Fakte dhe shifra të një historie suksesi

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e shifrave dhe fakteve të luftës kundër narkotrafikut:

Së pari, dua që me gjithë zemër t’i përshëndes të gjithë ata ndër ju, që janë këtu të pranishëm, ose që janë edhe tani që flasim, në fushën e kësaj beteje historike për Shqipërinë. Sepse, çka ju keni bërë gjatë këtij viti është padyshim një nga historitë më të shënuara të suksesit të këtij shtetit dhe Policisë së Shtetit.

Duhet të jeni krenarë që me rezultate, me shifra dhe fakte të pakontestueshme keni hedhur në tokë të gjithë sasinë marramendëse të baltës, që për muaj e muaj të tërë ka rënë mbi Policinë e Shtetit, mbi drejtuesit e saj dhe mbi Ministrin e Brendshëm.

Duhet të jeni krenarë sepse i keni shërbyer Shqipërisë, dhe transformimit të imazhit të saj, në një mënyrë shembullore, atdhetare dhe pa asnjë dyshim historike.

Ajo çka Policia e Shtetit ka bërë në këto dy vjet, është padyshim një kthesë historike për rendin ligjor në Shqipëri, për pozicionet e reja mes shtetit dhe krimit, për sigurinë dhe perspektivën e gjeneratave të tjera.

Ju jeni shumica, mjaftueshmërisht të rinj për të dëshmuar mbas disa vitesh nga distanca e kohës se këto janë kohë të shënuara në historinë e Policisë së Shtetit. Padyshim do të jeni të gjithë krenarë që ishit pjesë e kësaj kohe që e ktheu Policinë e Shtetit nga një çetë të tradhtuar, të braktisur, të rrënuar, në një forcë garante për rendin, në një forcë në krah të qytetarit, dhe në një forcë që meriton respektin e gjithsecilit.

S’ka dyshim se jemi ende në procesin e transformimit dhe jemi ende në rrugën e konsolidimit të themeleve të Policisë së re të Shtetit.

S’ka dyshim se ka ende plot defekte, plot probleme dhe plot gjëra që duhen adresuar. Por është e sigurt, se nëse në vitin 2013 Shqipëria kishte 323 hektarë të mbjellë me drogë dhe në 2015 vetëm 44 hektarë, kjo mjafton dhe tepron si provë e sigurt e kthesës historike në drejtimin e duhur të Policisë së Shtetit. Si provë e sigurt që asnjë i korruptuar, asnjë i inkriminuar apo asnjë i shpallur në kërkim nuk mundet dot të hedhë baltë mbi shumicën dërrmuese të kësaj trupe, që sot janë bërë mishërimi i transformimit që ne duam për Shqipërinë në çdo sektor.

Unë e marr me mend se çdo të thotë për një ndër ju që shkon dhe i qepet të gjithë atyre zgëqeve, që pamë në ato fotografi për të asgjësuar rrënjët e kanabisit të zhvendosura nga qendra e mexhlisit në thellat e Shqipërisë, kur dëgjon gjithfarëlloj akuzash, gjithfarëlloj monstruozitetesh, dhe gjithfarëlloj sulmesh verbale mbi Ministrin e Brendshëm, mbi drejtuesit e Policisë së Shtetit, mbi vetë qeverinë në raportet me krimin dhe me gjithë përmbajtjen e betejës për të cilën ju dilni çdo mëngjes nga shtëpia. Duhet të jetë padyshim shumë e rëndë. Duhet të jetë padyshim shumë dekurajuese, duhet të jetë padyshim edhe shumë e vështirë për të mos u tunduar nga dyshimet, se mos vallë unë, punonjësi i policisë që bashkë me shokët e mi apo bashkë me plot vajza që janë përfshirë së fundmi në Policinë e Shtetit, po shkojmë mish për top, po bëjmë një luftë me mullinjtë e erës, ndërkohë që drejtuesit tanë, ministri ynë, ndërkohë që qeveria jonë na qenka, jo e lidhur po në krye të gjithë aktivitetit kriminal.

