Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Elbasan, puna për rikualifikimin e blloqeve të banimit vijon me infrastrukturën e brendshme. Një pjesë e madhe e lagjeve janë kthyer në kantier, për t’u riorganizuar nga ana urbane e për t’u kthyer në modele të reja të banimit.

Në një nga këto kantiere ishte edhe Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, për të ndjekur realizimin e punimeve deri në këtë fazë.

“Në gjithë lagjet e brendshme të Elbasanit po bëhen investime. Projektet që ne do nisim shumë shpejt do jenë e ardhmja e zhvillimit të infrastrukturës së brendshme të gjithë zonës. Kemi mbyllur infrastrukturën kryesore të qytetit, bulevardin dhe rrugët kryesore. infrastruktura e brendshme e lagjeve ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e çmimit të banesave, mirëqenien e të gjithëve. Do bëhen dhe kënde lojërash për fëmijët. Projektet që po bën Bashkia e Elbasanit për zonat e brendshme të lagjeve  janë të një standardi që përfshijnë gjithçka, kanalizimet e ujërave të zeza, ujërat e bardha, ndriçim LED, vendosje e gjelbërimit, vendosja e parkimeve të brendshme”, – tha kryebashkiaku i Elbasanit.

Një tjetër rrugë, e cila po rehabilitohet në Elbasan është edhe rruga “Iliaz Kosova”, të cilën Kryeministri dhe kreu i Bashkisë së Elbasanit e përshkuan në këmbë. “Janë shumë rrugë sekondare në gjithë Shqipërinë që kanë nevojë për ndërhyrje, por hap pas hapi e sipas mundësive, se po të kishim mundësi për më shumë, nuk do i kishim lënë pa bërë. Duhet të rrisim mundësitë e hap pas hapi do investojmë më shumë”, – nënvizoi Kryeministri.

Investimet në lagjet e brendshme të qyteteve jo vetëm do të rrisin cilësinë e jetës së banorëve, por do të rrisin edhe vlerën e apartamenteve apo pronave të qytetatëve, Gjithashtu do t’i vijnë në ndihmë edhe bizneseve të vogla. “Rruga “Iliaz Kosova” është një rrugë kryesore në lagjen Skëndërbej. Janë gati 2400 banorë që përfitojnë në mënyrë të drjetpëdrejtë nga 1.7 kilometra rrugë që po rehabilitohet totalisht. Rehabilitimi i fundit ishte i para viteve 2000. Kishte ardhur momenti që duhej rehabilituar totalisht”, – tha kryebashkiaku Llatja.

***

Një tjetër investim i rëndësishëm në Elbasan është edhe konvikti i  vajzave, i cili është rindërtuar nga fillimi në kuadër të Paktit për Universitetin. Gjatë vizitës së tij në Elbasan, Kryeministri Rama u ndal edhe në këtë konvikt ku pa disa nga ambientet që do të vihen në dispozicion të studentëve, sapo mësimi në universitete të fillojë fizikisht.

‘Ky është loti i parë i rikonstruktuar nga bashkëpunimi me qeverinë turke, me TIKA-n. Në bazë të programit të Paktit për Universitetin është projekti i parë që po zbatohet në Elbasan, pastaj janë dhe pjesa tjetër e konvikteve. Është bërë me një standard shumë të mirë. Kushtet kanë qenë të degraduara para 1 viti. Kapacitet aktualisht është deri në 160 persona.   Janë dhomat për personat me aftësi të kufizuara, me gjithë infrastrukturën e brendshme dhe të tualeteve. Janë bërë dhomat e lavanterisë ku të gjithë përodruesit e shërbimeve mund të kenë akses në lavanteri. Është një projekt i plotë që ka krijuar kushte shumë të mira për gjithë studentët që do akomodohen sapo studentët të jenë fizikisht të pranishëm në auditorë”, – tha kryebashkiaku i Elbasanit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.