Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me fermerë të fshatit Munushtir, Çorovodë:
Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit për praninë tuaj këtu, në këtë zonë që ka filluar të marrë frymë pas një periudhe të gjatë braktisjeje. E sigurisht, pas shumë e shumë mundimesh, të cilat vazhdojnë nga ana e njerëzve, por në kushtet e mungesës së plotë të shpresës se edhe kjo zonë mund të transformohej, ashtu siç ka filluar të transformohet, në një zonë që unë jam i bindur, nuk do të jetë e largët dita kur do të jetohet, jo vetëm me blegtorinë, aty ku janë territoret më të përshtatshme dhe më të thella, por dhe me turizmin.
Kjo është një zonë që ka një potencial të madh turistik, i cili është shfrytëzuar në vite në mënyrë shumë primitive, vetëm falë stërmundimit të disa njerëzve të apasionuar pas turizmit dhe për shkak të pasionit të tyre për kanotazh. Ndërkohe që kanionet janë ndër më të bukurat, ndër më atraktivet e padyshim janë një bazë absolutisht fantastike për zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Por që të zhvillohet turizmi, është e pamundur nëse nuk ke qytete që kanë një dritë Europe, që kanë sens të bashkëjetesës komunitare me hapësira publike të mirëmbajtura, të cilat rrezatojnë kulturë urbane, të cilat rrezatojnë respekt për traditën, të cilat rrezatojnë atë që është energjia e domosdoshme pozitive për të tërhequr turistë.
Prandaj, ne i jemi përkushtuar transformimit të qendrës së kësaj bashkie të re, e cila falë reformës territoriale, sot mund ta përjetojë të ardhmen përmes një zhvillimi të qëndrueshëm urban, rural, ekonomik dhe social, pasi nuk është më një bashki e kufizuar brenda vetvetes dhe e ndarë nga pjesa rurale, e ndarë nga pjesa ku janë resurset fantastike turistike, por është një bashki që tanimë i ka të integruara nga pikëpamja e administrimit të gjitha këto resurse. E ju jeni dëshmitarë të transformimit të madh që ndodh në bashki, duke filluar nga qendra. Pra jo thjesht nga sheshi, por nga qendra, nga Çorovoda, nga qyteti kryesor i bashkisë së re të Skraparit, ku e tha kryetari, rritja e çmimit të apartamenteve, njësoj si në Poliçan, – ne ishim në Poliçan pak më parë, se mund të thuhet që ka një impakt në këtë fakt edhe TAP-i, – por flasim për vlerën e pasurisë së patundshme të atyre që zotërojnë një apartament apo një shtëpi në qytet, e cila është rritur. Sot, e njëjta gjë është në Poliçan, e njëjta gjë është në Berat, ku po vazhdon transformimi e po shtrihet projekti i rilindjes urbane në të gjithë, boshtin e qytetit dhe ku shifrat e turizmit këtë vit janë shumë mbresëlënëse.
Mjafton të shikosh diferencën e atyre që kanë vizituar kalanë e Beratit nga vjet në sivjet, pa llogaritur parvjet e para 4 vjetësh, për të kuptuar që ky program kombëtar i rilindjes urbane po impakton ekonominë, duke i dhënë një mundësi të re atyre që kanë një biznes të vogël, e atyre që janë të punësuar, vetëpunësuar e që vetëpunësohen duke zhvilluar një aktivitet. E faktikisht, mos harrojmë dhe një gjë tjetër, që koha në të cilën janë zhvilluar këto investime e këto projekte është shumë e shkurtër krahasuar me 20 e kusur vite braktisje totale që kur vije tek sheshi i Çorovodës nuk dije se ku të ndaloje makinën se mund të përplaseshe me makinën e tjetrit, e ku ajo që sot po transformohet në qendrën e gravitetit social të qytetit ishte një rrëmujë makinash, tezgash, si një pazar mesjetar oriental. Pa llogaritur pastaj akset kryesore që lidheshin me këtë qendër, që sot janë në transformim, që ishin rrugë me gropa, ku vetëm makinat kishin të drejtë, qytetarët duhet të ruheshin sepse vetëm mund të përplaseshin nga makinat.
Sot ishim në Berat e pamë më tej zhvillimin e projektit. Unë vet nuk kisha qënë ndonjëherë me thënë të drejtën në pjesën pranë stadiumit, që është faktikisht fundi i një aksi të ngjashëm, edhe pse më të vogël, me aksin e bulevardit të Tiranës. E të thuash Kandahar është pak, sepse as në qendër të Kandaharit nuk mund të imagjinohet ajo rrugë kryesore, ai bosht kryesor i një qyteti që është i regjistruar si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, e mbrohet nga bota, – që ishte e kthyer komplet si terreni këtu, me gropa e me kodrina në mes të rrugës, por pa bar. Me një asfalt, shtresa të rrjepura asfalti, gurë e baltë, pasi hera e fundit që ishte vënë dorë në atë aks i takon viteve 70’. E ja ku është këtu prefekti i qarkut, që dëshmon qartësisht këtë që po them. E pa folur pastaj gjithë lagjen që jeton pas stadiumit, që për tu lidhur me qytetin duhet të kalonte nga dy shtigje qorre, komplet të pasigurta, pa diskutim fare të pandriçuara natën, në kushte mizerabël.
Një mizerabilitet i tillë është i paimagjinueshëm për një vend që ka 25 vjet që jeton në kushtet e lirisë. Se nuk po flasim për më përpara, pasi taksiratet e qyteteve ishin të tjera, por nuk ishin këto. Është e paimagjinueshme se si ka njerëz, – e janë ata që kanë qënë 25 vjet në politikë e kanë pasur mundësi ti bëjnë gjithë këto gjëra dhe gjithë gjërat e tjera që pretendojnë sot se janë përgjegjësi e jona, – dhe i kundërvihen këtij programi, këtij programi që i jep mundësinë fëmijëve të Skraparit që të ndjehen pjesë e një realiteti ku ka qytet. Sepse Çorovoda është një qytet i vogël që është i pozicionuar aq bukur në raport me gjithë natyrën rreth e rrotull, por vetëm qytet nuk mund të quhej ashtu si ishte katandisur. Një konvikt i degraduar ku njerëzit flinin e ku dilnin nga konvikti për të gjetur bukë për të jetuar. Por që të kishin mundësi të dilnin e të ndjeheshin familje sëbashku me fëmijët e nipërit e mbesat në një mjedis që rrezaton të qenit pjesë e Europës, – kjo as nuk mund të imagjinohej.
