Fieri është qyteti i radhës që ka nisur vaksinimin kundër virusit COVID-19 për mjekët, infermierët dhe të moshuarit. Në poliklinikën e Fierit, ky proces ka nisur dhe do të vaksinohen vetëm në këtë ditë të parë rreth 130 mjekë dhe infermierë.
Për të ndjekur nga afër procesin, Kryeministri u ndal edhe në këtë pikë vaksinimi, e cila i shtohet pikave të ngritura në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. “Sot fillojmë dhe vaksinimin në poliklinikën e Fierit ku kemi dedikuar një ambient për stafet e urgjencave, të reanimacioneve, të kirurgjive. Vetëm sot do të bëjmë mbi 1000 vaksinime. Janë 500 në Tiranë, rreth 200 vaksinime në Shkodër, 200 të tjera në Vlorë, në Fier kemi 130 vaksinimet e para. Edhe tek shtëpia e të moshuarve në Fier po kryhen vaksinimet”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Kryeministri Rama tha se “të dielën do të fillojmë dhe me të moshuarit që janë 80 vjeç e sipër, kategoria e parë sipas planit që kemi paralajmëruar. Mbarojmë me bluzat e bardha,, mbarojmë me shtpitë e të moshuarve dhe kalojmë tek të moshuarit + 80. Janë mërzitur disa se duan të bëjnë zhurmë sepse kur folëm për personalitete, kishim parasysh përjashtimin nga kategoria, por në fakt ne kemi qenë qartësisht sipas planit dhe flitet për disa personalitete që janë në atë kategori, që janë 80 + e që janë pjesë e të gjithë 80 vjeçarëve e lart që do të vaksinohen”.
Deri më tani në rang vendi janë vaksinuar mbi 3000 mjekë, infermierë e të moshuar, teksa synohet që ky numër të vijë në rritje, me mbërritjen edhe të dozave të vaksinave që janë siguruar. “Natyrisht, sfida është sigurimi i dozave në mënyrë që sasia e vaksinave që bëhen të rritet në progresion. Ju e keni parë që nuk është e lehtë, kemi garancinë që brenda marsit do të kemi të 40 mijë dozat që kemi lidhur marrëveshjen me Pfizer, por ndërkohë shpresojmë shumë që brenda një kohe të shkurtër do kemi të tjera vaksina për të cilat po punojmë përditë, sepse duam ta mbarojmë për 14 muaj”, – u shpreh Kryeministri.
Teksa u ndal edhe në shtëpinë të moshuarve në Fier për të ndjekur procesin e vaksinimit, Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga stafet që kujdesen për këta të moshuar. “Gjithë personeli i shtëpive të moshuarve ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme, duke u shpëtuar jetën gjithë të moshuarve. Nuk kemi pasur asnjë fatalitet, sepse ju u mbyllët brenda bashkë me ta, latë familjet dhe i mbyllët derën armikut të padukshëm. Shumë respekt e mirënjohje për ju”.