Një ceremoni simbolike të vigjiljes së festave të nëntorit, në Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut u mbajt sot në COD në Kryeministri. Në ambientet e COD është hapur për publikun artefakti i jashtëzakonshëm, harta që provon vërtetësinë dhe influencën e figurës së Skënderbeut në Europën e shekullit XV.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Dokumenti i shkurtër u ndal në morinë e eventeve dhe momenteve të këtij viti, por janë me dhjetëra, në mos me qindra evente e momente kushtuar Heroit tonë Kombëtar, ndërmarrë dhe krijuar nga individë, apo bashkësi të ndryshme.
Gjej rastin t’i falenderoj përzemërsisht, apo më saktë t’u shpreh të gjithëve respektin për përfshirjen e tyre të organizuar, ose spontane, në ushqimin e flakës së kujtesës përgjatë të gjithë Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.
E mes kësaj morie spikat një gjest unik, një shfaqje rrezatuese e talentit krijues dhe mishërim simbolik i këtij viti të shënjuar nga ylli i dritës. Dua ta veçoj këtë gjest dhe përpara se të them fjalët e rastit për këtë ceremoni simbolike të vigjiljes së festave të nëntorit të Vitit të Skënderbeut dhe njëkohësisht të përmbylljes së këtij Viti, të tërheq vëmendjen tuaj mbi shfaqjen në fjalë.
Kjo përkrenare që shihni në krahun tim të djathtë na ka shoqëruar gjatë këtij viti, qysh prej përkujtimit gjithaq të veçantë të 550-vjetorit të kalimit n’amshim të Gjergj Kastriotit.
Kjo përkrenare, ky objekt këtu, shëmbëlltyrë e krenarisë së kombit dhe sublimim simbolik i vijimësisë historike të shtetit shqiptar është dhe një krenari e artizanatit më të rafinuar shqiptar.
Unë i jam thellësisht mirënjohës autorit duarartë të saj, argjendarit të famshëm, Pirros (Ruci), i cili na ka njoftuar se, këtë përkrenare, kurorë të mbarë shqiptarisë, ia dhuron Kryeministrisë.
Shumë faleminderit!
Duke e njohur, jo vetëm unë, por të gjithë historinë e dhuratave dhe të dedikimeve që i janë bërë në vijimësi kësaj godine, apo godinave të tjera të shtetit dhe që nuk dihet ku kanë përfunduar, dëshiroj që ta qetësoj paraprakisht argjendarin e famshëm, autorin e kësaj përkrenareje, lidhur me faktin se nuk ka shans që edhe përkrenarja të humbasë, siç kanë humbur shumë dhurata, apo kontribute simbolike në të shkuarën, sepse ne kemi iniciuar një traditë normale, të mësuar nga vende, të cilave u kemi zili hiret e mirësjelljes me veten dhe të gjitha dhuratat inventarizohen. Asnjë dhuratë që vjen dhe më dorëzohet mua nuk është e imja, i takon kësaj godine, i takon memories së kësaj godine dhe jemi duke ndërtuar në katin më poshtë, Muzeun e historikut të kësaj godine – kjo godinë ka një histori të vetën – dhe bashkë me historikun, edhe Muzeun e të gjitha dhuratave.
Përkrenarja, ndryshe nga dhuratat e tjera, nuk do të shkojë poshtë, por do ngjitet lart dhe do t’i përkasë inventarit të atij Muzeu.
“Nuk mund të qëndroja në turpin e një shpirti mosmirënjohës, në atë turp që harron atdhenë dhe i mohon diçka të drejtë që kërkonte prej meje, prej meje që kisha qenë një gjymtyrë, një pjesë me rëndësi e atij dheu, për ta përjetësuar me një përmendore letrare. Puna e gjykatësit do të jetë që të çmojë sa zjarr dashurie ka pasur kush, për hir të atdheut, dhe jo sa vlerë…”
Me këto fjalë, të cilat historiani i shquar Aleks Buda i përkufizon si një “porosi shoqërore” të çdo kohe, çelen në parathënien e tyre kryeveprat e humanizmit shqiptar dhe atij europian, Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Princ i Epirit dhe Rrethimi i Shkodrës nga meshtari shkodran, Marin Barleti.
