Integrimi europian, zgjedhja e vetme dhe fundore për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën Vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian, të zhvilluar në Firence, Itali, me temë “Europa në një botë që po ndryshon”. Kryeministri Rama ishte i ftuar në panel “Mbi fuqinë e butë të Bashkimit Europian”, të moderuar nga Këshilltarja e lartë për Çështjet Europiane në institutin e ASPEN dhe ish ministre e Jashtme e Italisë, Marta Dassu.

Këndvështrime të Kryeministrit Edi Rama të diskutimet e zhvilluara në panel:

 

Znj. Marta Dassu: Le të fillojmë me Zotin Edi Rama. Ju i keni fituar këto zgjedhje tashmë në Shqipëri, zgjedhje të rëndësishme. Si do të ndikojë rezultati në negociatat me Bashkimin Europian, sepse në fund të fundit, qytetarët shqiptarë janë shumë pro anëtarësimit në BE dhe gjithsesi është një shoqëri e polarizuar.

Kryeministri Edi Rama: Ju faleminderit! Është absolutisht e vërtetë që në Shqipëri, pak rëndësi ka kush humb dhe kush fiton në zgjedhjet e saj kur bëhet fjalë për BE-në sepse opinioni publik shqiptar është shumë pro BE-së dhe shumë pro perëndimor. Nuk ka asnjë dyshim që shtegu europian nuk është një nga zgjedhjet për ne, është zgjedhja e vetme dhe fundore për ne. Është e vërtetë për disa vende të tjera në rajon që ka edhe aktorë të tjerë me një ndikim mjaft të rëndësishëm, por nuk mendoj që kjo është e vërtetë për Shqipërinë, pasi me të gjithë të tjerët, ne kemi marrëdhënie të llojeve të ndryshme, por asnjë prej tyre nuk është zëvendësuese e mundshme e BE-së si objektivi, si destinacioni ynë, si partneri ynë. Kështu që po, unë mendoj që se ka shumë çështje me të cilat duhet të merremi gjatë kësaj kohe.

– Zoti Kryeministër, ju keni blerë shumë vaksina kineze, Sinovac dhe kjo ndoshta mund të mendohet sikur ju e shihni marrëdhënien me Kinën një marrëdhënie të rëndësishme. Por sa e shihni ju si të tillë, se në fund të fundit, ne po përpiqemi të harmonizohemi të gjithë si europianë përballë kësaj konkurrence të jashtëzakonshme me Kinën. Nuk mendoni se do të bëhet kjo një problem?

Kryeministri Edi Rama: Ne u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave në fillim dhe kur them ne , jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu që kjo fqinjësi, kjo lagje në mes të Europës, e rrethuar nga kufij të BE-së ishte e izoluar nga pjesa tjetër sa u takon kapaciteteve për të luftuar pandeminë. Kësisoj, na u desh të vepronim vetë, të bënim përpjekjet tona individualisht, të gjitha vendet. Për ne shkoi mirë. Arritëm të kishim kontratë me Pfizer-in, më pas të njëjtën gjë bëmë edhe me AstraZenecan dhe për të qenë të saktë, ne nuk e morëm Sinovac-un nga Kina. Ne e morëm nga distributori në Turqi. Do të thoja që marrëdhëniet tona me Kinën janë absolutisht normale dhe normalja në këtë marrëdhënie nënkupton se nuk ka asgjë speciale.

– Problemi real janë reformat. Kur mendohet lidhur me bërjen e një anëtari të ri në BE, ne e lidhim këtë gjithmonë me reforma të rëndësishme të brendshme dhe më duhet t’u them që vendi juaj ka shënuar mjaft përparim dhe BE-ja e ka pranuar tashmë këtë. A mendoni se ju duhet diçka më tepër, sidomos sa i takon reformës së gjyqësorit dhe luftës kundër krimit të organizuar?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj se pikë së pari na duhet të vlerësojmë se kush është burimi më i kualifikuar për të folur objektivisht për reformat, rezultatet tona. Ndaj mendoj që askush, askund në Europë nuk është më i mirë se Komisioni Europian për të thënë objektivisht, mbështetur në fakte dhe mbështetur në një monitorim mjaft rigoroz dhe sistematik të të gjithë procesit se ku jemi.

Kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se pavarësisht gjithçkaje, ka dy nivele vlerësimi. Njëri është një nivel më teknik, pra, Komisioni që ka një Delegacion të tërë me staf në Shqipëri, që ndjek 24 orë të ditës në 7 ditë të javës, të gjitha evenimentet, të gjithë ecurinë dhe pastaj vijojnë tek një nivel tjetër që është më politik, që është më subjektiv. Aty ngecemi. Në rregull, e kuptojmë. E rëndësishme për ne është që të vazhdojmë të bëjmë atë çka po bëjmë sepse nuk  është se na duhet ta bëjmë këtë bazuar në atë çka njerëzit në Bruksel, në Berlin, në Paris a kudo gjetkë na kërkojnë, por na duhet ta bëjmë për fëmijët, për të  ardhmen e vendit tonë. Ndaj, këto reforma janë në të mirë të vendit, janë  reformat që kemi nevojë të zhvillojmë për brezin e ardhshëm dhe po i bëjmë. Na duhet të kemi durim dhe e kemi mësuar tashmë këtë. Kështu që jemi mjaft të duruar, derisa vlerësimi të bëhet edhe në nivelin vendimmarrës të Këshillit, pasi ne e dimë mjaft mirë që dinamika të ndryshme në vende të ndryshme janë gjithmonë e më tepër influencuese për këtë vendim. Ndaj nuk është domosdoshmërisht diçka që lidhet me atë çka ti bën. Natyrisht, ajo që ti bën është e rëndësishme, por është shumë e rëndësishme dhe ajo për të cilën ata kanë nevojë në atë moment. Kështu që na është dashur të përballemi disa herë dhe tashmë asgjë nuk më habit.

Ne mund të bëjmë gjithçka është e nevojshme dhe ende të mbetemi pezull. Në rregull, s’ka problem. E dimë se çka është  rëndësishme, është të bëjmë punën tonë dhe e dimë se përtej kësaj nuk kemi fuqi për të ndryshuar gjëra. Në qoftë se një vend ka zgjedhje 6 mujorin tjetër, një vend tjetër ka një problem me një debat politik me emigrantët, apo një vend tjetër do të bëjë një deklaratë për zgjerimin, kështu që t’i bësh të gjithë bashkë të jenë njëzëri  për hapin tjetër për ne apo për të tjerët, është gjithmonë e më tepër e vështirë.

– Keni të drejtë. Në fakt është e trishtë ta themi këtë gjë, por realiteti, përshembull, dje, në Londër, ministrat e Jashtëm të Grupit të 7-të shteteve më të zhvilluara, pikërisht kanë thënë këtë gjë për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut, por kanë dhënë OK, dritën jeshile A mund të na thoni cili është perceptimi juaj për problemin e Kosovës në këtë moment? Pasi me sa duket, ka një dokument ose non paper franko- gjerman që po qarkullon, ka dhe disa debate, polemika, që ka pasur qytetarë të Kosovës që kanë votuar në zgjedhjet shqiptare, kështu që ndërkohë, a ka ndonjë gjë të tillë që mund të na thoni?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që pikë së pari, mënyra më e mirë për të ecur përpara është që të biem dakord për të mos rënë dakord për atë çka nuk është e zgjidhshme, si të thuash, në periudhën e menjëhershme e të punojmë sëbashku me të gjitha vendet e rajonit për atë çka është e mundur. Në këndvështrimin tim na duhet të bëjmë më të mirën për të arritur këtë hapësirën Shengen ku katër liritë e Europës zbatohen. Ku mallrat, njerëzit, kapitali dhe shërbimet qarkullojnë për të gjitha vendet e ku të kemi një hapësirë më të gjerë të ndërveprimit ekonomik dhe shoqëror. Kjo po, kështu do të ndihmojë që ta bëjë atmosferën edhe më dashamirëse kur bëhet fjalë për të trajtuar temat e nxehta.

Nga ana tjetër besoj fort që është thelbësore, ka qenë përherë kështu dhe është thelbësore ajo çka Gjermania dhe Franca do të duan të bëjnë kur bëhet fjalë për dialogun Serbi – Kosovë, pasi është tejzgjatur për një kohë të gjatë dhe ndonjëherë është parë, sipas meje, në mënyrë jo korrekte, – kështu e mendoj unë, por kjo ka qenë ndjesia në të dyja vendet, si diçka që është lënë në një nivel më të ulët sesa të vihet në krye. Pra, sjellja në nivelin më të lartë dhe përfshirja e Francës, Gjermanisë plotësisht në të, me të gjithë të tjerët përfshirë në punën e përditshme, do të jetë absolutisht mjaft e rëndësishme, sepse në të kundërt unë nuk shoh se si të dyja palët të mund ta bëjnë këtë më vete, që do ishte më e mira, por mendoj që kjo nuk është e mundur.

