EKONOMIA NË FOKUS; Taksat zero, paga minimale 30 mijë lekë, ndihma ekonomike dyfish

Konferenca javore me mediat me fokus ekonominë:

Kryeministri Edi Rama:  Sot, në kuadër të forumit të përjavshëm për ekonominë dëshirojmë të përqendrohemi në tre aspekte shumë të rëndësishme që janë besoj edhe tre gurë themeli për mandatin e tretë dhe punën në vijim, në kushtet e një situate të jashtëzakonshme, e cila për ne shqiptarët ka nisur përpara sesa të niste për mbarë botën. Na u desh të përballemi me një tërmet katastrofik, që jo vetëm privoi në pak sekonda nga streha mijëra e mijëra familje, shkatërroi dhjetëra e dhjetëra shkolla, por imponoi një rishikim thelbësor të prioriteteve, si dhe një financim masiv në një drejtim të papritur, Rindërtimin.

E më pas, erdhi armiku i padukshëm, i cili ka goditur fort ekonominë e të gjithë vendeve, ka influencuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik të gjithë aktorëve, të mëdhenj e të vegjël, ka diktuar rënien e kërkesës, goditjen e zinxhirëve të furnizimit dhe goditjen në flukset e parasë.

Ne jemi përballur me forcë, me kurajë dhe me shumë vullnet e angazhim me të dy këto fatkeqësi dhe në ndërkohë, ajo për të cilën unë jam krenar për punën tonë është se për asnjë moment nuk i kemi lënë vetëm ata që kanë qenë të ekspozuar ndaj këtyre dy fatkeqësive, familjet që po kthehen në shtëpi javë pas jave dhe ato, të cilat janë në pritje të kthehen në apartamente të reja, vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi me qira të paguara nga qeveria.

Për të gjithë kategoritë e aktivitetit ekonomik, duke u përqendruar tek më të vegjlit, zerimi i taksës për biznesin e vogël është një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën tonë drejtë të ardhmes dhe përbën një nga pikat më domethënëse të ndryshimit të madh në qasje, të ndryshimit të madh në veprim dhe të ndryshimit të madh në rezultat me palën tjetër që sot ripredikon taksën e sheshtë, duke kërcënuar në fakt, më të dobëtit me rikthimin në kohën kur 100% e bizneseve paguanin tatim-fitimi 10% dhe TVSH.

Sot 91% e bizneseve paguajnë zero tatim-fitimi dhe zero TVSH dhe vetëm 9% e tyre, flas për biznesin e madh, paguajnë 15% tatim-fitimi.

Brenda 91% janë 111 mijë biznese me rreth 300 mijë persona të punësuar që janë çliruar totalisht nga tatim-fitimi. Është një hap që e vendos Shqipërinë në një pozicion krejt të posaçëm në gjithë rajonin, nuk po flas për Europën sepse dihet që taksat janë të pakrahasueshme me zonën tonë dhe çdo subjekt që ka një xhiro vjetore deri në 114 mijë euro është një subjekt pa taksa.

E dyta, por jo për nga rëndësia, është nga minimale, të cilën e kemi vendosur në 30 mijë lekë tanimë (300 mijë lekë të vjetra) dhe kemi ambicien ta rrisim vit pas viti. Pjesën se çfarë do të bëjmë  do ta trajtojmë gjerësisht në fazën e fundit të këtij mandati, kur do të shpalosim vizionin tonë “Shqipëria 2030” dhe planin tonë të veprimit 2021-2025.

Paga minimale 30 mijë lekë nuk është pikëmbërritje, por një stacion në një rrugë që vazhdon dhe sigurisht që nuk është një shumë për të pritur duartrokitje apo lëvdata, përkundrazi, është një pagë shumë sfiduese, qoftë për subjektet që përfitojnë këtë pagë, qoftë për ne që duam ta rrisim përfitimin e tyre. Por krahasuar me ku ishim, jemi ku e ku.

Në vitin 2013 ishte vetëm 22 mijë lekë pagë minimale, ku po të heqësh edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, shifra bëhet absolutisht e papranueshme. Sot jemi në 30 mijë lekë.

Duhet t’u them të gjithëve atyre që janë përfitues të kësaj page minimale që duhet ta shohin këtë si një proces dhe si një stacion në një rrugë që vazhdon dhe jo si një pikë mbërritje. Ambicia jonë është që pagën minimale ta rrisim më tutje dhe siç kemi arritur sot, falë gjithë përpjekjeve të bëra në gjithë këto vite, hap pas hapi të zerojmë taksën për biznesin e vogël, duke shkuar përtej premtimit të dhënë, sepse kemi shtuar më shpejt mundësinë për ta bërë këtë, ashtu njësoj si me këtë pozicion të posaçëm në rajon, duam të arrijmë në një pozicion të posaçëm edhe me pagën minimale.

Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë dyfish deri në fund të luftës me armikun e padukshëm. Ndërkohë do të synojmë dyfishimin e saj konstant, deri në fund, gjatë gjithë kohës, edhe pas përfundimit të kësaj lufte.

Kush gjykon mandatin tonë të dytë dhe dëshiron të japë një gjykim objektiv duhet të mos harrojë për asnjë moment se ky ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie në të gjitha vitet, qysh se qeveritë në Shqipëri zgjidhen dhe nuk imponohen nga sistemi monist. Pikërisht sepse gjysma e këtij mandati ka qenë me luftë me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme. Siç po dalim fitimtarë hap pas hapi nga lufta me fatkeqësinë më të madhe, tërmetin, me ppasojat e kësaj fatkeqësie, duke i shëruar hap pas hapi  plagët e mëdha që hapi tërmeti, ashtu do të dalim edhe nga kjo luftë globale, ku ne kemi pikën tonë në këtë front me armikun e padukshëm dhe pasojat e pandemisë. Jam shumë i vetëdijshëm se ky është një moment kyç në këtë luftë dhe lidhet pazgjidhshmërisht me vaksinimin.

Duke parë çfarë po ndodh në disa vende, që për arsye të fuqisë së tyre, për arsye të pozicionit të tyre të favorshëm në raport me burimin e  furnizimit të vaksinës, kam parasysh Izraelin dhe Britaninë e Madhe, të cilët po shohin me shumë optimizëm të dalin nga tuneli si pasojë e vaksinimit që tanimë në Izrael ka arritur më shumë se gjysmën e  popullsisë dhe po ashtu, Britania e Madhe ka arritur një shifër impresionuese, është shumë e qartë që vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për të thyer zinxhirin e infeksionit, për ta kthyer vendin në një vend pa COVID për popullsinë. Është shumë frymëzuese ajo që po ndodh në ato vende, ku Izraeli po shkon drejt hapjes konstante si pasojë e thyerjes së zinxhirit, pasi parapagoi trefish, gjë që nuk e bëri asnjë vend tjetër, vaksinën nga Pfizer dhe Moderna në procesin e shpikjes. Pra, pa pritur të aprovohet dhe të bëhet funksionale, Izraeli vuri një bast shumë të madh. E sot disponon si një asnjë vend tjetër gjithçka që i duhet për të vaksinuar popullin e vet. Britania e Madhe që faktikisht është vendi ku lindi njëra nga vaksinat dhe pati avantazhin e një fillimi intensiv vaksinimi, sot disponon të gjithë dozat që i duhen për të përmbyllur vaksinimin, ndërkohë që kryeministri britanik lajmëroj dje hapjen e stadiumeve në prill me 10 mijë persona dhe hapjen përfundimtare të stadiumeve në qershor, gjë që është momenti i triumfit kur të ndodhë dhe do të ndodhë.

Për këtë arsye, unë jam me mish e me shpirt i angazhuar me miqtë e mi, që sa më shpejt të sigurojmë një sasi vaksinash që të hyjmë intensivisht në procesin e fazës finale të kësaj lufte, për t’u çliruar nga ky makth, nga ky armik që vazhdon të marrë jetë çdo ditë dhe vetëm vaksinimi do ta zmbrapsë përfundimisht. Ashtu sikundër arritëm të sigurojmë kontratën me Pfizer jashtë radhe dhe ndryshe nga shumica dërrmuese e vendeve të rajonit që ende nuk e kanë një kontratë. Ashtu sikundër arritëm të fusim në proces dhe do të arrimë të përmbyllim brenda javës së dytë të marsit, vaksinimin e të gjithë bluzave të bardha në Shqipëri dhe shumë shpejt do të fillojmë vaksinimin masiv.

Është vetëm çështje kohe e shkurtër, jo e gjatë.

Nuk mund të jap shumë detaje, por jemi shumë afër.

Me vjen keq që nuk mund ta them fjalën e fundit dhe mezi po pres ta them fjalën e fundit. Shumë faleminderit!

Dua të fokusohem pak në grafikët e paraqitur. Së pari, shikoni grafikun që rrëzon totalisht të gjithë propagandën e  pakësimit të biznesit të bogël. Nuk flasim për një vit të lehtë, flasim për 2020, vitin e pandemisë dhe flasim për fundin e 2020-ës dhe jo për janarin e 2020-ës. 60 mijë biznese të vogla në vitin 2013, 110 428 biznese të vogla në 2020-ën. Besoj është një shifër shumë domethënëse se sa dhe si ka funksionuar mbështetja e qarë për biznesin e vogël dhe sa dhe si biznesi i vogël ka ndikuar në punësim dhe vetëpunësim.

Duke marrë një shtysë të re, shumë të fuqishme, që ne jemi të bindur do të reflektohet në fund të këtij viti dhe vitet në vijim me rritje të numrit jo vetëm të bizneseve, por dhe të punësuarve.

