Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në Sheshin “Skënderbej”, gjatë të cilit u transmetua edhe një dokumentar mbi transformimin e Tiranës ndër vite.
“Unë jam këtu për t’u thënë të gjithëve ju, se deri kur çështja e Kryetarit të Bashkisë të marrë drejtim, në një mënyrë apo një tjetër, vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë, për problemet dhe punët tuaja do të jetë e pandërprerë.” – u shpreh kryeministri Rama në fjalën e tij.
* * *
Të nderuar, të dashur punonjës së bashkisë së Tiranës e kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush, por edhe mes shumë të tjerësh njerëz të prekur, njerëz të lenduar, të zhgënjyer, te dëshpëruar.
Disa nga ju shkuan dhe tek dera e Gjykatës Speciale për të protestuar ditën që Kryetari i Bashkisë u la në burg pa gjyq. Nuk dua t’i gjykoj keq, përkundrazi e mirëkuptoj emocionin e tyre por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më, as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar, në cilindo institucion.
Secili dhe secila prej jush përqafon një skuadër të madhe, një institucion kyç të këtij vendi, një pushtet autonom që, në asnjë mënyrë nuk duhet të shfaqet në institucionin e një pushteti tjetër të pavarur, siç është pushteti i drejtësisë. Që të jemi të qartë unë nuk mendoj shumë ndryshe nga ata që shkuan atje përsa i takon ndërprerjes pa gjyq të kontratës së Kryetarit të Bashkisë me qytetarët e kryeqytetit, i cili mbahet sot në burg dhe kjo kambanë bie për ata që duan të dëgjojnë me statusin e “të dyshuarit”, por ende jo me atë të “të pandehurit” e lere më pastaj me atë të fajtorit, çka është e papranueshme logjikisht dhe çka është e pashpjegueshme për të gjithë ata çerek e ca milionë qytetarë që e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë që të rrijë në zyrë e jo të mbyllet brenda pa gjyq.
Por ja, ashtu siç ne e transformuam Tiranën, nga një ferr mbi tokë, në një qytet europian me vizion, me kurajë dhe me mundime shumë të mëdha, ashtu ne kemi vendosur të transformojmë dhe drejtësinë në Shqipëri.
Ashtu siç shembëm ato ngrehinat e shëmtuara që kishin varrosur parqet nën barqet e tyre plot ujëra të zeza, ashtu ne kemi shembur arkitekturën e vjetër të drejtësisë me reformën në drejtësi dhe me vetingun, kemi pastruar një pjesë të rëndësishme të sistemit të kalbur të drejtësisë, të cilin e trashëguam nga ekzaktësisht nga ata që trashëguam dhe Tiranën e 25 viteve më parë.
Dhe tamam ashtu siç na u kundërvunë me dhunën e injorancës së tyre dhe me llumin e kënetës ku kanë 30 e kusur vite që llokoçitën edhe kur nisëm të ndërtonim hyrjen moderne të Zogut të Zi, edhe kur nisëm të ndërtonim sheshin Skënderbej, – duke ua vënë kazmën që të dyjave, duke i zëvendësuar me ato shpifësirat e tyre antiqytet, ashtu duan t’i vënë kazmën dhe reformës në drejtësi, edhe SPAK, edhe llogores tonë të luftës kundër korrupsionit.
Dhe ja ashtu si Roma që nuk u ndërtua në 7 ditë, edhe Tirana e re mori vitet e saj, edhe drejtësia e re do të marrë të sajat. Dhe po ashtu, njësoj si ne, që të gjithë në detyrën tonë bëjmë gabime dhe bën më shumë gabime ai që punon më shumë sesa ai që s’di cc‘është puna, dhe organet e reja të drejtësisë nuk ka sesi të jenë të pagabueshme.
Unë e di mirë që gabimet tona nuk shkatërrojnë jetën njerëzish, familje, sipërmarrje ku hyn dhe deri interesa publike, siç ndodh kur gabon drejtësia dhe të kërkosh nga një drejtësi të re në kaq pak vite pavarësi dhe kaq pak kulturë europiane akoma siç është kjo e jona për më tepër në një klimë të hajvanizuar totalisht nga prokurorët televiziv, nga gjykatësit digjitalë dhe nga opozitarët kallajdalë, që të mos gabojë është njësoj si të hedhesh një fëmijë në ujë dhe t’i thuash “mos u lag”.
