Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë gëzuar Vitin e Ri! Qoftë ai që vjen një vit edhe më i mirë dhe pse jo, më i miri vit që keni pasur!

Jemi këtu për paketën e solidaritetit të fundvitit dhe shprehimisht për dëmshpërblimet për përmbytjet që prekën familjet tuaja dhe që goditën edhe një herë, një zonë ku përmbytjet, – ju e dini shumë më mirë sesa ne, – kanë qenë të vazhdueshme për shkak të një shkatërrimi të madh që ka ndodhur.

Sigurisht që jemi në vite ndryshimesh klimaterike, këtë e dimë të gjithë. Jemi në vite kur moti nuk është më ai që ka qenë dikur dhe ka kapërcime të paparashikuara dhe të paparashikueshme. Por, kur vjen puna tek përmbytjet në vendin tonë, ato janë të lidhura edhe me hakmarrjen e natyrës për shkak të gjithë barbarive që kanë ndodhur me pyjet, me shtretërit e lumenjve, me kanalet kulluese, me veprat e infrastrukturës, të cilat janë dëmtuar rëndë. Por edhe me furinë e ndërtimeve të pakontrolluara, që shpesh i kushtojnë jo pak njerëzve, të cilët janë nisur për të ndërtuar një banesë, duke qenë më afër qyteteve, më afër rrugëve të ekonomisë dhe të zhvillimit, por për vite të tëra nuk janë orientuar si duhet. Përkundrazi, janë inkurajuar që të ndërtojnë ku të munden.

Në Shqipërinë e këtyre 20 e kusur viteve ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur as në Shqipërinë e kohës së Skënderbeut, as në Shqipërinë e kohës së Ilirëve, që njerëzit të ndërtonin deri dhe mbi lumë, për shkak se ata që duhet t’i udhëhiqnin iu thanë “ndërtoni kudo, ndërtimi është bereqet, edhe mbi lumë mund të ndërtoni”. E për fat të keq, gjithë ato investime, gjithë ato shpenzime, gjithë ato kursime gjaku e mundi të madh i merr edhe lumi në kohë të caktuara.

Nga ana tjetër, ne nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë, nuk mund të bëjmë sikur nuk dëgjojmë dhe mbi të gjitha nuk mund të bëjmë atë që bënë ata që ishin përpara nesh; Atë që ata zgjodhën si mënyrën për t’u sjellë me njerëzit, duke u shfaqur në derën e tyre për të dalë në televizor me çizme në momentin e përmbytjes dhe pastaj duke u zhdukur pa kthyer kokën pas, me të dalë dielli.

Ne nuk i kemi mundësitë të pakufizuara, nuk bëjmë dot gjithçka që do të dëshironim të bënim, sepse edhe shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria është si shtëpia juaj. Edhe ju do të donit që të kishit kushte shumë më të mira sesa ato që keni, por jeni të vetëdijshëm se gjendjen e shtëpisë mund ta përmirësoni vetëm hap pas hapi, duke kursyer, duke u përpjekur dyfish, duke përballur me durim dhe me sakrifica vështirësitë ekonomike.

Ne morëm një shtëpi që ishte e zhytur në borxhe, me themele që ishin vendosur në ajër, një shtet që vetëm shtet nuk mund të quhej dhe kemi filluar të forcojmë themelet dhe të bëjmë hap pas hapi, shtetin që duhet të sillet njësoj me të gjithë dhe duhet t’i garantojë të gjithë, pa harruar asnjë. Por sigurisht që kjo kërkon kohë, kërkon mund dhe durim shumë të madh. Nuk mund të bëhet për tre vjet e pak, ajo që nuk u bë në njëzet e ca vjet dhe nuk mund të rindërtohet në tre vjet e pak, ajo që u shkatërrua në njëzet e ca vjet.

Ju jeni të vetëdijshëm që ne kemi filluar të investojmë për ta transformuar Bashkinë e Krujës. Kemi filluar të investojmë brenda mundësive që kemi, por duke mos e lënë asnjëherë veç mënjanë as Krujën dhe asnjë bashki tjetër, ku ne duam të ndërtojmë njësi të rëndësishme ekonomike pas reformës administrative-territoriale. Reformë që na dha mundësinë që afro 400 komuna dhe bashki t’i kthenim në 61 njësi.

