Fjala e Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së shpërndarjes së lejeve të legalizimit në Elbasan:
Faleminderit shumë!
Ishim sot, gjatë gjithë paradites, në zonën tuaj. Jam shumë i kënaqur që më në fund u çel rruga për të mbyllur një plagë të madhe të Elbasanit, të gjithë zonës ku ju banoni. Një plagë që ka munduar shumë, për vite të tëra, organizmin e gjithë kësaj zone, plagën e fushës së plehrave që, siç e dini ju fare mirë, çdo natë, prej njëzet e kusur, vitesh e mbyt qytetin dhe zonën përreth me lëndët helmuese që gjenerojnë nga djegia në rrugë e plehrave.
Kështu që sot, ne e vizituam kantierin e sapohapur për të ndërtuar një impiant të ri teknologjik, i cili është impianti i parë i këtij lloji në vendin tonë, i standardeve më të larta, për të garantuar jo vetëm asgjësimin me cilësi të lartë dhe pa gjenerim lëndësh helmuese të plehrave, por edhe për të gjeneruar energji përmes djegies së plehrave, një pjesë e së cilës do të shkojë edhe për serat, duke i ofruar fermerëve që kultivojnë produkte përmes serave, energji me një çmim shumë më të ulët.
Thënë kjo, ne sot kishim planifikuar edhe këtë takim, sepse siç e dini, Elbasani ka një peshë të konsiderueshme të barrës së ndërtimeve pa leje dhe zona informale. Duke parë shifrat e 8 viteve të shkuara, vura re se në më pak se një vit që Drejtoria e ALUIZNI-t është në punë, pasi periudhën e parë u desh të merrej i gjithë ekipi i ri me rigjetjen dhe risistemimin e dokumenteve që ishin lënë rrugëve, janë bërë në Elbasan më shumë legalizime sesa në tetë vite të marra së bashku. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë, sepse numri i vetë deklarimeve këtu është shumë i madh dhe numri i familjeve që presin më në fund të legalizohen është po ashtu i konsiderueshëm.
Sidoqoftë, edhe sot, ku do të shpërndahen 550 leje të tjera legalizimi, ne kemi krenarinë të themi se zotimet tona po i mbajmë me gjuhën e fakteve konkrete dhe se këtë zotim, legalizimin falas për të gjithë familjet që jetojnë në zonat informale, ne do ta mbajmë plotësisht. Nuk do të mbetet asnjë familje që ka ndërtuar një shtëpi, për të jetuar më mirë në këto zona, pa u legalizuar dhe pa u kthyer në pronare legjitime e mundit të vetë.
Së fundi, dua të bëj një falenderim për punonjësit e ALUIZNI-t që këtu kanë përballuar një fluks shumë të madh pune dhe që ia kanë dalë me sukses të japin përgjigje të shpejta për të gjithë ju dhe për ata si ju, që tetë vjet rresht mbetën dyerve të ALUIZNI-t duke paguar mbi dorë e nën dorë dhe nuk e morën kurrë lejen e legalizimit. Ndërkohë që jeni të gjithë dëshmitare që tani ALUIZNI ka ardhur vetë në shtëpitë tuaja, ka bërë matjet, ju ka ndihmuar të plotësoni formularët dhe rezultati i kësaj pune dhe i këtij shërbimi nga ana e ALUIZNI-t është edhe dhënia e këtyre lejeve sot.
Faleminderit!
Tani, siç e keni parë edhe në televizor, po bëjmë një shpërndarje simbolike të disa lejeve, ndërkohë që të gjitha lejet që janë këtu sot do t’i merrni, se keni kaq vite që prisni dhe unë e di që nuk do ikni pa i marrë sot. Por, kjo bëhet edhe për të përcjellë tek të gjithë ata që njësoj si ju presin të legalizohen, mesazhin që ne këtë proces po e çojmë përpara dhe që hap pas hapi, të gjitha lejet do të jepen dhe legalizimet do të kryen falas, siç jemi zotuar.
***
Në Elbasan u shpërndanë sot 550 leje legalizimi për banorët e zonave informale, duke përmbushur kështu dhe një nga premtimet kryesore të kësaj mazhorance, legalizimin falas.
I pranishëm në këtë takim ishte Kryeministri Rama i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe deputetë të këtij qarku.