Një pikë tjetër që dua ta theksoj, shikoni raportin e kësaj qeverie me të pasurit, kontributin e të pasurve, e të mëdhenjve, oligarkëve në vitin 2013 në buxhetin e shtetit dhe kontributin në 2019-ën [shfaqen grafikët]. Nuk kemi marrë vitin 2020, sepse e dini shumë mirë që ishte një vit i anomalive që u dhanë lehtësira për të gjithë.  142% më shumë para ka marrë shteti nga xhepi i më të pasurve. Merreni atë kolonën e fundit dhe sharrojeni duke patur parasysh taksën e sheshtë 9% dhe shikoni sa para nga ato aty, pala tjetër do t’ua lërë në xhep oligarkëve për të cilët flet ditën e flirton natën.

Grafiku i tretë që dua të sjell në vëmendjen tuaj është tatimi progresiv mbi pagën e individëve. Shikojeni si është ulur tatimi dhe si janë rritur të ardhurat nga paga e tatim-fitimit mbi të ardhurat e individëve. Ka pasur një rënie në momentin e parë dhe pastaj ka ardhur vetëm në ngjitje, se nuk ka si të vijë ndryshe. Meqë predikohet që me taksën e sheshtë mblidhen më shumë lekë e në fakt me taksën e sheshtë goditen më shumë ata që fitojnë më pak. Taksa e sheshtë ju godet juve që jeni në këto ekrane dhe nga ana tjetër mbështet pronarët tuaj, individualisht po flas. Ju që jeni në ketë ekran, me taksën e sheshtë do paguani më shumë se pronarët tuaj për shtetin nga rroga juaj. Sepse 9% juaj mbi rrogën është shumë më i madh sesa 9% mbi rrogën e tyre si raport dhe si mungesë të ardhurash nga futja e dorës së shtetit në xhepin tuaj në funksion të familjes tuaj. Kaq e thjeshtë.

Ashtu sikundër është e njohur botërisht, taksa e sheshtë është për të pasurit, taksa progresive, taksimi i ndershëm është për shumicën dërrmuese. Taksa e sheshtë është për ata që fitojnë më shumë, në mbështetje të tyre dhe goditje për ata që fitojmë më pak. Ata që fitojnë më pak janë 97% dhe ata goditen me taksën e sheshtë. Ndërsa taksimi i ndershëm, taksa progresive, sistemi ynë i taksimit mbështet më shumë ju se ata.

Ne nuk do rrisim taksën për biznesin e madh, por as nuk do ta ulim. Biznesi i madh që do ulje takse, nuk duhet të votojë për ne, sepse me ne nuk e ul taksën. Por as nuk do ta rrisim dhe   as nuk do kenë taksën e fshehtë që kishin në 2013-ën ku e dinë shumë mirë të gjithë sesa paguanin mbi atë 10% për xhepat e atyre që qeverisnin dhe atyre që bënin xhandarin e qeverisë.

-Ju keni premtuar se do të rishikoni fashat e taksimit të pagave, por e keni lënë evazive nëse do jetë në 2022-in apo në 2023-in.

-Në komunikimet tuaja publike, si në bashkëbisedimin me qytetarët apo në komunikimin me gazetarët, listoni emrin e Lulzim Bashës, rrallëherë e përmendni, ndërkohë që gjithë fushatën tuaj negative e keni drejtuar drejt Presidentit Meta apo LSI-s՝. A është kjo një taktikë për të përçarë opozitën, atë jashtëparlamentare, apo është një derë e hapur për Lulzim Bashën pas 25 prillit?

Kryeministri Edi Rama: Për pagën minimale, për ndryshimet në fashat e taksimit dhe për një sërë masash të tjera do duhet të duroni edhe pak, kur ne të shpalosim vizionin e Shqipërisë 2030 dhe Planin e Veprimit 2021-2025. Besoj që kjo do të ndodhë menjëherë pasi ne të kemi zbritur skuadrën në fushë.

Përsa i përket pyetjes tjetër nuk kam koment. Nuk dua të humbas kohë me këtë e lagu, s’e lagu.

– Ditën e djeshme, ju i bëtë një ftesë opozitës për të gjetur një mënyrë të përbashkët për të zhvilluar fushatën, në mënyrë që të shmangen grumbullimet masive. A ka Partia Socialiste një propozim konkret për mënyrën sesi mund të gjendet kjo zgjidhje, që të shmangen grumbullimet dhe rrjedhimisht të ulet risku për të pasur më shumë të infektuar?

– Do ketë një plan fillestar për bizneset, të cilat preken nga ulja e fashës së orarit dhe rrjedhimisht dhe aktivitetet që preken?

Kryemministri Edi Rama: Për pyetjen e dytë, përgjigja është jo.