Thjeshtësisht dhe më përulësisht, përditësimi i këtyre “porosive” që prekin shekujt prej 500 vjetësh e tëhu ishte çka e shpuri edhe qeverinë tonë dhe të gjithë ne, sëbashku me të tjerët, në çeljen e siparit të një Annum Gratiae, të një Viti Mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërkohë që i aviteshim jubileut të 550-të të kalimit të tij në amshim.
Mirë që e gjithë kjo periudhë, ndryshe nga çfarë u parapa me frikëra, apo paragjykime nga ata që edhe miq të mirë ndërkombëtarë e komentuan këtë iniciativë, nuk u karakterizua nga asnjë fishekzjarr nacionalizmi, apo nga asnjë zhurmë daulleje për këngët e vjetra dhe të dala kohe të mendësisë nacionaliste.
“Matësi ma i mirë, ma i sigurtë për të gjykuar,” – shkruante 70 vjet më parë Aleks Buda për Skënderbeun, – “asht konstatimi nëse nji figurë, nji lëvizje, nji ide vepron akoma, ngjall fuqi të reja për të përmbysur situata të kalbura, sepse këtë mund ta bajë vetëm nji ide e madhe përparimtare që ndihmon procesin historik të ecë përpara, pse shpreh aspiratat e thella e të fshehta të një mase të madhe njerëzish. Figurë e madhe asht çdo iniciator që parashef dhe fillon të realizojë, që kontribuon për mprojtjen e asaj që akoma s’asht, por që po pregatitet, që duhet dhe që do të vijë”.
Pikërisht për këtë arsye, Vitin Mbarëkombëtar, e pamë si një vit ardhmërie.
“Serioziteti në gjërat e mëdha”, – thotë një shprehje e njohur, – “fillon nga besnikëria dhe frytet e dhëna kundrejt gjërave, në dukje të vogla”.
Ky vit ishte një pretekst, ose më mirë të themi një shtysë për motivim, një ogur i mirë për të vepruar për gjëra të vogla, të vogla në të gjithë madhështinë e kujtesës për Gjergj Kastriot Skënderbeun, në një vit me 6 datat e tij madhore që shërbeu, besojmë, për të ushqyer me fisnikëri, edhe me modestinë e fisnikërisë, një kujtesë kaq vetëdijësuese për identitetin tonë kombëtar dhe europian, por dhe për të përmirësuar këtu apo atje, sjellje dhe qasje të vetë shtetit.
E kam fjalën tek mangësi, apo boshllëqe të krijuara në të shkuarën, në ndërkohë që, nëpërmjet ringritjes së një institucioni arkivor, me godina të reja mirëmbajtjeje, me salla leximi dinjitoz, si dhe projektit në punë e sipër për Bibliotekën e re Kombëtare në mjedise krejtësisht të reja, nëpërmjet dedikimit për muaj të tërë ndaj ringjalljes dhe stimulimit të kërkimeve albanologjike të kurorëzuara me një konferencë madhore ndërkombëtare kushtuar Skënderbeut dhe jehonës së tij, gjë që s’ishte realizuar ndonjëherë më parë, rimarrjes aty ku ishin lënë, si skelete pajetë të programeve të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë këtu simbolikisht dhe rrugën emërbekuar të Arbrit, përmirësimit të kushteve jetike dhe profesionale të ushtrisë sonë të mjeshtërizuar, jo vetëm përmes rritjes së buxhetit, sepse kjo do të kishte ndodhur pavarësisht Vitit të Skënderbeut, por edhe përmes një përkujdesjeje të veçantë për të gjithë ceremonialin dhe besoj që nesër, në Ditën e Pavarësisë së këtij viti kaq të shënjuar, të gjithë do të pajtoheni me mua, se sa shumë i kishte munguar seriozitetit dhe solemnitetit të ushtrisë shqiptare dhe të shtetit ajo që do shihni të shpaloset në të gjithë paraqitjen e re të ceremonialit shtetëror, me uniforma, pajisje, mjete dhe instrumente të truprojës së nderit dhe orkestrës frymore, që do të përurohen pikërisht me rastin e 575-vjetorit të Lidhjes së Lezhës.
