Eurobondi, vlerësim për gjendjen financiare të vendit dhe reformat

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Koordinator për hartimin e Planit Kombëtar “Shqipëria 2030”, Arben Ahmetaj: 

Kryeministri Edi Rama: Më vjen mirë që takohemi në këtë mjedis këtu, pas shumë kohësh. Sot, arsyeja besoj ia vlen simbolikës edhe të këtij ritakimi në këtë mjedis, sepse, megjithëse lajmet e mira në tërësi nuk janë prioritet i kronikës dhe kur vjen puna për lajmet e mira që lidhen me ekonominë aq me pak, por realisht, ne kemi marrë dje, një lajm shumë të mirë nga tregjet e kapitaleve. Fakti është që kemi arritur një rezultat që na inkurajon jashtëzakonisht shumë dhe që garanton Planin e ri Kombëtar “Shqipëria2030” për një transformim të mëtejshëm ekonomik dhe social, duke adresuar rindërtimin, rimëkëmbjen, sepse Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, del nga dy goditje njëra pas tjetrës, si dhe ambicien tonë për një shtysë të fortë përpara të ekonomisë dhe të punësimit në vitet e ardhshme.

Natyrisht, sapo ne të jemi gati në javët në vijim me Planin e ri Kombëtar, do të kemi një event të veçantë të prezantimit të tij. Siç e ka bërë me dije ministri i Shtetit që është edhe koordinatori i punës së të gjitha ministrive për Planin e ri Kombëtar, nuk do të jetë një program zhvillimi në letër, aq më pak një strategji në një dokument që duhet përkthyer pastaj në masa, por do të jetë një plan veprimi i kalendarizuar në afat të shkurtër, afat të mesëm dhe afat të gjatë.

Ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë në tregjet e kapitaleve është faktikisht ajo që ndodh me çdo vend, kur del në tregjet e kapitaleve, që merr vlerësimin për situatën në aspektin e të gjithë parametrave ekonomikë dhe po ashtu është shumë me rëndësi të nënvizohet, merr vlerësimin lidhur me riskun. Më vjen keq që ky lajm i jashtëzakonshëm nuk ka marrë vëmendjen e duhur, por më vjen edhe më keq që për atë pjesë të vëmendjes që opozita i ka kushtuar këtij lajmi ka vazhduar një avaz që në kët rast nuk shkon fare, pasi bëhet fjalë për Shqipërinë, bëhet fjalë për shtetin dhe për popullin shqiptar. Nuk bëhet fjalë thjesht për qeverinë, edhe pse nuk diskutohet që është meritë e kësaj qeverie që sot, ne dalim me këtë vlerësim nga tregjet e kapitaleve, pas dy goditjeve, të cilat normalisht përbëjnë një arsye për të parë me sensin e ngurrimit në raport me riskun, por faktikisht, ne kemi dalë me një prim zero.

Nga ana tjetër më vjen keq që flitet në mënyrë të ngjashme me fluturimin e atyre balonave tabake pa bisht. Nuk e di a e keni parasysh kur keni qenë fëmijë, që kishim pasionin e balonave dhe bishti ishte një element shumë i rëndësishëm i balonës. Kuptohet, balonat tabake ishin më të bukura dhe më bindëse sesa balonat tauke, që ishin thjesht të bëra me një fletë A4. Balonat tabake kishin një skelet simetrik dhe një formë ndjellëse, por kur s’kishin bisht nuk fluturonin dot dhe më vjen shumë keq që tamam në formën e fluturimit të një balone tabake, PD-ja flet për gëzim, pse morëm borxh, ndërkohë që duhet të hidhëroheshim, sepse edhe ata janë hidhëruar për faktin që morëm borxh.

Por nuk është kështu. Krejt e kundërta është e vërtetë.

Ne kemi një konfirmim nga tregjet dhe është një konfirmim që në radhë të parë na bën një vend të besueshëm plotësisht në raport me të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në radhë të dytë na jep mundësinë të zgjerojmë bazën tonë të financimit të ekonomisë dhe të investimeve. Prandaj thashë është një bazë që përfundimisht konsolidon Planin tonë të ri Kombëtar “Shqipëria 2030”.

Nuk do të zgjatem me detaje, do të kujtoj vetëm një detaj, që mbase ministrat mund ta shtjellojnë në rast se ju keni interes. Kur vendi del në tregjet e kapitaleve është në një proces të hapur, ku synimet jo gjithmonë përputhen me përgjigjet e tregjeve dhe ku nganjëherë, siç i ndodhi Shqipërisë përpara sesa ne të merrnim në dorë qeverinë, kur qeverisnin ata që sot janë të hidhëruar pse u arrit ky rezultat, që gjatë procesit të daljes në treg hyri për 7 e doli për 11. Pra, doli me një barrë të tmerrshme.

Atyre që thonë “hë mo, se borxh morët”, iu kujtoj që çdo njeri që ka lidhje me një sistem banker, por dhe me vetë financat e familjes e di shumë mirë që nuk mjafton të duash të marrësh borxh, sepse do të gjesh ata që ta japin borxhin dhe ata që japin borxhe e japin në bazë të besimit dhe besimi bazohet mbi shifra, bazohet mbi libra llogarish, bazohet mbi dokumente. Ky është një konfirmim i të gjitha të kundërtave të atyre që janë thënë dhe thuhen në mënyrë të përditshme për gjendjen financiare të vendit, pasi është vlerësim për librin e llogarive të vendit.

Përpara sesa t’ia kaloj fjalën ministres së Financave fillimisht dhe pastaj ministrit të Rindërtimit, që ka luajtur një rol të posaçëm edhe në këtë proces, nën cilësinë e Koordinatorit për Planin Kombëtar, por edhe falë eksperiencës së mëparshme, dua vetëm t’u lexoj mesazhin që kam marrë me kënaqësi nga drejtuesi i bankës “Euro Child”, që ishte edhe konsulenti ynë.

Gjithmonë ka një bankë që shoqëron vendet në këto procese dhe dua ta ndaj me ju, jo për të shtuar lëvdatat e merituara për qeverinë, por për kënaqësinë e përbashkët në këtë moment kaq të rëndësishëm për ekonominë, për të ardhmen dhe perspektivën ekonomike të vendit:

“I dashur Kryeministër, kemi mbyllur bashkë me kolegët emisionin e Eurobondit. 650 milionë për 7 vjet, me 3.625% interes”. Se dëgjova edhe një të bukur shumë, që po e ndaj me ju, për të ndarë buzëqeshjen, asnjë nga ne, as unë, as ju nuk jemi bankierë, por se këtë e kuptojmë, që në përshkrimin fluturak të balonës tabake ishte një shprehje fantastike, “dihet, – tha, – sa më i gjatë afati i një borxhi, aq më i ulët interesi”. E kuptoni dot ju këtë, që të shkoni të kërkoni borxh dhe ai që ju jep borxh t’ju thotë po ta marrësh për deri 1 muaj, e ke interesin shumë të lartë, merre për 100 vjet dhe e ke interesin të ulët! E imagjinoni dot?! Ja kjo është politika ekonomike dhe vizioni i ri i republikës së vjetër!

Ndjesë për këtë, por thjesht për një buzëqeshje, sepse është dita për të buzëqeshur sot, miqësisht dhe me kolegët tanë opozitarë, që janë të mirëkuptuar sepse janë jashtë institucioneve, janë jashtë rrugëve të procedurave dhe proceseve dhe memoria ka një vlerë, por dhe memoria nuk të mban gjatë kur je jashtë kontaktit me realitetin. Aq më tepër që memoria e tyre ka pesha të rënda nga eurobondet e të shkuarës, që po t’i krahasonim, do dukej sikur krahasojmë kohën e paqes me kohën e luftës.

