Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konvikti i Shkollës Profesionale në Fier është përshtatur për të pritur personat që mund të lindë nevoja të evakuohen në rast të përkeqësimit të situatës. Kryeministri Edi Rama inspektoi këto ambiente dhe kërkoi përqendrim maksimal deri në normalizimin e situatës, për të kaluar më pas në rikuperimin e  dëmeve.

“Fatmirësisht, falë punëve që janë bërë dhe masave që janë marrë, besoj që do kemi shumë më pak dëme se në vitin 2015. Mjaftojmë të shikojmë Fierin e 2015-s, kur përmbytja ishte deri në qendër të qytetit dhe sot jemi në një situatë komplet tjetër, sepse është bërë gjithë ai pastrim kolosal i segmentit të lumit, janë bërë transformime të rëndësishme të gjithë rrjetit të kanalizimeve të tokave bujqësore, janë marrë masa përgjatë shtratit të lumit. Sidoqoftë situata është dramatike. Ajo që është e rëndësishme është që të mos kemi jetë të humbura në radhë të parë, pastaj të jemi të gatshëm për t’iu gjendur pranë të gjithëve në momentin kur duhet të kalojmë në fazën e riparimit të dëmeve, duke filluar nga bagëtitë që janë “a” për ne dhe që duhet t’i riparojmë me patjetër, pastaj me të tjerat. Por janë vërtetë për t’u falënderuar të gjithë strukturat e bashkisë këtu, por edhe strukturat e bashkive të tjera, që kanë punuar intensivisht gjatë këtyre dy viteve, për t’ia dalë që të jemi më të përgatitur në këto situata. Plus, me llogaritë e bëra sëbashku me Ministrinë e Mbrojtjes kemi një pesëfishim të Forcave të përfshira, krahasuar me 2015-n, pasi kemi riorganizuar rrjetin e reagimit të shtetit dhe falë edhe punës së bërë nga Ministria jemi në kushte më të mira mbrojtëse,” – nënvizoi Kryeministri Rama.

“Janë bërë gati 180-200 shtretër në rast se do të lindi nevoja të evakuojmë familjet nga zonat e përmbytura t’i sjellim këtu,” – informoi kryetari i bashkisë, Armando Subashi.

“Kemi bërë një plan shumë të qartë të dislokimit të trupave, por edhe gjithë kapaciteteve teknike, automjeteve që kemi në dispozicion, për t’i bërë ballë kësaj situate. Jemi maksimalisht të angazhuar dhe në një komunikim të vazhdueshëm me bashkitë, prefekturat dhe këshillat e emergjencave civile. Kemi pesëfishuar prezencën tonë, jo vetëm këtu në Fier, por edhe në të gjitha zonat, të cilat rrezikojnë përmbytje, për të siguruar jetën e të gjithë atyre që rrezikohen nga kjo situatë emergjente. Unë marrë shkas t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që janë në zonat apo në hartën e rrezikuar që të bashkëpunojnë me autoritetet, emergjencat civile dhe Forcat e Armatosur, për t’u evakuuar një orë e më parë, derisa të normalizojmë plotësisht situatën. Bashkëpunimi është garanci,” – ishte apeli i ministres së Mbrojtjes.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.