Përmes itinerareve muzeale, dy intereare muzeale, Yllit të Mëngjesit dhe Urtësisa e Pashuar, që sollën për publikun e interesuar artefakte, tablo, vëllime nga më të rrallat mbi jetën, veprën dhe epokën e Heroit tonë Kombëtar, për të cilat sytë e sa e sa studiuesve, që nuk janë më, patën qarë për t’i parë së paku një herë në jetë.
U përpoqëm, siç e thashë, me përkushtim, sqimë dhe modesti që të sillnim çka më parë ishte teori, ishte dëshirë, ishte objekt trillimesh dhe spekulimesh në mënyrë që ecurinë e muajve të këtij viti ta ndriçonim me një vijë qirinjsh të kujtesës për figurën e dokumentuar, por shpeshherë edhe të hamendësuar, apo fatkeqësisht ndonjëherë edhe të shpërfytyruar të Heroit tonë kombëtar.
Sot ceremonialisht mbyllet Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, por, siç e thash edhe më sipër, shumë prej gjërave janë në proces dhe përshembull, Samiti i Diasporës që përkon me 575 vjetorin e Lidhjes së Lezhës vitin e ardhshëm do të na mbajë edhe pak më shumë në frymën e veprës së pashoq të Heroit Kombëtar, edhe sepse aty do të promovohen çka të apasionuarit dhe studiuesit kërkojnë tashmë prej dekadash, 10 vëllimet e dokumenteve për Skënderbeun, përpunuar deri ditën e fundit të jetës nga i ndjeri Kristo Frashëri dhe teza e doktoraturës e të pakrahasueshmit Eqrem Çabej.
Përveç të tjerash, Samiti do të jetë momenti i volitshëm për të falenderuar posaçërisht të gjithë ata që kontribuuan për suksesin e parë të nismës mbarëkombëtare që preku Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët kudo ku janë.
Diçka më shumë sot, duke kujtuar se gjatë vitit të Skënderbeut, në janar, me qindra arbëreshë, nën drejtimin e dy kokave të shqiponjës arbëreshe, nëse mund t’i quajmë kështu dhe besoj mund t’i quajmë kështu, Mandala dhe Altimari erdhën këtu në tokën e të parëve dhe përmes një itinerari të ngjashëm, Roma dhe Napoli sjellin sot në Tiranë, falë një përpjekjeje të lëvdueshme të Artan Shkrelit dhe një mbështetjeje, që meriton të gjithë mirënjohjen tonë, të ambasadorit, një objekt të jashtëzakonshëm mrekullimi për të gjithë ata që kanë kuriozitet, kanë lidhje, kane pasion për historinë.
Roma, sepse artefakti që prej sot e për dy javë do t’i tregohet, ekspozohet publikut këtu në këtë godinë, ruhet si më i vjetri i llojit të tij, në Bibliotekën qendrore të qytetit të përjetshëm, prej ku ka ardhur në Tiranë.
Napoli, sepse këtu e desh edhe angazhimi i një napoletani të mirë si ambasadori italian, që bashkë me Shkrelin konkretizuan diçka që ishte vërtetë e vështirë në momentin e parë për ta imagjinuar se mund të konkretizohej dhe faktikisht bënë simbolikisht atë që, dikur, Skënderbeu në Mbretërinë e Napolit pati bërë një marrëveshje. Sot nuk është mbreti i Napolit, por një napoletan që përfaqëson Republikën italiane dhe që solli një copëz domethënëse të Skënderbeut dhe e ka sjellë me një ushtri, nuk është ushtria e mbretit të Napolit, e cila e priste andej Skënderbeun që të shkonte me ushtarët e vet, por është ushtria e Guardia di Finanza që ka ardhur nën udhëheqjen e ambasadorit, e shoqëruar me ambasadorët, apo lajmëtarët e Institutit Italian të Kulturës.