E këtu nuk është çështja se kryetari i bashkisë po bën një projekt po heq baltën, po mbush gropat dhe po shtron me gurë një rrugë, që deri dje ishte një katastrofë për të dhënë mundësinë që njerëzit të mund të ecin lirisht, të komunikojnë lirisht, të ndjehen lirisht pjesë e një familjeje që është komuniteti. Nuk është vetëm kjo, është edhe çfarë sjell mbrapa kjo si ekonomi. Se unë kam parë qytete të bukura që mund të jenë në vështirësi ekonomike, por nuk kam parë ndonjë qytet të shëmtuar që të ketë ndonjë beteje tjetër përveç mbijetesës, sepse nuk mund të ketë, nuk ekziston. Beteja për zhvillim dhe beteja për progres e çdo shoqërie, e çdo komuniteti në çdo fazë ka qënë e lidhur me rritjen e cilësisë së qytetit ku jeton ose të qendrës së çdo komuniteti, qoftë dhe ne fshatin më të largët. Nuk ekzistojnë dot përndryshe komunitetet. E ja ku jemi sot falë kësaj reforme në një proces që do të jetë shumë më i shpejtë sepse do mbarojë, në pak kohë do të mbarojë Çorovoda se aq është, do të jetë komplet e gjitha siç është sot pjesa që po rikonstruktohet. Ky proces do shtrihet ne njësitë administrative, do ndërtohet në çdo njësi administrative hapësira që i thotë njerëzve që jetojnë në një njësi apo në një njësi tjetër që janë komunitet. Kjo është një domosdoshmëri psikologjike për të pasur jetë sociale dhe për të pasur marrëdhënie sociale, jo për të jetuar të gjithë sikur jemi secili për veten, Zoti për të gjithë dhe futemi në konvikt secili në atë dhomën e vet dhe dalin nga konvikti o burra të kapim bukën e gojës.
Kjo është ajo që ka ndodhur në këtë degradim dhe për të ardhur pastaj tek pjesa tjetër, tek pjesa që do t’i japi një shtysë të jashtëzakonshme kësaj zone. Sepse që tani ka filluar efekti zinxhir nga Berati që po transformohet duke thithur gjithmonë e më shumë vizitorë dhe turistë, këtu në Skrapar. Por na duhet edhe efekti zinxhir nga Korça, këtu në Skrapar sepse ju e dini më mirë se unë që rruga lidhëse e Skraparit me Korçën është plotësisht e mundur dhe bën që për një orë ju të shkoni në Korçë dhe ata që janë në Korçë të vijë këtu, por sigurisht që nëse ne sot në Korçë kemi një impakt marramendës nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik të ekonomisë se vogël të qytetit për shkak të vizitorëve të panumërt që shkojnë në Korçë, sot është e pamundur që të nisesh për në Korçë dhe të gjesh hotel, nuk e gjen dot, duhet ta prenotosh shumë kohë më përpara dhe ndërkohë po rritet numri i atyre që po investojnë nëpër shtëpitë e vjetra për ti transformuar nëpër hotele apo nëpër bujtina në mënyrë që të përballojmë fluksin dhe të përfitojmë nga fluksi, ekonomikisht. Njerëz që deri dje nuk e shisnin dot shtëpinë se nuk e blinte njeri, sot e kanë pasuri, mund ta shesin ose mund ta rindërtojnë duke e kthyer në një hotel apo në një bujtinë.
Por çfarë do ndodhi nëse ne i bashkojmë atyre që vijnë në Korçë, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga jashtë vendit, – po shtohet numri turistëve që vijnë jo vetëm nga Greqia, por edhe nga vende të tjera në rajon për të qëndruar në Korçë, – kanionet, – atëherë paketa zgjerohet dhe ditët shtohen. E atëherë ata që nisen nuk vijnë vetëm për një apo dy ditë në Korçë, por shtojnë dhe ditën tjetër për të ardhur këtu. Unë u gëzova shumë kur më tha kryetari i bashkisë që plani është që aty, ku sot është një çmenduri e vërtetë me një treg të paimagjinueshëm nga pikëpamja standardeve do ndërtohet një hotel. Është një gjë fantastike dhe nuk janë budallenj ata që investojnë paratë e tyre për sipërmarrje. Nuk është budalla ai që vjen edhe thotë: Po ndërtoj një hotel këtu në mes të Çorovodës, që të ndërtoj një hotel që pastaj të mos ketë asnjëri brenda. Ai do ta bëjë ekzaktësisht sepse ai e di shumë mirë që do investojë paratë dhe do ta ketë hotelin plot. Po pse do e këtë hotelin plot? Do e ketë hotelin plot sepse po transformohet zona dhe këtu do këtë çdo vit e më shumë vizitorë dhe turistë dhe të jeni të sigurtë që shumë shpejt do të vijojë dita që edhe shumë të tjerë do të mendojnë për të krijuar kushte që të japin dhoma, që dhomat t’i vënë në dispozicion të turistëve që vijnë për të qëndruar një natë, për të ngrënë mëngjes dhe për të vazhduar pastaj me kanionet dhe për të ikur diku tjetër.
Çështja është sesi lidhet e gjitha kjo me bujqësinë, si lidhet e gjitha kjo me blegtorinë, sepse do të jetë vlerë e shtuar nëse ky zhvillim në këtë rrugë zhvillimi urban integrohet dhe siç është plani, jo vetëm i kryetarit të bashkisë këtu, por i çdo kryetari përveç kryetares së bashkisë Shkodër, që unë nuk arrij t’ia kuptoj dot asaj planin por ky është problemi im me siguri, – që çfarë prodhohet këtu t’i shërbejë zhvillimit të turizmit këtu. Pra, nëse njerëzit që vijnë nga larg si kudo në botë, vijnë jo vetëm për të shijuar natyrën, jo vetëm për të shijuar atraksionet e ndryshme turistike, por edhe për të shijuar ushqimin e freskët të zonës, atëherë kjo përben një ndërlidhje dhe krijon një treg tjetër për ata të cilët prodhojnë qumësht, djathë, gjalpë e kështu me radhë.