Për pyetjen e parë, po presim një sugjerim nga ekspertët dhe pastaj do bëjmë tentativën që të merremi vesh me palët e tjera, për të pasur rregulla loje të qarta, të njëjta, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe për të rënë dakord sesi, duke mbrojtur shëndetin, palët që do garojnë, të mos jenë të kufizuara deri në pikën ku të mos mund të bëjnë aktivitet zgjedhor, le të themi normal, brenda normalitetit të ri, që nuk jemi mësuar më parë.

 

Pak më parë ju përmendët rastin e Anglisë, e cila ka përparuar goxha me procesin e vaksinimit, sepse ka kryer vaksinimin me një dozë. A ka një të tillë edhe për Shqipërinë, në mënyrë që të rritet numri i të vaksinuarve? Duke parë numrin e të infektuarve këto ditë, ju si Kryeministër jeni pro shtimit të kufizimeve apo pro lehtësimit të tyre?

Kryeministri Edi Rama: Nuk fola për vaksimin me një dozë, fola për fushatën e vaksinimit në Angli që është një sukses i qartë.

Ndërsa për masat, shtohen apo pakësohen, nuk e vendos unë, por Komiteti Teknik i Ekspertëve.

– Ditën e sotme në mëngjes, ju keni publikuar një shifër në Instagramin tuaj sa i përket borxhit publik, që në njëfarë mënyre sfidon të dhënat e deritanishme. Ju jeni shprehur se prej vitit 2013 e keni ulur borxhin me 14 miliardë lekë, ndërkohë nga të dhënat rezulton që në shtator të vitit 2013, borxhi ka qenë 63% i Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që tashmë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, borxhi është rreth 77,8%. Si e arsyetoni ju këtë postim ku flitet për ulje? 

Kryeministri Edi Rama: Ju i referoheni një shifre të pasaktë të 2013-ës sepse, nëse do kthehemi pas dhe do shohim se çfarë bëmë ne me FMN-në, kur nxorëm nga errësira borxhet e fshehura, atëherë shifra ndryshoi. Kaq e thjeshtë është kjo.

– Në vitin 2018, deputeti i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe ka propozuar një amendim që të shtrihet taksa 0 për pagat deri në 40 mijë lekë, ajo që ju po prezantoni tashmë si pjesë e mandatit tuaj të ardhshëm qeverisës. Çfarë ka bërë që ju të ndryshoni mendje, pasi tekstualisht keni thënë “nuk u bë deti kos” në seancë plenare, që të bëhej ky ndryshim?

Kryeministri Edi Rama: Sepse ka qenë viti 2018, shumë e thjeshtë. Nuk është në vetvete një ambicie e gabuar apo ide e gabuar, por që një ide të funksionojë, duhet të jetë edhe koha, edhe vendi i duhur. Në 2018 nuk kanë qenë mundësitë që ne shohim tani në funksion të së ardhmes.

 Mendoni se do rifillojë turizmi këtë vit dhe a pritet të shtohen të ardhurat  në buxhet, paguar nga ky sektor?

Kryeministri Edi Rama: Unë pres që deri në momentin kur sezoni do të hyjë në pikun e vet, ne të kemi një rezultat shumë pozitiv me vaksinimin. Sigurisht, kjo do ndihmojë shumë për turizmin.

– Ju thatë se në javën e dytë të marsit do të ketë përfunduar vaksinimi i bluzave të bardha e më pas do fillojë me popullatën. Në strategjinë tuaj, a ka një shifër sesa % e popullatës do të jetë e vaksinuar, të paktën deri në fillim të sezonit të verës, duke dhënë një lloj garancie edhe ekonomisë për të patur një lloj frymëmarrjeje në sektorin e turizmit. – Kisha dhe një pyetje tjetër për rindërtimin. Ka patur një pjesë të familjeve, të cilat nuk janë futur në shtëpitë e reja, ose nuk kanë marrë një kohë për ndërtimin e shtëpive të tyre për shkak të vendndodhjes së tyre, pra, shtëpitë kanë qenë në një terren shumë të vështirë për të shkuar e për të ndërtuar këto shtëpi. Është vendosur nga ana e qeverisë që ata do të marrin lekët e më pas do t’i ndërtojnë vetë shtëpitë e tyre. A ka një shifër se për sa familje bëhet fjalë, a është krijuar një listë dhe një fond dhe kur pritet të jepen këto para?

Kryeministri Edi Rama: Paratë kanë filluar të jepen që tani nga bashkitë. Shifrat janë të ndryshme për secilën bashki. Të gjitha familjet që kanë një pozicion gjeografik dhe kushte gjeologjike në atë terren që e bëjnë të pamundur ndërtimin përmes procesit të zakonshëm, për shkak të rritjes marramendëse të kostove për kompanitë e që fare mirë und të bëjnë zgjedhjen e tyre të rindërtojnë aty apo diku tjetër, do paguhen në për një në sasinë e parave që janë dhënë për çdo shtëpi për rindërtimin. Impakti i kësaj mase rezulton të jetë shumë pozitiv, sepse familjet në përgjithësi e kanë mirëpritur.