Shqipëria është i pari vend i tregjeve emergjente që arrin të dalë me një prim zero nga një emision i ri bondesh. Është një sukses i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh mjedisin e tregjeve sot, që mbetet shumë volatil dhe cilësinë e librit, pasi ai përbën një bazë investimesh që zgjerohet në mënyrë domethënëse. Më tutje, libri përfaqësonte në momentet e fundit, 3.1 miliardë në mbyllje, d.m.th. 4.8 herë më shumë sesa nevoja e vendit. Pra, dolëm me një objektiv dhe na ofruan 4.8 herë më shumë.

Si mund t’i ofrohen një kredimarrësi të pabesueshëm, ose jo solid, ose me risk, 4.8 herë më shumë sesa çfarë ai synon të marrë?

Përjigjja është e qartë: Mund t’i ofrohen sepse kredimarrësi, në këtë rast shteti shqiptar, është i besueshëm. Libri i llogarive, të parë jo nga këndvështrimi i analistëve politikë që së fundmi merren me ekonomi, apo i politikanëve që iu ka rënë për hise të mbulojnë ekonominë, edhe pse lidhje me të nuk kanë nga pozitat e opozitarëve, është syri i tregjeve. Libri që përfaqësonte 4.8 herë më shumë sesa nevojat flet shumë qartë.

Po ashtu flitet për “Yield”-in që u ul në mënyrë të konsiderueshme gjatë ditës, nga 4.125 në 3.635, duke i lejuar Shqipërisë një ekonomizim shumë serioz në pagesën e borxhit, gjë që na bën veçanërisht të lumtur”, – thotë drejtuesi i bankës, një ndër bankat më prestigjioze të planetit që na ka konsultuar në këtë proces. “Po të bëjmë një krahasim, – shton ai, – emisioni i fundit i Eurobondit që Maqedonia e Veriut mori përpara 15 ditësh, me një “Yield” 3.95 flet vetë, duke pasur parasysh që ratingu i Maqedonisë së Veriut është “BB+”. Pra, Maqedonia e Veriut ka një rating më të lartë dhe Shqipëria nga tregjet u vlerësua me një përgjigje që flet për një nivel vlerësimi “de facto” më të mirë.

E sjell këtu këtë shembull, sepse nuk besoj që këto janë krahasimet më të mira për t’u bërë, por, meqë ka hyrë në modë këto kohë krahasimi me vendet përreth dhe me çfarë bëjnë të tjerët, kjo ka thjesht këtë vlerë.

Në fund, ai e mbyll duke thënë që “për kujtesë, emisioni i Eurobondit në 2018-ën për Shqipërinë ishte 3.55 dhe jemi veçanërisht të lumtur për faktin që jemi shumë shumë afër me të pas dy goditjesh, tërmetit dhe pandemisë, që në rast se Shqipëria nuk do të kishte këtë paraqitje të parametrave dhe të treguesve makroekonomikë, do ta kishin goditur me vlerësimin e tregjeve. Shumë i lumtur po ashtu me bashkëpunimin me të dy ministrat” etj., por kjo është pjesa që s’ka shumë rëndësi për ju.

Fjalën ia lë ministres së Financave për një përshkrim teknik të shkurtër, pastaj ministrit tjetër. Unë jam në dispozicion për pyetje të tjera, që mund të keni.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj: Republika e Shqipërisë emetoi me sukses Eurobondin prej 650 milionë euro, me maturitet 7-vjeçar, kupon 3.5% dhe normë të interesit të tregtimit në 3.625%.

Në vijim të asaj që Zoti Kryeministër tha pak më pare më duhet të shtoj që kanë qenë 190 investitorë, të cilët në tregjet ndërkombëtare në Europë dhe në Amerikë kanë ofruar mbi 4 herë vleftën që ne kërkuam. Në këtë transaksion, Shqipëria u asistua nga banka IMI, GP Morgan, City Bank, Reaiffeisen Bank International dhe dy konsulentë, atë financiar “Rothschild & Co” dhe juridik “Dekert LLP”.

Ashtu sikurse është përmendur edhe më parë, financimi i siguruar nga Eurobondi do të përdoret për financimin e projekteve prioritare, për të rifinancuar Eurobondin e marrë në vitin 2015 me një vlerë prej 250 milionë eurosh dhe për të plotësuar nevojat për financim në vitin 2020.

Edhe njëherë dua të theksoj që eksperienca e dy ditëve, roadshow që patëm sëbashku me ministrin Ahmetaj konfirmoi edhe njëherë, jo vetëm interesin e shtuar të kreditorëve të huaj, por edhe vlerësimin e tyre për reformat e qeverisë dhe konsolidimin fiskal të arritur në vite, por dhe besimin që ky konsolidim fiskal në 5 vitet e ardhshme, përtej planeve të rimëkëmbjes, do të realizohet.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj: Unë nuk do fokusohem në planin 2030, por sigurisht që procesin e Eurobondit do ta lidh me një proces në rritje besimi ndaj Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare.

17 shkurti është njëlloj me 9 qershorin. 17 shkurti i këtij viti tregoi besimin e komunitetit ndërkombëtar në mbështetje ndaj shqiptarëve dhe ndaj autoriteteve, për të zhdukur pasojat e një tërmeti të rëndë, të pakrahasueshëm me shumë herë të tjera që kanë ndodhur në Shqipëri. 9 qershori ishte po një rikonfirmim besimi ndaj ekonomisë shqiptare, ndaj vendit dhe ndaj autoriteteve.

Dua të ndaj me ju dy episode në kohë të ndryshme. Një episod ka të bëjë me 2010-ën. Pyetja fare retorike do ishte: Pse atëherë na trajtuan me 7.5% dhe na tregtuan me 11% atë Eurobond që ne e nxorëm? Pse nuk na trajtuan me 3%? Pse nuk na trajtuan me 3.5%?

Nuk ishim të besueshëm. Ishim konsideruar një vend, një autoritet me risk. T’ju kujtoj juve si gazetarë ekonomie, shumë nga ju kanë vite, pse asaj qeverie të vitit 2012, BB i refuzoi t’i jepte borxh 300 milionë dollarë? Se ishin të pabesueshëm. Sepse shteti, ekonomia, vendi shkonte në rrokopujë.

Po marrim momentin e vitit 2015, në fillim të reformave të kësaj qeverie, pse u ul primi me riskun? Ta shpjegoj për qytetarët, çfarë do me thënë primi i riskut. Kur dikush, një shtet, një entitet shkon në treg të marrë borxh konsiderohet me risk të ulët, me risk të lartë, ose me risk zero. Na konsideruan me risk mesatar, sepse do duhej të jepnim akoma prova nëpërmjet reformave.

Çfarë ndodhi në 2018-ën, kur reformat kishin filluar të jepnin gjithë frutet për qytetarët dhe për ekonominë? Na konsideruan me risk zero.

Ҫfarë ndodhi dje? Dje – dhe episodet janë shumë të rëndësishme për t’i ndarë me qytetarët dhe pastaj të japim edhe shpjegimet, është borxh dhe çfarë borxhi është, – na kanë konsideruar me risk zero për shkak të vazhdimit të reformave, të transparencës së librave të Shqipërisë dhe të drejtimit të autoriteteve ndaj ekonomisë dhe ndaj reformave institucionale. Episodi i rëndësishëm ishte dje, – e dua ta ndaj me qytetarët, – e filluam me 4.125 çmimi fillestar. Për ata që merren me ekonominë familjare, apo me banking e kuptojnë shumë mirë dhe të dyja herët që tentuam zbritjen për të shkuar në 3.625 me risk me premium zero nuk na u larguan investitorët. Libri qëndroi mbi 3 miliardë, që tregon një besim të palëkundur tek reformat, tek autoritetet dhe tek konsolidimi fiskal.