Ndërkohë që, ne duhet të bashkëjetojmë midis këtij vizioni dhe nga ana tjetër problemeve që është e paimagjinueshme që ti ketë një vend në vitin 2016, kanalet e ujitjes, kanalet kullues, të cilat për 20 e kusur vite e dini ju, u mbushën me plehra, u mbushën me llum, u mbushën dhe nuk u pastruan kurrë dhe shumë njerëz që duan të punojnë tokën e tyre dhe s’e punonin dot se s’kanë ujë. Sigurisht, shteti nuk i bën dot të gjitha. Kështu që ujë është një domosdoshmëri jetike pa të cilën nuk fillon dot biseda, pastaj vazhdon biseda sa e shtrenjtë është. Është shtrenjtë patjetër nëqoftëse punon “tek pull”. Prandaj bota që i kanë kaluar këto përpara nesh nuk punon tek pull. Nuk e gjen dot më në Europë, po edhe këtu në rajonin tonë në Ballkan është shume e vështirë ta gjesh një fermer që punon tek pull, që rri në ato 2, 3, 5 dynymët të vetat dhe gjithçka përpiqet ta bëjë vetë. Nuk e bën dot! Del shumë shtrenjtë se duhet ta marrësh traktorin vetë, duhet të marrësh kimikatet vetë, jo vetëm ty, por të gjithë atyre që mendojnë se tek pull mund ta përballojnë këtë punë, nuk përballohet! Në fund fare pasi mbaron ti duhet të marrësh prodhimin tënd dhe të dalësh në rrugë.
Unë e di shumë mirë nga fillimi deri në fund sepse unë e di shumë mirë eksperiencën personale, di se si shkon vija e torturës për çdo njeri që shkon vetëm në fshat. Është njësoj, dhe nuk ta zgjidh dot ty këtë problem shteti shqiptar, po as shteti gjerman po të ishte këtu. Ta shpjegoj unë pse dhe në fund fare merr prodhimin tënd, del në rrugë edhe pret të vij makina të ndalojë të thotë “dua prodhimin tënd”. Por herë ndalon herë s’ndalon dhe në fund fare po ndodhi që ta marrin prodhimin ty, ti thjesht dhe vetëm mbijeton, nuk vë dot asgjë mënjanë. Atëherë çfarë është ajo që ne po përpiqemi dhe do të vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë. E para e punës, ne kemi krijuar një hartë të rajonalizimit të prodhimit bujqësor. Jo për të të imponuar ty që ti mos të mbjellësh rrush n.q.s. do rrush, por për të të thënë ty dhe për ti thënë të gjithëve në këtë zonë ne mbështesim një, dy apo tre kultura të caktuara, të tjerët janë të lirë. Dikush mund të thotë unë tek këto 3 dynymët e mia dua të mbjell banane, kështu më është tekur mua, dua të mbjell banane. Mbilli, por mos prit nga shteti asgjë. Nuk jemi në kooperativat e dikurshme që ty s’të linte njeri të mendoje për prodhimin tënd sepse do të mendoje për prodhimin e kooperativës. Mbille. Shteti thotë, ja harta e prodhimeve bujqësore në gjithë Shqipërinë, ja çfarë duhet mbjellë këtu, që ne e mbështesim. Se duan njerëzit të mbjellin mollë në Divjakë, mund ta bëjnë, por qeveria nuk mbështet mbjelljen e mollëve në Divjakë. Qeveria mbështet perimet. Në Korçë, mbështet mollët. Ajo që tha Nesimi është një nga pikat. Pse ne mbështesim fuqimisht rrjetin e pikave të grumbullimit? Ne na thonë i merrni paratë e pikave të buxhetit dhe mbështesni të mëdhenjtë. Nuk mbështesni të vegjlit. Në fakt, ne i mbështesim të mëdhenjtë për të mbështetur të vegjlit. Sepse në qoftë se ka një pikë grumbullimi, ajo është për t’i thënë të vegjëlve nuk keni nevojë ju të dilni në rrugë. Ju duhet të mbillni këtë farë, të prodhoni këtë domate, të prodhoni këtë rrush dhe këto i marr unë me para të garantuara që kur nisesh. Kështu që për ty nuk është më problemi ta shesësh. Për ty është problemi vetëm ta prodhosh sepse e merr ai. Dhe kjo është ajo që ndodh aty ku ngrihet pikat e grumbullimit dhe për këtë ne duam do të mbështesim kudo komunitetin që të ndërtojë pika grumbullimi. Nëse sot, prej 25 vitesh është thënë që problemi është që toka është e fragmentuar, unë po ju them nuk është ky problemi. Problemi është që në fshat është lejuar për 20 e kusur vite një çorganizim i organizuar sepse unë kam 2 dynym, ti ke tre, Valbona ka katër, Nesimi ka një dhe n.q.s. ne secili, – ne jemi me dynymët tanë, – bëjmë me kokën tonë, ne jemi të katërt në rrugë atje, të mbaruar. Nëse ne themi hajde bëhemi bashkë, për të vendosur, se çfarë do të mbjellim ne këtu, kostot fillojnë ulen. Se nuk do të marrim secili ne nga 1 traktor. Nuk do të marrim secili ne më vete gjithë imputet etj, por të do të bashkohemi bashkë do të themi “Ok, do marrim, hajde ti na e puno tokën. Hajde ti tjetri na jep mjetet”. Dhe në këtë mjet do ta shfrytëzojmë dhe në fund fare çfarë ndodh? Në fund fare ne kemi një prodhim që ka volum. Nuk kemi secili një torbë me një varietet rrushi të ndryshëm që dalim tek rruga. Por kemi një sasi rrushi të cilin e negociojmë dhe e shesim. E kur e shesim, e shesim bashkë. Nuk shesim veç e veç. N.q.s. ti dhe unë dhe të gjithë ne jemi bashkë dhe e kemi prodhimin këtu atëherë është i interesuar me patjetër ai që do e tregtojë jashtë, do e tregtojë në Berat, në Tiranë, Kosovë apo ku të jetë që të vij ta marri te ne dhe do ta marri me çmimin që i japim gjithë bashkë. Ajo dihet, por këtë duhet të bëjmë.