Për pyetjen tjetër, kur të më gjeni mundësinë të më tregoni sesi mund të flas unë për sa do vaksinojmë kur nuk kemi dozat që duhen, për të shkuar në një vaksinim intensiv, atëherë do t’ju jap edhe përgjigjen sa do vaksinojmë.

– Kryeministër, kur ju të zbrisni skuadrën tuaj në fushë, për të prezantuar programin apo vizionin tuaj të 2030, a do jenë përkrah jush disa ish ministra si Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati apo Sandër Lleshaj?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam këtu për të bërë lajmet tuaja. Nuk është asnjëri i ndryshëm nga tjetri. Të gjithë janë në trupën prej ku do bëhet dhe seleksionimi. Drejtuesit e qarqeve kanë përgjegjësinë të bëjnë të gjitha draftet dhe të propozojnë skuadrën e çdo qarku. Pastaj këtë gjë do ta miratojë si gjithmonë Kryesia e Partisë Socialiste. Unë pres propozimet e drejtuesve të qarqeve, të cilët duhet të bëjnë me përgjegjësi të madhe, në funksion të rezultatit, skuadrat dhe në Kryesi do të bëhet miratimi.

– Zoti Kryeministër, ju përmendët pak më parë Izraelin, vaksinimin e popullsisë që po kryet atje dhe faktikisht mund të themi që është një  histori suksesi. Shifrat në Izrael flasin vetë për një vaksinim dhe përgjigje pozitive të shoqërisë pas vaksinimit. Me sa jam në dijeni, kanë qenë javën e kaluar në Tiranë, dy profesorë. Një prej tyre, në mos gaboj edhe shpikësi i përbërësit të vaksinës. A jeni takuar me këta dy mjekë, shkencëtarë dhe së dyti, në kushtet kur në Izrael, kjo vaksinë po jep një produktivitet shumë pozitiv atje, a mendoni se mund të keni kontakte me qeverinë e Izraelit, për të marrë këtë vaksinë?

Kryeministri Rama: Sikur t’ju tregoj numrin e kontakteve me qeveritë brenda dhe jashtë Europës, do habiteni se deri ku ka vajtur përpjekja në aspektin gjeografik. Por nuk dua të bëj asnjë koment, sepse sikundër e kam thënë disa herë, kjo është një luftë e madhe që zhvillohet prapa kuintave dhe nuk është mirë të përmenden emra se prishim punë për veten tonë.

– Kam dy pyetje lidhur me atë çka u prezantua sot. U tha që 5 miliardë lekë do të jenë tashmë të lira për biznesin e vogël nga heqja e tatimit dhe TVSH për nxitjen e konsumit. A mendoni se mjaftojnë 40.5 milionë euro për të kaluar këtë krizë të fortë konsumi që po kalojmë?

Së dyti, ju përmendët që me pagën minimale, sigurisht keni ndihmuar një pjesë të atyre që përfitonin paga më të ulëta, por një pjesë e bizneseve, sidomos ato që kanë shumë të punësuar, e shohin si një barrë. A mendoni se kjo rritje 36.6% në kaq vite, kur rritja e pagës mesatare ka qenë vetëm 15.5%, është një rritje jo organike dhe e sforcuar?

Kryeministri Edi Rama: Jo nuk është aspak jo organike dhe e sforcuar. Është rritja e duhur dhe po të shikoni Kartën Sociale Europiane do të shikoni që raporti është i duhuri, mes pagës minimale dhe pagës mesatare.

Ndërkohë, përsa i përket shqetësimit që kanë bizneset, jam i keqardhur, por me 220 mijë lekë të vjetra, përfshirë dhe kontributet, është e pamundur të konceptohet. Kështu që 300 mijë lekë të vjetra janë minimumi për ata punëtorë që i japin bizneseve mbrapsht gjithë ato fitime. Bizneset duhet të jenë të vetëdijshme që kjo pagë minimale do vazhdojë duke u rritur, nuk do qëndrojë këtu. Natyrisht që duke rritur pagën minimale, bizneset do të përfitojnë patjetër punëtorë më të motivuar, punëtorë më të kualifikuar, punëtorë më të gatshëm për të përballuar të tjera sfida të zhvillimit të një biznesi.