Dëgjova  para se të vija këtu dhe vetëm rrugës e rimora seriozitetin që ka domosdoshmëri dhe meriton ky moment sëbashku, një përfaqësues të opozitës që iu referua krahasimit. Kryeministri iu referua, nuk është e drejtë të krahasohemi sepse çdo vend ka përpjekjen e vetë, por Maqedonia është 2B, ne jemi B1, që do të thotë që paraqitemi përsa i përket agjencive që na rankojnë jo njëlloj, e megjithatë tregu na trajtoi më mirë. Dhe kur dëgjoja atë përfaqësuesin e opozitës që tha sa më afatgjatë të jetë kredia, aq më e ulët do jetë interesi, por ju, qytetarët kanë marrë kredi, po bonot e thesarit, njësoj është 12 mujori me 5 vjeçarin, apo me 10 vjeçarin? Realisht më erdhi keq, se do duhet të debatoj me këta njerëz për të mirën e vendit, por gjithsesi, unë sëbashku me këdo që vijmë dhe përfaqësojmë në momente të ndryshme qëndrimet e qeverisë apo të vendit do duhet të jemi të përgjegjshëm. Nuk është borxh në traditë të borxhit, është test për vendin, patjetër që të gjitha shtetet dalin në treg, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë me gati 2 trilionë së fundmi. Ka dalë Kroacia, ka dalë Maqedonia, ka dalë Zimbabve, ka dalë Serbia, nuk trajtohen të gjithë njësoj nga tregu e mbi të gjitha, po të marrim logjikën e kundërt për qytetarët, që ne të ktheheshim dje nga tregu e të thonim nuk na dhanë se nuk jemi të besueshëm, apo na e dhanë me 11%, çfarë do thoshim?

Primium, zero risk dhe do përdoren siç iu referua dhe Kryeministri për planin 2030, do të përdoren për të financuar operacionet e qeverisë, do të përdoren për projektet prioritare, do të përdoren për paketën e zgjeruar sociale dhe për rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm, që i ka iniciuar Kryeministri. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Me premisën që ju do të respektoni arsyen pse jemi mbledhur dhe nuk do të na nxirrni nga lajmet për të kapur ndonjë nga këto lajmet e ditës, unë mund t’ju përgjigjem edhe për pyetje të tjera, pasi të më jepni fjalën që ky do jetë lajm më vete dhe pastaj të tjerat më vete. Në rast se ma jepni këtë fjalë, unë do ju përgjigjem edhe pyetjeve të tjera. Por për këtë temë do ta mbyll duke thënë këtë dhe do ju lutesha shumë që të më ndihmoni, të na ndihmoni t’jua përcjellim të gjithë atyre që sot kanë dalë nga një situatë shumë e vështirë, që janë punëkrijues përmes një biznesi të vogël që punësojnë veten, familjen dhe të tjerë dhe që janë njerëzit më shembullorë, sipas meje, të Shqipërisë që duam ne, që është një vend ku sigurisht është e vështirë të gjesh punën që do, nuk është e lehtë, nuk është askund e lehtë, por kush do të jetojë me punë e krijon punën, biznesi i vogël.

Që t’ju bëj një lidhje direkte midis suksesit të djeshëm dhe drejtpërdrejt impaktit të këtij suksesi në jetën e në punën e përditshme të atyre që merren me biznes të vogël, duke u nisur nga ajo që tha ministri në fund, çfarë do thonim dhe përtej asaj që do thonim, çfarë do mendonim ne, sa shumë e ngatërruar do ishte rruga jonë e të menduarit të së nesërmes, nëse dje do kishim dalë siç doli Shqipëria, përpara se ne të merrnim qeverinë, nga një proces eurobondi me brinjët të ngjitura njëra me tjetrën dhe me mushkëritë të asfiksuara, 11%.

Sigurisht do ishim në një situatë komplet tjetër e nuk do të thonim dot shumëçka nga ato që do themi më tutje dhe mbi të gjitha nuk do bënim dot shumëçka nga ato që kemi planifikuar të bëjmë me Planin Kombëtar “Shqipëria 2030”. E para gjë që mund të them sot, e keni dëgjuar që në këtë sesion parlamentar, para mbylljes së sesionit do të çojmë rishikimin e buxhetit. Gjë normale për shkak të gjithë situatës dhe do të rishikojmë paketën fiskale për biznesin e vogël, duke i hequr Tatim-fitimin biznesit të vogël dhe jo për fushatë, me fjalë, por me ligj dhe jo për këtë vit, por për deri në vitin 2029. Nuk do kenë Tatim-fitimi dhe ministri ka sqaruar që jemi duke parë edhe TVSH-në.

Me këtë rezultat të djeshëm mund t’ju them të gjithë atyre që merren me biznes të vogël që është e sigurt që ne do ju heqim edhe TVSH-në. Afatet do t’i konfirmojmë më tutje dhe limitin do ta konfirmojmë më tutje, deri në çfarë shkalle, në kuptimin deri në cilin nivel xhiroje. Por qëllimi është që për disa vite, minimalisht, në mos për deri në 2029-n, ata të mos kenë as Tatim-fitimi, as TVSH dhe kjo do bëhet me ligj në parlament, jo në programin elektoral me shkrim në parlament.

Kjo do të thotë që të gjithë ata që krijojnë punë për veten e për familjen e tyre, të jenë njerëzit më të favorizuar në Shqipëri dhe të gjithë ata emigrantë që kanë kursime ta shikojnë Shqipërinë si një oportunitet për të ardhur, për të hapur një biznes të vogël, për të jetuar ata dhe familja e tyre me të ardhura më mirë sesa nga rropatja në emigracion. Në punë sfilitëse, siç bëjnë një pjesë e mirë e tyre. Kjo do të thotë që të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa, faktikisht.

Nuk diskutoj këtu tarifat vendore, pastrimi etj., as sigurimet shoqërore që nuk diskutohen, por të jenë pa taksa. Të vijnë dhe të bëjnë atë që kanë filluar të bëjnë shumë emigrantë, të marrin shtëpinë e gjyshit apo stërgjyshit në fshat dhe aty ku duket e pamundur të jetohet e të nxirren të ardhura, të nxjerrin të ardhura më shumë sesa nxjerrin atje ku janë në Gjermani, apo në Itali, duke krijuar agroturizëm. E kjo nuk është më një ëndërr me sy hapur, si ajo që unë shihja kur e lancuam projektin, por kjo është një ëndërr e realizuar e një numri të vogël, por të mjaftueshëm emigrantësh që e kanë bërë e po e gëzojnë.

Vërtetë të jesh në një fshat në Kuç ku ishim ne është e vështirë të imagjinosh se  mund të prodhosh dhe prodhimin tënd ta nxjerrësh në treg. Është e vështirë për të gjitha arsyet e terrenit, infrastrukturës e të tjera, por je në mes të një parajse ku mjafton të bësh pikën ku të tjerët të vijnë tek ty. Nuk je ti që shkon në treg, është tregu që vjen tek ty, janë turistët që vijnë tek ty, janë familjarët vendas që vijnë tek ty, falë bukurisë, traditës dhe gjithçkaje që ti ofron. Ky është një shembull dhe ka plot  të tjerë që mund të bëhen.

