka qenë një shtyllë e rrëzuar në Tropojë që tregonte se nuk funksiononte linja e interkonjeskonit dhe KESH-i është detyruar të shkarkojë ujërat e hidrocentraleve, sepse nuk mundet ta eksportojë energjinë elektrike, edhe pse ka shumë kërkesa jashtë vendit. Ka qenë ky informacioni.

Kryeministri Edi Rama: Mund të ma thuash burimin, kush është burimi i kësaj?

 

Gazeta Panorama.

Kryeministri Edi Rama: Po pse, çfarë çon linja e interkonjeksionit, ujë me tela çon në Kosovë? Apo është ajo lidhja e qumështit me djathin? Po ku i gjeni këto se e çmendët këtë milet. 

 

– Nuk ishte ekskluzivisht e Panoramës, por e kishin të gjitha mediat.

Kryeministri Edi Rama: Domethënë qenka marrëzi kolektive. 

 

Një lajm që qarkulloi, megjithatë nuk është për të bërë debat me emrin e medias. 

Kryeministri Edi Rama: E kuptoni çfarë u thoni njerëzve? U thoni atyre se ju po përmbyteni sepse ka rënë një shtyllë tensioni në Tropojë dhe uji po ju vjen juve sepse KESH-i nuk e çon dot ujin tek shtylla dhe po e hedh tek ju. E kuptoni se ku ka shkruar kjo punë! Këtu është bërë kënetë e pambarimtë, nuk di njeriu ku të vërë këmbën se mbyten brenda. Prandaj ia qaj hallin këtyre që i lexojnë se unë nuk i lexoj. Se imagjino të zhytem brenda, unë nuk dal dot. Kjo është katastrofë. 

 

– Gjithsesi përmbytjet qëndrojnë apo jo?  

Kryeministri Edi Rama: Është fakt që ka një problem në zonën e Obotit. Zona e Obotit është nën nivel. Ka qenë historikisht problem. 

Përsa i përket pastaj koordinatores për Shkodrën të Partisë Demokratike, unë nuk kam asgjë për të thënë se është realisht të prekësh fundin e bisedës. Por di që, nëse bëjmë krahasimin sot me gjithë këto reshje dhe me mënyrën si ka mbajtur vendi gjithë këtë ngarkesë reshjesh dhe çfarë ka ndodhur në të shkuarën me më pak rreshje, çdo bisedë tjetër është e tepërt. Sigurisht që ne nuk kemi mbaruar punë, kemi akoma shumë për të bërë dhe në këtë drejtim, por një gjë është e sigurt. Kemi pasur një problem në zonën e Durrësit ku ka pasur një cënim të një numri banesash, sipas konkluzioneve të fundit që kam parë, nuk janë akoma definitive, për shkak të një shkarkimi automatik të një rezervuari lart. Kemi vajtur atje, kemi marrë të gjitha likstat e kemi regjistruar të gjitha dëmet dhe do t’i dëmshpërblejmë ata njerëz, se në këtë rast, ata janë krejtësisht të pafajshëm në raport me këtë. Por të marrim numrin e përgjithshëm të banesave, përfshirë dhe këto që ishte një ngjarje krejtësisht e papritur dhe t’i krahasojmë. Nga Shkodra nga ku flet koordinatorja janë evakuuar përpara disa vitesh, në kohën e koordinatores në qendër, dhjetëra mijëra familje. Kanë ikur nga shtëpitë, dhjetëra mijëra. Shikoni kronikat e kohës në Zërin e Amerikës e në televizionet tuaja, 12 apo 13 mijë familje. Qëndroi gjithë dynjaja mbi varka, duke dalë nga shtëpitë me varka e duke ecur në bulevard me taksi varka me ditë të tëra dhe këta kanë gojë e flasin e diskutojnë gjendjen e jashtëzakonshme dhe profka të kësaj natyre. Por nuk mund të presësh më shumë nga një parti politike që thotë do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. 

Faleminderit, të kaloni mirë dhe do takohemi prapë javën tjetër.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.