Kruja ka potenciale shumë të mëdha. Potenciale historike, natyrore dhe patjetër edhe njerëzore. Por ajo që është bërë me Krujën, është e pashembullt në histori. Siç ia hëngri malet Saliu Krujës, asnjë sulltan dhe të gjithë sulltanët bashkë nuk ia hëngrën. Malet i gjetën aty dhe i lanë aty. Ndërkohë që një zonë kaq e rëndësishme e historisë jo vetëm të Shqipërisë dhe një pikë kaq e mrekullueshme për nga pikëpamja e bukurisë natyrore, në 20 e kusur vite u kthye në një platformë guroresh dhe çimentoje, prej ku mund të kenë fituar pak njerëz, mund të jenë punësuar edhe shumë njerëz, por ka humbur gjenerata tjetër. Sikundër ka humbur vite të tëra e gjithë kjo zonë, që sot ne kemi filluar ta rikuperojmë hap pas hapi, duke qenë të vetëdijshëm se nga ana tjetër duhet të ruajmë edhe disa ekuilibra të ekonomisë dhe të punësimit, që janë të vendosur aty.

Një gjë është e sigurt, që ajo që kemi thënë do të bëhet dhe që ç’ka ne do të bëjmë për Krujën dhe kemi filluar ta bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, nuk do të jetë e krahasueshme me çfarë u bë në 20 e ca vjet bashkë. Do të jetë shumë më tepër. Shumë shpejt do të fillojmë edhe rrugën që lidh Thumanën me Krujën. Një rrugë që sot është një shteg i pakalueshëm dhe që ka izoluar një zonë të tërë, është përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Do të vazhdojmë të investojmë në zonën historike, si dhe poshtë këtu në Fushë-Krujë ku ju jeni dëshmitarë që kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme. Po ashtu kanë ndodhur ndryshime dhe në aspektin e punësimit. Kanë vazhduar të hapen njësi ekonomike më të vogla, pak më të mëdha dhe potenciali është për të bërë ende më shumë.

Por sot, ne jemi këtu për t’u thënë të gjitha familjeve që u përmbytën dhe që pësuan dëme nga 100 mijë lekë [të vjetra] deri në 6-7 milionë lekë [të vjetra], se jo vetëm ne nuk i harruam, por para mbylljes së vitit do i dëmshpërblejmë një për një. Do i dëmshpërblejmë një për një, sepse nuk mund të bëjmë atë që bënë në të shkuarën, ata të cilët lanë në kurrizin tonë edhe një mal me borxhe përsa i përket pikërisht këtyre detyrimeve.

Borxhe nga të katër anët. Borxhe ndaj kompanive që i morën të ndërtonin rrugë dhe i lanë rrugëve bashkë me rrugët; Borxhe ndaj sipërmarrjeve që i morën për të furnizuar spitalet me ilaçe, për të furnizuar shkollat me materiale shkollore dhe i lanë rrugëve; Borxhe sipërmarrjeve për detyrime të ligjshme, për rimbursimin e TVSH-së e kështu me radhë; Borxhe, personave me aftësi të kufizuar, paratë e të cilëve i bënë rrush e kumbulla për fushatë elektorale; Borxhe, edhe atyre që ishin përmbytur në vite. Një mal me borxhe.

Ne sot jemi krenarë për faktin që nuk dëmshpërblejmë vetëm ju që u përmbytët pak kohë më parë, por edhe të tjerë që mbase e kishin humbur përfundimisht shpresën se do të merrnin ndonjëherë paratë e dëmeve për përmbytjet që u kanë ndodhur vite më parë. Që të gjithë bashkë, për të dhënë një mesazh shumë të qartë, që, nëse nuk e bëjmë dot diçka menjëherë, jo se ne nuk duam, apo jo se ne harrojmë, por se nuk mundemi dhe sapo të na jepet mundësia, ne jemi pranë njerëzve, me mesazhin e qartë: Ne nuk harrojmë asnjëherë detyrimet tona!