Por nuk ka asnjë alternativë të ndarjes me historinë 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë pa marrë përsipër edhe kostot, kostot politike, kostot morale, kostot njerëzore të dëmeve kolaterale të një përmbysje si kjo, që ne kemi udhëhequr me reformën ne drejtësi dhe që nëse duam që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë sicc është Tirana sot europiane për të gjithë, atëherë duhet të shtrëngojmë dhëmbët, duhet të durojmë dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë.
Nganjëherë këto dëme janë sa të dhimbshme dhe të padrejta, po kush udhëheq nuk duhet të lëkundet nga asnjë dhimbje në rrugën e drejtë të përmbushjes së vizionit, të cilin kanë zgjedhur. Përndryshe asgjë nuk ndryshon ose më keq akoma ndryshon për keq, degradon, kalbet siç u kalb Tirana.
Kur në vitin 2000 unë hyra në bashki dhe kishte vetëm 78 llamba neoni që ndizeshin akoma në rrugët e saj, parafytyroheni pak ju që jeni më të rinj këtu dhe le ta parafytyrojnë të gjithë ata që jetojnë ku e ku më mirë sesa jetohej dje dhe pa asnjë turp thonë|: ju jeni të gjithë njësoj, këtu është bërë keq e më keq. 78 llamba neoni fiks, asnjë më shumë. Dhe nga ndërprerjet e pafundme të energjisë elektrike e nga kandilat që njerëzit linin nëpër dritare Tirana dukej natën si një varrezë, qytet varresh murale.
Që ta mbyll këtë parantezë, nuk më takon mua të them nëse lali Eri është i pafajshëm apo është fajtor dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe në këtë rast dhe t’ja lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë, duke mbështetur plotësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë ndërsa barra juaj, e përbashkëta, është që makineria e Bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minute, por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju, se deri kur çështja e kryetarit të bashkisë të marrë drejtim, në një mënyrë apo në një tjetër, vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë, për problemet dhe nevojat e punës suaj do të jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma se përtej asaj çka mendojnë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do t’ia japin kryebashkiakut të Tiranës të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës brutale të prangave pa gjyq për kryebashkiakë dhe punonjës shteti në detyrë, kur as janë kapur në flagrancë, as paraqesin ndonjë rrezik arratisjeje, as nuk kanë çfarë provash të prishin.
Ama, përtej kësaj çështjeje specifike që është e drejtësisë e jo e jona, askush dhe asgjë, as një buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës së madhe politike dhe mediatike të këtij vendit tonë nuk e mbulon dot me shoshën e blozës dhe të llumit diellin e transformimit kolosal, historik në plot kuptimin e fjalës të Tiranës sonë, ku pa mua që e nxora nga koma nën rrënoja, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të socialistëve dhe progresistëve kryeqytetas dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik gjithë vjetor, me mbështetjen e pakursyer të të gjithëve ne, ky qytet nuk do ishte dot kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë që të gjithë, opozitarë, prokurorë, gjykatës, analistë, gjithologë, gazetarë, qytetarë dhe shkojnë e vijnë në punën e tyre duke i çuar fëmijët në çerdhe, duke i çuar fëmijët në kopshte, duke i çuar fëmijët në shkolla që nuk i lënë gjë mangut shkollave të Bashkimit Europian dhe duke i çuar të afërmit, kur larg qoftë është nevoja, në një spital që nuk i lë gjë mangut spitaleve të Bashkimit Europian, duke shëtitur nëpër parqe bashkë me prindërit e tyre pensionistë e duke dalë dhe për vrap nga Liqeni, në një park si parqet në Europë dhe jo si ai parku ku u zhvillua lufta e fundit civile e Tiranës midis disa specieve të kënetës opozitare të armatosur me pistoleta dhe policëve bashkiakë për t’i hapur rrugë një këndi lodrash.
Kurrë nuk bëhej Tirana vendi ku në 16 maj do të mblidhen 46 udhëheqës të kontinentit europian dhe 8 udhëheqës të institucioneve më të larta ndërkombëtare, nga udhëheqësit e Bashkimit Europian tek ata të NATO-s.
Unë i falënderoj vajzat dhe djemtë që patën mirësinë të mendonin dhe të realizonin këtë video-kujtesën që sapo ndoqëm.
