Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë frymëzuese, gjatë drekës që pati me të rinj dhe të reja të Fierit, por jo vetëm, të punësuar në shërbimin publik shëndetësor dhe sektorin privat përmes zyrave të punës. Ata kanë hyrë rishtas në tregun e punës dhe disa prej tyre vijnë edhe nga distanca të largëta për të punuar në Fier.
Të rinjtë, disa prej tyre të kthyer nga emigracioni, ndanë me Kryeministrin eksperiencat në gjetjen e punës, e cila iu është ofruar me mbështetjen e zyrave të punës. “Kam punuar në Greqi në sektorin e ndërtimit, por kam qënë dhe në vende të tjera. Kam një vit e gjysmë që jam kthyer. Një vit ndenja pa punë, pastaj aplikova ne zyrën e punës. Në kohë rekord, për një javë më kanë thirrur dhe kam dhënë intervistën për vendin e punës. Aktualisht punoj në një nga kompanitë e angazhuara në projektin e TAP, në sektorin e logjistikës,” – u shpreh një nga djemtë.
Ndërsa një prej vajzave, e punësuar në sektorin privat, ka zgjedhur të punojë dhe jetojë në Fier, megjithëse familja e saj banon në Durrës. “Kam mbaruar inxhinieri mjedisi. Punoj në një prej kompanive të projektit të TAP. Vij nga Durrësi. Kam aplikuar fillimisht nga zyra e punës, në një laborator materialesh ndërtimi, ku punova një vit. Tani jam shpërngulur dhe jetoj ne Fier. Puna në kompani të huaja na ndihmon shumë profesionalisht. Na mëson me standarde të reja, që do të na ndihmojnë në të ardhmen.”
Shëndetësia është një prej sektorëve që së fundi po përmbush nevojën për mjekë specialistë, të cilët deri dje shikonin si alternativën më të mirë punësimin jashtë shtetit. Vajzat dhe djemtë e rinj të punësuar në sektorin publik shëndetësor pohojnë se dëshira e tyre është të punojnë në zonat periferike, aty ku dhe nevojat për mjekë janë më të shumta. “Jam mjeke. Kam marrë licencën në janar të këtij viti, kam dorëzuar dokumentet për punë dhe në shkurt kam filluar. Aplikova direkt në qendrën shëndetësore Libofsh. Jam nga Fieri, por doja të punoja në periferi. Më duket se ka më shumë nevojë në periferi për mjekë,” u shpreh një nga mjekët e rinj.
Por ajo nuk është e vetmja. “Unë jam mjeke. Kam mbaruar në vitin 2016. Kam aplikuar për punë në janar të këtij viti. Tani punoj në një qendër shëndetësore në Zhupan. Fillimisht kam dorëzuar dokumentet dhe pas 10 ditësh kam marrë emërimin. “
Ndërsa inkurajoi të rinjtë për zgjedhjen e bërë, Kryeministri tha se qeveria ka gjetur mekanizmat e duhura për të nxitur dhe mbështetur mjekët e rinj të punojnë aty ku nevojat janë më të mëdha.
“Ne kemi vënë bonusin për mjeket specialistë që pranojnë të shkojnë në spitalet jashtë Tiranës. Është një bonus që garanton një pagë që është e barabartë me pagën që marrin jashtë shtetit, por që t’i shërbejnë vendit këtu. Kemi raste të mjekëve që janë kthyer nga Gjermania, nga Italia dhe janë bërë pjesë e këtij programi. Hap pas hapi po plotësohen të gjithë spitalet e tjera me mjekë specialist se ishte një problem i madh shumë prej shumë vitesh, që nuk zgjidhej. Është një kosto për buxhetin, por është praktikisht një transformim i madh dhe një përmbushje e domosdoshme e nevojave në spitalet e tjera, pasi u përqendruan të gjithë specialistët në Tiranë dhe spitalet e tjera mbetën shumë keq.”
Ndërsa sa i takon perspektivës së qendrave shëndetësorë, Kryeministri u shpreh se “janë identifikuar 300 qendra shëndetësorë që kanë nevojë për rindërtim me themel. 80 do të rindërtohen këtë vit. Besoj që i gjithë sistemi i qendrave shëndetësorë brenda këtij mandati do të jetë komplet tjetër nga pikëpamja e kushteve, e instrumenteve bazikë, por edhe e mjekëve.”