Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fabrika e re për prodhimin e lëndës së parë për bateritë e makinave, në Bradashesh, Elbasan, është investimi më i ri në këtë zonë me vlerë mbi 20 milionë dollarë. E ngritur mbi një tokë djerrë dhe të pashfrytëzuar prej vitesh, ajo po shndërrohet në potencial të rëndësishëm punësimi për banorët.

Me investimin fillestar prej 4.7 milionë dollarësh është përmbyllur faza e parë, që është ndërtimi i furrës së zinkut dhe të nikelit, ndërkohë që së shpejti do të nisë puna për fazën e dytë ku do të investohen 17 milionë dollarë për kompletimin e të gjithë linjës së prodhimit.

Kryeministri Edi Rama vizitoi fabrikën e re, në të cilën parashikohet të punësohen 200 punëtorë.

Sipërmarrësi është një qytetar elbasanas, i cili për 14 vite ka punuar dhe jetuar në Kinë, prej nga ku ka fillesën sipërmarrja. “Ky është investimi ynë, furrë zinku dhe nikeli. 4.7 milionë dollarë deri tani në fazën e parë, ndërsa faza e dytë parashikohet një investim prej 17 milionë dollarë. Kjo është një fabrikë, e cila do të prodhojë lëndë të parë për bateritë e makinave. Stabilimenti kryesor është në Kinë, por kjo fabrikë prodhon lëndën e parë që është zinku dhe nikeli, që janë lëndë  e parë e baterive”, – tregon ai.

Sipërmarrësi siguron se brenda muajit të ardhshëm, fabrika do të nisë nga puna dhe shumë shpejt do të fillojë faza e dytë e investimit, në mjedisin që ndodhet pas fabrikës.

Brenda datës 15 maj e vëmë në punë përfundimisht. Pjesa tjetër e investimit do të zhvillohet në zonën mbrapa fabrikës. Ishte një tokë djerrë,”- shpjegon ai.

Ndërtimi i kësaj fabrike respekton gjithashtu të gjitha standardet mjedisore. “Është 100 % e pastër në aspektin mjedisor, sepse ky është një shqetësim që e kemi diskutuar,” – u shpreh deputeti i zonës Taulant Balla.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.