Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama me rastin e ekspozimit në COD të një prej dorëshkrimeve origjinale të Nënë Terezës me pasazhe në shqip, në përvjetorin e shenjtërimit të saj:

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

Jam vërtetë shumë mirënjohës për ata që punuan për të mundësuar këtë ekspozitë me një numër shumë modest, por shumë domethënës artefaktesh të ekspozuara. Të tilla janë tre letrat dorëshkrim të Nënë Terezës, ku jo thjeshtë prekja nga afër e origjinalitetit të këtyre tre letrave të çmuara, por edhe përmbajtja e tyre zbulojnë qartë edhe diçka që shpesh është vënë në diskutim lidhur me prejardhjen e saj.

“Shumë i dashur populli im i Shqipërisë! Kujtoni që Zoti ka krijuar secilin nga ne për gjëra më të mëdha: të duash dhe të të duan. Ky është kuptimi i jetës, të cilin asnjë vuajtje s’mund të na i fshijë nga mendja…” – është një pasazh i letrës së marsit të vitit 1997, kur Nënë Tereza i drejton një mesazh të fundit popullit të saj. E këtë mesazh, ajo ja beson mikut të saj, imzot Paolo Hnilika, si një nga njerëzit më pranë Nënë Terezës, i cili rrëfen më vonë për dashurinë e madhe që ajo kishte për familjen dhe atdheun e saj.

Nënë Tereza e kish pyetur disa herë imzot Hnilikën, nëse ia kishte dorëzuar autoriteteve shqiptare, këtë mesazh, sepse, siç dëshmon miku i saj në jetë dhe vëllai i saj në fe, ajo “kishte shumë dëshirë që populli i saj ta merrte këtë mesazh”.

Më tutje, ekspozita që çelet sot, e cila përmban tre dorëshkrime, përkatësisht të gushtit 1989, tetorit 1989 dhe janarit 1990, të cilat i drejtohen Ramiz Alisë, në cilësinë e Presidentit të Republikës, me qëllim lejimin e ardhjes së saj në Shqipëri e më pas, të çeljes së misionit të saj edhe në vendin tonë, ka shijen e jashtëzakonshme të të lexuarit me dorën e saj të pasazheve në shqip, çka rrëzojnë edhe dyshime të shprehura nga studiues të caktuar dhe pastaj, të kthyera në argumente banalë, lidhur me gjuhën e parë dhe amtare të Nënë Terezes, sipas të cilëve, ajo nuk ka shkruar kurrë më shqip pas viteve ‘70-të.

“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruan ajo shqip, në letër. “Unë ja kam dhan “besën a shqiptarit” Zotit me prue dashni and pagjë mbi gjithë botën”; dhe janë faktikisht në letër si një pasqyrë, të dy elementët apo anët e identitetit të saj, identitetit të saj kombëtar dhe identitetit të saj universal, identitetit të saj si një bijë e një familjeje shqiptare, e dorëzuar në prehërin e Zotit dhe e vetëtransformuar në një bijë të të gjithë familjeve në nevojë të kësaj bote.

E dimë që ajo e vizitoi për here të parë vendin, në gusht të vitit 1989 dhe e mbaj mend, të paktën të gjithë ata ndër ne, që ishin këtu, në atë kohë, sesa shumë emocion të përzier me një kuriozitet shumë të madh, por dhe me një ndjenjë të fortë solemniteti kishte zbarkimi i saj për në Tiranë, ku edhe pse mundësia për ta ndjekur në të gjithë hapat e qëndrimit nuk ishte ajo që është sot, sepse kishte vetëm një ekran dhe koha e ndjekjes së gjithë vizitës ishte e kufizuar në programacionin e atij ekrani shtetëror, të gjithë ishim krenarë dhe të gjithë ishim shumë të përfshirë nga ajo vizitë.

Nuk dua të marr më shumë kohën tuaj, për të thënë gjëra që, në momentin kur flasim për këto letra konkretisht, do të ishin të tepërta, pasi të komentosh mbi Nënë Terezën është një terren shumë i rrezikshëm, si rezultat i faktit që në shumë pak fjalët e saj ka një thjeshtësi, një thellësi dhe një peshë të jashtëzakonshme, një qartësi dhe një prekje me pak fjalë të thelbit të marrëdhënies së njerëzve mes tyre.

