Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Metalurgjiku i Elbasanit do të rilindë duke hyrë në një fazë të re zhvillimi, si një Qendër Kombëtare për Prodhim, Logjistikë dhe Teknologji Inovative – Made in Albania, duke u transformuar nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër, e cila do të hapë perspektiva të reja për Elbasanin, duke e kthyer në epiqendër të inovacionit dhe zhvillimit, si një qendër e energjisë së pastër, prodhimit të avancuar dhe teknologjisë së qëndrueshme.

Në Elbasan u zhvillua sot një takim me sipërmarrës të zonës së Metalurgjikut, të cilët prodhojnë, eksportojnë dhe kontribuojnë realisht në ekonominë shqiptare. Në takim mori pjesë Kryeministri Rama së bashku me Ministrin për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin Blendi Gonxhja, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja.

* * *

Faleminderit për kohën dhe për disponimin tuaj për të qenë në këtë takim ku, siç e paraqitën parafolësit, qëllimi është të hyjmë në një fazë të re në transformimin e kombinatit apo më saktë territorit të Kombinatit Metalurgjik, në një Park Kombëtar industrial, i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe për të cilin ne duam të mbështetmi tek një aleancë me të gjithë bizneset që janë këtu të pranishme, jo vetëm për të stimuluar më tutje zgjerimin tuaj, për të gjithë ata që kanë kërkesa e kanë plane zgjerimi, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në administrimin e jetës së përditshme të gjithë këtij territori, që është ai koncept që prezantoi Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, i cili njëkohësisht është i fokusuar në mënyrë të posaçme tek Elbasani.

Ne kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh, arkitektë të huaj ndër më të mirët që gjenden sot dhe arkitektë vendas, po ashtu ndër më të mirët, për të përcaktuar drejtimin e masterplanit. Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra dhe ideja themelore duhet të jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë dhe ky park, duhet të bëhet praktikisht së bashku me auto motoparkun, pika që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin dhe që do ta bëjë Elbasanin pjesë të metropolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme.

Pra, jo vetëm Tiranë – Durrës, por edhe Tiranë – Dibër, edhe Tiranë – Elbasan, duke pasur parasysh transformimet e infrastrukturës dhe shkurtimin e distancave, janë faktikisht tre gjymtyrë të kryeqytetit, faktikisht. E që të vish të punosh këtu, është një distancë po aq ose dhe më e shkurtër se sa mund të jetë distanca dhe koha që të merr të shkosh të punosh nga një anë e Tiranës, në anën tjetër ndonjëherë. Kështu që, duhet parë dhe me këtë sy e duhet kuptuar që këtu ka potencial për të hapur kryeqytetin dhe për t’i dhënë një energji dhe një frymëmarrje të re.

E përsëris, me të dy këto pika që janë afër njëra-tjetrës, Parku i Kombinatit dhe Automotoparku i cili cirkuitin e formula 1 do ta ketë si qershia mbi tortë, por nuk është një investim thjesht dhe vetëm për Formula 1 që është tre ditë në vit, por do të jetë një destinacion i përditshëm, jo vetëm për shumë lloje garash, por mbi të gjitha për sigurinë rrugore. Do të jetë një qendër europiane për rritjen e sigurisë rrugore sipas modeleve më të mira që ka sot Europa dhe falë edhe partneritetit të ndërtuar me Qendrën e Sigurisë Rrugore në Austri.

Tjetra që dua të them është që ne kemi shumë të nevojshme që nga ana juaj të na bëhet me dije, prandaj na duhet të krijojmë këtë tryezë të përbashkët dhe orientimi im për të dy ministrat është që ta mundësojnë një gjë të tillë, që ne të na bëhet me dija nga ana juaj, çdo plan që keni sepse ju jeni këtu dhe patjetër që ne duam të vijnë dhe të tjerë, por ne duam që kjo rrugë të nisi nga ju, nga planet tuaja. Çfarë planesh keni për zgjerimin, çfarë investimesh keni në plan të bëni për më tutje, cilët prej jush kanë një plan të zgjerohen, cilët nuk kanë plan të zgjerohen, por kanë kërkesa të tjera, në mënyrë që ne me këto të dhëna, apo më saktë këto të dhëna t’i përfshijmë në bazën e përgjithshme të të dhënave, për t’u lëshuar pastaj në konceptimin dhe realizimin e këtij masterplani.

E fundit që kam është që Korporata Shqiptare e Investimeve, AIC, do të jetë pjesë e këtij projekti sepse patjetër që, për gjithë sa u prezantua këtu në mënyrë shumë të përgjithshme, do tw jetë shumë e rëndësishme që edhe pala shtet, përmes instrumenteve të vetë, të jetë e pranishme dhe të planifikojë edhe pjesën e vetë të investimeve që do të bëjë.

Këtu duhet të ketë vend dhe duhet të ketë arsye për të  gjitha kategoritë e të gjitha moshat që të vijnë në këtë territor. Jo vetëm fabrika, jo vetëm zyra, jo vetëm biznes, por edhe kulturë, edhe sport, edhe argëtim për fëmijët, janë të gjitha mundësitë që kjo të bëhet.

Ju falënderoj shumë dhe një herë dhe shpresoj shumë në këtë bashkëpunim. Shumë faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.