Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Ky është një debat përtej një medaljeje. Është një debat që vazhdon prej 25 vitesh, i bazuar në importimin e kulturës së kriminalizimit të Partisë së Punës në Partinë Demokratike.
Do të bëj një parantezë të shkurtër.
“Ju dhe suita juaj vrisni në parlament, organizoni atentate dhe kurthe ndaj udhëheqësve të drejtuesve të opozitës.” – Sali Berisha, viti 1998.
“Ju ndërtoni vila, kurse të tjerët rropaten në bunkerë dhe bodrume. Ky është mekanizmi që ushqen çdo ditë krimin që vret shqiptarët.” – Sali Berisha, viti 1999.
“Këtu në këtë parlament, ju sot dilni përpara shqiptarëve me këtë buxhet, me moralin e hajdutit, me mungesën e plotë të përgjegjësisë. Në mëse dy vjet të qeverisjes suaj, në emër të klaneve kontrabandiste të korruptuara, ju rikthyet varfërinë tuaj mjeruese të kohës së diktaturës, ju u pasuruat në mënyrë të paligjshme, me shuma përrallore, dyfishuat çmimet e përditshme për çdo shqiptar, tre-katërfishuat papunësinë me korrupsionin galopant, që shkatërron çdo ditë biznesin dhe largon investitorët e huaj, me vrasjen e shpresës së shqiptarëve që largohen të dëshpëruar çdo ditë nga vendi i tyre. Buxheti juaj është buxheti i eksodit.” – Sali Berisha, viti 2000, këtu në parlament.
“Prej dy vjetësh, ju nuk keni kthyer në Shqipëri diktaturën komuniste në formën klasike, por keni vendosur diktaturën e taksave. Shqipëria renditet me Ugandën, zoti Meta. Ministra dhe zyrtarët e tu, zoti Meta, grabisin sa grabisin ata të Ugandës.” – Sali Berisha, viti 2000, këtu në këtë parlament.
“Ligji ju duhet juve të mbroni vilat e pallatet tuaja. Por ju jap fjalën e nderit se vilave rruspat, pallateve tritol dhe ju para ligjit. Burreli do jetë burgu juaj. Ju jeni kusarë, po po, jua them unë, këtu. Mblidhni bandat bëni ç’të doni, revolta popullore do t’ju fshijë.” – Sali Berisha, viti 2001.
“Zoti Majko, të rikujtoj se je i vetmi kryeministër në historinë e kryeministrave të botës që dosjet e korrupsionit i mban në sirtar dhe t’i vjedhin nga sirtari i zyrës. Zoti Majko ke detyrime të mëdha, se vjen këtu në detyrë i zhvirgjëruar, i shpartalluar fare përpara shqiptarëve, po, po, ta them unë.” – Sali Berisha, viti 2002.
“Luftën kundër krimit të organizuar, ne demokratët e konsiderojmë një luftë të shenjtë. As bandat, as vrasësit dhe asgjë në këtë botë nuk mund të na pengojë ne si opozitë, deri në minutën e fundit të jemi kundër kriminelëve, kundër vrasësve e trafikantëve, të cilët qarkullojnë përmes jush këtu në parlament, 2 miliardë dollarë në vit.” – Sali Berisha, viti 2003.
“Kuvendi kundërmon drogë. Thinjat tuaja, sot janë pudër droge. Turp! Turp për ju zotërinj!” – Sali Berisha, viti 2003.
“Kryeministri juaj është këmbë e krye me klanet më kriminale të vendit. Lufta kundër kriminelëve është zhvendosur në parlament. E keni mbushur parlamentin me kriminelë. Dua të njoftoj shqiptarët se lufta kundër kockave mafioze zhvillohet këtu në parlament, jo nëpër shpella. Regjimi juaj është regjimi i vrasjeve. Regjimi i vrasjeve të të gjitha llojeve, mafioz. Revolta popullore është përgjigja ndaj jush.” – Sali Berisha, viti 2003.
“Ju mbajnë lidhjet e krimit që keni me Mugaben. Mugabe, jo parimet kushtetuese, ai është babai juaj shpirtëror.” – Sali Berisha, viti 2004.