Përsa i përket llogarisë që bëni ju, llogaria nuk më duket e drejtë për faktin se kjo nuk është një masë e përkohshme. Kjo është një masë e përhershme dhe nëse ju llogarisni 40 milionë euro, shtoni herë 4 vite, del një shifër pak më ndryshe, një  shifër që shteti nuk e merr më, por e lë në xhepin e familjeve të të gjithë atyre që kanë biznese të vogla apo që punojnë në biznese të vogla. Ajo do të bëjë që të rriten pagat, do të bëjë që të rritet ambicia dhe sigurisht të rriten dhe të ardhurat e tyre dhe sado ata të rrisin të ardhurat, për sa kohë mbeten biznes i vogël, do ta kenë zero. Kjo ishte e pakonceptueshme deri 7 vite e kusur më përpara. Imagjinoni që tavani për biznesin e vogël ishte deri në 8 milionë, d.m.th, deri në 80 mijë dollarë. Sot është deri në 114 mijë euro në vit xhiro. Imagjinoni që kush kishte xhiro mbi 2 milionë, pra, mbi 20 mijë dollarë paguante dhe TVSH.

Ndryshimi është epokal dhe efektet e tij do të duken vit pas viti. Kështu që nuk ka diskutim që biznesi i vogël ka gjetur tek kjo qeveri mbështetësin më të madh, më të sigurt e më të vendosur, me fakt, jo me llafe.

– Pyetja e parë lidhet me publikimin që ka bërë ditën e sotme Ministria e Financave ku konsiderohet se borxhi publik gjatë 2020-ës ka shkuar në 77.8%, ndërsa rënia ekonomike ka qenë me 6.6%. Çfarë masash parashikoni për të përmirësuar rritjen ekonomike e për të ulur borxhin publik?

– Duke qenë se ka vështirësi të dukshme, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për shtetet e tjera, për të marrë vaksina nga shtetet perëndimore, a parashikoni apo ju thatë që keni folur dhe me shumë qeveri jashtë BE-së, a përfshihen këtu, edhe tratativat e mundshme me kinezët apo me qeverinë ruse për të marrë nga këto shtete?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë, më vjen keq.

Ndërkohë, për pjesën e parë kini parasysh një gjë, nuk është borxhi problemi, është kapaciteti për ta financuar borxhin dhe kapacitetet tona për ta financuar borxhin janë më të lartë se asnjëherë tjetër. Kjo është e dhëna më e rëndësishme. Mund të ketë pasur borxh më të ulët se kaq në të shkuarën dhe nuk ka pasur kapacitet financimi dhe ka rrezikuar kolapsin vendi. Mos harroni që në vitin 2013, Shqipëria rrezikonte, – kur ne kemi hyrë në zyrë e kemi bërë kontaktin e parë me FMN-në, – për shkak të borxheve të fshehura, të mos kishte më mundësi të paguante rrogat dhe pensionet, ashtu siç ishin dhe gjëja e parë që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga ne ka qenë të ulnim rrogat dhe pensionet.

A e konceptoni dot se ku kemi qenë?

Sepse borxhi ynë ishte i keq dhe i pafinancueshëm.

Sot, ne kemi kapacitete financimi të borxhit që janë më të larta se asnjëherë tjetër. Daljet tona në tregjet e kapitaleve janë domethënëse në këtë aspekt dhe ajo që ndodhi me Konferencën e Donatorëve ishte fantastike pikërisht sepse na dha kapacitet për të financuar borxhin. Ne, sot që flasim, akoma nuk kemi hedhur asnjë qindarkë nga pjesa e kredive të atyre fondeve që morëm nga Konferenca e Donatorëve. Asnjë qindarkë. Të gjitha shtëpitë që po ndërtohen, të gjitha shkollat që keni parë, – tani ka filluar pjesa tjetër e shkollave me grant, jo me borxh nga BE-ja, por të gjitha ato që keni parë deri më tani janë financuar nga qeveria shqiptare, lek për lek. Sepse kapaciteti ynë i financimit është shumë i lartë sot, në krahasim me çfarë kishte dhe kjo është e dhëna më domethënëse për çdo njeri që është i detyruar  për shkak të detyrës apo dëshiron për shkak të kuriozitetit të mësojë elementët më fillestarë të kësaj pune.

 

– Përshëndetje! pyetja ime është në lidhje me procesin e vaksinimit, duke qenë se ju keni pasur një strategji për sa i përket vaksinimit, pra bluzat e bardha fillimisht, më pas personalitetet…

Kryeministri Edi Rama: Jo more personalitetet se mi bëtë këto personalitetet, është hall i madh ky. Kemi filluar me moshën 80 plus.

– Që ta përfundoj, cili do të jetë prioriteti i radhës? Personat që kanë sëmundje të tjera, a do të jenë në fokus? Sepse duhet theksuar gjithashtu që ka edhe të rinj që po riskohen nga kjo pandemi.