Ju keni një të mirë në fakt këtu skraparllinjtë se nuk i dëgjoni fare se çfarë thotë PD, prandaj dua t’ia u them unë se ju se dëgjoni dhe mirë e keni. Ju se dëgjoni, me siguri s’dëgjoni asgjë nga ajo anë dhe jeni në rregull. Tani do t’ju informoj se jam i bindur që kur del Saliu në televizor, juve e ktheni në stacion tjetër. Jeni në rregull ju. Tani unë dua t’ju informoj – se as portale nuk keni ju këtu, as doni të dini fare për portale se kanë dalë ca gjëra të tjera në Tiranë dhe ju jeni në rregull nga ajo anë prandaj jeni dhe më të qetë. Tani unë po ju them, dalin këta të PD, ata dalin se gjejnë pa bëjnë, këtu s’kanë çfarë gjejnë dhe këtu nuk dalin. Por dalin edhe thonë janë rritur taksat në fshat. I thash Ridvan Bodes në parlament, dil këtu dhe thuaj se ke qënë ministër i financave dhe të paktën Ridvani e njeh llogarinë, se ka qënë edhe shef llogarie në kooperativë. Dil këtu the thuaj cilat taksa janë rritur për fermerët. Nuk tha dot asgjë se nuk është rritur asnjë taksë për fermerët sepse fermerët s’kanë taksa fare. Kurse ata ku të munden thonë janë rritur taksat. Asnjë taksë as nuk është rritur, as nuk është vënë. Ridvani gjeti dhe tha jo po çmimi i naftës nuk është aq i ulët nga cfarë e premtuat ju edhe pse është më i ulët se çfarë ishte në kohën tonë. Ky është i vetmi problem. Ky është i vetmi diskutim. Por, nga ana tjetër çfarë kemi bërë ne. Se ne kemi edhe hallet e këtyre drejtorive të bujqësisë që nuk ju informojnë juve. Ne kemi vendosur 20% të çdo kilogrami prodhim të shitur me letra, i kthehet fermerit.
Pra pse ju themi ne, merrni NIPT-in. PD thotë, Luli dje, – e njihni Lulin ju apo ska ardhur akoma. Se ju njihni Saliun, për Lulin se keni marrë vesh akoma që është bërë kryetar partie. E dini, e keni marrë vesh që nuk është më Saliu kryetari i partisë apo atë njihni ju. Ska tjetër. Ju e dini, por nuk e pranoni. E di si më tha dikush kur e takova, pak më parë në pazar. “Le të thonë në Tiranë “Luli, Luli”, ne Saliun njohim. Këto Lulërat le t’ia tregojnë kujt të duan, por këtu në Skrapar është e qartë se kush është kryetari i PD.
Nejse, ka dal ky Luli e i thoshte dje: “do t’ju japim 100 milionë dollarë nga buxheti”. Kur nuk i ke, i jep, kjo nuk diskutohet. Mirë, dakord do tua japi. Por do tua japim pa NIPT, pa burokraci, pa pika grumbullimi. OK. E do tua japim, tha, vetëm në bazën e asaj që prodhoni. Atëherë, si do ta masësh ti sa prodhon njëri, sa prodhon tjetri? Ata një njësi matëse kanë pasur për prodhimin: Kush është me PD, prodhon. Kush nuk është, nuk prodhon.
Pra, e vetmja mënyrë si i kanë pas ndarë subvencionet, në kohën e tyre ju këtu vetëm subvencione nuk keni parë. Thelbi është që pa NIPT-in, ti nuk ekziston nga pikëpamja e prodhimit. Në momentin kur ti ke NIPT-in e kur shet me letra, tek pika e grumbullimit, në atë moment shteti, qeveria jonë të jep mbrapsht 20%. Tek shitjet në rrugë nuk kemi çfarë rimburojmë se e ke pa letra atë. Ti i jep atij që vjen me makinë, ai e merr e ikën, aty s’ka letër. Aty s’kemi çfarë bëjmë. E 20% që shteti ta jep mbrapsht, e ka vetëm Shqipëria. Nuk e ka askush sepse është shumë e lartë. Që të marrësh 20% mbrapsht lekë, pasi e ke shitur prodhimin është shumë e lartë. Por ne e kemi mbajtur 20% e do ta mbajmë dhe për disa vite, për të formalizuar bujqësinë. Pra për të nxitur ty që ta shesësh me letra. Që ta shesësh me letra duhet të kesh një marrëdhënie me atë që e blen, me letra, që është grumbulluesi. E që të kesh grumbulluesin të interesuar për të ndërtuar këtu pikën e prodhimit, ti nuk duhet të jesh vetëm, por të jeni bashkë. Të vijmë tek fondi i garancisë. Se kanë dalë e i thonë fermerëve, – a thua se janë budallenj shqiptarët, që Edi Rama, do t’ju zhysë juve në borxhe me bankat prandaj ju thotë merrni kredi.” Ndërkohë që shikojini fermerët në Shqipëri që kanë përfituar kredi nga këto agjencitë e pagesave. E para, nuk janë zhytur në asnjë borxh. E dyta, në gjithë problemin e kredive të këqija që ka Shqipëria, e ka me biznesmenët e mëdhenj. Asnjë problem nuk ka me kreditë në fshat. Zero. Sepse janë kredi të cilat kur i marrin, ju dalin mirë. Problemi është që duhet të jenë kredi të buta. E këtu kemi ndërhyrë ne.
Ne kemi ngritur një fond garancie, me paratë e shtetit, për të garantuar kreditë e atyre që shkojnë, që aplikojnë për t’i marrë si fermerë, pra për prodhimin bujqësor e jo për pallate apo turizëm. Kështu që nëse një sipërmarrës shkon të marrë kredi për një fabrikë, ai duhet që të lërë garanci në bankë, të lërë asete, të lërë para, etj. Ndërkohë që një fermer sot nuk shkon dot në bankë. Se të thotë banka, çfarë do lësh këtu peng? Çfarë do lësh kur dhe tokën nuk e ke tënden. Se ke atë letrën, aktin e marrjes në përdorim, por ajo është e ke sot, nesër “shohim e bëjmë” se mund të vijë ndonjë pronar tjetër. Pra, miqtë e mi, fondi i garancisë do shërbejë si garanci për kreditë tuaja. Dhe bashkia do të jetë një ndërmjetës, edhe qeveria, që kush aplikon, të ketë suksese.
Por që të aplikoni në mënyrë të suksesshme nuk mund të jeni tek pullë.