Është vërtetë për t’u ndjerë thellësisht keq si shqiptar, kur dëgjon shqiptarë, njerëz me pushtetin e të pasurit një mikrofon para, njerëz me pushtetin e të pasurit një laps në dorë, njerëz me pushtetin e të pasurit një dritare nga ku përçojnë informacion, që marrin pjesë kolektivisht në këtë përbaltje të madhe. Ndërkohë që, faktet tregojnë që në rastin më të mirë, minimumi duhet të heshtin. Së paku, me Policinë e Shtetit nuk duhet të merreshin nëse goja nuk ua thotë dot fjalët e duhura për t’i përgëzuar, për t’i mbështetur, për t’i inkurajuar të gjithë ata burra dhe gra, djem dhe vajza, që nisen nga shtëpia çdo mëngjes, në këtë mision, deri dje të pamundur. Se nuk është vetëm sasia e sipërfaqes së mbjellë me drogë që është 8 herë më e vogël në 2015, në raport me 2013, por akoma më e tmerrshme është diferenca midis sa janë shkatërruar nga sasia e mbjellë me drogë në 2013-ën dhe sa janë shkatërruar gjatë këtij viti, deri kur javën e ardhshme përfundonte cikli i kësaj bime që duket sikur e konsumojnë nga mëngjesi deri në darkë dhe humbasin komplet arsyen ata që sulmojnë Policinë e Shtetit dhe ministrin e Brendshëm. Vetëm 7% e gjithë sasisë së mbjellë në mes të mexhlisit është shkatërruar në 2013, dhe pjesa më e madhe në tre muajt e fundit, kur ne morëm detyrën dhe e shpallën këtë luftë. Ndërkohë që, janë 99,2%, jo shifra të ministrit të Brendshëm, as shifra të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, as shifra të qeverisë, “se ne jemi kokë e këmbë të lidhur me krimin”, “ne nuk jemi të besueshëm kur flasim për shifra”, këto janë shifra të Guardia di Financës, që këto fotografi ajrore i kishte edhe në 2010, edhe në 2011, edhe në 2012, edhe në 2013, dhe ua vendoste përpara të gjithë atyre që ministri i përmendi, po unë nuk denjoj t’iu zë me gojë as emrin sot këtu përpara jush. Sepse, përpara jush ata janë askushi si ministra të brendshëm. Dhe çfarë bënin?! Në gjuhën e tyre do të thuhej “flinin mbi kanabis”.

Për këdo që e njeh historinë e përbotshme të luftës me drogën, për këdo që ka kuriozitetin të lexojë se çfarë ka ndodhur në vendet e tjera, ka një përputhje tragjike midis sasisë së rezultateve dhe sasisë së baltës.

Sa më shumë vendet, policitë e ndryshme në të gjithë globin, drejtuesit e tyre, ministrat, presidentët, janë përpjekur të luftojnë dhëmb më dhëmb me këtë industri kriminale, aq më shumë është rritur sasia e baltës nëpër media, nëpër parlamente. Pse?! Të jetë thjeshtë politike?! Ka plot rrugë të tjera për të bërë betejë politike. Nuk jemi ne dhe nuk ka asnjë qeveri në botë që të jetë e përsosur në pikën që opozita, çdo ditë të duhet të shpikë, të shpifë për të ndërtuar fabulën e vet. Ka plot. Kjo nuk është vetëm politike, sepse në shifrat e ekspozuara nga ky operacion flitet për rrënjë, flitet për hektarë, flitet për sasira droge, por ato përkthehen në euro. Janë miliarda! Janë miliarda që deri dje shkonin diku, sot nuk shkojnë më. Ky është një operacion që ka prekur interesa kolosale. Në rast se ne do të ndiqnim logjikën e opozitës dhe në rast se ne do të ndërtonim të njëjtën fabul, sepse është bërë modë këtu në Shqipëri, dhe unë i mirëkuptoj edhe miqtë edhe partnerët tanë që e kanë përqafuar këtë modë. Sepse në fakt është një modë komode, që “të gjithë janë njësoj, të dyja palët kanë faj, të dyja palët kanë shumë arsye për t’u ndjerë keq përpara popullit shqiptar” e të tjera. Por, nuk po i hyj kësaj, kjo është një modë që unë e kam neveritur me kohë dhe me vakt dhe do vazhdoj ta neveris. Ajo që po thosha është; nëse ne do të ndiqnim këtë vijë logjike, çfarë duhet të thoshim për ministrat e Brendshëm që sot predikojnë sikur të ishin engjëjt e antidrogës së rënë nga qielli i virtyteve.

Pse kanë fjetur gjumë mbi gjithë këto harta? Pse në 2013-ën, pse në 2012-ën, pse në 2011-ën, pse në 2010-ën, nuk kanë bërë asgjë, për të reaguar dhe për të shkulur këtë kancer nga trupi i Shqipërisë? Në logjikën e tyre kanë qenë kokë e këmbë të lidhur me industrinë e këtij aktiviteti kriminal. Kokë e këmbë! Në logjikën e tyre kanë përfituar miliona e miliarda. Në logjikën e tyre duhet të ishin sot të parët që duhet të përgjigjeshin për dëmin kolosal dhe shumëplanësh që i kanë bërë Shqipërisë, duke mos reaguar asnjëherë ndaj kërkesave të përsëritura të palës italiane dhe përballë fakteve ulëritëse, figurave ulëritëse të Shqipërisë të mbuluar me drogë, të Guardia di Finanzës. Po logjika e tyre është e tyrja.

