Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Elbasan u zhvillua takimi me fituesit e programit kombëtar të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantët e rinj për vitin 2026, ku u prezantuan projekte inovative dhe ide premtuese në fushën e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Aktiviteti solli në fokus rritjen e shpejtë të ekosistemit të teknologjisë në Shqipëri, në një kohë kur numri i kompanive të regjistruara në këtë sektor ka arritur në 3 mijë e 300, ndërsa mbi 21 mijë specialistë janë të punësuar në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë dhe ndikimin e saj në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë.

Paralelisht, është shënuar edhe një rritje me 15% e numrit të studentëve të regjistruar në degët e lidhura me teknologjinë digjitale, duke reflektuar interesin në rritje të të rinjve për këtë sektor me potencial të lartë zhvillimi.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri nënvizoi gjithashtu rolin e teknologjisë në transformimin e tregut të punës dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të punojnë nga Shqipëria për tregun global, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment të favorshëm për vendin në kushtet e zhvillimit të shpejtë digjital.

***

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe faleminderit edhe për prezantimet tuaja.

Ishte kënaqësi që të ishim këtu edhe të mund të shihnim çfarë keni bërë. Ndërkohë që, për më shumë se kaq, ky takim vlen që dhe të tjerët të shohin mundësisht se çfarë bëjmë së bashku, qeveria së bashku me të gjithë ata që, njësoj si ata djemtë që prezantuan startup-in e tyre, vendosin të “sëitch”-in jetën e tyre, duke besuar tek forca mbi natyrale e teknologjisë sot, e cila i jep mundësi njeriut të realizojë të paimagjinueshmen dhe e cila është e paimagjinueshme në kufijtë e saj.

Ne sot mund ta themi lirisht atë që deri jo shumë kohë më parë ishte për të qeshur, që cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre kudo qoftë ajo në Tiranë, në Elbasan apo në një fshat të largët, mjafton që të kenë një kompjuter dhe që të jenë të lidhur me internetin dhe jo vetëm kaq, por mund të punojnë pa lëvizur nga shtëpia e tyre dhe të paguhen shumë herë më mirë sesa çdo të paguheshin po të largoheshin nga vendi i tyre dhe të bënin një punë diku jashtë për dikë tjetër.

Sot nuk është më për të qeshur sepse është një realitet i cili zgjerohet me shpejtësi duke integruar në perimetrin e vetë gjithmonë e më shumë të reja dhe të rinj, sidomos të reja dhe të rinj falë faktit që teknologjia ju vë në dispozicion mjete të cilat të rejat dhe të rinjtë i kuptojnë edhe i zotërojnë shumë më shpejt sesa të tjerët.

Olta tha një shifër që është shumë domethënëse në këndvështrimin tonë, trefishimi i numrit të aplikantëve për programin “Startup Albania”, i cili ka nisur disa vite më parë dhe tanimë është një program i besueshëm dhe falë besueshmërisë, por falë dhe informacionit që është shpërndarë në këtë periudhë, ka tërhequr një interesim të madh dhe një numër aplikimesh që është një numër rekord 1219 aplikime për mbështetje financiare që shkon nga 15,000 euro në 45,000 euro dhe për projekte konsolidimi deri në 90,000 euro, të cilat nuk janë kredi, por janë grant që qeveria shqiptare ja vënë në dispozicion atyre që paraqiten me një ide interesante dhe me një potencial për të krijuar një zgjidhje që pastaj të krijojë një kompani të vogël dhe pastaj pse jo të gjenerojë një kompani të madhe.