Po marrim blegtorinë. Tha Nesimi, “duhet një baxho”. Shumë mirë. Mund të bashkoheni e ta ndërtoni baxhon, duke marrë nga këto kredi që janë me interesa shumë të ulëta ose me interesa zero. Në rast se dështon investimi, është shteti garanti, nuk vjen njeri këtu t’ju thotë më jep tokën, më jep këtë apo atë.
Kjo është rruga ku nga buxheti i shtetit do vazhdojmë të rrisim mbështetjen, por paralelisht do ti japim fermerëve mundësinë që të kenë një linjë tjetër financimi. Edhe bashkitë vetë, mund të thonë do marr unë një kredi të kësaj natyre, bashkë me fermerët e njësisë administrative X, me këtë numër fermerësh e do ta ndërtojmë ne baxhon. Bashkia do të ketë në atë baxho pjesën e vetë, në kuptimin që do jetë bashkëpronare në një shumë të caktuar, dhe do kompensojë pjesën e kredisë. Kjo është rruga, nuk ka rrugë tjetër. Kjo historia “secili për vete, Zoti për të gjithë” nuk funksionon. Deri dje ishin kooperativat ku njerëzit bashkoheshin me forcë, sot njerëzit bashkohen për interes. Nuk po ju tregoj një gjë që e kam parë jashtë shtetit. Po ju tregoj një gjë që e kam parë në Shqipëri. Kështu bëjnë me agrumet në Sarandë, kështu bëjnë me mollët në Korçë, kështu bëjnë me perimet në Divjakë. Të shikoni eksportet si janë rritur. Por nuk janë gjithë fshatarët e Divjakës që eksportojnë. Ata prodhojnë për eksportuesin, marrin paratë e tyre. Është puna e eksportuesit se çfarë bën më pas. E që të fusim figurën e eksportuesit këtu, na duhet që ti japim provën ose ta tërheqim duke i thënë po, këtu mund të prodhojmë. E mund të prodhojmë të gjithë bashkë. Por ti do futesh këtu e do ndërtosh pikën e grumbullimit, apo baxhon, ose në bashkëpunim me bashkitë. Bashkitë në Itali janë aksionere në veprimtaritë prodhuese në bujqësi. Janë krah për krah me fermerët, bëjnë suksese sëbashku. Por këtë ne nuk mund ta bënim me 400 bashki e komuna. Se ato nuk krijonin dot gjë.
Sot që kemi një bashki të madhe dhe këtu, ne mund ta bëjmë, është gjithë ky territor, është gjithë kjo mrekulli, duhet ta shfrytëzojmë, por duhet ta shfrytëzojmë me inteligjencë. Jo duke thënë shteti të na sjelli këtë, të na sjellë atë. Jo, shteti nuk sjell dot këtu pasurinë. Pasuria krijohet këtu. Shteti duhet të ketë rolin e vet që të krijohet pasuria këtu, që të mos ketë njerëz që jetojnë në fshat e janë të varfër. Se nuk ka, nuk gjen dot në Europë njerëz që jetojnë në fshat e janë të varfër. Sepse prodhojnë ushqimin jo vetëm për vete, por dhe për popujt, por ama janë të organizuar. Duhet të riorganizohemi në funksion të shitjes. Mos jemi të ndarë si zogjtë e korbit e pastaj, thjesht dhe ata që mund ta shesin tek rruga, vetëm mbijetojnë vetë, me ato që fitojnë vetëm hanë e mbajnë familjen me bukë. Por nuk vënë para mënjane. Ose vënë shumë pak. Kush e do fjalën, unë jam në dispozicion.
-Ju falënderojmë juve, zoti kryeministër, falënderojmë dhe kryetarin e bashkisë se është munduar e po punon. Unë jam një fermer, në fshatin Mollas. Fshati ka vetëm një rrugë. Më shumë po rrimë pa drita sesa me drita. Mirë e the ti që të mblidhen disa fermerë, por këtu nuk ka mundësi, sepse të mbjellësh një hektar tokë në Skrapar do 1 milionë e gjysmë dhe prodhimi është 700 mijë lekë ose 600 mijë lekë. Duam drita, duam rrugën, qendrat administrative të shtrihen se 25 vjet demokraci fshati jonë ka punuar. Nuk është rregulluar një çesëm publike të pijë populli ujë të shkojë poshtë e lartë. Këtë kërkojmë ne, të shtrihen qendrat administrative të punojnë për fshatin të grumbullojnë.
Kryeministri Rama: Të kuptova faleminderit! Më the ka 50 vjet pa vënë një shtyllë. Dakord! Tani çfarë më di mua ti?! Mos më di gjë ndonjë magjistar që ja bëj kështu edhe tak të tëra shtyllat vijnë në fshatin tënd?! Unë nuk thash që nuk është realitet. The, kam 50 vjet nuk kam parë një shtyllë të re. Janë ato shtyllat që rijnë kështu si plakat e Vunoit. Ajo që nuk u bë për 50 vjet, ti pret që të bëhet në fshatin tënd dhe jo vetëm fshati jot se të ishte vetëm fshati do të kishim mbaruar punë ne. Po si fshati yt, – ti flet për vete, në rregull unë kam detyrën të flas për të gjithë, këtë detyrë më keni dhënë mua, pra siç është fshati yt e di sa shumë fshatra ka? Sa të duash ti. E di ti që 85% e shtyllave që ne trashëguam nga shoku Sali – se ka qënë shoku Sali ai përpara se të bëhej nga zoti Sali, -në vitin 2013 janë në moshë 40-45 vjeç. 50 vjeç kur thua ti. Pra, janë nga koha e elektrifikimit e shokut Enver. Sepse 20 e kusur vite nuk u bë asnjë plan serioz dhe nuk u ndoq asnjë strategji serioze për problemin e rrjetit të shpërndarjes, përkundrazi u fut një mendësi e re e lirisë, “energjinë kush është budalla e paguan, kush është i mençur e vjedh”. Kjo u fut. Nuk të thashë që ju që e paguani jeni budallenj, ju them si funksionojë mentaliteti 20 e kusur vite dhe juve që paguanit energjinë e paguanit edhe kur nuk e kishit dhe e paguanit edhe për ata që e kishin dhe e vidhnin. Ndërkohë që paguanit edhe diçka tjetër ju. Ju në atë fshat dhe të gjithë shqiptarët paguanit edhe nga buxheti i shtetit që ëhstë buxheti i të gjithëve bashke, 150 milion euro çdo vit për të kompensuar vjedhjen e energjisë dhe që dritat të mos fikeshin në tërë Shqipërinë. Sot, nëse ne do të kishim qënë kaq të zotë që të kishim zgjidhur edhe shtyllat e fshatit tënd pra dhe të gjithë fshatrave, ta thash, unë do isha magjistar nuk do isha këtu në Skrapar sot, do më kishin marrë të zgjidhja problemet e botës jo të Shqipërisë. Por ne nuk jemi magjistar miku im dhe ne nuk kemi ndonjë shkop magjik. Ne kemi filluar të investojmë në rrjet për shembull. Zona e bregut që thonë gjithmon turizmi, turizmi, deri vitin e kaluar kur ndizje dritën dridhej drita sikur i futej tartakuti, gati nuk thyheshin poçet nga dridhja sepse tensioni ishte mos e pyet, dhe pastaj iknin e vinin dhe ishin aty shtyllat që thua ti edhe atje ku me demek ne zhvillonim turizmin. S’ka më atje probleme. U mbyll ajo histori. Mbyllëm historinë e lidhjes energjetike me Kosovën. Dje e patë në televizor me ministrin e ekonomisë, e bashkëpunimit ekonomik të Gjermanisë firmosëm vazhdimin për të mbyllur dhe me Maqedoninë linjën e furnizimit me energji. Kështu që edhe në rrjet kemi investuar siç nuk ka investuar askush më përpara.