Unë e kuptoj shumë mirë që njerëzit kanë kaq shumë vite që presin, saqë ju ka humbur shpeshherë durimi për të pritur akoma më shumë. Sepse duam me të drejtë që ajo që kanë pritur 20 e ca vjet të bëhet tani, të bëhet menjëherë dhe të bëhet e gjitha. Po kjo nuk është  e mundur. Sa herë që njerëzit kërkojnë që kështu të ndodhë, duhet të kthejnë kokën e të shohin shtëpinë e tyre, sepse është e njëjta gjë. Sa herë që vajza e djem të rinj shkruajnë në komentet e tyre nëpër rrjetet sociale dhe ankohen e ankohen, duhet të shikojnë shtëpinë e tyre dhe të pyesin prindërit, si ka mundësi që nuk e kemi shtëpinë më me shumë kate, më me shumë kushte, që nuk e kemi më të bukurën në lagje. Dhe nga prindërit do të mësojnë se nuk ka mundësi, për arsye se këto janë të ardhurat dhe kështu ato shpenzohen dhe se nuk mundet dot të plotësojmë të gjitha ëndrrat e dëshirat tona, duke dalë e marrë borxhe, sepse mund të na ndodhë që në fund, jo ta rregullojmë, por ta humbin edhe shtëpinë që kemi.

E njëjta gjë vlen për prindërit. Për ata prindër që me të drejtë thonë, ne duam që fëmijët tanë të kenë kushte edhe më të mira seç kanë, duam që fëmijët tanë ta kenë shkollën me ngrohje, duam që fëmijët tanë të kenë në shkollë, ato që kanë fëmijët në Gjermani, Zvicër, Francë, Itali, duam që kur fëmijët tanë të mbarojnë shkollën, të gjithë ta kenë punën  gati. Por, edhe në këtë rast, të gjithë duhet të shikojnë shtëpinë e tyre dhe të thonë se ku ka prind që nuk do që shtëpia ku ai rrit fëmijët të jetë më e bukur, por ama, nëse nuk është ashtu siç prindi e do për fëmijën, kjo nuk vjen sepse prindi nuk do, por sepse këto janë mundësitë.

Njësoj si shtëpitë e ndërtuara. Ka shumë shtëpi të ndërtuara në vite, që sot e gjithë ditën nuk e kanë akoma çatinë. Ka shumë shtëpi të ndërtuara në vite, që në katin e parë banohet, në katin e dytë akoma nuk janë hedhur muret, apo në katin e tretë janë akoma shtyllat që presin të vendosen muret dhe të vendoset çatia, sepse duhet kohë. E mbi të gjitha nuk mundesh dot të zhytesh në borxhe të atilla që nuk i shlyen dot, për ta bërë shtëpinë të gjithën menjëherë, se në fund e humbet.

Ky është realiteti në të cilin ne jetojmë sot. Por ne nuk mund të pranojmë që të vijë kushdo qoftë dhe të na mbajë leksione dhe aq më pak, ata që i kemi parë se çfarë kanë bërë. Ishin në qeveri dhe e patën mundësinë të tregojnë se çfarë dinë të bëjnë dhe jo vetëm për atë që bënë, shqiptarët i morën dhe i nxorën jashtë nga zyrat, por sot nuk pranojnë se nuk e  kanë bërë mirë, atë që bënë. Iu thonë shqiptarëve, ishim më mirë kur ishim më keq, prandaj të kthehemi aty ku ishim.

Ashtu sikundër nuk mund të pranojmë leksione nga kush nuk i ka thënë njëherë punës, mirëmëngjes! Apo nga kush nuk e di çfarë është puna dhe si ndërtohen me punë, themelet e një shtëpie dhe si hidhet me punë, çatia e shtëpisë. Mbi të gjitha nuk mund të pranojmë që qoftë dhe në një sektor të vetëm nuk kanë ndodhur ato ndryshime që, nëse nuk janë të mjaftueshëm për t’ju ofruar njerëzve, atë që njerëzit meritojnë, sot për sot janë të mjaftueshme për të kuptuar se kjo është rruga, për të arritur aty ku duam.