Unë kam vetëm një besim që më mban në këtë betejë që përtej konferencave, përtej pallateve të mbledhjeve dhe të kongreseve, përtej mediave dhe ekraneve e gazetave, përtej gjuhëve dhe lapsave, ka një popull që nuk ia ha qeni shkopin, siç themi ne. Unë i besoj shumë atij populli që është spektator i këtij teatri absurd, ku policia lufton si kurrë më parë me krimin, me drogën, me korrupsionin, dhe është e akuzuar si asnjëherë më parë, jo vetëm nga opozita, por nga një sërë segmentesh të lidhur me njëri-tjetrin, që shqetësohen shumë edhe për informalitetin, që shqetësohen shumë edhe për vendosjen e rendit ligjor në shpërndarjen e energjisë elektrike, që shqetësohen shumë edhe për ndalimin e ndërtimeve pa leje, në një territor që deri para dy vjetësh ishte “tokë e xanun” për këdo që kishte thjesht dhe vetëm forcën brutale të antiligjit. Shqetësohen edhe për universitetet e mbyllura që fabrikonin diploma dhe merrnin shuma marramendëse parash, të cilat me logjikën e kësaj opozite nuk besoj se i përfitonin vetëm pronarët e universiteteve.

Unë kam bindjen se ne sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Ne kemi vetëm një detyrë, të mos dëgjojmë askënd, asnjërin nga ata që përpiqen të hedhin baltë dhe përpiqen të vendosin pengesa nga më të mëdhatë, duke u përpjekur aty ku dhemb më shumë, tek cenimi i dinjitetit të njeriut, duke u përpjekur aty ku sulmi është më i rëndë; tek goditja e figurës morale të njeriut, duke u përpjekur aty ku gjithmonë kanë synuar kastat e korruptuara, “Jemi të gjithë njësoj”. “Jemi të gjithë të lidhur me krimin.” “Jemi të gjithë të zhytur në drogë.” “Jemi të gjithë për t’u marrë dhe flakur tutje.” Sepse nëse fiton ky perceptim, gjithmonë fiton pala që ka më pak të drejtë. Është e provuar historikisht, makinat e baltës për këtë janë ngritur dhe kështu funksionojnë. Për këtë industritë e baltës janë intensive, sa herë që një qeveri merr përsipër të godasë, aty ku janë ndërtuar interesa dhe aty ku gjenerohen para të paligjshme.

Po duke pasur një eksperiencë të gjatë në këtë aspekt dhe duke e kuptuar me kohë se është e kotë t’i dëgjosh, pasi sa më shumë i dëgjon aq më shumë lëndohesh dhe dekurajohesh; Mos i dëgjoni.

Ndjehuni krenarë për gjithçka keni bërë. Ju jap vetëm një shembull, midis shumë shembujve që ju të ndjeheni shumë të qetë, – një kriminel. Një nga ata, të cilët Policia e Shtetit, Policia e Rilindur e Shtetit ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë nga radhët e veta, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë, është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit sëfundmi. Heroi! Heroi që na kërkoka përgjigje ndërkohë që ai është në kërkim. Heroi që nuk paraqitet në Prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura mbi të, por është paraqitur për azil politik në një shtet tjetër, pasi ka thyer vendimin e gjykatës të detyrimit të paraqitjes. Kaq mjafton për të kuptuar se sa poshtë ka rënë ky pazar. Kaq mjafton për të kuptuar se sa e ulët është bërë kjo lojë. Kaq mjafton për ta kuptuar se sa e dëshpëruar është në fakt “industria e baltës”.

Ndërkohë që, gjithçka sot u shfaq këtu dhe fatmirësisht për këtë moment, – por fatkeqësisht për ne si popull, si vend,- mori vulën e dy miqve, dy partnerëve, dy ambasadorëve të përfshirë drejtpërdrejt në emër të shteteve të tyre në këtë përpjekje. Nuk besoj se do të çohen të thonë që ishin gënjeshtra dhe shpresoj që mos ta fusin dhe Ambasadorin amerikan tek ligji për dekriminalizimin.

Faleminderit!