Do të vijë radhë edhe te fshati yt. Tani ti me të drejtë do të më thuash.”Unë kam 50 vjet që pres, ti thua do të të vijë radhë, por kur do të më vijë radha mua?” Ke të drejtë, por e para llogaritë bëji me tre vjet kur më pyet mua. Mos i bëj me 25 vjet se nuk kam unë përgjegjësi për 25 vjet. Dhe e dyta. Nëse kujton ti dhe kush tjetër kujton se ka këtu në këtë vend ndonjë tjetër që mund të bënte më shumë në tre vjet hajde ma prezantoni edhe mua se iki unë dhe them hajde vëlla bëje. Deri tani ata që dalin dhe flasin janë atë që kemi parë në 25 vjet. Unë të paktën. Ju i njihni mirë. Në do me parti të vjetra në do me parti të reja 25 vjet këtu vërdallë kanë qënë çfarë nuk i kanë thënë këtij populli, në çfarëdolloj situatash nuk kanë treguar lloj-lloj përrallash dhe realiteti është ky. Ne do të vazhdojmë të punojmë shumë fort, që hap pas hapi të mbyllim plagët e vjetra se janë plagë të vjetra të gjitha këto dhe të fillojmë të japim rezultate për të gjitha reformat që po bëjmë që kanë filluar të japin rezultate. Ti më the 25 vjet apo jo? 50 vjet shtyllat, 25 vjet më the për rrugën, 25 vjet nuk është bërë rruga jote. S’është bërë 25 vjet, tani si do ta bëj unë rrugën tënde në tre vjet, ndërkohë që ti pavarësisht se je nga ai fshat je nga Skrapari. Dhe ti e shikon Çorovodën. Pra ka ardhur në Çorovodë të paktën rruga e zhvillimit. Apo jo? Pra po ndërtohet të paktën në Çorovodë, nuk mund ta fillonim nga fshati yt dhe të dilnim drejt Çorovodës. Do ta fillonim nga Çorovoda dhe të vijmë drejt teje. Se dhe Çorovoda është e jotja dhe nuk është më bashkia e një qyteti tjetër, por është bashkia jote. Është qendra e bashkisë tënde. Ti nesër e merr nipin, e merr mbesën, e nxjerr në qendër të Çorovodës dhe do t’i duket vetja sikur doli jashtë shtetit në krahasim me çfarë ishte. E besoj që si njeri i punës që je si fermer që je, ti më kupton shumë mirë mua se ti e di shumë mirë. Çfarë kultivon ti? Por ama ti nuk ma merr mendja që sa del keci i fut duart për ti marrë qumështin. Nuk ma ha mendja që sa del i thua bjer këtu prodhimin se të mora frymën. Fillon e ushqen fillon e rrit pastaj kur ti vijë koha… Kështu është dhe kjo punë i dashur. Ju e dini më mirë se të gjithë. Se nuk keni portale ju. Ju nuk merreni me analizat e qeverisë nga kafenetë e Tiranës dhe tregoni përralla në televizor dhe merrni miliona rroga për të folur broçkulla.
Ju këtu përballeni çdo ditë me realitetin dhe çdo ditë për ju është luftë. Ama ju e dini shumë mirë që kush lufton për prodhim, kush lufton për ta bërë më punë shtëpinë e tij, kush lufton për t’ia dalë me punë, duhet të sakrifikojë dhe të durojë se nuk mund të bëhen dot gjërat menjëherë. Dhe e fundit që po të them të të bëj dhe një pyetje tjetër. Ti thua që më kushton shumë. Pse nuk merr borxh?! Shko merr borxh. Nuk merr borxh ti sepse bën llogarinë, mirë po ja marr borxhin, por po nuk ia lava borxhin do të vijë të më marri tokën, po s’ia lava borxhin do të vijë të më marri shtëpinë. Atëherë kjo Shqipëria nuk është një shtëpi kjo? Është shtëpia jonë e përbashkët kjo Shqipëria? A ka dhe kjo Shqipëria llogarinë e vet?! Si t’ia bëjmë ne, të dalim rrugëve të marrim borxhe siç mori Saliu dhe na la që për pak përfunduam në greminë. Nuk kemi pasur para ne që ta dini ju në shtator për të paguar rrogat dhe pensionet e nëntorit dhe dhjetorit, kur erdhëm në qeveri. Rrezikonim të mos paguanim dot rroga e pensione dhe rrezikonim të na fikeshin dritat sepse nga 2007 kur u krijuar kjo e famshmja OSHEE, deri në 2013 kishte 1.1 miliard dollar borxhe. E kuptove me teorinë “që sa të jetë Lala Gjoni, Saliu dmth, hani, pini dhe këndoni. Kur të iki unë vrisni veten dhe bëni ç’të doni”.