Kryeministri Edi Rama: Të rinjtë që po riskohen, të ruhen. Ata duhet të ruhen e duhet të bëjnë çmos që të mos bëhen pjesë e shkeljeve sepse realisht ky virus është i rrezikshëm për të gjithë tani; ndërkohë që ne nuk do shpikim rrotën e as nuk do bëjmë ndonjë proces të sajuar me forcat tona. Ne kemi parë të gjitha strategjitë e të gjitha strategjitë kanë një emërues të përbashkët, nga mosha më e lartë dhe poshtë. Nga mjekët dhe infermierët, tek mësuesit, tek punonjësit e policisë dhe horizontalisht më tutje. Tani gjithë këtu çështja është sasia sepse u bë një bolori për 20 e ca të moshuar që dihet kush janë, në kuadrin e vaksinimit të disa qindra prej tyre dhe natyrisht që kjo vjen nga stresi i sasisë. Ne po luftojmë për sasinë këtë di t’ju them. Po luftojmë për sasinë. Kemi marrë konfirmim për 360 mijë vaksina Astra Zeneca që do të jenë një sasi e konsiderueshme që do të hyjë menjëherë në proces e më pas me 360 mijë vaksina Astra Zeneca ne do të zbresim shumë shpejt nga 80 plus vjeçarët në 65 vjeçarët edhe më poshtë ndërkohë që jemi duke diskutuar e jemi afër një sasie tjetër të konsiderueshme vaksine por ju lutem, kuptoni pozitën time, nuk mund të jap më shumë shpjegime sepse nuk janë gjëra që janë të finalizuara dua pastaj që të thonë, e tha, nuk e mbajti, nuk e bëri. Kjo është e gjitha. Gjithë problemi është, ne do të kemi 41 mijë dozat e Pfizer brenda marsit dhe pastaj vazhdojmë në prill me vaksinat e tjera, qoftë Pfizer, qoftë Astra Zeneca. Ajo që na duhet tani është vula mbi marrëveshjen me shtetin tjetër mik, që ka angazhuar procesin për 360 mijë vaksina Astra Zeneca e për këtë unë pres çdo ditë, çdo orë, konfirmimin e takimit me kolegun tim në atë vend, për a mbyllur këtë muhabet që në nivel autoritetesh shëndetësore është mbyllur por duhet vula. Çfarë t’ju them më shumë? Dhe këtë e them se edhe po nuk u bë, mund t’ju tregoj dokumentet. Procesi ka ndodhur, nuk është një fjalë që po tregoj unë në muhabete. Me një vend tjetër mik jemi shumë afër për një sasi tjetër të madhe dhe një vend i tretë është në kontakt me ne, sot në mëngjes. Të shohim, pra tre janë biseda konkrete se janë 33 që janë biseda që nuk ka akoma konkretizim. Jam lypësi më i gjatë në planet, pa diskutim.

– Përshëndetje! duke qenë se u përmend dhe BE dhe fondet, dje ministrja për herë të fundit ka deklaruar se Shqipëria ka marrë një fond 10 milionë euro për të financuar bizneset inovative, ndërkohë që përpara një jave ka pasur dhe një deklaratë nga ambasadori i BE Soreca që BE-ja është partneri më i madh i Shqipërisë. Ka një plan për ekonominë dhe investimin nga Këshilli Europian i cili është rreth 9 miliard euro por qasja në këto fonde bëhet nëpërmjet aplikimit me projekte të caktuara. Pyetja e parë, çfarë projektesh do të paraqesë Shqipëria dhe a do të fokusohen ato më shumë tek rindërtimi apo tek efektet e pandemisë apo dhe projekte të tjera madhore? Ndërkohë dhe një pyetje për zonjën Denaj, duke qenë se u përmend borxhi, ajo ka deklaruar në nëntor 2020 se pritet një trend rënës gjatë 2021, i qëndroni kësaj deklarate pavarësisht pandemisë dhe tërmetit që vazhdon të ketë efekt?

Ministrja e Ekonomisë, Denaj: Po, i qëndroj dhe dua ti kujtoj të gjithë që ne kemi bërë janë ndryshim në ligjin organik të buxhetit në korrik të vitit të kaluar ku kemi shtuar një nen të veçantë për 2023, ku balanca primare është pozitive, është një term fiskal por gjithsesi për të gjithë ata që e përkthejnë në fjalë të tjera është po, konsolidim fiskal dhe ulje e borxhit. Nëse më lejoni dua të them vetëm 1 shifër për 2019, në raport me borxhin, në 66.3% se këtë të gjithë e harrojnë por është një konsolidim i dukshëm, nga 70.4 në 2013, 72 si rezultat i gjithë pasqyrimit të të gjithë detyrimeve dhe në 66.3. E kemi bërë dhe do ta bëjmë. Sigurisht që në këtë do të kontribuojnë të gjithë do të kontribuojë dhe rritja ekonomike, edhe rritja e të ardhurave që kemi përmendur pak më parë por konsolidimi është angazhim juridik formal.

