Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në kremtimin e 105-vjetorit të Forcave të Armatosura: 

Shumë të nderuar gjeneralë, oficerë, nënoficerë, ushtarë të Forcave të Armatosura  dhe shumë të dashur familjarë të tyre,  këtu të pranishëm!

Ditëlindjen e 105-të të Forcave tona të Armatosura, ne nuk mundëm ta celebronim në mënyrën tradicionale, sepse e kaluam në operacione të shumta për  përballimin   e gjendjes se krijuar në vend, si pasoje e reshjeve dhe prurjeve të jashtëzakonshme të lumit të Vjosës, të cilat sollën dëme dhe kërcënuan jetë njerëzish. Falë jush, falë atyre që ishin qysh në sekondën e parë në krye të detyrës, ditë – natë, në frontin më të vështirë ku rrezikohej vetë jeta  e tyre, ne ia dolëm të shpëtojmë të gjithë personat dhe familjet e kërcënuara për jetën dhe ndërkohë të mos lejojmë që asnjë kokë bagëti të humbasë.

Duke qenë se në 4 Dhjetor, situata nuk na dha mundësi të mblidhemi sëbashku, sot, unë jam këtu për t’ju uruar të gjithëve juve, drejtpërdrejtë, festën e Forcave të Armatosura, e cila, për hir të vërtetës, nuk mund të kremtohej në mënyrë më kuptimplotë, sesa në vijën e parë ku të gjithëve juve iu çoi në 4 Dhjetor detyra.

Kjo është një festë, jo vetëm e njerëzve nën uniformë dhe e familjeve tuaja, por e gjithë Shqipërisë.

Dhe sot ia vlen të kujtohet se vendimi nga ku kjo festë buron, për krijimin e ushtrisë kombëtare, ishte i pari vendim i marrë nga qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, qeveria e Ismail Qemalit, pak ditë pas lindjes së shtetit shqiptar në vitin 1912. Vendimi për të bërë ushtrinë, pasi u mor vendimi për të bërë Shqipërinë, ishte në rendin e duhur, sepse ushtria është pa pikë dyshimi, kolona e shtetit që ngrihet e para pasi lind shteti.

Edhe sot, unë jam i nderuar dhe i privilegjuar, që në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shpreh mirënjohjen për të gjithë brezat e ushtarakëve, të cilët për më shumë se një shekull kanë kontribuar dhe sakrifikuar në shërbim të atdheut, të popullit, të shtetit shqiptar, duke  marrë përsipër një ndër barrët më të rënda të shërbimit nën flamurin kombëtar.

Këto ditë, e gjithë Shqipëria e ndoqi me shqetësim dhe e pa me admirim ushtrinë shqiptare, në përpjekjet për t’iu qenë pranë të gjithë motrave dhe vëllezërve të zonëve të prekura nga përmbytjet. Ashtu sikundër mundi të shohë fare pak nga pamjet dhe aktet e angazhimit të strukturave të Forcave të Armatosura dhe të shtetit, në përpjekjet e pakursyera për të shpëtuar jetët njerëzore përballë egërsisë të pamëshirshëm të natyrës, për të cilën gjatë ditëve të operacionit, një kolegë i juaji më tha: “kjo është një nga ato kohë, kur uji nuk është në anën tënde dhe  kur  e ke kundër, uji është armiku në front”.

Në fakt, ju të gjithë morët pjesë në një betejë të vërtetë, ku fatmirësisht askush prej jush nuk u cenua në të drejtën e jetës të tij, po ku shumëkush prej jush rrezikoi jetën e tij për të garantuar jetën e të tjerëve.

Dhe misioni juaj për të ruajtur çdo jetë njerëzore u plotësua me suksesin më të plotë.

Nga ana tjetër, sigurisht do të ishte e pa të drejtë që, duke folur me admirimin më të merituar për të gjithë ju, të harroheshin simotrat dhe sivëllezërit  tuaj në strukturat e tjera, si Policia e Shtetit, OSHEE, apo strukturat e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor e me radhë, që bënë secili në pjesën e vet të frontit, detyrën ndaj njerëzve dhe ndaj shtetit.

U jam shumë mirënjohës të gjithëve ju dhe të gjitha familjeve tuaja, të cilat sakrifikojnë përditë dhe në momente të vështira janë të parat që preken nga shqetësimi dhe emocioni i betejave tuaja.

Mirënjohje dhe respekt për të gjithë gjeneralët, nënoficerët dhe oficerët dhe për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, i cili ka qëndruar në krye, sëbashku me koleget dhe kolegët e Shtabit, duke i dhënë kuptim faktit të thjeshtë se në ushtrinë shqiptare funksionon parimi “një për të gjithë dhe të gjithë për një”.

Po ashtu, mirënjohje dhe respekt për ministren e Mbrojtjes që bëri natyrisht detyrën, por përkushtimi dhe aftësia me të cilën përballoi këto momente të vështira e bëjnë të paevitueshme shprehjen e falënderimit publik për të.

Natyrisht është vendi për t’i shprehur mirënjohje të gjitha vendeve mike, të rajonit në radhë të parë, që pa ua kërkuar askush u përfshinë në përpjekjen e solidaritetit ndaj vendit tonë dhe ndaj njerëzve të prekur nga fatkeqësia natyrore, të gjithëve pa dallim, Kosova nuk diskutohet, por edhe Serbia, Maqedonia, Mali i zi.