Jemi sot në Elbasan dhe Elbasani ka edhe një potencial tjetër, ka shkollën e vet profesionale e cila ka rreth 1400 nxënës dhe që vetvetiu përbën një rezervuar jashtëzakonisht të konsiderueshëm për një qytet si Elbasani për të rritur krijesa të reja të botës së teknologjisë, për të rritur dhe për të kthyer në hapësira shërbimesh dhe punësimi, ide të cilat nëse nuk do të ishte forca e teknologjisë do të ishin thjesht utopira të pa kapshme me mjetet e rrugës tradicionale të zhvillimit. Ajo që teknologjia ka bërë është diçka që është e vështirë që ta kapim të tërën pavarësisht se teorikisht mund ta kuptojmë dhe mund ta përsërisim. Teknologjia ka rritur në mënyrë eksponenciale shpejtësinë e zhvillimit nga epoka të tëra zhvillimi linear, bota sot ka kaluar në zhvillimin eksponencial, pra nga zhvillimi gradual, në një zhvillim që është pindarik edhe që është i pa perceptueshëm në shpejtësinë e tij. Nëse deri dje edhe vetë teknologjia për të gjeneruar smartfonin-e ri duhej të kalonin 300 ditë dhe nga një “Apple” në një “Apple” tjetër duhej pritur shtatori tjetër, teknologjia sot po shkon në pikën që çfarë është e re në fillim të javës bëhet e vjetër në fund të javës. Çfarë është një shpikje në fillim të javës nuk është më një përjashtim në fund të javës dhe në kushtet kur kjo ndodh për vendet në zhvillim si Shqipëria, ky është një bekim shumë i madh.

Nëse ne do të ishim në epokën e zhvillimit linear do ta kishim shumë të vështirë që të parafytyronim transformime dhe rritje që mund t’i parafytyrojmë sot si një mundësi reale zhvillimi. Sepse nëse në zhvillimin linear prodhoheshin makinat e shtypshkrimit, të cilat fillimisht i merrnin ata që ishin më të pasur, flas shtetet, pastaj shkonin te ata që ishin më të varfër dhe kur te ata që ishin më të varfër vinte ajo gjeneratë e prodhimit, tek ata që ishin më të pasur kishte ardhur ndërkohë gjenerata tjetër e prodhimit, me teknologjinë nuk ka më një diferencë të tillë. Me teknologjinë nuk ka më pikë rëndësie se çfarë statusi social ke, edhe jo vetëm se ku ndodhesh gjeografikisht, por edhe se çfarë mjetesh financiare ke. Nëse ke talentin dhe këmbënguljen e pastaj edhe shkëndijën e një ideje që bën diferencën, je aty për të bërë sukses. Natyrisht pjesa ku hyn nevoja për të pasur dikë pranë dhe në këtë rast është qeveria shqiptare, është pjesa e atij financimit fillestar për të zhvilluar hapat e para të idesë. Dhe këtu ne kemi nxjerrë një mësim nga kjo rritje e shpejtë e numrit të aplikimeve, që do të thotë që ne do të rrisim, për t’ju përgjigjur kësaj shpejtësie dhe volumin e financimit.

Pra, duke bërë faktikisht një parashikim të bazuar tek dy vitet e para, në 2024-ën ishin 422 aplikantë, në 2025-ën ishin 536, ne parashikuam edhe një fond që të rritej po kështu. Mirëpo duke u gjendur përballë 1219 aplikantëve, ne do të duhet që t’i japim një mesazh dhe përfitoj nga rasti ta them këtë sot, të gjithë atyre që kanë aplikuar që ne nuk do të kufizohemi tek ai numri i fituesve të parashikuar sipas shifrave të dy viteve të kaluara, por do të bëjmë një ekstra financim në javët që vijnë dhe do të financojmë edhe aplikues të tjerë mbi atë shifër, duke u munduar që ta rrisim financimin po aq sa ç’është rritur dhe numri në proporcion, natyrisht me kushtin që të ketë aplikime të konsideruara nga komisioni përzgjedhjes, si aplikime me potencialin për t’u mbështetur financiarisht dhe për t’u zhvilluar më tutje.