Ajo që është e rëndësishme është që falë të djeshmes, ne, sot mund të themi që po, jemi plotësisht në pozitën që brenda këtij sesioni të Kuvendit, biznesit të vogël t’i themi nuk ke taksa, nuk ke TVSH. Zero! Je thjesht dhe vetëm në pozicionin ku respektohesh për punën që krijon për vete dhe për të tjerët dhe aleati i shtetit për të mbajtur të gjithë llogoren e kontrollit mbi biznesin e madh, që biznesin e vogël e përdor për evazion e që pikërisht për shkak të llogarive, taksave, historive, numrave, stërnumrave, inspektorëve dhe inspektimeve, biznesi i vogël  shpesh herë bëhet bashkëpunëtor në evazion. Nuk do keni më inspektorë tek dera, për t’ju thënë “e dhe kuponin, nuk e dhe kuponin”. Fare!

Njerëz të lirë në atdheun e tyre, që do krijojnë punë, do punojnë dhe do t’i çojnë në shtëpi ato që fitojnë dhe nuk do t’i marrim asnjë qindarkë nga fitimet e tyre. Nuk e ka asnjë vend. Ne na duhet kjo sot dhe për disa vite, në kuadrin e këtij plani të madh kombëtar.

Dëgjoj që thonë kemi rritur taksën. Ne kemi rritur taksat e atyre që fitojnë më shumë. Ne nuk kemi rritur taksat e atyre që fitojnë më pak. Të gjithë ata që janë me biznes të vogël, edhe pa këtë zerim, paguajnë më pak sot, sesa paguanin me ata që thonë keni rritur taksat. E kishin 10% të sheshtë dhe ajo e sheshta e bënte edhe sanitaren e kësaj ndërtese të paguante taksë më të lartë sesa kryeministri.

Sot nuk ndodh kështu, sot unë paguaj një taksë shumë më të lartë se ajo dhe është gjëja më normale në botë që të ndodhë e me radhë, që historia na ndihmon për t’i vënë gjërat në perspektivë.

Të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë që, kur unë flas për arritje dhe për sukses në fushën e reformave ekonomike, kam parasysh progresin e bërë dhe raportin me të djeshmen. Nuk kam parasysh që ne kemi arritur horizontin e dëshirave tona, e ambicieve tona dhe natyrisht, të ambicieve e dëshirave të tyre dhe nuk ju kërkoj të çohen në këmbë e të duartrokasin për këto çudira, sepse nuk janë çudira, janë arritje të rëndësishme me një punë dhe sakrifica të mëdha. Eurobondi i djeshëm është konfirmimi. Është e thënë në shqip, fjalët mbrapsht, të gjithë analistëve, dialistëve, kronistëve dhe PD-istëve që merren me ekonomi dhe me shifra. Kur them PD-istët, kam parasysh partinë më të madhe, se ka dhe “ista” të tjerë, por ata janë vetëm “ista”, nuk kanë fare logo përpara, prandaj nuk i numërova të gjithë, se do ishte shumë i gjatë treni. Faleminderit!

Nëse keni ndonjë pyetje për këtë, se këtu ka dhe gazetarë të ekonomisë.

Zoti Kryeministër, duke qenë se sapo shpallët nismën që do hiqni TVSH-në për biznesin e vogël, dy vite më parë qeveria ka patur qëndrimin që TVSH-ja është një taksë mbi konsumin dhe jo mbi biznesin, pra keni ndryshuar qëndrim? Bashkangjitur kësaj pyetje, çfarë do të ndodhë me reformën e fiskalizimit që ju keni 1 vit e gjysmë që e promovoni, pikërisht për të  mbrojtur zinxhirin e TVSH-së dhe të evazionit dhe si do të mblidhen të ardhurat në buxhet? Kam dhe një pyetje tjetër për eurobondin nëse do më lejonit.

Kryeministri Edi Rama: Nuk kemi ndryshuar ne qëndrim, ka ndryshuar Shqipëria. Nëse dje, ne do të kishim marrë jo këtë rezultat, por do kishim marrë rezultatin që morën ata që na thonë se dje dështuam, kur ishin këtu ku jemi ne, unë nuk do ta thoja këtë sot. Është shumë e thjeshtë, ajo që kemi marrë dje nga tregjet është mundësia për të zgjeruar bazën tonë të financimit e të investimeve.

Pse nuk e thamë që në fillim të dyja bashkë, edhe Tatim-fitimin dhe TVSH-në? Për arsye të llogarive, se janë të gjitha llogari, por janë llogari të bëra me aritmetikën që kemi mësuar të gjithë në shkollë, jo me aritmetikën që rrugës drejt ngjitjes në karrierë kalon 7×7=42. Kjo është arsyeja.

Fiskalizimi do të jetë vetëm për biznesin e madh?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që heqja e taksës të Tatim-fitimit dhe TVSH-së komplet nga shpatullat e biznesit të vogël nuk do të thotë nxjerrje e biznesit të vogël nga sistemi. Do të thotë riaxhustim i sistemit dhe detyrimi i biznesit të vogël për të qenë rrjeti më i madh dhe më i besueshëm i “inspektorëve” të shtetit në raport me biznesin e madh. Kjo do të shoqërohet me një sistem, i cili nuk përjashton absolutisht fiskalizimin biznes – biznes. Që do të thotë, hapi i parë i fiskalizimit, pra, i gjithë dixhitalizimit të marrëdhënieve dhe transaksioneve do të jetë biznes – biznes, nuk do të jetë qytetar – biznes, apo biznes – qytetar, që do të thotë që  biznesi i vogël nuk do të jetë më si ato kutitë kineze, apo kukullat ruse që hap një, del një tjetër, hap një, del një tjetër, duke u përdorur nga biznesi i madh, por do të jetë filtri për të parë gjithë lëvizjet e biznesit të madh. Në këtë aspekt është një sistem i tërë që duhet ngritur, por principi është ky, që dhe unë sot e thashë këtë, jo se e lancova sot, kjo do lancohet në planin e madh zyrtarisht. E thashë këtë si shembull. Një shembull i drejtpërdrejtë.

Ajo që ndodhi dje, pse është e mirë? Dëgjon dikush në shtëpi dhe thotë dakord, këto i dimë, por ne nuk hamë as shifrën e GDP-së, as deficitin, në kuptimin mund të jenë shumë të mira, por nuk na vijnë në shtëpi. Dakord ratingu, por çfarë ndodh për mua? E pra, kjo është. Ajo që ndodhi dje sjell për ty këtë dhe jo vetëm për të. Ajo që ndodhi dje sjell garanci për një paketë investimesh shumë agresive që ne do bëjmë në vend, në ekonomi, duke u nisur nga infrastruktura, energjia, arsimi e me radhë. Programi “Shqipëria 2030” është një program transversal. Nuk është thjesht dhe vetëm një program ekonomik, por dhe social. Ministri foli për zgjerimin e mbështetjes sociale dhe ne duam ta zgjerojmë mbështetjen sociale, por të gjitha këto bëhen mbi një bazë të sigurtë financimi  dhe investime, që na garantojnë rritje të të ardhurave.

Si do rriten të ardhurat? Ne besojmë që ajo që do të humbasim nuk është e vogël. Tatim-fitimi plus TVSH-ja për buxhetin sot nuk është e vogël, por nuk është humbje, sepse ne nuk e konsiderojmë humbje atë që fitojnë punëkrijuesit si njerëz të zakonshëm në Shqipëri. Do t’jua lëmë atyre, do t’jua lëmë fëmijëve të tyre, do t’jua  lëmë familjeve të tyre.

