Emetimi i Eurobondit 5-vjeçar me normën e interesit 5,75%, një normë më e ulët nga sa pritej në fillim të procesit konfirmoi ecurinë pozitive të reformave të ndërmarra dhe imazhin pozitiv të krijuar nga qeveria tek partnerët ndërkombëtarë.
Kjo u deklarua sot në takimin për informalitetin e Kryeministrit Edi Rama me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë ku të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani:
“Përfundoi me shumë sukses operacionit i Eurobondit, ku Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare dhe morëm atë që kërkonim në raport me Eurobondin e vjetër. Kemi tani një Eurobond të ri me 450 milionë euro dhe me 5,75% interes, që është treguesi më kuptimplotë i punës dhe imazhit që ka ndërtuar vendi në të gjithë këtë rrugëtim. Fakti që tregjet u përgjigjën me kaq pozitivitet në një klimë që nuk është më e favorshmja në tregjet financiare është përgjigja më e mirë dhe më solide për të gjitha pretendimet se ekonomia nuk po ecën mirë, se financat e vendit nuk janë të shëndetshme, se operacionet e qeverisë nuk po japin rezultatin e duhur dhe mbi të gjitha se reformat nuk janë të duhurat. E kundërta është e vërtetë. Pikërisht pse ne po bëjmë reformat e duhura, pikërisht pse konsolidimi i financave po vazhdon, pikërisht pse ekonomia po jep sinjale të qarta qëndrueshmërie dhe rritje të qëndrueshme një çështje tjetër madhësia e rritjes, përgjigja nga tregjet financiare ishte edhe më e mirë nga sa e parashikonin edhe më optimistët në grupin e punës për Eurobondin.