Familja Dervishi në fshatin Priskë të Tiranës, e cila humbi shtëpinë në tërmetin e shtatorit, iu rikthye këtë të dielë jetës normale, në shtëpinë e re, shumë më të mirë se sa ajo që kishin më parë.
Kryeministri Edi Rama ishte mik në familjen prej 6 anëtarësh, e cila deri dje jetonte në një çadër emergjencash pranë shtëpisë së vjetër, ndërsa sot, vetëm në pak muaj gëzon ambiente të denja për një jetesë me kushte optimale. I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, Kryeministri i dorëzoi çelësin e shtëpisë së re zonjës së shtëpisë.
Duke falënderuar Kryeministrin për shtëpinë e re, kryefamiljari tha se është mirënjohës për ndihmën që iu dha, ndërsa kryetari i Bashkisë Veliaj theksoi se familja Dervishi përfaqësonte një nga rastet sociale më të vështira në fshat, e përzgjedhur edhe nga vetë banorët si familja që kishte më shumë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.
Duke folur për projektet e rindërtimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se gjithçka do të bëhet shumë më e mirë nga c ‘ishte, por do kohën e saj për t’u realizuar. “Ne nuk po rrimë, por janë shumë. Jo të gjitha do bëhen aty ku janë, disa do afrohen me njëra-tjetrën që të kenë më shumë komunitet dhe më shumë shërbime afër. Pastaj janë studimet gjeologjike, janë projektet, pastaj procedura për të përzgjedhur kompanitë, – tha Kryeministri.