Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Besoj se ju nuk e keni harruar që në shkurt të vitit të kaluar, lumi i Vjosës doli nga shtrati dhe shkaktoi dëme shumë të rënda në infrastrukturën tuaj prodhuese.
Unë isha ato ditë këtu me ju, duke u siguruar që ne nuk do të zhdukeshim pasi të dilte dielli, por do të vinim prapë për të bërë të mundur që të gjitha dëmet të rikuperoheshin dhe jeta juaj prodhuese dhe puna juaj të vazhdonte normalisht.
Pikërisht në ato ditë, unë kam bërë një takim me ambasadorin në përpjekjen për të siguruar të gjithë mbështetjen e mundshme, që ne pastaj arritëm të sigurojmë, qoftë nga BE, qoftë nga qeveria e SHBA-ve.
Pikërisht në atë takim i kam kërkuar ambasadorit mbështetje dhe ai më ka siguruar që do të fliste menjëherë me USAID për të parë mundësinë e mbështetjes. Faktikisht USAID është një nga partnerët tanë në këtë përpjekje të përbashkët për të bërë atë që nuk është bërë kurrë në Shqipëri, ardhjen në ndihmë të njerëzve të dëmtuar nga përmbytjet zë për zë, që nga dëmet në shtëpi, – dëmet që kishin nevojë për përgjigje imediate dhe ne i dhamë përgjigje imediate, – tek dëmet në infrastrukturën e prodhimit, dhe humbjet për shkak të përmbytjeve për të cilat ne kemi bërë gati paketën e plotë të kompensimit financiar sipas gjithë inventarit të dëmeve të bëra në atë periudhë bashkë me ju dhe tek puna për rimëkëmbjen e infrastrukturës për të cilën kemi vënë në dispozicion një fond të konsiderueshëm dhe po bëjmë punime në disa pika nevralgjike të shtratit të lumit.
Ajo që këtu mbetet për tu shënuar është dhe fakti që USAID nuk bëri thjesht një punë që lidhej vetëm me financimin, por punoi direkt me një grup fermerësh dhe me autoritetet vendore. E faktikisht sot nuk ka zëvendësuar thjesht serat e vjetra me të reja, por është krijuar një model ekselence për prodhimin dhe janë ofruar në vazhdimësi trajnime që bashkë me teknologjinë e re do të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë për rritjen e prodhimit.
Faktikisht, kjo zonë është një zonë që ka sjellë në Shqipëri këto 3-4 vitet e fundit një risi të madhe me kultivimin e luleshtrydheve. Faktikisht ne, jo vetëm që jemi shumë të lumtur që shohim buzëqeshjen të rikthyer plotësisht tek kultivuesit e dëmtuar vitin e shkuar, por dua t’ju bëj me dije se do ta çojmë më tutje këtë përpjekje të përbashkët, si pjesë e një strategjie të re të qeverisë, ku jo vetëm çfarë është bërë në këtë zonë, – janë rreth 90 ha me luleshtrydhe, falë serave moderne që pritet ta çojnë prodhimin në 40-70 ton, – por kemi një rritje të mëtejshme të sipërfaqes me sera, jo vetëm për luleshtrydhe por edhe për prodhime të tjera.
Faktikisht ju keni patur një ndikim real në rritjen e eksporteve, një rritje eksportesh që po shtrihet jo vetëm në rajon, por edhe drejt vendeve të BE dhe ne kjo na jep një kurajë të madhe për çuarjen përpara të projektit tonë që marka “Made in Albania” të certifikohet dhe të behet e besueshme ndërkombëtarisht.
Ju keni patur gjithë një problem me aksesin në financim. Unë dua tu bëj me dije se tanimë qeveria shqiptare ka vënë në dispozicionin tuaj një skeme madhore për të garantuar kreditë bujqësore. Dje unë u ktheva nga Londra ku bëmë dhe takimin në BERZH dhe kemi konfirmuar plotësisht vënien në dispozicion të fermerëve të një fondi prej 300 milion eurosh në 3 vjet, që do të thotë se tanimë nuk është vetëm fondi i vogël për kërkesat e shumta, i vënë në dispozicion nga qeveria nëpërmjet AZHBR, por është dhe ky fond që do të krijojë kushte për fermerët dhe për prodhimin bujqësor e blegtoral apo për peshkimin të jepen kredi në interesa shumë të ulëta, të cilat garantohen nga qeveria.
Ka një fakt që është shumë i rëndësishëm. Deri në vitin 2012, vetëm një bankë ishte aktive në bankat e nivelit të dytë për të kredituar bujqësinë, ndërkohë që sot, ne kemi të gjithë bankat e nivelit të dytë të angazhuara fuqimisht në kreditimin e bujqësisë.
Krahas fondeve që kemi përfituar nga bashkimi i forcave me USAID dhe programin e Bashkimit Europian, që janë një shumë e konsiderueshme, do të jenë dhe këto fonde të financimit të drejtpërdrejtë të fermerëve, që unë ju ftoj t’i shfrytëzoni maksimalisht, duke pasur parasysh edhe hartën e rajonalizimit të prodhimit dhe duke shfrytëzuar në këtë zonë, traditën më të mirë që e keni krijuar ju vetë e që flet vetë.
