Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, për firmosjen sot të marrëveshjes së financimit e ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës, si edhe marrëveshjen ndërqeveritare për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha emiratase.
Lidhur me këtë, Kryeministri Edi Rama u shpreh:
“Rastësia e desh që sot në 1 vjetorin e tragjedisë së tërmetit të jem këtu në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara, për të firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës.
Ishte mirësia vëllazërore e një miku shumë të çmuar, Princit të Kurorës Mohammed bin Zayed, që në ato ditë aq të zymta më hapi derën e shtëpisë së tij dhe ma dëgjoi lutjen për ndihmë, e cila bëri të mundur manifestimin e jashtëzakonshëm dhe të paharrueshëm të solidaritetit nga ana e Emirateve të Bashkuara për Shqipërinë, në Konferencën e Brukselit.
Ministri i Rindërtimit dhe Agjencia jonë për Zhvillimin e Territorit kanë punuar papushim, ngushtësisht, së bashku me skuadrën e inxhinierëve, të vënë në dispozicion nga Princi, si dhe me Fondin e Abu Dabit për të dakordësuar dhe realizuar marrëveshtjen që sot, ne e firmosim dhe e cila i hap rrugë më në fund kantierit në javët e ardhshme.
Qeveria shqiptare do të financojë krejt infrastrukturën e lagjes së re në Spitallë, ndërsa sipërmarrësi i mirënjohur i botës arabe, Mohamed Alabbar, krijuesi i disa prej ngrehinave më mbresëlënëse, por jo vetem, si përshembull, Burj Khalifa, godina më e lartë e Dubait, do të realizojë qoftë banesat e Spitallës dhe qoftë banesat e reja që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës nga goditja e 26 nëntorit të shkuar.
Njëkohësisht, me Princin e Kurorës kemi dakordësuar edhe përfshirjen e Emirateve të Bashkuara në zhvillimin e Durrësit, fillimisht dhe disa zonave të tjera në vazhdim, përmes investimeve direkte në projekte të mëdha, në radhë të parë në turizëm, por jo vetëm.
Kështu, sot do të firmosim edhe marrëveshjen mes dy qeverive, e cila do t’i hapë rrugën për negociata direkte qeverisë shqiptare me sipërmarrjen emiratase për investime të drejtëpërdrejta në Shqipëri, duke nisur nga Durrësi.
Lartësia e tij, Sheiku Mohammed bin Zayed rikthehet kështu në Shqipëri për herë të dytë, në një moment përsëri nevoje për popullin dhe për vendin tonë. Kujtoj se herën e parë ai u ul me një avion ndihmash në pistën e Kukësit, që i ati i tij Sheiku Zayed ndërtoi me shpejtësi për të mbështetur nga ana humanitare viktimat e pastrimit etnik nga Kosova.
Ai rikthehet këtë herë në Shqipëri pas 20 vjetësh, jo vetëm për të ndihmuar familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar në Durrës, por edhe për të na u bashkuar dhe për të na mbështetur në përpjekjet tona për Shqipërinë që duam, duke u bërë pjesë e tyre përmes projekteve dhe investimeve afatgjata në vendin tonë.
Duke e nisur nga Durrësi ku parashohim një investim të parë të madh për transformimin e Portit të mallrave në Durrës, në një nga portet më të bukura turistike të Mesdheut.
Mirënjohje për këtë mik, mirënjohje për këtë vend!
Edhe njëherë, më të keqen e kemi lënë pas, më e mira është e gjitha përpara nesh!