Patjetër që keni shumë të drejtë, nuk po të them që s’ke të drejtë, por duhet pak menduar sepse nëse unë do të kisha ardhur këtu dhe nëse do ju thosha ore shikoni Beratin sepse po ndërtojmë në Berat, do doja të thosha e di si është puna? Sa të vijë nga Berati, rruga e zhvillimit në qendër të Çorovodës, ne këtu kemi marrë fund. Unë s’po të them Berati. Po të them ja ku është. Kur të bëhen zgjedhjet e tjera për kryetar bashkie do të ketë mbaruar punë gjithçka aty. Mirëpo ajo do të sjelli zhvillim. Se nuk është vetëm puna se do të dalësh ti shëtitje. Se kam dëgjuar disa injorantë që thonë po bën Edi Rama sheshe që të dalin njerëzit shëtitje se janë pa punë. Megjithëse, po larg qoftë mos ti bësh këtu, po ku do të dalin njerëzit të marrin frymë se nuk merret vesh kjo punë. Më thoshin mua kur isha kryetar bashkie. Pse do hamë pemët ne që ky mbjell pemë?! Sot kur kalojnë i shikojnë të gjithë ato pemë që janë rritur e janë bërë kurora kanë harruar, – bëjnë sikur e kanë harruar se ata nuk e e kanë harruar, ka kush e mban mend për mua, se unë nuk pres ta mbajnë mend ata që dalin në televizor për të sharë. Pra gjërat duan kohë. Tirana sot kur vijnë të huajt, unë qesh. E dëgjuat sot atë ministrin e ekonomisë gjermane se çfarë tha? Ai vjen nga Gjermania. Kishte qënë përpara ai, po çfarë më tha mua përpara se t’i thoshte në televizor. Kam qënë në ’91-in – tha, unë nuk e besoj dot që ky është i njëjti qytet. Është e pabesueshme, tha se çfarë gjelbërimi ka ky qytet dhe sesa i pastër është ky qytet. Kam parë punëtoret e pastrimit që punojnë natën dhe jam pa mend. Unë qesha, hajde ta takoj me këta analistë thashë, se ke ardhur këtu në vendin më të tmerrshëm. Ka akoma probleme, gjërat duan kohë e tyre. Rëndësi ka një gjë, pse ju thoni që në këto tre vjet ne kemi ndenjur kot? Është një çështje tjetër. Nëse ju thoni po janë bërë këto e këto, por s’janë bërë këto e këto, unë jam dakord me ju. Unë nuk po ju them juve këto, gëzohuni se ne kemi bërë çudira, unë po ju them që ajo që ka munguar është që s’kemi pasur shtet, ti ishe në të njëjtin fshat, komshiu yt, të dy bashkë, ai te shtëpia tjetër e merrte subvencionin, ti nuk e merrje dhe ai merrte subvencionin, i hipte makinë dhe ikte, ti rrije atje punoje tokën. Komshiu tjetër merrte naftën, ti s’e merrje, ai i hidhte naftë makinës, ti thoje çfarë bëhet kështu. Se s’kishte shtet vëlla, sepse njëri ishte kushëriri i X-it, tjetri ishte partia e qeverisë atje që e kishte tmerr zonën tënde dhe ja s’po hyj tek të tjerët.
–Kryeministër më shiko në sy. Kam kënaqësinë, më duket si ëndërr që flas me ty.Edhe mund të preken interesat e Nesimit apo të miat, apo tëndet unë do ti flas dy llafe këtu se s’më bie radha të takohem më.
Kryeministri Rama: Nesimin unë e kam mik, që ta dini ju. Me Nesimin një debat kam bërë në jetë unë, se ky nuk e donte LSI-në, kur unë i thoja dua të bashkohem me LSI-në.
-Edhe unë shokë i tij jam. Votat e mia të shtata të shtëpisë ai i ka marrë.
Kryeministri Rama: Nëse ja ke dhënë votën këtij, ma ke dhënë edhe mua. Nëqoftëse ja ke dhënë Fatosit përpara shumë mirë ke bërë se kujt do ja jepje. S’kishe kujt t’ia jepje në atë kohë.
–Unë jam Verzhezha me origjinë, por rri këtu në Orizaj. Matanë asaj kodre po të kthesh sytë ti tani janë 40 ha tokë, atje unë kam 7 dynym e gjysmë edhe shokët e mi, ajo xhadja atje nuk kalon dot nga Verzhezha, dhe nga andej nuk vjen, toka është e papunuar. Dërgo një ekspert ta shikojë ata të tutë. 40 hektarë, 740 dynym mund të jenë . Tokën e ka bërë Zoti por ata të shkretë fshatarë e paguajnë atë 1700 lekëshin për tatim për të punuar rrugën. E dyta, në 97-ën është prishur instituti. Ka lënë disa hektarë tokë atë e dinë ata, ne e kemi ndarë pjesërisht, i kemi bërë dhe letrat kryetarit të bashkisë për atë si shoqëri, që tokën e kemi ndarë. E kemi ndarë si vëllazëri se e prishi instituti, iku, kush e ka pronën e tij tokë babai, e kemi ndarë, një dynym unë,…
Kryeministri Rama: Domethënë ti thua kështu: Atje lart janë 40 hektarë, ato i dua me 7501-in. Këtu poshtë është tokë pa zot, këto i dua me vëllazëri. Pra lart me 7501 , poshtë me vëllazëri, shteti këtu asgjë. Ashtu do ti? Si puna e tyre që thonë shtëpinë ma legalizo këtu, me jep dhe tokën e këtij tjetrit, kurse tokën që kam atje prapë e dua vete, kështu thua ti. Të dyja i do?
-Pse mos ti paguaj tatimet e kësaj poshtë?
Kryeministri Rama: Atë poshtë prit ta marrësh njëherë, pastaj prit ti paguash tatimet. Ti thua, jemi që jemi, u takuam bashkë, hajde merre. Prandaj më the kam ëndërr që të shikoj, po më realizohet ëndrra të marr tokën.
-Jo ta marr, po më takoi ma jep, po s’ më takoi jepja kujt të duash.
Kryeministri Rama: Po pse ta japim, e mbajmë për vete, e mban Bashkia.
-Le ta kthejnë fermën e Enver Hoxhës prapë. Ta kthejnë kooperativë.
Kryeministri Rama: Enver Hoxhës jo, por a folëm për pika grumbullimi? Ku do ta bëjë ky pikën e grumbullimit? Për shembull mund ti thotë X sipërmarrësi ose mund ti thotë ty apo tjetrit : Me këtë tokën që qënë instituti është tokë e shtetit, hajde bëjmë pikën e grumbullimit dhe e shfrytëzojmë të gjithë.