Ne i kemi dhënë bashkive këtë vit fondin më të madh që shteti ka vënë ndonjëherë në dispozicion për ujitjen dhe kullimin, për pastrimin e kanaleve që për 20 e ca vjet nuk janë prekur me dorë nga ata që ishin përpara nesh dhe për të garantuar që puna që do të bëjë qeveria me bordet qendrore të kullimit, që tanimë janë reduktuar në 4 zona të Shqipërisë, të jenë në harmoni me punën që do të bëjnë bashkitë. Faktikisht që tani bashkitë kanë në dispozicion fondet për të marrë me qera mjetet dhe për të blerë të gjithë karburantin e nevojshëm që të fillojmë nga puna për pastrimin, ndërkohë që e kemi filluar procesin për blerjen e një flote eskavatorësh të rinj, se jemi akoma tek ekskavatorët, e mbetur nga dashuria me Republikën Popullore të Kinës. Për herë të parë do të sjellim ekskavatorë të rinj, mbase amerikanë, mbase gjermane, këtë nuk e dimë dhe do i vëmë në dispozicion bashkive një flotë tërësisht të re ekskavatorësh. Gjithashtu, Ministria e Bujqësisë përfiton nga një grant i qeverisë kineze për një flotë ekskavatorësh që do të fokusohen tek derdhjet e lumenjve. Besoj kemi një plan shumë të qartë. Patjetër që duhet shumë punë, se çfarë nuk është bërë në 20 vjet, nuk mund të bëhet në 2 vjet, por jam i bindur se këtë sezon, ju do të keni shumë më pak probleme lidhur me ujitjen dhe do të keni shumë më tepër lehtësi lidhur kullimin.
Shumë faleminderit të gjithëve! Edhe një herë faleminderit miqve të USAID!
***
Prodhimet “Made in Albania” të fermerëve shqiptarë po mbështeten me teknologjinë më të përparuar bashkëkohore. Një vit më parë, fermerët e fshatit Kafaraj të Fierit, kultivues të luleshtrydheve, pësuan dëme të rënda nga përmbytjet. Sera të tëra u shkatërruan thuajse plotësisht, duke reflektuar humbje të konsiderueshme në tregun vendas dhe atë rajonal.
Gjatë një viti, falë mbështetjes së qeverisë dhe fondit prej 750 mijë dollarësh të USAID, u sigurua asistencë teknike dhe financiare për fermerët, në zonat e dëmtuara nga përmbytjet U rindërtuan 3 modele te reja serash të tipit tunel me parametra që garantojnë qëndrueshmëri, mikroklimë më të mirë dhe rezistencë të lartë. Serat e reja me lartësi 2,4 metra mundësojnë ventilimin e plotë në rast temperaturash, si dhe janë të përshtatshme edhe për mbjellje të kulturave te tjera bujqësore.
Në fshatrat Kafaraj, Ade, Frakull, e Vjosë të Fierit janë rreth 90 ha të mbjella me luleshtrydhe. Nëpërmjet këtij programi asistence u krijua një pikë grumbullimi, me makineri paketimi, të cilat përmbushin standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore sipas kërkesave të tregjeve të eksportit, si dhe u mundësua trajnimi i mbi 60 fermerëve mbi praktikat e reja bujqësore për luleshtrydhen.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë Donald Lu, drejtori i USAID për Shqipërinë Marcus Johnson, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal të zonës, u rikthye pas një viti në serat e reja të fermerit Xhemil Hamataj, përfitues i programit mbështetës.
Një prej hartuesve të projektit, duke treguar sipërfaqen mbi të cilën ngrihen serat e reja, u shpreh se modelet e rinovuara u lejojnë fermerëve të ndryshojnë në të ardhmen natyrën e produkteve të tyre. “Këtu ka qënë pjesa që u dëmtua tmerrësisht, gati 3 dynym të fermerit Xhemil Hamataj. Pas kësaj Marcus bëri një premtim në emër të USAID për të ndihmuar zonën. Filluam të zbatojmë një projekt zhvillimi për këtë territor. Krijuam një model që të mos jetë vetëm për luleshtrydhe, por edhe për kultura alternative, në mënyrë që në rast të një ndërrimi të kulturave, që ndonjëherë fermerët janë të detyruar ta bëjnë, ai e ka mundësi sepse mund të mbjellë aty dhe domate.”
Ambasadori amerikan Donald Lu, duke marrë fjalën u shpreh se mbështet nismën e qeverisë për ti kaluar bashkive, përgjegjësinë dhe autoritetin për parandalimin e përmbytjeve. “Edhe pse kam qenë në Shqipëri vetëm për një vit, miqtë e mi shqiptarë më thonë se cikli i përmbytjeve ndodh rregullisht. Ministri Panariti më tha të hënën se qeveria po ia kalon bashkive përgjegjësinë dhe autoritetin për parandalimin e përmbytjeve. Ne e mbështesim plotësisht këtë nismë dhe i bëjmë thirrje qeverisë t’u japë atyre, jo vetëm autoritetin, por edhe burimet teknike dhe monetare, që ta zgjidhin këtë problem. Reforma territoriale dhe administrative kishte për qëllim të përmirësonte sigurimin e shërbimeve në nivel lokal.” u shpreh ai.
Kryeministri Rama tha se zotimi i qeverisë për rikuperimin e dëmeve tashmë është një premtim i mbajtur. Duke shprehur kënaqësinë që fermerët fierakë iu rikthyen normalitetit të punës së tyre, kryeministri theksoi se objektivi i qeverisë është që marka “Made in Albania” të certifikohet dhe të bëhet e besueshme ndërkombëtarisht.
Kryeministri bëri me dije se do të vihet në dispozicion të fermerëve një fond prej 300 milion eurosh në 3 vjet, i cili do të krijojë kushte për ta dhe për prodhimin bujqësor e blegtoral apo për peshkimin që të jepen kredi në interesa shumë të ulëta, të cilat garantohen nga qeveria.