Në një vit e gjysmë Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t në Elbasan ka përpunuar gjithsej 3500 dosje, 550 prej të cilave iu shpërndanë sot qytetarëve, aq sa janë shpërndarë në tetë vitet e kaluara të marra sëbashku. Ndërsa pjesa tjetër e dosjeve të përpunuara janë në proces për t’iu dorëzuar qytetarëve. Proces ky, që po vijon dita ditës.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, solli në vëmendje disa nga problematikat që mbart zona e Elbasanit sa i përket procesit të legalizimeve, të cilat po marrin zgjidhje falë ndërhyrjeve të duhura që po kryhen. Më konkretisht ai theksoi se vetëm fillimi i punës në landfill-in e Elbasanit hap rrugën e legalizimit në 2-3 zona informale, të cilat deri tani konsideroheshin të palegalizueshme për shkak të ndotjes. “Një zonë e tillë është zona e përroit të Zaranikës, e cila ka qenë e braktisur dhe që unë dëshiroj t’ju them këtu se ne e kemi marrë shqetësimin tuaj që përpara 2-3 javësh, e kemi diskutuar për ta futur si zonë informale. Çështja e landfill-it të Elbasanit hap rrugën e legalizimit në 2-3 zona të tjera informale, të cilat janë konsiderua deri më sot si zona të ndotura në të cilat nuk kryheshin legalizimet.”- theksoi Lame. Një tjetër problematikë, sipas tij, është edhe legalizimi i ndërtimeve pa lejë brenda zonave të mbrojtura të qyteteve, çështje për të cilën ALUIZNI është duke bashkëpunuar me Institutin e Monumenteve, me qëllim mundësimin e legalizimit për këto objekte. “Ajo që po bëjmë ne në këto moment është që bashkërisht me Institutin e Monumenteve të gjejnë një rrugë të mesme, t’u themi këtyre qytetarëve që bëni këto ndryshime të duhura në projektin e asaj që keni ndërtuar dhe ne kemi mundësinë t’ju fusim në legalizim” – tha Artan Lame.
Në vijim, Kryeministri Rama u dorëzoi personalisht qytetarëve disa prej 550 lejeve legalizimit, shumë prej të cilëve kishin aplikuar për legalizimin e shtëpive në vitet 2005-2006.
Zoti Tajar Brahja ishte një ndër qytetarët që mori lejen e legalizimit, i cili tha se aplikimin e kishte bërë që në vitin 2005. “Aplikimin e kam bërë 10 vjet më parë dhe jam sorollatur nëpër të gjithë dyert e ALUIZNI-t”.
Qemal Çota, nga Bashkia Librazhd, ishte një tjetër kryefamiljar që mori lejen e legalizimit. Në qytetin e Librazhdit, sipas të dhënave nga ALUIZNI, Kryeministri theksoi se në 8 vjet, nga viti 2005 në vitin 2013, qeveria e asaj kohe ka dhënë vetëm 1 leje legalizimi. “Kam 20 vjet që e pres këtë ditë” – u shpreh Qemal Çota, ndërsa merrte lejen e legalizimit.
Në vitin 2006 kishte aplikuar edhe familja e Syrja Hasanit, në Elbasan. “Kënaqësi e madhe sot për mua që marr këtë certifikatë pronësie. Ju falenderoj shumë ju dhe Drejtorinë e ALUIZNI-t. Kam aplikuar që në vitin 2006. Tani nuk paguam asgjë, e morëm falas lejen e legalizimit, se na thoshin do paguani 5 milionë. E morëm falas. Faleminderit shumë!” – tha zonja Hasani.
Tomorr Topuzi, nga Labinot Fushë, mori lejen e legalizimit për një objekt të ndërtuar për qëllime biznesi. “Me marrjen e kësaj pasurie, – tha ai,- janë 22 vjet punë. Marrja e lejes i jep vlerë atij biznesi, asaj pasurie të krijuar me sakrifica. Është e paimagjinueshme”.
Ndërsa shpërndante lejet e legalizimit, Kryeministri siguroi edhe njëherë të gjithë qytetarët, në të gjithë vendin, se procesi po ecën përpara, hap pas hapi po jepen të gjitha lejet e legalizimit falas, siç kjo qeveri është zotuar.