Dua të kthehem tek pikërisht ky thelb, në funksion të asaj që sipas meje është një nga burimet më të mrekullueshme të frymëzimit për këdo që do apo e ndjen nevojën, apo e kupton nevojën për të lënë një gjurmë në rrugën e jetës së tij, e jetës që na është dhënë përkohësisht, në fjalët e saj, në shumë pak fjalët e saj kuptimplota: “Në vend se të mallkosh errësirën, më mirë ndiz një qiri.”

Faktikisht është një fjalë që mua personalisht më vjen, më jehon shpesh e sidomos në momentet kur duket sikur të ndezësh një qiri, d.m.th., të bësh diçka është pak në krahasim me shumëçka që duhet bërë, por në fakt është hap pas hapi, diçka pas diçkaje që shkohet drejt shumëçkasë në jetën individuale, edhe në jetë shoqërore dhe është e vetmja gjë me vend që mund të bësh në vend se të merresh me errësirën që pengon çuarjen përpara të atyre shkëndijave të njëpasnjëshme të dritës, që pastaj krijojnë më shumë vend për dritën dhe zvogëlojnë vendin e errësirës.

E më duket se i tillë është edhe procesi i rindërtimit që ne po bëjmë, ku çdo ditë po vendosim tulla, po ngremë mure shtëpish për njerëzit e prekur nga fatkeqësia e 26 nëntorit. Duke i parë nga afër, duke i njohur nga afër, duke e prekur nga afër jetën e tyre, sheh që në një pjesë, jo të vogël, janë ajo kategori njerëzish, të cilëve i referohej Nënë Tereza. Ajo kategori njerëzish, të të cilës iu referua dhe imzot Frendo në fjalën e tij. Ajo kategori njerëzish që jetojnë në një anonimat larg asaj që zhvillohet përditë para syve të të gjithë atyre që kanë më shumë mundësi se ata. Të asaj që zhvillohet përditë në jetën tonë shoqërore, apo në kanalet tona të komunikimit. Janë një kategori njerëzish që keqpërdoret shpesh për të sulmuar.
Keqpërdoret shpesh për të bërë audiencë. Keqpërdoret shpesh për të relativizuar, apo edhe më keq akoma, për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen, sado të pamjaftueshme qofshin. Dhe besoj që fjala e Nënë Terezës: “kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”, është fjala e duhur për ta përshkruar këtë përpjekje, që synon t’i kthejë sa më parë në shtëpi, në shtëpi shumë më të mira, në shtëpi shumë më të forta, në shtëpi shumë më të bukura, ata që patën fatkeqësinë të humbasin strehën në atë natë tragjike.

Për t’u ndalur dhe për ta mbyllur me kornizën, atë që është brenda kornizës së kësaj ekspozite, dua vetëm të shtoj se letra e saj, e tetorit ’89-të, qenë e papërpunuar në Arkivin Qendror të Shtetit, si pjesë e fondit të papërpunuar të Ramiz Alisë dhe përpunimi i gjithë ish Arkivit Qendror të asaj kohe, ishte një prioritet që përfundoi si një prioritet i realizuar vetëm në vitin ku ne jemi. 30 vjet për të thjesht përpunuar një thesar informacioni dhe një burim faktik për të gjithë ata që duan ta studiojnë atë pjesë të historisë sonë, duke iu referuar dokumenteve autentikë, ndër të cilat edhe këto letra, ku ajo e tetorit, praktikisht vetëm tani së fundi bëhet e njohur.

Dy letrat e tjera, të janarit ’90-të dhe ajo më parë, e gushtit ’89-të njihen gjerësisht, por dua të prek prej asaj të gushtit, fjalët e Nënë Terezës me të cilat shpresoj që të mund të mbyllet bukur ky moment i bukur që po ndajmë sëbashku. Shkruar në 16 gusht, kur ajo i kërkon presidentit të kohës të mund të sjellë në Shqipëri, të paktën, 4 prej motrave të saj, misionareve të bamirësisë për t’i dhënë dashuri dhe kujdes pleqve, të vetmuarve, duke thënë: “Unë nuk kam as ar e as argjend, por juve do t’ju jap motrat e shpresoj që sëbashku do të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për popullin tonë”.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.