-Si problemi jonë mund të këtë edhe ndonjë rreth tjetër. Kam edhe një problem personal, kam dashur të të vij në zyrë prandaj më duket si ëndërr që takohemi bashkë. 17 vjet më kanë marrë dy dynym tokë me hipoteke, deputeti jot, e kam ndaluar në mes të rrugës shefin aty edhe e di mirë gjendjen, për ambicie personale. Unë dua një jurist na ata të tutë. Letrat i kam të firmosura me shtet, me komunë, me këshillin e qarkut të Beratit, prej inatit personal të tij janë 11 milionë e 520 mijë të vjetra, më ka thënë i ka kthyer Edi Rama dhe ty të takojnë 2 milionë e 400 mijë. Sivjet e ke bere këtë punë ti, pse ma bërë mua? Po unë e kam tokën time, mos ma merrni.
Kryeministri Rama: Më the për diçka që unë nuk kam lidhje dhe nuk e di fare personalisht por nëse është një çështje që ka të bëjë me qeverinë jam i sigurt që kryetari i bashkisë nuk të ka gënjyer, por më ngatërrove shumë bisedën kur me the me inat personal se vetëm me inate skraparllinjsh unë nuk përzihem se nuk ua u zgjidh dot. Se me inatin tuaj nuk hahet njeriu që ka logjikë, kështu që merruni me njëri-tjetrin. Ti inat këtë, ky ka inat sa Mali i Tomorit, po ja dolët me njëri tjetrin, qenkeni miq, ti i paske dhënë votat, babai para se të vdiste ta paska lënë dhe amanet kështu që ja ku jeni, inat me inat, përplasuni vetëm aman na duhen gjallë të dy se jemi një familje, të lutem, plagosuni, por mos asgjësoni njëri tjetrin.
–Ju urojmë dhe ju faleminderit që morët pjesë këtu në fshatin tonë. E kemi pritur ardhjen tuaj pa durim se këtu në këtë fshat nuk ka ardhur asnjë kryeministër. Neve ju urojmë në radhë ë parë nga zemra se jam një njeri socialist nga ‘45 e deri sot në 2016-ën dhe jam një njeri me kraharor të hapur.
Kryeministri Rama: Në ’45 nuk ke qënë socialist. Në 45-ën ju thoshit ndryshe. Thuaj, në ‘45 kam qënë komunist, tani jam socialist. Se të jesh komunist dhe të bëhesh socialist është normale, të jesh komunist dhe të bëhesh antikomunist si Saliu ajo është … kështu që ti je në rregull, ti je zhvilluar bashkë me vendin.
-Neve jemi shumë të kënaqur, që nga kryetari i bashkisë. Kemi një kryetar bashkie që i lutemi Abaz Aliut se atë kemi ne si më të besuar, ti japë ymër Zoti, po na zbukuron qytetin.
Kryeministri Rama: Mos ia bej qejfin se e njoh vetë. Më thuaj a ke ndonjë problem me mua, Nesimin këtu e ke. Unë e njoh vetë, e vlerësoj, s’ka nevojë të më flasë njeri mirë, ja di punën, ja di kokën, kështu që ta thashë vetëm për një gjë kam bërë debat me të, të tjerat janë në rregull. E njoh për njeri punëtor, për njeri që i rri punës në kokë, është në rregull me mua. Këto projekte siç i sjell me fotografi i realizon ne realitet. Pra, jemi në rregull. Ka dhe ndryshe. Kishte Tirana një kryetar bashkie që tregonte fotografi njerëzve, por në realitet s’kishte asgjë. Pra ka edhe kështu!
–Unë jam një blegtor, jam një familje që të gjithë marrim pjesë në blegtori. Kam aktivizuar edhe fëmijët e mi, të gjithë në punë, marr edhe 4-5 punëtore që punësoj atje. Unë para se të vije ti në pushtet kam pasur 500 kokë dhen, si trung familje, nga ndihmat e shtetit që më kanë dhënë para i kemi bërë tani edhe 1500 dhen, si trung, edhe 1200 kokë i dimëroj në Sarandë, në bashkinë e Finiqit.
Kryeministri Rama: Taksat janë rritur?
– S’kam pasur taksë.
Kryeministri Rama: Prandaj po ju them se iu thonë njerëzve: Ju kanë rritur taksat. Iu kanë rritur taksat fermerëve. Tallen për ditën për diell, iu kanë rritur taksat fermerëve, po shyqyr doli Ridvan Bode dhe nuk e tha dot çfarë takse se s’ka taksë të rritur dhe kryetari i riu që ka dalë që iu informova unë – se juve njihni vetëm Saliun për kryetar partie, mire e keni, në rregull e keni, – se ky kudo që shkon u thotë: Iu rriti taksat fermerëve.
-Me gënjeshtra nuk shkojmë ne, ne shkojmë me realitetin. Para një jave kam qënë në Lushnjë në një seminar dy ditor dhe kam ca pika atje të blegtorisë, vajta dhe një pikë grumbullimi atje në Gore të Lushnjës, e tha dhe Nesimi, edhe juve, se këta të tjerët nuk e kanë parë atë pikën e grumbullimit atje. Ta dijë ky popull këtu, gjë më e mirë nuk kishte, kur grumbullohet prodhimi në grumbulli edhe e dorëzon atje, merr paratë dhe ikën. Nuk ka më mirë. E sheh këtë fshat këtu? Burra dhe gra i përvëlon vapa ne Çorovodë tërë ditën e ditës edhe shesin një kg, dy kg pjeshkë.
Kryeministri Rama: Të falënderoj shumë se më ndihmove të shpjegoj se ty ndoshta të besojnë me shumë se për mua kushedi thonë, ky kushedi ku i ka parë këto jashtë shtetit dhe na i tregon ne, folu.
-I pashë se isha në Lushnje dhe në Fier. Në dy rrethe kam qënë dhe doja të thosha diçka. Unë i kam marrë paratë për veten time, por keni persona blegtorë që nuk i kanë marrë.
Kryeministri Rama: E di, e kam dëgjuar këtë edhe në disa vende të tjera dhe kush, – dëgjoni këtu, po ju them kaq, – kush ka aplikuar dhe i takojnë do i marri një më një deri në qindarkën e fundit paratë e këtyre subvencioneve të blegtorisë.