“Ti je autori kryesor i shtetit oktapod, i shtetit të trafiqeve, i parave të pista, i shtetit të trafikantëve amoralë, cinikë, shpirtkazmë, të ulët, të pamëshirshëm, primitivë që nuk kanë asgjë njerëzore. Bashkë me ta merr përfitime të paligjshme, vjedh, merr peng, djeg njerëz të gjallë, ekzekuton pa gjyqe, mashtron, torturon, rreh, përdhunon. Njerëzit po e lënë Shqipërinë, po ikin, sepse ju jeni vetë krimi. Keni krijuar qeverinë me ministra që janë të lidhura me mijëra fije me krimin, me trafikun, me drogën, me prostitucioni.” – Sali Berisha, prapë.
Të gjitha këto janë refreni i një këngë që ka 25 vjet. Nuk ndryshon kënga, thjesht dhe vetëm ndryshojnë personazhet e këngës. Pastaj, pasi personazhi ndryshon, dilet në konferencë bashkë me personazhin dhe i thuhet “kjo ishte loja”. Nuk është faji im që “shqiptarët e marrin seriozisht politikën”, – Sali Berisha, prapë.
Dhe, e gjithë batërdia e akuzave, e shpifjeve, e falsifikimeve mbaron me shprehjen: “Shqiptarët e marrin shumë seriozisht politikën”. Por, në fakt, politika është lojë, njësoj si loja e medaljeve; Njësoj si loja e bunkerit; Njësoj si të gjitha lojërat e zanatçiut të madh të sherrit të pambarimtë të Shqipërisë, 25 vjet; Njësoj si loja e Sudes, ajo e piramidave financiare apo e piramidave universitare; Njësoj si loja e legalizimeve të Shabanit; Njësoj si loja e vjedhjes së energjisë dhe e borxheve të falura që nuk u falën kurrë, e kamatëvonesave të falura, që nuk u falën kurrë; Njësoj si loja e borxheve të fshehura; Njësoj si loja e lojërave të fatit. Një lojë e madhe fati me Shqipërinë e me shqiptarët 25 vjet.
E njëjta lojë vazhdon prapë, thjesht kanë ndryshuar personazhet, kënga është po ajo. E njëjta lojë vazhdon edhe me Saimir Tahirin, edhe me Ilir Beqajn, edhe me Damian Gjiknurin e me këdo tjetër që mundohet të bëjë diferencën me ide, me projekte, me punë. Emrat janë të rastit, loja është e njëjta.
Luftohet krimi, kryekrimineli është kryeministri; Luftohet droga, kryetrafikanti është ministri; Luftohet prapambetja në çdo sektor, ministri është shkaku i vetëm i prapambetjes; Luftohet korrupsioni, duhet hetim ndërkombëtar për ata që e luftojnë. Importi i partisë së punës 25 vjet në Partinë Demokratike dhe përmes Partisë Demokratike, majë më majë në pushtet dhe shteg më shteg në opozitë, 25 vjet e njëjta histori.
Konkretisht tek medalja;
Jeni shumë vonë, sepse ne e kemi marrë ndërkohë edhe vendimin, edhe gjithë punën e nevojshme, jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Sali Berishës, me vendimet e Sali Berishës, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njëjtit qorrsokak.
Unë kërkova ndjesë për një faj që nuk e bëmë ne. Por unë besoj se i takonte për shkak të detyrës, Kryeministrit ta kërkonte një ndjesë. Një ndjesë që duhet ta kishte kërkuar çdo vit, për 25 vite me radhë, fajtori i vërtetë, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori i këtyre 25 viteve, falsifikatori ndër më të mëdhenjtë e historisë së Shqipërisë. Sepse, torturuesin e Patër Zefit dhe Profesor Repishtit nuk e futëm ne në listë, por Sali Berisha në vitin 1995. Jo vetëm torturuesin e Padër Zefit dhe Profesor Repishtit, por edhe Aranit Çelën edhe Nexhmije Hoxhën, të cilët kanë gëzuar pension të veçantë me dekretin, me ligjin dhe vendimet e miratuara nga dora vetë, Sali Berisha. Kjo është e vërteta dhe është një e vërtetë shumë e hidhur.
Unë nuk e di pse u desh të plakej ky njeri, që të na i zbulonte këta njerëz, të cilët nuk e kanë merituar asnjë sekondë të kenë nderime dhe përfitime nga shteti demokratik.