Nga ana tjetër do të rrisim shumë aftësinë kontrolluese mbi të mëdhenjtë, sepse është tek të mëdhenjtë që lëviz shumë para e që sigurisht është edhe porcioni më i madh i evazionit respektiv. Ne i kemi rritur taksat për të mëdhenjtë. Nuk e shikojmë si rritje taksash, rritjen e të ardhurave, po e shikojmë si rritje të formalizmit të ekonomisë dhe në këtë aspekt janë të gjitha bashkë. Edhe amnistia fiskale, që së shpejti do të kalojë drejt parlamentit, është pjesë e kësaj. Do t’i japim të gjithë shqiptarëve mundësinë që të legalizojnë të ardhurat nga puna, por me parakushtin që nesër, penalizimet do të jenë shumë më të forta për evazionin, për fshehjen e të ardhurave etj.. Pra, është i gjithi një sistem.

Do të jetë program shumë ambicioz mbi bazën që kemi krijuar. Sot, ne kemi themele të qëndrueshme, të konfirmuara edhe dje, që na ndihmojnë që të shohim me një ambicie shumë më të fortë nesër. Kemi rindërtimin, kemi rimëkëmbjen, kemi zhvillimin, janë të gjitha bashkë.

Nëse ka ndonjë pyetje tjetër jashtë këtyre?

Diçka për Eurobondin…

Kryeministri Edi Rama: Akoma?! Me këto që dëgjove sot mund të bësh një film, jo më një lajm tre minuta. Kështu që nesër, në rast se e konsideron akoma të nevojshme, të dy ministrat janë në dispozicion për intervista ekskluzive, meqë ju jeni një specie e rrallë në këtë tregun mediatik dhe merreni me ekonominë, me shifra në mënyrë serioze dhe jo në mënyrë analitiko-politike, siç ndodh me ata që më dalin mua netëve nëpër prita me lapsa në dorë e më tregojnë shifra, më tregojnë inserte nga raporte X dhe raporte Y.

Zoti Rama, ju në fakt sëbashku me ministrin Ahmetaj përmendët pak më parë për eurobondin i cili do të përdoret në planin e rimëkëmbjes, por gjithashtu përmendët dhe disa fusha të tjera nga zoti Ahemtaj. Konkretisht do përdoret në fushën e infrastrukturës, në rritjen e pagave sic përmendi dhe zoti Ahmetaj pak minuta më parë? Konkretisht ku, në rrugë të reja? Në rritjen e pensioneve, pagave? A mund të na thoni diçka më tepër përveç kësaj apo do të përdoret dhe siç tha ministrja Denaj për shlyerjen e borxhit të vjetër. Si do të procedohet?

Kryeministri Edi Rama: Një gazetare kaq e re ekonomie dhe një piktor kaq i vjetër sa unë kanë të njëjtin nivel kuptimi të ekonomisë, me sa kuptoj, kështu që mund t’ia lejoj vetes t’jua jap unë përgjigjen. Eurobondi nuk është një borxh i dedikuar për një projekt, pra, nuk kemi shkuar në një bankë me një projekt dhe themi kemi këtë projektin, na jepni borxh. Eurobondi është diçka krejt tjetër. Është një investim i tregjeve të kapitaleve mbi vendin tonë dhe bazuar në këtë, falë këtij rezultati kemi fituar kredibilitet, kemi fituar një bazë shumë të fortë për të çuar planin përpara. Plani do t’i ketë të detajuara të gjitha dhe asnjë nga ato që ju folët nuk do të përjashtohen nga plani, por nuk është Eurobondi që i financon në mënyrë të drejtpërdrejtë rindërtimin, apo shkollat, apo spitalet. Eurobondi është baza e financimit të vetë Shqipërisë, pra, financon operacionet e financimit, nëse mund ta them kështu.

Një pyetje të fundit të lutem, meqë ne gazetarët e ekonomisë nuk vijmë shpesh në takime me ju.

Kryeministri Edi Rama: Ne piktorët e kemi këtë të keqe, që dalim shumë shpesh nëpër takime.

Amnistia fiskale, e përmendët dhe pak më parë, keni marrë dakordësinë e MoneyVal në lidhje me këtë draft?

Kryeministri Edi Rama: Kemi diskutuar, kemi bërë diskutimet tona informale, por procedura e kërkon që ne të vazhdojmë e pastaj ata bëjnë oponencat e tyre. Jemi në kontakt, por nuk është se merret një dakordësi finale përpara se sa drafti të shkojë në procedurë. Pra, ata ndjekin gjithë procedurën. Kjo është një e drejtë sovrane e vendit dhe ata ndihmojnë paraprakisht me opinionet e tyre që janë opinione të përgjithshme, por me vërejtje specifike me një draft të caktuar, ata ndërhyjnë në momentin që drafti është publik dhe shkon procedurë, pra është një marrëdhënie institucionale korrekte. Kemi diskutuar me ta, ata nuk janë kundër në parim, por sigurisht kanë ato këshillat dhe kanë edhe ato shqetësimet e tyre parimore në tërësi, jo konkretisht, por dhe kjo e djeshmja ndihmon edhe këtu, sepse nga dje jemi një vend shumë i besueshëm në këtë aspekt.

Zoti Kryeministër, sa para janë lëvruar nga Konferenca e Donatorëve e 17 shkurtit deri më sot, sa para i bashkëngjiten në total fondit të qeverisë shqiptare, pas  Eurobondit të djeshëm?

Ju theksuat që nisma për të hequr Tatim-fitimin për biznesin e vogël synon që ta kthejë në një aleatë të qeverisë biznesin e vogël, për të evituar evazionin fiskal që bën biznesi i madh. A nuk i druheni një largimi të kompanive të mëdhaja shqiptare jashtë Shqipërisë, që ta ushtrojnë aktivitetin e tyre në një shtet tjetër në Ballkan, duke qenë se edhe taksa paguajnë më shumë, sesa kanë paguar më përpara?

Kryeministri Edi Rama: Kush paguan taksa më shumë, sesa ka paguar më përpara? Ou oligarkët, d.m.th, oligarkët paguajnë taksa më shumë se më përpara? Unë e di, faleminderit që e konfirmuat edhe ju, por fatkeqësisht ju që merreni me aritmetikën e vërtetë nuk ju nxjerrin shumë në TV për komente, në TV për komente dalin ata që s’dinë aritmetikë, kështu që edhe njerëzit ngatërrohen.

E vërtetë është që paguajnë taksa më shumë se më përpara, por nuk e shohim si një konsekuencë të çlirimit të plotë të biznesit të vogël, mundësinë që të mëdhenjtë të ikin fare nga Shqipëria, sepse s’do t’i lërë biznesi i vogël të bëjnë evazion. Nuk besoj, nuk është kështu, nuk më duket kështu të paktën. Megjithatë kjo do të bëhet. Biznesin e vogël, shqiptarët punëkrijues, shqiptarët që nuk rrinë në Facebook gjithë ditën dhe kërkojnë përmes komenteve në Facebook gjëra nga më të çuditshmet, apo ata që nuk ankohen gjithë ditën, nuk shajnë e nuk qahen gjithë ditën, por punojnë, meritojnë të gjithë respektin, jo vetëm me fjalë, por edhe me mbështetje konkrete të qeverisë. Ata shqiptarë që janë në Tiranë, në majë të malit, apo në fund të hartës, buzëdetit dhe që me një biznes të vogël ndërtojn ë ekonominë e tyre familjare do të jenë drita e syve të qeverisjes sonë deri në vitin 2029.