Nuk është faji ynë që erdhëm në ketë detyrë me kaq vite vonesë. Nuk është faji ynë që na duhet të ndërmarrim reforma, që po të ishin bërë 20 e ca vite më përpara, nuk do ishim sot në këtë situatë, duke diskutuar këto probleme që diskutojmë, por do ishim në një situate tjetër dhe sigurisht do kishim probleme të tjera, por jo këto. Nuk është faji ynë, që nuk doli një qeveri, në 20 e ca vjet, t’ju thotë njerëzve mos e vidhni energjinë elektrike, sepse vidhni veten, sepse duket sikur ua hidhni të tjerëve, por në fakt ia hidhni fëmijëve tuaj. Vetëm nga paratë që do ishin kursyer, nëse të gjithë do kishin paguar energjinë elektrike qysh 20 vjet përpara, sot do i kishim ndërtuar dhe përfunduar të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ambulancat e Shqipërisë. Por nuk e bënë këtë. Bënë të kundërtën, na thanë se nuk ka problem, lidheni telin tek shtylla e rrugës, se rruga është mall pa zot dhe dritat nuk vijnë nga puna, por nga qielli dhe qielli është i të gjithëve.

Na u desh të bëjmë një reformë shumë të dhimbshme. Unë di shumë mirë që edhe në këtë zonë ka pasur njerëz, të cilët e kanë pasur shumë të vështirë që të shlyejnë detyrimet. Por, nga ana tjetër, ajo që po ndodh është se për herë të parë vjet,  kompania nuk merr më para nga arka e shtëpisë sonë të përbashkët, për të mbajtur në këmbë sistemin dhe për të sjellë dritat nëpër shtëpi, por, përkundrazi, me paratë e kontributit të të gjithëve ka filluar të investojë në përmirësimin e gjithë rrjetit.

Edhe këtu në këtë zonë ka nevojë për një nënstacion. Ka vite të tëra që ka nevojë për këtë nënstacion dhe nuk është bërë. Me çfarë do bëhej?! Sot, unë ju them që ne kemi gati dhe do të financojmë projektin e nënstacionit, për arsyen thjeshtë se sot, kompania e ka këtë mundësi, pasi njerëzit paguajnë për atë që konsumojnë.

Nuk është faji ynë që nuk doli një qeveri tjetër 20, 15, 10 apo dhe 7 vite përpara dhe të thoshte se nuk mund të shkojmë të gjithë në shkollë të lartë e të bëhemi juristë, sepse na duhen edhe elektricistë, marangozë, axhustatorë, frezatorë, mekanikë, teknikë bujqësie, nafte etj.. 10 herë më shumë universitete për frymë sesa Anglia, Gjermani po e po. Dhe si rezultat prodhuam numrin më të madh të juristëve për kilometër katrorë në botë. Mirë që prodhuam gjithë këta juristë, por nuk është se rregulluam edhe gjykatat. Gjykatat copë-copë, juristët edhe më copë. Kur vjen puna për zanatçinj, nuk ka. Të duhet të rregullosh diçka në shtëpi, të nevojitet hidraulik, por të vjen jurist. Të duhet elektricist, ke vetëm jurist.

Ne kemi një sfidë shumë të madhe me papunësinë, por si mund ta pranoj që të thonë se sot, në Shqipëri ka më shumë papunësi, seç kishte para tre vjetësh. Kjo është gënjeshtër! Ashtu sikundër, si mund të mos them të vërteten, që një nga shkaqet kryesore të papunësisë në Shqipëri është pikërisht se për 20 e ca vjet nuk iu dha njerëzve asnjë lloj zanati, por u lanë rrugëve, me diploma që nuk kanë asnjë vlerë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet.

Ua kam thënë edhe këtyre që dalin dhe këndojnë poemën e mjerimit në parlament, – se nuk dinë të këndojnë asgjë tjetër, a thua se mjerimin e zbuluan ditën që ranë nga kali dhe nuk e kalëruan me vite me radhë, pa bërë asnjë reformë, – shkoni nga Zogu i Zi deri në Durrës. Trokisni në një ndërmarrje, ose në të gjitha ndërmarrjet që janë në të dy anët e rrugës dhe gjeni një ndërmarrje të vetme që nuk ka vende pune. Gjeni një ndërmarrje të vetme, ku të dalë pronari e të thotë “këtu s’ka asnjë vend pune”. Përkundrazi, ka ndërmarrje që kanë edhe 50, 60 vende pune bosh. Bosh, sepse iu duhen teknikë të mesëm, iu duhen zanatçinj dhe jo juristë.

