Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Spitali Rajonal Memorial i Fierit është kthyer në shembullin më të mirë të shërbimit mjekësor në vend, duke u bërë model për menaxhimin modern të spitaleve.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilloi sot një takim me ekipin e mjekëve të Spitalit Rajonal Memorial, të përbërë nga mjekë të specializuar nga Turqia dhe Shqipëria, dhe u dorëzoi bashkëdrejtuesve të Spitalit  kartën e autonomisë financiare.

Gjatë këtij takimi, gjashtë spitale të tjera të vendit; Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Materniteti “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Elbasan, Spitali Rajonal Gjirokastër dhe Spitali Universitar i Traumës – morën kartën e autonomisë menaxheriale, duke iu bashkuar këtij transformimi që po fuqizon sistemin shëndetësor. Kartat iu dorëzuan drejtuesve të institucioneve nga Kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë që objektivi i qeverisë mbetet krijimi i 17 qendrave ekselence deri në vitin 2027.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Merhaba! Dua ta nis duke ju uruar mirëseardhjen miqve të nderuar nga Turqia dhe jashtë protokollit do doja që t’i ftoja të vinin këtu bashkë me mua.

I ftova të vijnë këtu sepse është vërtetë një ditë e shënuar për ecurinë e reformës sonë të shërbimit shëndetësor mbërritja e tyre. Siç tha ministrja, i kemi kërkuar me këmbëngulje që të na bashkohen për të na mbështetur në një proces që është procesi më i rëndësishëm por dhe më i vështirë, ai i menaxhimit të spitaleve dhe faktikisht, janë 10 menaxherë me një eksperiencë të rëndësishme në Turqi ku transformimi i shëndetësisë është një nga pasqyrat më të jashtëzakonshme të të gjithë transformimit në tërësi të Turqisë dhe ku sistemi shëndetësor, nga një sistem tejet problematik dhe me shumë boshllëqe është kthyer në një shembull të ekselencës jo vetëm në Turqi, por në shkallë europiane.

Gjatë gjithë këtij rrugëtimi ne kemi kuptuar që kemi mjekë shumë të mirë, kemi infermierë dhe infermiere shumë të përkushtuar, kemi personel teknik të mjaftueshëm, por nuk kemi ende menaxherët që të shoqërojnë drejtuesit tanë të institucioneve të shërbimit shëndetësor në një fazë rritjeje dhe kuptimi të drejtë të punës shumë komplekse të menaxhimit të spitaleve dhe për më tepër në kushtet kur ne kemi hyrë në fazën e re të autonomisë spitalore, menaxhimi bëhet edhe më kritik edhe më kyç.

Duke ju falënderuar që mu bashkuat për një moment që të mos ju lë të rrini në këmbë, unë dua t’ju uroj që të keni… Unë do ta them në anglisht sepse nuk jeni ende mirë në shqip, po thoja që nuk do t’ju mbaj më në këmbë, por dua t’ju uroj një qëndrim shumë të lumtur në Shqipëri. Nuk do t’ju mungojë shtëpia si gjermanët apo evropianët perëndimorë kur të vini këtu sepse ju jeni në shtëpi këtu dhe kemi gjithçka që keni atje. Ne kemi qebap, ne kemi dollma, kemi çfarë të doni e për më tepër, kemi të njëjtin gjak të nxehtë, siç mund ta dëshmojnë kolegët e tu këtu që punojnë në Memorial, është si të jetosh në një pjesë të botës tënde. Faleminderit shumë për ardhjen dhe ju vlerësoj shumë, e vlerësoj shumë shërbimin tuaj.

Dua ta mbyll këtë parantezë duke shprehur një mirënjohje të përzemërt për Republikën e Turqisë, për presidentin Erdogan, i cili luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e këtij spitali dhe për ministrin e Shëndetësisë, i cili ka qenë shumë i etur për t’ju sjellë më në fund këtu. Mos e ndjeni si shërbim ushtarak, mos e ndjeni si të vështirë, ndjejeni si një përvojë që do ta mbani me vete përgjithmonë në zemrën tuaj. Faleminderit!

