Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte në mesditë në Fier ku përuroi Zyrën e 8-të moderne të Punës. Kryeministri i shoqëruar nga Ministri i Shtetit Ilirjan Celibashi, drejtues Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe të pushtetit vendor, vizitoi mjediset e kësaj zyre, ku dhe ndau me punonjësit e drejtuesit e saj mendime dhe opinione lidhur ecurinë e Zyrës dhe pritshmëritë ndaj saj.

Një prej punonjëseve, me eksperiencë njëmbëdhjetëvjeçare në Zyrë, u shpreh se  sëfundmi po rritet besueshmëria e punëkërkuesve ndaj këtyre institucioneve të punësimit. Gjithashtu, ajo nënvizoi edhe rolin që luajnë këto zyra në orientimin për formimin profesional të punëkërkuesve.

Ministri Ilirjan Celibashi, vlerësoi këtë qasje të re të qeverisë në lidhje me çështjen që ka të bëjë me shërbimin ndaj qytetarëve dhe publikut. “Nuk është kjo zyrë në vetvete që do të zgjidhë problemin e punësimit në qytetin e  Fierit, por është një mekanizëm mjaft i mirë që do të ndihmojë këtë proces, si për ata që janë në kërkim të një pune, ashtu edhe për ata që kanë mundësi për të ofruar një punë. Ne jemi të sigurt se në qytetin e Fierit ka shumë mundësi, potenciale për të ofruar punë, ka njëkohësisht edhe nevojë shumë të madhe për punësim dhe besoj se përmes kësaj zyre, interesat e këtyre dy palëve do të menaxhohen mjaft mirë dhe me përfitime për të dyja palët”, tha ai.

Kryeministri Rama vlerësoi angazhimin e Zyrave të Punës edhe sa i takon interesimit të drejtpërdrejtë tek sipërmarrësit, si dhe njoftoi ndërhyrjen edhe me fondin tjetër të mbështetjes për fasonët, një tjetër fond të mbështetjes së punësimit, që gjithçka merret nga të ardhurat që vijnë prej kontributeve të tyre, të kthehen përsëri te sipërmarrja në formën e një fondi të nxitjes së punësimit. “Ne kemi pasur një sukses të konsiderueshëm si fazë e parë me fondin e nxitjes së punësimit, deri tani. Ka pasur shumë më tepër aplikime sesa një vit më parë dhe përfituesit kanë vënë në dispozicion projekte që do të na sjellin përsëri rritje të punësimit. Ndërkohë duhet të hyjmë edhe me fondin tjetër të mbështetjes për fasonët, siç e kemi premtuar, që gjithçka ne marrim nga të ardhurat që vijnë prej kontributeve të tyre t’u kthehen atyre në formën e një fondi të nxitjes së punësimit, ku falë projekteve ata do të mund të përfitojnë drejtpërdrejtë mbështetje financiare përkundër vendeve të punës që do të krijojnë”, tha Kryeministri.

Referuar edhe çeljes së kësaj zyre, e 8-ta Zyrë moderne Pune në vend, kryeministri theksoi se me anë të shtatë Zyrave të çelura është arritur, vetëm në këtë periudhë të shkurtër kohe, të kontaktohen 22 935 punëdhënës. “Është krijuar baza më fillestare për të lidhur punëdhënësit me punëkërkuesit dhe për t’ju dhënë punëkërkuesve mundësinë që në një pikë kontakti të shohin në rrezen e qytetit apo të qarkut të tyre, çfarë mundësie ka për punë me dijet që ata kanë, me aftësitë që ata kanë, me diplomën që ata kanë, me eksperiencën që ata kanë dhe se si mund të trokasin, pa pasur nevojë që ata të bredhin lartë e poshtë, pa shpresë” – tha Kryeministri, ndërsa shtoi se “Ne kemi arritur që ta 3-fishojmë numrin e punëkërkuesve që kërkojnë informacion”.

Zyrat e Punës kanë edhe një impakt pozitiv sa i takon formalizimit. “Vetëm këtë periudhë, po e marrim prej 300 ditësh, -por praktikisht puna e këtyre zyrave ka nisur më vonë sesa ç’ka filluar puna e qeverisë,- ne kemi arritur të kemi në librin e kontributeve të Republikës së Shqipërisë 43 897 punonjës më shumë. Janë vende të reja pune, janë edhe vende pune të formalizuara. Ne do të vazhdojmë me formalizimin e punës, sikundër do të vazhdojmë me hapjen e vendeve të reja të punës. Sot, një shifër e tillë, e pamendueshme deri përpara 300 ditësh, që është prova se ne po krijojmë vende të reja pune; ne po i japim dinjitet përditë e më shumë njerëzve që jetojnë me punë, duke luftuar përditë punën e zezë dhe skllavërinë që ishte formalizuar dhe ishte kthyer në status në Shqipërinë e rrënimit të gjithë viteve të fundit. Po krijojmë perspektiva të reja për të gjithë ata që duan të krijojnë përmes punës dhe përmes kontributeve që vijnë nga puna”- u shpreh Kryeministri.

Falë Zyrave të Punës dhe falë kërkesave të tregut të punës, 3500 njerëz i janë drejtuar Qendrave publike të Formimit Profesional, për t’u përgatitur, me qëllim marrjen më pas të një vendi pune, për të cilën duhen disa aftësi të caktuara teknike dhe profesionale.

“Janë 9 mijë histori suksesi të personave që janë punësuar nga Zyrat e Punës. 7 Zyra Pune, në një periudhë kohe kaq të shkurtër, kanë arritur të punësojnë 9 mijë persona drejtpërdrejt dhe në të gjitha shkallët e arsimimit, nga financierë tek ekonomistë, tek inxhinierë, tek rrobaqepës, tek centralistë, tek shoferë dhe tek të tjera profesione që janë kërkuar nga tregu i punës. Janë 4 mijë persona që janë punësuar nga këto Zyra Pune në industrinë përpunuese; janë rreth 1 mijë ne sektorin e informacionit dhe komunikacionit; 1 mijë të tjerë në shërbime; 500 në tregti dhe kështu me radhë. Të gjithë ata që i shohin Zyrat e Punës nga larg, me dyshim se këtu gjendet vetëm punë krahu, janë të gabuar. Duhet t’u afrohen Zyrave të Punës, duhet të shohin listat e vendeve të lira të punës dhe do të shohin që gama është e plotë, nga profesionet që kërkojnë arsimin më të lartë tek profesionet që kërkojnë aftësi tekniko – profesionale, pa të cilat, sigurisht, është e pamundur të punësohesh,” vuri theksin Kryeministri Rama teksa iu drejtua me një apel  për të aplikuar për punë qytetarëve të mbledhur në ceremoninë e zhvilluar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.