– Më lini që të përfshij David McAllister në këtë bashkëbisedim për të ardhmen e zgjerimit. Përshëndetje David nga Brukseli. Ndoshta mund të komentosh për këtë gjë. A mendon se procesi i zgjerimit vijon të gjallojë akoma apo ka ngecur? Ka ndonjë mesazh që doni t’i përcillni Kryeministrit të Shqipërisë?

Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Jashtme në Parlamentin Europian David McAllister: Faleminderit! Ju përshëndes nga këtu, nga Brukseli. Zoti Edi Rama më lejoni që së pari t’ju përgëzoj për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe suksese për mandatin tjetër, si dhe suksese për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Si kryetar i Komisionit të Çështjeve të Jashtme në Parlamentin Europian, unë natyrisht që e ndjek procesin e zgjerimit nga afër e me shumë kujdes. Unë besoj që zgjerimi vazhdon të ketë një të ardhme të rëndësishme e besoj që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të ardhmen e tyre në BE. Ne shpesh flasim për rezultatet që duhet të tregojnë vendet që dëshirojnë të bëhen shtete anëtare, pra, të gjithë kriteret politike, ekonomike e ato që kanë të bëjnë me legjislacionin e gjyqësorin. Por unë dua të flas edhe për përgjegjësinë e Bashkimit Europian. Është besueshmëria jonë, kredibiliteti ynë, i cili varet nga mundësia që ne kemi që të funksionojmë në mënyrë efikase si komunitet, natyrisht në bazë të disa vlerave e rregullave të dakordësuar bashkërisht dhe jo vetëm brenda Bashkimit Europian, por dhe jashtë tij, pa standarde të dyfishta.

Koherenca, sundimi i ligjit, pajtimi, solidariteti, këto janë themelet mbi të cilat është bazuar fuqia e butë e Bashkimit Europian, por këto mund të minohen. Fragmentimi, po ashtu mund të themi dhe recesion demokratik ose fushata si keqinformimi, të gjitha këto japin një perceptim tjetër ndoshta, pikërisht edhe për politikën e zgjerimit.

Ajo që shoh në mënyrë kritike është edhe vonesa në përmbushjen e atyre premtimeve që janë bërë nga vetë shtete anëtare të BE-së. Kjo nuk ndihmon besueshmërinë kolektive të BE-së dhe këtu dëshiroj që të përmend premtimin që i është bërë Kosovës për lëvizjen pa viza, liberalizimin e vizave, si dhe premtimin për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Pra, edhe ne duhet të tregojmë rezultatet tona, duhet të mbajmë premtimet tona dhe shpresoj shumë që ne në këtë mandat të vijojmë duke çelur kapituj të tjerë me Serbinë e me Malin e Zi e më pas dhe çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

– Çfarë do të mund Shqipëria t’i ofrojë BE-së sa i takon sigurisë e gjeopolitikës? Nuk e di nëse do të mund të keni një përgjigje Zoti Kryeministër, duke shtuar dy nen elementë; në raport në marrëdhënien me Turqinë, që po bëhet një aktor mjaft i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe tjetra sa i takon bashkëpunimit rajonal, sepse ju jeni një nga liderët e këtij bashkëpunimi rajonal. Dua të di pak më shumë lidhur me këtë.

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që, nga njëra anë, për ne dhe ndonjëherë është e mundimshme që ta bësh të qartë sepse ka opinione të ndryshme që vijnë nga jashtë lidhur me mënyrën si t’i qasemi Europës. Është shumë e qartë për ne që Europa nuk është alternativë ndaj asgjëje, Europa për ne është si një fe. Europa për ne është vendi që ka të njëjtën vlerë sot, që ka pasur kur etërit themelues e parafytyruan. Ndoshta jemi naivë, ndoshta jemi si të gjithë ata që përpara se të martohen janë entuziastë për këtë e që nuk duan të dëgjojnë përvojat alternative të martesës. Por kjo është gjëja, kështu është. Ne nuk shohim asnjë faktor e aktor si një alternativë kundrejt Europës. Për ne, procesi i integrimit është një instrument fantastik për të modernizuar vendin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë, një vend të mirëfilltë europian, i gatshëm për t’u bërë anëtare i BE-së, por, pavarësisht nëse është anëtar apo jo, të jetë një vend europian.