Po ashtu, falënderim për vendet partnere strategjike me Shqipërinë, Italia, Turqia, Greqia.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, një falënderim për SHBA, që përmes ambasadorit të tyre këtu në Tiranë u gjenden pranë Forcave të Armatosura për të qenë pranë popullit shqiptar dhe banorëve, familjeve të zonave të prekura.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Besoj që ia vlen të përmendet edhe roli i prefektëve të rinj, të cilët ne i zgjodhëm nga gjiri i ushtrisë shqiptare, sigurisht pasi ishin larguar nga detyra nën uniformë dhe që e provuan veten, zgjedhje të duhura në kohën e duhur, për të bërë punën  e duhur për njerëzit dhe për vendin.

Nga ana tjetër është e vërtetë dhe unë dua ta them sot, përpara jush, se krahasuar me kolegët e tjerë me të cilët ju u përballët në kushtet e kësaj vështirësie të madhe, që përkoi me ditëlindjen e Forcave të Armatosura, me 105-vjetorin e krijimit të tyre, pagat tuaja janë më të ulëta. Pavarësisht nivelit të lartë profesional dhe nivelit të lartë të vetëdijes patriotike, në radhë të parë, që ju mishëroni, ne nuk kemi arritur dot që t’ju shpërblejmë ashtu siç ju e meritoni dhe mbi të gjitha, të mbyllim hendekun e pajustifikuar mes jush dhe Policisë së Shtetit, kur vjen fjala tek shpërblimi financiar, i cili kurrë nuk mund të arrijë deri aty ku ju meritoni. Sepse ajo që ju bëni nuk mund të shpërblehet financiarisht, por sigurisht është kuptimplotë, jo vetëm për ju, por për familjet tuaja, në radhë të parë.

Sot, qeveria do të vendosë në radhë të parë, një shpërblim si shprehje mirënjohjeje për të gjithë ata që u përfshinë në operacionin fantastik me të cilin shteti përballoi një emergjencë të rrezikshme, në mënyrë që të gjitha familjet e ushtarakëve, në radhë të parë të atyre që ishin në “vijën e zjarrit”, të ndjehen mirë në këtë fundviti.

Nga ana tjetër, unë dua të angazhohem sot përpara jush, që viti 2018 do të jetë viti i fundit për të cilin Buxheti i Shtetit do të ketë rrogat ekzistuese për ju.

Ne jemi shumë të vendosur të rrisim buxhetin e ushtrisë, buxhetin për mbrojtjen, edhe në kuadrin e angazhimeve si anëtarë të NATO-s, gjë që e kemi bërë me Buxhetin e vitit 2018. Por rritja do të vazhdojë në vijim, për të arritur objektivin për të cilin jemi angazhuar në tryezën e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe e para arritje prioritare për vitin 2019 do të jetë rritja e konsiderueshme e të gjitha pagave të ushtarakëve.

Jo se nuk do të kishim dashur ta bënim më shpejt, as sepse nuk e kemi konsideruar më parë, por kjo është dita për të kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve ju, lidhur me faktin e thjeshtë, se gjithçka që duam nuk është e mundur në momentin kur duam dhe duhet, por vetëm kur ne mundemi. E falë reformave, falë ndryshimeve të vazhdueshme që po e forcojnë shtetin dhe po rrisin të ardhurat, ne do të jemi në gjendje t’ia dalim edhe në këtë aspekt dhe të shlyejmë një borxh të madh moral, një borxh të vjetër, të akumuluar dhe të padrejtë ndaj të gjitha Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Besoj që emergjenca ka vlejtur për të gjithë, për të vlerësuar Forcat e Armatosura, për atë që ato janë në të vërtetën e tyre të përditshme, por që janë larg syve dhe vëmendjes së opinionit, që është mësuar t’i dëgjojë vlerësimet tona për misionet jashtë atdheut, në kuadrin e operacioneve të NATOS-s në mbrojtje të lirisë, të vlerave të familjes së madhe të vendeve demokratike, që janë pjesë e Aleancës. E për këtë arsye, rëndom duket sikur këto falënderime dhe konsiderata janë thjesht formale. Në fakt, e vërteta është, ashtu sikurse u pa qartë nga të gjithë në këto ditë të vështira, se falenderimet për ju nuk janë kurrë të mjaftueshme dhe as një fjalë, as një mijë fjalë, as një milionë fjalë nuk mund ta thonë dot deri në fund, atë që ju të gjithë dhe familjet tuaja meritojnë si shprehje falenderimi dhe mirënjohje nga mbarë populli shqiptar.

Duke e mbyllur këtë fjalë dhe duke kujtuar se sot, sidoqoftë, jemi jo vetëm në një ditë me diell, por jemi në ditën e duhur për të kremtuar me 4 ditë vonesë ditëlindjen e Forcave të Armatosura, sepse sot është Dita e Rinisë. Dita, e cila kujton 8 Dhjetorin, momentin historik të ndryshimit të epokave për vendin tonë, 8 Dhjetorin e rinisë që është edhe forca themelore e ushtrisë sonë.

E për të përforcuar thirrjen time, lidhur me rininë dhe me Forcat e Armatosura, unë po e mbyll me huazimin e disa fjalëve të një njeriu të madh, Presidentit John Kennedy: “Mbroni me xhelozi të drejtën tuaj për të shërbyer në Forcat e Armatosura, pa të cilat nuk do të mbetej më asnjë e drejtë për t’u mbrojtur.”

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.