Në draftin për Amnistinë Fiskale, të publikuar ditën e djeshme edhe nga Report TV, parashikohej të kishte legalizim të pasurive për funksionarë të larguar nga detyra prej 3 vitesh, ndërkohë keni deklaruar që nuk do të ketë falje për politikanë, ish qeveritarë. Do të ketë tërheqje nga kjo pikë e draftit?

Kryeministri Edi Rama: Bëni kujdes me draftet që qarkullojnë, apo që qarkulloni sepse nuk do të ishte hera e parë që dokumente false të qarkullojnë sikur janë drafte të qeverisë. Nuk ka, funksionarët janë tërësisht të përjashtuar nga amnistia dhe nuk bëhet fjalë për këtë. Politikanët nuk diskutohet. Gjithkush që ka pasur një mandat qeverisës, parlamentarë apo në pushtetin vendor qysh kur kanë ardhur zgjedhjet e lira dhe pluralizmi në Shqipëri nuk mund të jenë pjesë e amnistisë.

Natyrisht, në qoftë se bëhet fjalë për persona që 10 vjet më parë kanë punuar në shtet, apo ku di unë se çfarë, kjo është një temë tjetër. Por funksionarë në kuptimin e funksionarëve të lartë, politikanëve, funksionarëve aktualë, drejtorëve aktualë të institucioneve janë absolutisht të përjashtuar.

Nëse dikush ka punuar në shtet në vitet 1990 dhe më pas ka vazhduar të jetë në jetën e tij private, kjo është një çështje tjetër. Por askush që është marrë me politikë në Shqipëri, që nga dita një e pluralizmit nuk mund të jetë pjesë e amnistisë.

Asnjë që është marrë me politikë, asnjë që ka qenë gjykatës, që ka qenë prokuror, qoftë edhe një ditë në të gjithë historinë nga 1990 e sot, nuk mund të amnistojë asgjë.

Ju përmendët paketën e zgjeruar sociale, a mund të kemi ndonjë detaj më konkret çfarë do të përmbajë kjo paketë dhe a do të aplikohet brenda këtij viti?

Si do t’i zëvendësoni të ardhurat e munguara në buxhet nga Tatim-fitimi dhe nga Tvsh-ja dhe a është ky një korrigjim i politikave fiskale që keni ndërmarrë vitet e fundit?

Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë po të jap përgjigjen që i dhashë koleges tuaj. Nuk është një korrigjim i atyre që kemi bërë më parë, por nuk jemi në të njëjtën kohë si më parë dhe nuk jemi po ata që ishim më parë. E them këtë, jo se është ndonjë mëkat, ose ndonjë gabim të ndryshosh mendim. Churchill thotë “vetëm budallenjtë nuk ndryshojnë mendim gjithë jetën”. Në fakt është kohë tjetër, ne jemi në një situatë tjetër e duhet të adresojmë një popull që ka përballuar dy goditje të forta, tërmetin – i cili pavarësisht se nuk goditi të gjithë Shqipërinë në kuptimin fizik, goditi ekonominë shqiptare në të 28 mijë kilometrat katrore – dhe që del nga një situatë aspak e lehtë e pandemisë.

Kështu që janë të gjitha gjërat që kanë ndryshuar dhe ka ndryshuar edhe forca jonë. Jemi sot më të fortë, seç ishim edhe 2, 3, 4 vite më parë nga pikëpamja e kapacitetit financues. Eurobondi dje na e konfirmojë këtë, që megjithë dy goditjet jemi sot në gjendje të zgjerojmë bazën e financimit. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për ne. Kjo na ka dhënë një frymëmarrje të madhe dhe na jep mundësinë që ta shikojmë Planin Kombëtar sot, pa rezervat që kishim deri dje. Deri dje, e gjithë puna për Planin Kombëtar lidhej gjithmonë në fund me “po mirë, ja të shohim eurobondin, të presim të shohim tregjet”, sepse, nëse do të kishim një përgjigje të një natyre tjetër, edhe vetë Plani do të ishte më shumë në afatgjatë sesa në afatshkurtër. Ne nuk duam një plan “Shqipëria 2030” që të themi që ky plan fillon në 2025-n. Jo, ky plan fillon tani.

Kjo është një masë që unë e diskutova me ju sot dhe që ne e kemi thënë më parë, e një çlirimi komplet e biznesit të vogël nga barra e taksave dhe e inspektorëve, por nuk është vetëm kjo. Paketa e zgjeruar që thotë ministri ka parasysh një kolonë të tërë plani, që lidhet me politikat sociale. Ne, me fakte, me shifra jemi pa diskutim mazhoranca që kemi paketën më të zgjeruar sociale, krahasuar me të shkuarën, por që sigurisht, krahasuar me ku duam të shkojmë, është e pamjaftueshme. Këtë e dimë shumë mirë dhe këtë duam ta zgjerojmë.

Kemi filluar të bëjmë vlerësime shumë të rëndësishme nga periudha e mbylljes. Kemi mësuar gjëra të rëndësishme nga periudha e mbylljes dhe një nga gjërat që kemi mësuar është “sa shumë” mund të bëjmë dhe “si” mund ta bëjmë të strukturuar në fushën e arsimit, marrëdhënien e mësimdhënies dhe mësimmarrjes digjitale. Si mundet të zgjidhim përfundimisht problemin e klasave kolektive, që është një sëmundje shumë e vjetër, që ne kemi filluar ta operojmë, por hap pas hapi, duke i mbyllur përfundimisht, por ama duke i dhënë fëmijëve që shkojnë në ato klasa cilësi më të lartë mësimi dhe duke i mbledhur ata në shkollë, jo më për të marrë mësime të gjithë bashkë, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, në një dhomë, por për të bërë aktivitete të tjera sëbashku. Ndërkohë që mësimet i marrin nga mësuesit më të mirë të Shqipërisë në rrugë digjitale. Për këtë duhet që të financojmë arsimimin e tyre në fshatrat më të largët dhe jo thjesht t’ua lëmë në dorë fatin e arsimimit smartphone-it që mund të kenë, apo mund të mos kenë pranë. Edhe pse, e dhëna e mësimdhënies digjitale gjatë mbylljes ishte e jashtëzakonshme nga pikëpamja e numrit të nxënësve që patën akses falë smartphone-ve dhe falë platformave. Ankohen shumë njerëz dhe ankesa kryesore është shumë interesante, është ankesë për popullin. Pra, ata që ankohen më shumë janë ata që në fakt nuk e kanë të tyrin problemin, por e kanë për popullin. Ankohen përshembull, që populli nuk di të përdori platformën e-Albania. Në fakt, e vërteta është krejt e kundërta, që populli e përdor platformën e-Albania. Nëse shikoni aplikimet në e-Albania për projektet e bujqësisë që vijnë nga fermerë në të gjithë cepat e vendit, është impresionues numri i aplikimeve që tani bëhen nëpërmjet e-Albania, është shumë më i lartë në pak ditë, sesa ishte në të gjithë harkun e hapjes së aplikimeve përpara, pa platformë. Ka raste njerëzish që janë nëpër male bëjnë sukses duke rritur bletë, duke bërë një agroturizëm dhe bëjnë gjithçka me e-Albania.

Kështu që janë mësime që na kanë vlejtur për planin e “Shqipërisë 2030”.

5 qershori ka qenë afati i fundit për kompanitë që duhet të deklaronin punonjësit e tyre për  të marrë ndihmën prej 40 mijë lekësh. Ndërkohë, sa kompani kanë qenë korrekte me këtë vendim dhe përpos kësaj ka pasur dhe një ngërç, shumë punëdhënës nuk pranojnë që t’ju japin pagesën punonjësve, duke pretenduar se e kanë marrë këtë pagesë. A ka ndonjë element për ta rregulluar këtë?