Nga ana tjetër besoj fort dhe kjo është pikëpamja e përulur e kryeministrit të Shqipërisë së vogël, por kam një mendim të fortë se BE-ja ka nevojë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në dhe saktësisht, për të njëjtat qëllime që disa lojtarë apo aktorë bëjnë avokatin e së kundërtës, pra, për qëllimin e një Unioni më integral, më të sigurt dhe të siguruar. Nuk është e qartë për mua sesi mund të vihet në diskutim kjo gjë. Të kesh këtë hapësirë fqinjësie që rrethohet nga BE-ja, ne rrethohemi nga kufijtë europiane, jemi brenda Europës, ta kesh këtë hapësirë fqinjësie të paintegruar, por ta lësh si një zonë të mundshme gri ku të tjera interesa, të tjerë aktorë mund të ndërhyjnë, është sipas meje shumë e qartë, që alternativa e integrimit të plotë është shumë më e realizueshme dhe shumë më e sigurt se çfarëdolloj alternative bashkëpunimi, duke lënë hapësirë për të tjerë.

Sa i takon Turqisë, kam opinionin tim të fortë që Turqia është themelore për sigurinë e sigurimin e Bashkimit Europian dhe për këtë nuk ka aspak dyshim. Historia e marrëdhënieve është tejet e gjatë dhe e ndërlikuar, por, nga ana tjetër, nuk ka dyshim që Turqia është kyçe në sigurinë dhe sigurimin e BE-së dhe BE-ja është kyç për një Turqi më të fortë.

Kur vjen fjala për rajonin e për Shqipërinë më duhet ta bëj shumë të qartë që kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë, marrëdhënie tradicionale. Për ne, Turqia është partner strategjik. Marrëdhënia jonë me Presidentin Erdogan është  e shkëlqyer, por dua ta bëj shumë të qartë; nuk ka asnjë shenjë, jo më fakt, por asnjë shenjë të asaj të asaj çfarë kanë pretenduar dhe duan të pretendojnë disa burime se Presidenti Erdogan dhe Turqia po ushtrojnë në Shqipëri apo në rajon, nuk e di, ndoshta disa gjëra mund të diskutohen kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën, por jo tani, më parë, pra, kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin neo-otomanizimin e rajonit të Ballkanit. Ndonjëherë zemërohem kur shoh e kur lexoj lajme të rreme për xhami që ndërtohen në Shqipëri për të ushtruar këtë lloj ndikimi apo çfarëdo gjëje tjetër. Nuk është e vërtetë.

Kur bëhet fjala për xhamitë, jemi shumë mirënjohës për të gjithë projektin e restaurimeve të zonave të trashëgimisë historike që kemi, qofshin këto xhami, kisha apo vende të tjera të shenjta, ku mes të tjerëve, Bashkimit Europian, donatorëve të ndryshëm, kemi patur edhe kontributin e palës turke. Kjo është e gjitha. Gjëja tjetër është xhamia e Tiranës, ku kanë kontribuar për komunitetin mysliman. Pasi kishim një katedrale të madhe ortodokse, një katedrale të madhe katolike dhe mungonte xhamia e madhe dhe Komuniteti Mysliman Turk kontribuoi për këtë. Kështu që nuk shoh në asnjë lloj mënyre diçka të tillë. Kemi përshembull, çështjen e demarkimit detar me Greqinë, një çështje që hyn në kategorinë e problemeve që lidhen me Turqinë e Greqinë, por në asnjë moment, asnjëherë nuk kemi pasur asnjë shtysë e asnjë ndikim nga pala turke për të bërë diçka në këtë drejtim. Ne jemi krejt të pavarur, të lirë e nuk kemi aspak të bëjmë me këtë.

