Farkë, nis rindërtimi i banesave individuale

Procesi i Rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit ka hyrë sot në një fazë tjetër, në ringritjen e bllokut të parë të banesave individuale, me 53 shtëpitë e Njësisë Administrative të Farkës. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka gati edhe 150 shtëpi të tjera. Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë asistuar në vendosjen e tullës së parë të shtëpisë së parë që ka nisur të rindërtohet sot në Farkë dhe parashikohet që të jetë gati brenda 20 ditëve.

“Kjo është një ditë e shënuar, sepse, më në fund, pasi janë bërë të gjitha konstatimet, verifikimet, riverifikimet e ankesave, planifikimet, projektimet, prokurimet, fillojmë vendosim tullat, fillojmë të vendosim muret, fillojmë hapim segmentin e fundit të rrugës së rindërtimit,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.

“Janë 53 shtëpi për të cilat janë lidhur kontratat. Kemi 20 shtëpi që janë 3 + 1, 20 të tjera 2 + 1 dhe 13 shtëpi të tjera që janë 1 + 1, që janë familje më të vogla. Do vazhdojmë me këtë ritëm derisa të kemi mbaruar të 53 shtëpitë që janë loti i parë,” deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Kryeministri siguroi se shumica e familjeve që kanë humbur shtëpitë individuale nga tërmeti do të hyjnë në banesa të reja brenda 26 nëntorit të këtij viti, ndërsa Viti i Ri do të gjejë brenda apartameneteve tëresisht të reja edhe një pjesë të madhe të atyre familjeve që jetonin në pallatet e pariparueshme.

“Dua t’u them të gjitha familjeve që sot jetojnë ende në çadër, apo që janë ende me qira, që, nëse këto familje do të hyjnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt, atëherë me siguri deri më 26 nëntor, shumë e shumë të tjerë do të jenë në shtëpitë e tyre, për ta kujtuar këtë vit si një vit që ndryshon jetën e tyre. Do të jenë në shtëpi shumë më të mira, shumë më të forta, me kushte absolutisht të tjera edhe për ata që do jenë në zonat ku ndërtimi do bëhet si një lagje e re në një hapësirë komunitare me krejt të tjera mundësi, shërbime dhe cilësi jete. Ndërkohë që në një sërë pikash kemi filluar infrastrukturën për lagjet e reja dhe po punojmë intensivisht për projektzbatimet e lagjeve me banesa kolektive, pra, pallate. Jam i bindur që megjithëse na pengoi shumë COVID-i dhe shpresoj shumë që të gjithë ju së bashku dhe të gjithë ne së bashku të luftojmë budallallëkun në mënyrë që të shmangim një rritje të tillë numrash, që largqoftë të na çojë përsëri në situata mbylljeje etj., t’ia dalim që Vitin e Ri, një pjesë e konisderueshme e këtyre familjeve ta gëzojnë bashkë me fëmijët në shtëpitë e tyre të reja,” deklaroi Kryeministri Rama.

Ndërkohë, shkollat e financuara nga buxheti i shtetit janë të gjitha në fazë rindërtimi, ndërsa pritet të fillojnë së shpejti edhe objektet arsimore që financohen nga BE-ja.