Kryeministri Edi Rama: Plani i investimeve të BE është për të qenë të saktë, 29 miliard, 8 miliardëshi që ju përmendët është i saktë por është vetëm pjesa e granteve. 1 miliard që bëjnë 9 është një fond për të garantuar kreditë dhe 20 miliard të tjera janë kredi për Ballkanin. Ka tre shtylla, infrastrukturën në funksion të konektivitetit, flasim për rrugë, flasim për hekurudha, flasim për porte. Shtylla tjetër është energjia dhe shtylla tjetër është dixhitalizimi dhe këtu ne jemi shumë shumë të përqendruar tek ky plan dhe ky plan do të jetë një nga instrumentet e mandatit të tretë dhe të Shqipërisë 2030 patjetër. Kemi ngritur një ekip të posatshëm, po ndërtojmë një rrjet konsulentësh të huaj që të ecim përpara me projektet ndërkohë kini parasysh që ne kemi marrë goxha reagime pozitive edhe në funksion të projekteve që kemi avancuar me WBF dhe unë besoj që do të shkoj në Bruksel në 1 Mars dhe aty do të diskutoj edhe pikërisht për planin e investimeve me komisionarin që e ka lancuar këtë plan dhe është një plan shumë sfidues nuk diskutohet sepse kërkon kapacitete të mëdha projektimi dhe njëkohësisht kërkon ndërveprim me vende të tjera, pasi synon fortësimin e ndërlidhjes në infrastrukturë, energji dhe dixhitalizim në rajon por unë jam optimist, jam shumë optimist biles.

– Përshëndetje! Fillimisht dua t’ju them se duket se ju zoti Rama nuk i mbani premtimet sepse javën e kaluar më premtuat që do merrja fjalën e para.

Kryeministri Edi Rama: Nuk të pashë, unë tani e pash, të kërkoj ndjesë. E dhashë fjalën me shumë kënaqësi por të kërkoj ndjesë se nuk të kam vënë re. Nuk do e bëja kurrë këtë gabim.

– Pyetja që do doja t’ju bëja është, ju folët për dyfishimin e ndihmës ekonomike. Pse ndodhi ky dyfishim vetëm 2 muaj para zgjedhjeve ndërkohë që pandemia ka një vit? Po mbushim një vit që jemi në kushtet e pandemisë por pse ndodhi ky dyfishim vetmë 2 muaj para zgjedhjeve ndërkohë që kemi një vit që po luftojmë dhe e dyta është për përgjimet e grupit mafioz Ndragehta. Siç e dimë SPAK i ka çelur hetimet për këtë grup. Miku i famshëm i përgjimeve, mësohet siç është zbuluar nga media është Besnik Halili administrator i kompanisë GTS i cili sëfundmi ka marrë tre tendera të tjerë ndërkohë që është në hetim nga SPAK. A nuk duhej pritur fillimisht që të mbaronin hetimet e më pas të përfitonte të tjerë tendera duke qenë se më herët ka qenë i favorizuar kompania e tij?

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Së pari, Shijaku ka ndërruar pamje por nuk ka ndërruar përmbajtje me sa shoh sepse vazhdoni bënin punën e Prokurorisw, edhe punën e gjykatave dhe punën e shtetit, duke harruar që ka ligje dhe ka etikë në këto punë. Ju thoni që kush është në hetim, kush është favorizuar, kush është ndalur, kush duhet të ndalohet por të gjitha këto janë të papërputhura me realitetin dhe unë nuk e kam zakon të flas asnjëherë për emra kompanish, emra biznesesh se nuk është absolutisht as puna dhe as etika e një kryeministri të përgojojë dynjanë kur merr fjalën, siç kanë bërë paraardhësit e mi apo që të jem i saktë, paraardhësi im por është gjë shumë e mirë që SPAK është përfshirë në këtë çështje për ti dhënë një përgjigje atyre që sipas meje deri më tani, çfarë janë thënë janë dokrra. Nëse ka gjëra që nuk janë thënë apo nuk dihen, me siguri SPAK do ti gjejë por deri tani dokrra. Asgjë me sens.

Dhe tjetra, ju duhet ti ktheheni pak vitit 2020 e po ti ktheheni e po të shikoni mbështetjen që qeveria ka dhënë për familjet me ndihmë ekonomike do të shikoni që ajo ka qenë e dyfishuar si mbështetje në kushtet e pandemisë kur familjet me ndihmë ekonomike u detyruan të mbyllen e u gjenden në pozitë shumë të vështirë. Pra nuk është se bëhet dy muaj para zgjedhjeve. Ky vendim është marrë që vjet, është futur në buxhetin e shtetit dhe për disa arsye teknike ka pasur një vonesë në dhënien e gjysmës, d.m.th. e dyfishit në muajin janar e tani kanë filluar ti marrin e do ti marrin të gjitha edhe ato të janarit por është vendim i bërë vjet. Besoj që u sqaruam. Shumë faleminderit të gjithëve dhe ruani shëndetin sepse realisht është e domosdoshme që secili të bëjë detyrën e vetë ndaj vetes e ndaj të tjerëve.