Pse u desh që 20 vjet minjtë e kanaleve të torturave të persekutimit komunist të kalonin nën mustaqet e shtetit demokratik dhe u desh të plakej ai që i fshehu nëpërmjet rreshtave të veteranëve, që ta merrnim vesh ne se kush janë.
Kjo është historia e zymtë e një partie që, fatkeqësisht, lindi për një arsye tjetër, u bë 25 vjeç për një arsye tjetër dhe mohoi të gjitha arsyet, për të cilat shqiptarët i dhanë jetë Partisë Demokratike.
Ne u mësuam që për krimet që bën vetë kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori akuzon të tjerët, sipas rastit. Ndryshon vetëm emri, por akuzat janë po ato. Për fajet e veta, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori fajëson të tjerët. Ndryshojnë vetëm emrat, por akuzat janë po ato. E njëjta këngë e neveritshme, që këndohet për 25 vjet nga e njëjta gojë dhe të cilës i mban iso i njëjti kor. Fatkeqësisht, edhe për korin është e njëjta gjë, ndryshojnë personazhet, por kënga është po ajo. Vaj medet për ju!
***
Replika e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Si ka mundësi, me çfarë lloj mendjeje del këtu dhe lexon ligjin dhe pastaj thua se ligji është në rregull, por e shkelëm ne. Në fakt, këtu lind një problem tjetër, pse e shkele ti ligjin? Sepse ja ku e ke listën e veteranëve të kategorisë së parë, që përfitojnë statusin, sipas ligjit që ti lexove këtu, ligji 7874, datë 17.11.1994 dhe VKM-së nr.190, datë 03.05.1995. Vendimi është i qeverisë tënde. Mirë, vendimi i qeverisë në shkelje të ligjit që paske bërë vetë, sepse ti s’e ke problem t’i shkelësh ligjet që bën vetë dhe e ke treguar këtë, 25 vjet rresht. Po pensionet për Nexhmijen, për Aranitin, për torturuesin e Patër Zefit, të cilëve ia dhe pa ndërprerje, si të shpëtuan ato?! Ty që nuk të shpëton asgjë! Pse u kujtove tani!
Medaljet, jo dekoratat siç thua, se ti nuk e di dallimin mes dekoratës dhe medaljes, ke qenë President, je komplet i përhumbur në sistemin tënd. Ngaqë e mbushe me “pishtarë demokracie” vendin kur ishe President, ngatërron dekoratën me medaljen. Dekorata është individuale, medalja nuk është dekoratë për merita të veçanta, por është thjeshtë dëshmi e të qenit në këtë listë. Por s’i kupton këto. Është përpjekur Artan Lame, të ka çuar letra, të ka kërkuar takime që të të sjellë pak në qytetërim, por nuk vjen në qytetërim ti. Në këtë qytetërim është e ndarë medalja nga dekorata.
Më e bukura është që u kujtove një vit me vonesë, për të na akuzuar ne. Vjet nxori Fahri Balliu, pa lejen tënde, medaljen për Vito Kapon. Por për Viton nuk flet ti, sepse Vitos nuk i është tharë akoma fustani nga lotët e tua, kur vdiq Hysniu. I mbaje kokën në prehër dhe i thoshe “ç’na gjeti shoqja Vito, na vdiq babushi i madh i Partisë.” Vito nuk dinte çfarë të bënte, të qante për burrin, apo të pushonte lotët e tua. Kështu që tek rasti i Vitos, ti nuk flet dhe ia nxjerr inatin nipit të Vitos, Andi. Edhe me Andin e ke personale se i thoshe “të të mësojë xhaxhi si të hipësh në pemë”. Andi donte të luante futboll, por ti dhe futbolli s’kishit lidhje, sepse ty topi të dukej si gur. Kështu që sot e gjithë ditën paguan Andi, pse nuk hipi në pemë me ty, të mblidhte kumbulla tek Blloku, që të bënte Hysniu raki. Sepse nuk kishe se çfarë kontributi të jepje aty, do t’i mësoje futboll Andit?! Futboll s’di dhe i thoshe “të të hipi xhaxhi në pemë”.