Kryeministri Edi Rama: Do doja gjithashtu të shtoja që politika ka shumë të bëjë me semantikën. Nuk tingëllon mirë kur disa vende anëtare të Bashkimit Europian diskutojnë të ardhmen e Europës, jo të Bashkimit Europian, por të Europës dhe nuk marrin parasysh tërësisht një pjesë të Europës që është Ballkani Perëndimor. E më duhet të them që diskutimet produktive për të ardhmen e Europës, edhe njëherë të Europës, jo të Bashkimit Europian, se nëse diskutohet e ardhmja e Bashkimit Europian u takon atyre që të hapën apo jo ndaj të tjerëve, por përsa i përket Europës, diskutimet produktive do të nënkuptonin absolutisht përfshirjen jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por edhe përfshirjen e Turqisë, për të zhvilluar një diskutim të hapur, i cili do të çojë në përfundime që më pas, Bashkimi Europian do t’i marrë parasysh, të tjerë do t’i marrin parasysh dhe do t’i çojnë gjërat në një nivel tjetër. Mendoj që ka shumë nevojë për dialog të hapur, për debat të hapur e përfshirës edhe kur bëhet fjalë për konfliktet në Ballkanin Perëndimor, sepse pa hapur debate mirëfilli e pa përfshirë në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejtë, shqeto, të gjithë aktorët, atëherë rreziku është që të gjithë do të hasin pengesa dhe do të preferojmë gjithnjë e më tepër status quo dhe jo të bëjmë ndryshime. Pra, është absolutisht e nevojshme që të ketë përfshirje qysh në fillesë, të gjithë duhet të jenë pjesë, pavarësisht se janë apo jo tërësisht dakord me hipotezat përfundimtare.

– Në fakt, na kanë mbetur vetëm 3 minuta kohë kështu që më jepni ju lutem mundësinë për t’iu njoftuar edhe për rezultatet e sondazheve që ne kemi bërë. Ka qenë një pyetje që ne kemi bërë: “A mendoni që fuqia e butë e Bashkimit Europian ka qenë e suksesshme në lidhje me europianizimin e Ballkanit Perëndimor” dhe në fakt u befasova sepse mazhoranca thotë që ka qenë efektive, por 33% ka thënë që nuk ka qenë e tillë. Ndoshta ajo ideja jonë që Bashkimi Europian po e humbet fuqinë e tij të butë, ndoshta na tregon ne që jemi pesimistë. Ndërsa pyetja tjetër ka qenë: “Cilat nga këto vende që kërkojnë anëtarësimin në BE mendoni që do duhet të anëtarësohet më shpejt”. Kemi të parën Shqipërinë me 54%, Maqedonia e Veriut e dyta, me 23% dhe Serbia është e fundit, 0%.

Kryeministri Edi Rama: E dini, në lidhje me të gjithë atë çka po përjetojmë, është një shaka e freskët për europesimizmin/optimizmin në Shqipëri. Eurooptimistët thonë që Turqia do të bëhet anëtare në presidencën shqiptare, ndërkohë që europesimistët thonë që Shqipëria do bëhet anëtare kur të ketë presidencën Turqia.  Unë mendoj se anëtarësimi është një fjalë e madhe dhe nëse do më pyesnit sot, a është Shqipëria gati për të qenë anëtare e Bashkimit Europian, unë do thosha jo, nuk jemi gati për të qenë anëtare të Bashkimit Europian, por ajo çka nuk kuptoj është shtyrja e shtyrja e fillimit të punës reale me negociatat, pasi është marrë vendimi në vitin 2018 për t’i çelur këto negociata, pasi kjo është puna reale për të cilën ka nevojë vendi. Pra, kur bëhet fjalë për ta pranuar apo jo një anëtar të ri, pikë së pari, kjo do kërkojë kohë dhe pikë së dyti, miqtë tanë europianë mund të mbështeten tek modeli turk dhe të thonë “jo, prisni se ne akoma nuk jemi gati”. Por t’i mbash vendet në këtë lloj pozicioni, në këtë rast Shqipërinë, t’ i thuash jo e ne e dimë shumë mirë pse thonë jo, sepse disa vende kanë disa probleme të tjera dhe shto ujë e shto miell, pra, duhet të bëni këtë, duhet të bëni këtë tjetrën, duhet të bëni edhe këtë tjetrën, kjo nuk ka kuptim. Duket mjaft skizofrenike do thoja. Ndërkohë kjo gjëja e Maqedonisë së Veriut dhe hapja e kësaj kutie Pandore në marrëdhënien…, pra, dëmtimi i marrëdhënieve të një vendi me Bashkimin Europian, sepse një vend tjetër ka disa probleme historike për të zgjidhur, kjo mund të shndërrohet në një shpërthim të madh për të gjithë. Imagjinoni kur Serbia të jetë aty dhe Kroacia të thotë le të shohim njëherë historinë se seç ka diçka aty që duhet zgjidhur, apo kur Shqipëria, Kosova apo Serbia të jetë. Pra, duhet të shmangim ta vënë historinë në mes të procesit të integrimit europian.

*Përkthim simultan