Tani protokolli na e ndalon që ta ftoj ambasadorin të mbajë një fjalë në mbyllje të një ngjarjeje mbarëkombëtare, por nuk na ndalon, përkundrazi, na e kërkon që botërisht t’i shprehim të gjithë mirënjohjen tonë të thellë për këtë gjest, që të gjithë ata që sot janë këtu e do ta shikojnë nga afër artefaktin dhe të gjithë ata të tjerë që do ta shohin gjatë dy javëve do ta mbanë mend gjatë. Shumë faleminderit!
Thuhet, thonë, nuk e di sa gjysmë legjendë dhe sa është e vërtetë, që Roma dhe Napoli u ndanë me borxhe me Skënderbeun. Borxhe që ne nuk i kërkuam kurrë ndaj Italisë mike dhe sot besoj që mund ta konsiderojmë këtë kontribut të Romës e të Napolit si një larje borxhi edhe për gjithë shërbimet që u kreu Gjergj Kastrioti.
E them këtë duke patur parasysh fjalët e urta të Imzot Nolit, historiografit të merituar të tij. Noli thoshte: “Nëse ne vërtetojmë dokumentarisht, saktësinë e të paktën tri fushatave perandorake të sulltanëve osmanë kundër Krujës dhe dështimin e turpshëm të tyre para mureve të kalasë, atëherë”, – thekson imzot Noli, – “kemi vërtetuar se veprimtaria e Skënderbeut nuk është legjendë, por histori e vërtetë.”
E pra, unë nuk jam historian. Larg qoftë të jem i tillë! Aq më tepër këto ditë, kur historianët po merren me mua, a thua se ua kam unë fajin që e kanë shkruar me pathos historinë kur u ishte e ndaluar gjakftohtësia, por artefakti që do të shikoni, përkatësisht një hartë në një lëkurë viçi ende të palindur të vitit 1455, është më shumë se një dokument që vërteton të jashtëzakonshmen në veprën e Skënderbeut në të gjalle të tij.
Jemi më 1455, dy vjet pas rënies së Konstandinopojës, tek, siç thuhet në shprehjen e dedikuar në katedrën e Shën Pjetrit, mbretëron lavdiplotë, “Gloriosamente regnante”, Papa Nikolla V.
Jemi në vitin e disfatës më të rëndë e ndoshta të vetme të Arbërve nën muret e Beratit dhe ja ku, pikërisht në këtë lëkurë vici të palindur të 1455, një nga hartografët më të shquar të kohës së tij shkruan me sanguin tejpërtej në territorin shqiptar, mes emrave Albania dhe Macedonia, të vetmin emër vetjak të një kryezoti europian: Skandrebeco!
Ky emër që mishërohet me aq hijeshi në bustin e bronztë që Pirro e ka dhënë përkohësisht, se do e marrin mbrapa, në mjediset ku ndodhemi, i qëndron hartës si shëmbëlltyrë. Këtë emër, për të cilin Papa Piu II, i madhi humanist Enea Silvio Pikolòmini, thoshte tekstualisht “Do të mposhtë shekujt!”
Nëse Skënderbeu do të kishte qenë një mit pas vdekjes, një konspiracion humanistësh, apo një kaçak gjakatar në vend të atij për të cilin ne e njohim, pra, një luftëtar të kërkuar e të vlerësuar në të gjallë të tij dhe kryezot i trojeve të lira shqiptare, ky emër nuk do të ishte shkruar e ndoshta harta nuk kishte as pse të ekzistonte.
Në mbyllje, duke iu referuar asaj çka e shoh si transkriptim në letër të kodit-amanet të këtij artefakti, fjalët e Papës Kaliksti III, adresuar Skënderbeut në vitet 1450-1457, vitet e konceptimit dhe përpunimit të hartës, më lejoni të citoj:
“Ne, bir i dashur, kemi patur gjithmonë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde. Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar!”
Roma locuta, causa finita! (Pas fjalës së Romës, çështja quhet e mbyllur!) – thuhej dikur.
Shumë faleminderit!