Sot, ne e kemi nisur këtë proces. E morëm arsimin profesional, aty ku mësohen zanatet, me 3 mijë nxënës. Edhe ata ishin viktima, të regjistruar kot, pasi shkonin tek shkolla elektrike dhe as poç nuk kishte në shkollë, për të mësuar nga vjen korrenti. U thoshte profesori; e shihni atë shtyllën atje? E shihni atë telin që shkon tek dritarja atje? Si mund të bëhet dikush elektricist në këtë mënyrë!

Sot kemi 27 mijë nxënës që kanë hyrë në rrugën e  zanateve. Nuk e kemi mësuar sot,  që Shqipëria është vend i pasur me naftë, që Shqipëria është vend i pasur me minerale, që Shqipëria është vend përrallor për turizëm, por ma tregoni, përse nuk patëm një shkollë për teknikët e naftës, nuk patëm një shkollë për tekniket e  minierave, patëm një shkollë të mirëfilltë për turizmin, – jo shkollë kot, ku nxënësit dhe mësuesit shkojnë për turizëm në shkollë, por shkollë për turizmin.

Të gjitha këto bashkë na çojnë drejt asaj që duam, por nuk mund të bëhen të gjitha menjëherë. Se nuk mund të na i japin të gjitha rezultatet menjëherë. Por rezultatet kanë filluar të vijnë. Po investohet sot si asnjëherë tjetër në rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Problemi, – ju e dini shumë mirë, – ishte, e paguaje apo e vidhje, kur të vinte energjia, të dridhej poçi si pulë e lagur nga lëkundjet e tensionit, sepse rrjeti ishte copë-copë. 85% e rrjetit ishte që në kohën kur u bë elektrifikimi.

Kjo është historia.

Sot, ne po bëjmë investime falë këtij ndryshimi. Më shumë do të bëjmë akoma. Kështu mund të flas për të gjithë sektorët,por nuk po zgjatem se jemi këtu për dëmshpërblimet. Jam i bindur që ka këtu njerëz që kur e kanë dëgjuar, kanë thënë “nuk do bëhet”. Ka ndër ju që kanë besuar, por ka që nuk kanë besuar. Ka edhe që nuk kanë ardhur këtu në takim, pasi kanë thënë se nuk ka për t’u bërë prapëseprapë. Ne ndajmë legalizime dhe ka njerëz që nuk vijnë t’i marrin se thonë “nuk janë të vërteta”. Kaq shumë janë ushqyer në rrena këta njerëz për 20 e ca vjet, sa tani është shumë e vështirë për disa, që e vërteta më e prekshme të mos u duket rrenë. Ka njerëz, me siguri edhe unë këtu, që iu dukem sikur s’jam prej vërteti. Por e vërteta është që dëmshpërblimet për të gjitha familjet e regjistruara dhe për të gjitha dëmet regjistruara këtu në këtë zonë dhe në të gjithë Shqipërinë, të trashëguara, do të jepen deri në qindarkën e fundit.

Cila qeveri më parë është kthyer mbas përmbytjeve, siç u kthyem ne në zonën e Fierit dhe të Vlorës dhe jo një herë e vetëm për t’ju thënë “a po ngroheni mirë në diell”. Por u kthyem për t’ju zëvendësuar kokë për kokë, çdo pulë, çdo dhi, çdo dele, çdo lopë. Ashtu siç i humbën, i morën. U kthyem për t’ju dhënë paratë në dorë, qindarkë për qindarkë. Siç ishin regjistruar dëmet, i morën. U kthyem për të filluar investimet në të gjithë shtratin e Vjosës, që po mos të ishin bërë ato investime gjatë këtij viti, përmbytja atje do ishte njësoj si ajo që ndodhi pak kohë më parë, por arritëm ta frenojmë.

Edhe këtu, ne e dimë që mund të ketë prapë përmbytje përsa kohë nuk do kemi sistemimin e plotë të lumit. Unë e di që secilit, pragu i shtëpisë i duket me të drejtë pjesa më e rëndësishme, por ama secili duhet të shohi pak edhe përtej pragut të shtëpisë, kur na gjykon ne. Nuk duhet të gjykojë vetëm tek pragu i shtëpisë. Ka plot njerëz që sot me të drejtë thonë, unë ia kam dhënë votën këtij, por unë nuk kam parë asgjë. Është e vërtete! Ka shumë njerëz që konkretisht vetë nuk kanë parë asnjë gjë. Ama në vlerësimin e punës tonë besoj se nuk duhet të shohin vetëm te pragu i shtëpisë, por duhet të shohin pak më larg.

