Me një diskutim interaktiv u promovua sot, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, libri “Fitimtarët” i Alastair Campbell. Një libër mbi rrugën drejt suksesit, përmes rrëfimit të shembujve të suksesit, nga sportistët elitarë tek menaxherët e lartë, nga udhëheqësit e vendeve tek ata të kompanive globale të biznesit.
Autori i librit Alastair Campbell, trajneri i ekipit kombëtar të futbollit Gianni de Biasi, Arrigo Sacchi, fitues i disa trofeve europianë si trajner, i cili ka udhëhequr me sukses edhe ekipin kombëtar italian të futbollit dhe Kryeministri Edi Rama u angazhuan në një diskutim interaktiv, duke sjellë edhe përvojat e tyre, me të ftuar nga bota e biznesit, medias, sportit, kulturës dhe politikës.
Për autorin e librit Alastair Campbell, për të qenë fitues, krijimi i një ekipi të suksesshëm është i një rëndësie parësore. Mendjet më të mira fituese dhe ekipet më të mira fituese, thotë Campbell, janë në sport fillimisht, në biznes e pastaj në politikë. “Ajo që mund të mësosh nga sportet, nga të qenit pjesë e një ekipi të suksesshëm do të thotë që ajo çfarë ke, duhet të aplikohet në role të ndryshme. Ajo që është më interesante për politikën, për mua, është se mendësia më e mirë vjen nga sporti. Njerëzit mendojnë se është e dukshme që skuadrat më të mira duhet të jenë ato që janë fituese, por çfarë ndodh me ata njerëz, të cilëve nuk i pëlqen sporti? Punojnë dhe mësojnë nga sporti, sepse vetëm duke mësuar nga këto gjëra, mund të bëhesh një ekip i mirë, një udhëheqës i mirë.”
Ndërveprim, vizion dhe strategji, e përcakton Kryeministri Rama rrugën drejt suksesit. “Këtu, është e gjithë eksperienca e një njeriu që botërisht njihet si një njeri që ndryshoi komunikimin politik dhe të fushatave elektorale dhe një njeriu tjetër që botërisht njihet se ndryshoi historinë e futbollit dhe një të treti që botërisht njihet si një njeri që ndryshoi faqen e futbollit shqiptar. Pjesa më fantastike në këtë ndërveprim është ajo që ka të bëjë me pjesën e ndërveprimit midis politikës dhe sportit si dy aktivitete njerëzore, ku të fitosh është shumë e rëndësishme, por nuk mjafton vetëm të fitosh, por ka shumë rëndësi se si fiton. Në fund të fundit, qoftë futbolli, qoftë politika janë aktivitete që janë të lidhura drejtpërdrejtë me skuadrën, pa diskutim edhe me individin, por gjithmonë, pjesa e individit dhe e skuadrës janë të lidhura në një mënyrë apo një tjetër.”
Ndërsa Arrigo Sacchi thotë se “suksesi është sukses kur secili kryen veprimtarinë e vet, duke shfrytëzuar maksimumin e cilësive të veta, me dinjitet dhe respekt, pastaj, nëse arrihet një fitore dakord, por edhe sikur fitorja të mos vijë, do t’i shkojë mirë këtij personi.”
Trajneri Gianni de Biasi, pasi risjell emocionet e kualifikimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian të futbollit, shprehet se mund të flitet për një lëvizje të re brenda futbollit shqiptar dhe se tashmë modeli i suksesit kërkohet brenda vendit. “Sigurisht i kemi dhënë jetë një tharmi të ri, një lëvizje të re brenda futbollit shqiptar, i kemi dhënë shembuj të rëndësishëm disa djemve, që sot mbase i afrohen futbollit si të rinj e në mendjen e tyre shpresojnë të bëhen si Cana e Berisha. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse nuk janë shembuj vetë Ronaldo e Mesi, por djemtë tanë shohin futbollistët tanë si idhuj për t’u ndjekur.”
Autori e mbyll me një sugjerim: “Ajo që politikanët nuk bëjnë është të shohin sesi ndërtohen këto ekipe të mëdha [në sport] dhe të mësojnë prej kësaj.”