Faktikisht, këtu në Memorial nisi një rrugë e re, pak a shumë, 4 vjet më parë dhe po këtu nisi dhe procesi i autonomisë menaxheriale, i cili, siç tha dhe Albana, ka dhënë të gjitha rezultatet kuptimplota për të parë konkretisht se sa e rëndësishme është që mjekët, infermierët, skuadrat që jetojnë përditë dhe punojnë me orë e pa orë shpesh herë në spitale të kenë në dorë vendimmarrjen për menaxhimin dhe të kenë në dorë vendimmarrjen për shpenzimet e spitaleve.

Është një kapërcim praktikisht, nga një sistem i centralizuar, jo efektiv, shumë burokratik, në një sistem shumë më të zhdërvjellët dhe shumë më modern ku patjetër përfituesit e parë janë pacientët, por sigurisht për mjekët dhe për infermierët dhe për të gjithë personelin mbështetës është një mundësi që të vlerësohen sipas punës edhe të vlerësohen sipas rezultateve në punë. Çka do të thotë se edhe shpërblimi financiar, nga një shpërblim horizontal, i barabartë sipas kategorive kthehet në një shpërblim ku sipas performancës dikush mund të marrë më shumë sesa tavani i kategorisë së vet, dikush mbetet tek tavani i kategorisë së vet.

Sot, pikërisht sot ne kalojmë në fazën tjetër nga autonomia menaxheriale e provuar, e testuar me sukses këtu për një vit në autonominë financiare dhe unë kam këtu kartën e autonomisë financiare që dua t’ia dorëzoj bashkëdrejtuesve të spitalit, se këtu i kemi çift.

Këta janë çifti i parë pastaj të gjithë këta të tjerët do të çiftëzohen dhe do kemi një krushqi të madhe shqiptaro-turke.

Gjithë kolektivit të Memorialit i them urime për drejtoreshën sepse e paskeni vërtetë udhëheqëse drejtoreshën. Foli pa letër, i tha të gjitha me përpikmëri, edhe protokollin tani “Lëre fjalimin hajde bëjmë fotografinë njëherë pastaj vazhdo me fjalimin”. Respekte drejtoreshë!

Pa dashur të zgjatem duke përsëritur Albanën, dua të them që autonomia menaxheriale tani do të testohet në 5 spitale të tjera dhe në ndërkohë që Memoriali do të fillojë me autonominë financiare, 5 të tjerat pas një viti, do të marrin autonominë financiare.

Ndërkohë ne do të vazhdojmë punën për të rritur shkallën e ndërveprimit dhe për të krijuar një gamë më të gjerë bashkëpunimesh me miq dhe me aleatë ndërkombëtarë. Ky bashkëpunim këtu është shumë kuptimplotë për vlerat e kësaj përzierjeje eksperiencash dhe energjish dhe siç kemi nisur me spitalin Onkologjik në Tiranë bashkëpunimin me spitalin Sheba të Izraelit, jemi duke përgatitur një tjetër bashkëpunim shumë të rëndësishme për të cilin nuk dua të flas në detaje sepse jemi akoma në procesin e formësimit të linjave të bashkëpunimit, edhe para se të jemi 100% të sigurtë që do ta kemi atë bashkëpunim, më mirë që të jemi të matur në prononcim se na e futi këtë kulturë Tuneli i Murrizit , kështu që besoj shumë se po qe se edhe ai bashkëpunimin do të realizohet, atëherë do të kalojmë vërtetë në një nivel tjetër dhe i kemi të gjitha mundësitë që në vitet e ardhshme të kësaj dekade, me mbështetjen e miqve tanë, me mbështetjen e ekspertëve aleatë, ne të ndërtojmë një sistem shërbimi shëndetësor i cili të jetë në gjendje të përballojë shumë më tepër kërkesë për cilësi dhe jo vetëm për sasi dhe Memoriali ka dëshmuar dhe në gamën e gjerë të shërbimeve dhe të ndërhyrjeve që ofron, se kjo është e mundur dhe ashtu sikundër Republika e Turqisë ia doli, që të garantojë shërbim të plotë 360 gradë për qytetarët e vet në radhë të parë dhe pastaj të bëhet edhe një destinacion për të tjerët, unë besoj se ne mund dhe do t’ia dalim që të garantojmë një gamë në mos 360 gradë, po shumë pranë 360 gradëve për qytetarët tanë dhe të bëhemi një destinacion për shërbimin shëndetësor në rajonin tonë këtu në Ballkan.

Shumë faleminderit edhe një herë!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.