Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Është shumë e thjeshtë dhe për këtë arsye, marrja e kuponit tatimor është sot një detyrim patriotik.” Me këtë apel, Kryeministri Edi Rama kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, biznesit dhe qytetarëve, për operacionin e madh, që nisi dje, kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.

“Zoti Rama e morët kuponin tatimor?”

Me këtë pyetje iu drejtuan gazetarët, Kryeministrit, sapo ai përfundoi kafen e mëngjesit në një nga lokalet në zonën e ish Bllokut në Tiranë, i shoqëruar nga Drejtoresha e Tatimeve Brisida Shehaj dhe Drejtori i Komunikimit Endri Fuga.

“Po, e mora.”

Marrja e kuponit tatimor, apeloi Kryeministri, është investimi që çdo qytetar bën për veten e tij, përmes buxhetit të shtetit, në formën e investimeve dhe të shërbimeve.  Ndërsa i quajti hileqare, përpjekjet për ta konsideruar operacionin kundër informalitetit si operacion “kundër të vegjëlve”, Kryeministri nënvizoi se biznesi i vogël është pika fundore dhe duke marrë kuponin tatimor mbyllet shtegu për evazionin e të mëdhenjve, që janë kompanitë e mëdha.

“Dua shumë thjesht të shpjegoj që e gjithë përpjekja për ta përshkruar këtë operacion historik si një operacion kundër të vegjëlve është një përpjekje sa injorante, aq edhe hileqar, ose të dyja bashkë, sepse, në fakt, duke marrë kuponin tatimor ne mbyllim shtegun për evazionin e të mëdhenjve. Faktikisht, nëse në Shqipëri sot, po marrim një mesatare shumë të thjeshtë, pihen 1 milionë kafe dhe shishe uji në ditë dhe marrim një çmim shumë mesatar, me ulje, një mijë lekë (të vjetra), e dini sesa është shumë që shkon në drejtim të paditur në vend se të shkojë në arkën e shtetit, për t’ju kthyer individit si qytetar në formën  e investimeve dhe të shërbimeve? Është 61 milionë dollarë vetëm nga kjo. Dhe ku shkojnë këto 61 milionë dollarë? Këto shkojnë në drejtim të paditur dhe janë evazioni i madh, nuk janë thjesht e vetëm evazioni i vogël i kafes. Nga ana tjetër, edhe vetë të vegjlit kanë  një interes në këtë rast që ta japin kuponin, sepse ulin barrën në të cilën përfshihen praktikisht bashkë me qytetarin, për shkak të të mëdhenjve. Mirëpo, duke ardhur tek pika fundore, ne praktikisht bllokojmë prurjet që vijnë nga burimet  e mëdha të evazionit, që janë kompanitë e mëdha, që janë furnizuesit e mëdhenj, që janë ata që tregtojnë me shumicë mallrat e vlerës, apo mallrat e konsumit të përgjithshëm. Është shumë e thjeshtë dhe për këtë arsye, marrja e kuponit tatimor është sot një detyrim patriotik, për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë që financat tona publike të fuqizohen, ashtu siç nuk e imagjinojmë dot, sot. Pastaj, ne të keni mundësi që të bëjmë shumë më tepër investime, për shkolla, kopshte, çerdhe, infrastrukturë dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mbi të gjitha kemi mundësi të ulim taksat dhe të rrisim rrogat për të gjithë.”

Kryeministri siguroi se Qendra Kombëtare e Regjistrimit është në shërbim të biznesit, edhe me orare të zgjatura, duke theksuar se mosregjistrimi i biznesit është po ashtu, konkurrencë e pandershme që i bëhet biznesit të ndershëm.

“QKR shërben me orë të zgjatura, por do të kishte qenë më mirë që të regjistroheshin kohë më parë, sepse, nëse këtu kemi një lokal që shërben me kupon tatimor, familja që ka investuar për të ndërtuar këtë biznes të vogël, bashkë me  ata që janë të punësuar në këtë biznes të vogël, e në mos qoftë biznes i vogël, edhe biznes i madh, nuk i ka borxh askujt, që ngjitur me të, të jetë dikush tjetër që bën garipin dhe përfiton duke shtrembëruar konkurrencën dhe duke bërë të pamundur që ata që kanë lokalin këtu të përfitojnë nga ulje taksash dhe të rrisin rrogat dhe të rrisin punësimin e tyre.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.