Arturi kur ishte i ri, që kandidoi për herë të parë,  kur shkuam në Thumanë, më tha t’ju premtoja rrugën Thumanë-Krujë. Me çfarë ta bëj? – e pyes.

S’ka gjë, premtoja se do bëhet.

Jo, – i thashë, nuk e premtoj se nuk e bëjmë dot.

Ne ishim në opozitë. Faktikisht, sot, unë po e them për herë të parë që do e bëjmë dhe nuk po e them do e bëjmë duke patur parasysh mbas 7 vitesh, por duke patur parasysh që kemi dhënë lekët në buxhet. Rruga do fillojë vitin tjetër, por nuk e bënim dot përpara. Kështu duhet gjykuar.

Ai që është në Thumanë mund të thotë se rruga ka 25 vjet nuk po bëhet, por në momentin që shikon se u bë rruga hyrëse këtu, – kur hyje këtu duhet të kërkojë dhe shtëpinë tënde duke pyetur dhe jo më të gjeje shtëpinë ndonjërit që vjen për ta vizituar, –  kështu do shkojë duke u shtrirë më tutje e gjithë kjo histori.

Miqtë e mi, shumë faleminderit! Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që na japin besim, duke parë gjërat që bëjmë, por u jam dhjetëfish mirënjohës atyre që na besojnë, edhe pse akoma nuk kemi bërë dot asgjë për ta. U them vetëm kaq, nëse dikush mund të bëjë për ju, vetëm ne mund ta bëjmë. Të tjerët mund të bëjnë vetëm atë që kanë bërë gjithmonë dhe që dinë të bëjnë, t’ju shalojnë në rrena sa të mos ta merrni veten dhe për 20 e ca vjet të tjera.

Ju zgjidhni e merrni, por unë besoj që zgjedhja është shumë e qartë. T’i pyesësh ata në Thumanë se a ka më shumë rëndësi rruga atje apo lumi këtu, ata do thonë rruga. Të pyesësh atë që është tek lumi, thotë bëni lumin njëherë, se ata rrugën e kanë. Kështu që me radhë!

Kemi arritur dje 110 mijë legalizime. Qeveria e vjetër në 8 vjet bëri 21 mijë dhe 85% e më shumë e tyre ishin biznese, hotele, motele, restorante, lojëra fati, shatërvanë, pishina dhe vetëm pak më shumë se 10% ishin shtëpi. Ne, 110 mijë i kemi arritur dhe mbi 90% janë shtëpi të njerëzve në nevojë. Por nuk ka mbaruar. Ne dalim në televizor me këtë qëllim, që t’u themi njerëzve se kjo punë po bëhet, do vijë edhe tek ju dhe sa herë e bëjmë këtë, menjëherë vërsulen e thonë mua s’më është bërë etj.. Por me radhë.

Faleminderit!

* * *

Paketa e Solidaritetit përfshin edhe dëmshpërblimin e 2500 familjeve të përmbytura në vite, në 18 bashki të Shqipërisë.Kryeministri Edi Rama ishte sot i  pranishëm në nisjen e këtijprocesi në Fushë-Krujë.

 

Familja e Ardian Gjokesë është përmbytur pesë herë dhe në asnjë rast nuk është dëmshpërblyer, ndaj e kishte të vështirë ta besonte se këtë radhë realisht do  dëmshpërblehej. “Jemi përmbytur 5 herë, vetëm në letra kanë ngelur çdo gjë dhe këtë radhë e kemi pasur të pabesueshme.

Pesë herë është përmbytur edhe familja e Selim Karajt, por si edhe të tjerët nuk kishte marrë asnjëherë dëmshpërblim të dëmeve të pësuara. “Unë jam i përmbytur 4-5 herë gjatë këtyre viteve. Asnjë nuk ka ardhur të më shohë, nuk ka ardhur asnjë komision të më vlerësojë. Po kështu edhe biznesi i djalit që e kam këtu, as kanë ardhur ta shohin, as erdhën ta vlerësojë kush. Kësaj radhe, kur u thashë komshinjve të shkojmë ta vlerësojmë, më thanë se nuk vjen kush, mos shkoni kot se nuk bëhet.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.