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit, është pyetje shumë e rëndësishme. Së pari, kam parë disa spekulime të bëra që natyrisht janë edhe të nxitura, nuk është e vështirë të kuptosh që janë edhe të nxitura, por unë nuk po i adresoj për shkak të nxitjes, por për shkak të temës.

Një fasoneri ku njerëzit dalin dhe thonë s’na kanë dhënë asgjë. Çfarë kemi bërë ne? Ne kemi bërë të gjithë analizat. Ne nuk mund të paguajmë, – që ta them shumë saktë, – njerëz që nuk janë mbyllur asnjë ditë dhe nuk e kanë lënë punën asnjë ditë dhe e kanë marrë pagën rregullisht. Kjo është e pakuptimtë. Ne do të paguajmë të gjithë ata, të cilët qoftë edhe një ditë kanë humbur mundësinë për punë.

Së dyti; Sa janë ata që janë përgjigjur pozitivisht? Janë shumë. Ata që janë përgjigjur negativisht, s’ka rëndësi, pra, që nuk janë përgjigjur. Janë afro 4500 që, sigurisht, ne i kemi paralajmëruar disa herë për të mos i ndëshkuar. Por e rëndësishme është që edhe sot që flasim, Tatimet po vazhdojnë të lëvrojnë para direkt tek punonjësit, ndërkohë po trajtojnë edhe ankesat e fundit. Kur them ankesat e fundit, janë blloku i fundit i ankesave që janë mijëra. Ajo që di të them është që parashikimi ynë, bazuar në të gjitha […] – se ndërkohë Tatimet kanë bërë edhe punën e kompanive, pikërisht për të mos i lënë njerëzit jetimë në këtë proces, se ne nuk jemi të stilit që ty të takon, por fajin s’e kemi ne, fajin e ka kompania që nuk aplikon dhe nuk ta japim e me këtë rast të kursejmë para, ose të mos japim paratë që kemi premtuar. Jo, ne kemi qenë proaktivë. Tatimet kanë verifikuar çdo person, kompani për kompani, kryesisht të kompanive që nuk përgjigjen. Ajo që kemi thënë që në momentin që kompanitë nuk do të përgjigjen, kompanitë do të ndëshkohen për mungesë solidariteti dhe respekti për punën e të tjerëve, por ama kjo nuk mjafton sepse punonjësit nuk i intereson në radhë të parë, se u ndëshkua apo jo pronari, por i intereson a i mori  apo nuk i mori lekët – do të jemi në çerek milionë njerëz që do të marrin pagat.

Këto historitë dhe këto shfaqjet me video selfie në sy të viktimave të politikës “së premtimeve të pambajtura” janë të shëmtuara, janë të turpshme dhe mbi të gjitha janë të sajuara, sepse ne sigurisht e dimë që ka akoma njerëz që nuk e kanë marrë, i kemi me emra dhe do jua japim të gjithëve. Ajo që kam thënë është që në fund, kur të mbarojë e gjitha, brenda mesit të qershorit le të themi, lëvrimi, ne do të bëjmë publikimin. Ju dhe të gjithë do të keni në dispozicion çerek milioni njerëz, me emër dhe mbiemër, që mund të shkoni t’i verifikoni e kanë marrë apo jo. Publikimi do të bëhet bazuar në të dhënat bankare, jo në lista dëshirash. Kur të dalë emri që është paguar, ju mund të shkoni t’i  pyesni e ke marrë apo s’e ke marrë, gënjejnë këta, apo është e vërtetë. Përsëri, ne do të rrimë pronto nëse do të ketë, – s’ka asgjë perfekte 100%, – ende që do të jetë jashtë skeme, nëse për një arsye apo një tjetër figuron që e ka marrë, por s’e ka marrë. Por e vërteta do të jetë kjo, çerek milioni shqiptarë. Ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që punën e kanë rimarrë pjesa më e madhe e tyre.

Keni lançuar së fundmi një projekt “Shqipëria 2030”, që sipas jush do të nisë zbatimin brenda këtij viti. Ndërkohë deklaruat se një pjesë e Eurobondit do të shkojë edhe për këtë projekt. Keni një përllogaritje sesa është vlera e këtij programi dhe sesa nga Eurobondi do të shkojë qoftë edhe për nisjen e këtij projekti?

Kryeministri Edi Rama: Thashë të kundërtën, por megjithatë mund ta them të kundërtën prapë. Ky është një plan kombëtar 10-vjeçar dhe do të fillojë të zbatohet që këtë vit, me masa të caktuara, me një kalendar të caktuar, me reforma të caktuara e kështu me radhë. Kështu që mos më kërkoni detaje sot, sepse kur të prezantohet plani, – ende po punohet, – brenda qershorit, atëherë do të keni plot detaje. Por përsëri, ajo që është e rëndësishme që të kuptohet është që këtu do të jetë gjithë fuqia ekonomike e shtetit, nuk është çështja e një projekti, apo një projekti tjetër. Të gjithë buxhetet e shtetit, të gjitha kapacitet investuese të shtetit, të gjithë kapacitetet investuese private, gjithçka që lidhet me ekonominë dhe me çdo burim financimi të ekonomisë është në këtë plan. Është një plan goxha i madh, le të themi në mënyrë modeste, është një “Plan Marshall” për Shqipërinë.

Nuk po e prish traditën e kolegëve me pyetje politike, po vazhdoj tek ekonomia. Në emër të fatkeqësisë të tërmetit që ndodhi, shumë fondacione kanë mbledhur miliona euro. Përveç Marin Memës të “Rrënjë shqiptare” që ka ndërtuar 3 shtëpi në Shijak, një të katër në proces, fondacionet e tjera Zoti Kryeministër, a ju kanë paraqitur programe për rindërtimin?

Kryeministri Edi Rama: Fondacionet e tjera meritojnë falënderimin më të madh dhe mirënjohjen time më të madhe për faktin që kanë pranuar edhe të gëlltisin plot të pamerituara, po themi, si rezultat i mos fillimit të punës, vetëm e vetëm që të bëjmë një punë të përbashkët e të koordinuar. Puna e përbashkët dhe e koordinuar do të thotë që nga identifikimi i problemeve e kur them identifikimi i problemeve, nuk kam parasysh vetëm identifikimin e personave në nevojë për t’u adresuar për strehim, por edhe identifikimin e problemeve në zonat ku do të ndërtohet, që do të thotë që nga pronësia, gjeologjia, gjeografia e me radhë deri tek kryerja e planeve të detyruara vendore, tek detajimi i tyre. Kjo do të thotë që për të finalizuar kontratat për shtëpitë individuale duhet  të kemi pozicionimin e çdo shtëpie individuale në një terren të thyer. Është një punë milingonash, sepse me të vetëm kështu mund të dalësh në garë e pastaj t’i kërkosh atij që fiton garën ekzaktësisht atë që duhet, se tjetër është kur vendoset shtëpia një terren fushor, tjetër në një terren të thyer, bazameti, themeli e me radhë.  Është një punë voluminoze. Ka filluar. Na u vonua shumë për shkak të pandemisë, sepse ndaluan të gjitha procedurat e garave, besoj brenda muajit do të kemi konkludimin e kontratave dhe për shtëpitë individuale dhe puna do të fillojë. Ata do të vazhdonë të financojnë pjesët e tyre, por duke bërë një investim të përbashkët. Nëse në Thumanë do të investojmë bashkarisht, nuk mund të bëhet si ajo përralla e asaj kafshës, që bishtin ia mori palloit, flokët ia mori kalit, krahët ia mori ariut dhe pastaj doli një gogol. Duhet të jenë projekte që do të ndryshojnë cilësisht jo vetëm jetën e banorëve, por edhe mënyrën e të organizuarit dhe e të ndërtuarit një komunitet. Unë i falenderoj shumë ata dhe realisht kanë duruar gjatë, kanë duruar shumë. Herë pas here më shkruajnë dhe unë ju përgjigjem me “aman dhe pak durim”. Pra faji është i imi dhe kush i shan ata, më ka sharë dhe mua, kështu që fjalët mbrapsh, edhe në emër të tyre.