Kështu që kjo histori është historia jote Sali. Historinë, për fat të mirë, as ti as unë dhe askush nuk e shkruajmë dot. E bëjmë përditë, të tjerët e gjykojnë. Ti solla jo ty në vëmendje, se ti nuk ke të shkuar, se e shkuara të turbullon, por ia solla në vëmendje shqiptarëve që të dëgjojnë që të njëjtën këngë me trafikantë, me të droguar, me kriminelë, me vrasje, me mafie dhe me të gjitha llojet e produkteve të skutave më të errëta, ti ia ke servirur shqiptarëve, 25 vjet, për këdo që të ka dalë përpara. I ke bërë kriminelë edhe ata që i kishe kundërshtarë, edhe ata që i nxore vetë dhe që pastaj i ktheve në kundërshtarë, deri zëvendësin tënd.
Sa për atë punën e Alpeve dhe alpinëve po sqaroj edhe një herë tjetër, – jo ty, se ti je i pasqarueshëm. Je një mjegull që nuk shpërndahesh kurrë, – nuk ka në jug asnjë okupator tjetër, që të ketë marrë tokat e familjeve atje, përveç atyre që ti i di shumë mirë, që janë një grusht i vogël njerëzish që kanë përvetësuar mijëra e mijëra hektarë, jo për të ndërtuar shtëpi, siç ndërtuan të gjithë ata që erdhën nga veriu, por për t’u pasuruar babëzisht.
Janë 50 mijë hektarë, për të cilat kam folur dhe të cilat sot janë të verifikuara që janë marrë me falsifikime nga pronarë inekzistentë, të cilët i njeh mirë ti, sepse ti ua ka dhënë ato prona dhe të cilët nuk do t’i marrin ato toka. Ato toka do t’i kthehen shtetit dhe popullit atje. Për këtë kam folur unë.
Përçarjen me njerëzit në veri je munduar ta nxisësh historikisht me të gjithë kryeministrat që ke pasur kundërshtarë. Nuk jam unë i pari. Nga ana tjetër, nëse ka një kryeministër në gjithë këto vite që duhet të shkojë dhe t’u kërkojë ndjesë të gjithë atyre në Bathore dhe të gjithë atyre që ndërtuan pa leje, duke shkuar pas berihait tënd, ai je ti.
Në tetë vjet bëre vetëm 21 mijë legalizime, nga të cilat 80% ishin njësi tregtare. Nuk le magazinë, hotel, motel, pishinë e okupacion barbar pa legalizuar, duke u rritur kostot shqiptarëve, sepse për të bërë vepra publike, për të mbrojtur parqe, për të mbrojtur monumente kulture nga ato që ngrite ti në oborret e shkollave, në oborret e spitaleve, duhet të paguajnë taksat e shqiptarëve, sepse i bëre pronarë.
Ndërkohë, zotëria jote duhet të ndihet i lehtësuar, sepse vetëm në 18 muaj kemi bërë 40 mijë legalizime, dyfishin tënd në tetë vjet dhe po të them këtu se me sistemin e ri që do të hyjë në fuqi në fillim të vitit, ku edhe hipotekat do t’i marrë ALUIZNI, do të shkojmë në 145 mijë. Këto janë faktet që dëshmojnë se kush i ka gënjyer ata dhe kush mban zotimet.
Në mënyrën më të paturpshme, ke shkuar atje, majë më majë dhe çati më çati pa leje, duke ju thënë po i dhatë votën e atij, do t’u kthejë andej nga keni ardhur, se ju thotë çeçenë, ju thotë kështu e ashtu. Ja ku i ke sot, shikoji! I ke marrë peng, përkohësisht, me atë të korruptuarin tënd që ke atje në krye të bashkisë, por do të çlirohen edhe nga ai peng, të jesh i sigurt.
Sa për revoltën popullore, ti që më bën thirrje mua të lexoj flakët e bunkerit, duhet të gjesh aftësinë të lexosh rezultatet e zgjedhjeve. Të lexosh rezultatet e 2013-s, të 2015-s dhe bëhu gati të lexosh edhe 2017-n. Unë jam i bindur që në shumë pak të vërteta që ke thënë, një e vërtetë është e sigurt, këta do ikin dhe do vijnë, ti këtu do mbetesh. Dhe këtu do të të mbajmë. Monument kulture nuk të bëjmë dot, sepse ti je monumenti i antishtetit që duhet të rrish këtu, për t’ju kujtuar shqiptarëve çdo ditë se nga çfarë kanë shpëtuar!