Në ndërkohë këtu në Elbasan kemi 27 shkolla që kanë tanimë laboratorët inteligjentë, ku që në hapat e para fëmijët fillojnë hyjnë në botën e kodimit. Këtu në Elbasan kemi dhe një personazh që nuk i merr kreditet e duhura për gjithë sa po flasim, që është Bora Muzhaqi, e cila për shumëkënd është një meme e famshme, por për mua dhe për rrugën e këtij programi është një protagoniste pa të cilën ne nuk do kishim bërë shumëçka që bëmë në hapat e parë dhe për këtë arsye dua që ta sjell këtu shembullin dhe kontributin e Borës, por njëkohësisht edhe ta nxis Borën që të përdori eksperiencën e krijuar nga puna në këtë fushë për të nxitur, inkurajuar, mësuar sa më shumë të rinj në qarkun e Elbasanit që të bëjnë aplikimet e duhura dhe njëkohësisht t’ju nxis dhe juve që t’i qepeni Borës që t’ju ndihmojë, për të kuptuar në rastet kur nuk ju funksionon aplikimi se si mund të bëni një aplikim fitues.

Dhe në fund fare dua ta mbyll aty ku e filloi Ariani, me atë që dy çunat që prezantuan aplikimin e tyre të suksesshëm e quajtën fillim i hidhur sepse në herën e parë nuk arritën dot të fitojnë. Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, sidomos djemtë shqiptarë, jo aq shumë gratë dhe vajzat, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është dikush që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin që i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë ju ka marrë atë që ju takonte, se këtu nuk i jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para e se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi e të tjera e të tjera, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës.

Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes edhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh, duke fantazuar ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që dhe të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar në ndeshjen e ardhshme. Dhe për më tepër në këtë rrugë, parafytyroheni se sa shumë konkurrencë do të ketë vit pas viti dhe sa shumë konkurrencë ka në këtë botë, për të kuptuar se që të jesh tek pjesa fituese nuk është rregulli, por është përjashtimi. Dhe për të kuptuar se pastaj që të ëndërrosh, që të krijosh një unikorn duhet të jesh përjashtim i përjashtimeve, por ama kjo botë është pikërisht e ëndërrimtarëve që guxojnë dhe patjetër që nëse dikush ka një ëndërr që e shikon me sy hapur, e shikon sepse mund ta realizojë. Unë nuk kam parë ndonjëherë me sy hapur ëndrrën që të bëhem këngëtar, sepse nuk më ka ardhur ajo ëndërr ngaqë s’ka pasur kushte organizmi dhe mendja që ta prodhojë këtë ide, por kur ti me sy hapur shikon që mund të dalësh në një majë, është vetëm çështje vullneti dhe force për të dalë, se të gjithë shohin ëndrra, por jo të gjithë i realizojnë sepse jo të gjithë janë të gatshëm që të bëjnë të gjitha sakrificat që ëndrra kërkon për të arritur që të të lejojë ta prekësh dhe në botën e teknologjisë të gjithë janë në të drejtën e tyre që të shohin ëndrra të mëdha. Të gjithë janë në të drejtën e tyre që të ëndërrojnë që të jenë Steve Jobs i radhës duke filluar nga Steve Jobs i shkollës, Steve Jobs i Elbasanit, Steve Jobs i Shqipërisë e pastaj me radhë e me radhë. Normale fare! Por ama, që mundësia për t’ia dalë sot falë teknologjisë është po aq e jashtëzakonshme sa dhe vetë shpejtësia e teknologjisë, është diçka që duhet të mos e harroni për asnjë çast dhe duhet ta mbani parasysh sa herë që mendoni se çfarë do bëj nesër dhe natyrisht këtu flas për ata që kanë një talent në këtë në këtë drejtim dhe ju që jeni këtu, besoj që jeni këtu pikërisht sepse në një mënyrë ose në ndonjë tjetër e dëshironi këtë fushë, besoni tek kjo fushë.

Kështu që duke ju uruar shumë sukses atyre që kanë fituar, duke ju uruar durim edhe kurajë edhe kokëfortësi atyre që nuk kanë fituar, duke ju kujtuar të gjitha vajzave që janë këtu të pranishme se numri i vajzave fituese në këto thirrje është rritur dhe vazhdon të rritet, ju uroj çdo të mirë, çdo sukses dhe uroj që ta ktheni Elbasanin në një vend që të tregohet nga larg si vendi i shumë startup-eve dhe i shumë vajzave dhe djemve që krijojnë mirëqenie për vete dhe për qytetin, duke qëndruar besnikërisht këtu dhe duke dalë jashtë pastaj për qejf apo për ndonjë qokë romantike.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.