Reforma elektorale mesa duket po shkon drejt dështimit për shkak se opozita parlamentare ka kushtëzuar votën e saj me ndryshime sistemi, që në marrëveshjen politike të 5 qershorit nuk është dakortësuar. Ҫfarë po bëni ju si kryetar i mazhorancës, për të bindur opozitën parlamentare, – madje ata ju kanë kërkuar dhe një takim dhe sipas tyre nuk kanë marrë ende përgjigje, – që reforma elektorale, të miratohet Kodi i ri Zgjedhor, kur kujtojmë që është një nga kushtet që i paraprin 15 kushteve për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare.

Dhe një pyetje të fundit; Ka një shqetësim për rastet e fundit të prekur me COVID19. A është shqetësuese situata?

Kryeministri Edi Rama:  Dua të bëj një korrigjim. Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare. Nuk ekzistojnë. E di që e dëgjoni që përsëritet, e përsërisni dhe ju, por mos e përsërisni; Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare. Nuk ekzistojnë. Por kjo është më pak e rëndësishme, sesa pjesa tjetër e pyetjes. E di që situata nuk është e qetë. Ne kemi dakordësuar një marrëveshje. Duhet që ajo marrëveshje të mos levizë. E vetmja kënaqësi që unë kam marrë nga ajo marrëveshje është kënaqësia e Lulit, d.m.th rëndësi ka që u kënaq Luli dhe më shumë se kaq, asnjë kënaqësi nuk ka nga kjo marrëveshje, për hir të së vërtetës, sepse nuk reformon asgjë në sistem përsa i përket administrimit.

Por qëllimi i marrëveshjes ishte pikërisht ky. Nuk ishte pamundësia jonë për të shkuar përpara vetëm, por ishte që të bashkoheshim të gjithë ne, bashkë me të gjithë botën për ta lehtësuar Lulzim Bashën e pastaj të tjerët pas tij, nga frika e tmerrshme e zgjedhjeve dhe për t’i thënë thuaj “si e do”, që mos kemi më llafe. Unë e di që do të kemi prapë llafe, se ne prapë do fitojmë, ata prapë do humbasin, por, sidoqoftë, ne e bëmë këtë në funksion të një mesazhi paqeje dhe ndërveprimi. Jam i bindur që shumë njerëz nuk janë dakord me mua. Jam i bindur që shumë njerez do të donin që ne të vazhdonim në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të realizonim objektivin tonë, duke adresuar me të vërtetë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por edhe ata duhet ta kuptojnë që në këtë situate, edhe për arsye të një nevoje për ta ndryshuar klimën, të paktën ne duhet të bëjmë tonën. Pastaj sesa ndryshon, kjo është një çështje që nuk e kemi vetem ne në dorë dhe për të hequr cdo mundësi për t’u gjetur sebepe, ne dhamë dakordësinë. Sigurisht që është një dakordësi që duhet të kalojë në parlament. E kam ndjekur që nuk duket të jetë fushë me lule, por ne i qëndrojmë marrëveshjes dhe duam që marrëveshjen ta votojmë.

Nëse ka hapsira të tjera për t’i, jo kënaqur, por respektuar dhe dëgjuar dhe opozitarët në parlament, që në këtë rast nuk votojnë një ligj si gjithë ligjet e tjera, por votojnë një ligj që lidhet drejtpërdrejtë me statusin, me veten e tyre, me të nesërmen e tyre, do të shikojmë, do të dëgjojmë, do të jemi konstruktivë. Besoj që është e mirë që të gjithë ne të kalojmë në një stad tjetër maturimi, edhe për hir të njerëzve dhe për hir të vendit, nuk kemi pse të bëjmë marrëveshje, aq më pak marrëveshje për të ndenjur kështu siç jemi, nëpër ambasada. D.m.th, të mblidhesh e të futesh në një ambasadë që është ambasada më e rëndësishme për peshën dhe shtëpia e një miku të madh, të rrish 3 netë atje dhe të dalësh me marrëveshjen që ishim mirë ashtu siç ishim, i bie që tani, edhe ata që na hapën shtëpinë të thonë, pse ua lamë shtëpinë tre ditë këtyre ne, që të merreshin vesh, kur ata paskan qenë mirë edhe pa ardhur këtu.

Sidoqoftë u bë mirë që u bë. E ndjej më të lehtësuar edhe mikun tim, kryetarin e Partisë Demokratike, e shoh më të angazhuar për aritmetikën ekonomike dhe më pak të rënduar nga stresi, së paku për momentin. Kjo është gjë pozitive dhe pastaj të shohim. Nuk e di të them, nuk kam një përgjigje sot. Do të shikojmë si do të ecim në mënyrë që të kalojmë në një mirëkuptim sa më të gjerë. Këtu kjo punë erdhi, që PS-ja, forca më e madhe politike e vendit nuk paska të drejtë të kërkoka asgjë, ka vetëm detyrimin të shpërndajë karamele, llokume, ballokume dhe mish nga trupi i vet. S’mund të jetë kështu, por gjithsesi do të shikojmë.

Vetëm një gjë kam në fund, që ju lutem, kur flisni për deputetët që janë në parlament, mos harroni që në radhë të pare, ata janë deputetët e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit. Kush i sheh si persona që janë shfaqur aty nga rrugë të tjera dhe aq më tepër pastaj, kur janë shfaqur aty nga materniteti i Taulant Ballës, thjeshtë harron historinë shumë të shkurtër. E para, ata janë aty deputetë dhe deputete të zgjedhura nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. E dyta, kur flasim për listat e hapura, unë e di që shumica dërrmuese e shqiptarëve besojnë që listat e hapura janë një instrument çudibërës për të rritur cilësinë, demokracinë, zërin e pavarur, etj, por, nëse listat do të ishin të hapura, në këtë rast, ata deputetë që janë aty sot ishin pjesë e listës dhe do të votohej, jo thjeshtë midis PD-së, PS-sv dhe të tjerëve, por do të votohej edhe brenda tyre, pra, Gjuzi apo Ngjala, ky apo ajo.

Sidoqoftë, ne jemi me përgjegjësinë që ta çojmë përpara këtë proces, ta mbyllim dhe patjetër ta mbyllim në mënyrë të ndershme, të drejtë, dinjitoze, jo duke u futur në historira, kap njërin apo tjetrin, sepse nuk shkon që në rrugë të bësh konsensus dhe në parlament të shkosh me shpatë, pa llogaritur që ka dhe të tjerë aty, aq më tepër që votat, ne nuk i kemi dhe duhet t’i bëjmë. Nuk do të luftojmë thjesht në sensin aritmetik, por duhet të luftojmë për të kuptuar dhe për të mirëkuptuar me të tjerët. Sa do ia dalim, kjo është një gjë që do ta shikojmë, por mos e paçi kurrë fatin, në këtë rast, për këtë situatë të jeni në vendin tim, që në të gjitha anët bjer e bjer, jep e jep.

Faleminderit shumë!