Këneta thotë se Tiranën moderne e bëri koha ndërsa përmbytjet apo çfarëdo tjetër që nuk shkon i bën bashkia por jo; Tiranën moderne nuk e bëri koha. Tiranën moderne e bëmë ne, Tiranën moderne e bëra unë, e bëri lali Eri, e bëtë ju, e bënë grupet e këshilltarëve bashkiakë socialistë dhe progresistë, e bënë të gjithë ata që në 24 orë për vite e vite me radhë ndërrojnë turnet që Tirana të gdhihet e pastër dhe aq e pastër sa që të gjithë turistët që vijnë thonë “Ua, ç’është ky kryeqytet kaq i pastër”, Tiranën e bënë ata që na dhanë besimin me votë, 7 herë në 7. Në atë herë të vetme nga të shtata, kur bashkinë e mori këneta ashtu sicc e mori në 2011, koha ngeci, edhe vetë sahati i Tiranës ndaloi dhe kryeqyteti rinisi të marrë erën e kazanëve të plehrave ndërsa rrugën nisën t’u hapen gropat në trup.
Më kujtohet njëherë i them berberit “Ore të duket ty sikur ka filluar të marrë prapë erë kazanësh Tirana”? “Nuk janë kazanë more shef, ashtu i vjen era e sqetullës këtyre që kemi në pushtet”. Muhabet berberësh, por në këtë rast më duket i qëlluar, apo jo?
Se kjo e Tiranës dhe e Shqipërisë nuk është një punë që mund ta bëjnë ata që duan, por që nuk dinë, nuk dinë asgjë tjetër, përveçse të shajnë dhe të akuzojnë nëpër foltore. Ai Komisioni Hetimor që u ndërtua atëherë në 2002 apo kur ishte, erdhi pas një lemerie akuzash.
Kjo puna e Tiranës, por edhe e Shqipërisë nuk është për ata që e komentojnë dhe nuk dinë se çfarë flasin, ku çfarë nuk dërdëllisin e çfarë nuk sajojnë ulur në ekran si nëpër qebaptore dhe mbi të gjitha, kjo puna e Tiranës dhe e Shqipërisë nuk është për xhuxhmaxhuxhët mendorë që kur shohin kulla mendojnë para, që kur shohin rrugë mendojnë vjedhje, që kur shohin parqe mendojnë korrupsion dhe mbi të gjitha, që kur shohin të bukurën ndjejnë urrejtje dhe urrejtja i shtyn pastaj të gërmojnë për të kërkuar qenin e ngordhur.
As politikanëve, as analistëve apo zhurmalistëve të kënetës, që paratë për vete i marrin së shumti në të zezë se nuk duan të paguajnë taksa dhe sigurime të larta kur shajnë qeverinë nëpër ato banaqet se pse nuk i rrit pensionet, nuk ia rrok truri se mund të ekzistojnë njerëz që nuk marrin lekë kur japin leje ndërtimi, por ama i kërkojnë biznesit pemë, për shembull, për qytetin.
Ato ndërtimet që u prishën në Lanë atëherë, e dini ju si janë prishur dhe si është pastruar një sasi rrënojash që kapi volumin 138 mijë ton beton? Janë prishur me korrupsion, kam bërë unë korrupsion, i kam thirrur ndërtuesit në zyrë këtu dhe i kam thënë “Ore keni dhënë ndonjë lek ju për lejet e ndërtimit?”
Ata shikon dhe thonin “Çfarë, si është puna?”
-Ore përgjigjuni, a keni dhënë ndonjë lek për lejet e ndërtimit?
-Ti ke dhënë? Jo
-Ti ke dhënë? Jo.
Po mirë, më dini budalla mua, – i thashë, – që merrni leje ju dhe nuk jepni asgjë?
Atëherë i thashë ka ardhur koha që t’i paguani rryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ua ndava segmentin e Lanës me copa, i thashë “Merrini buldozerët tuaj, merrni punëtorët tuaj, merrni naftën tuaj, shkoni, prisheni dhe pastrojeni se përndryshe nuk merrni më leje ndërtimi”.
Në vijën logjike të një sërë hetimeve intensive, jam gati të dorëzohem përpara drejtësisë. E kam bërë këtë dhe nuk e kam bërë njëherë, e kam bërë shumë here, por ata që dje në çdo pallat të ri shikonin përqindjet për leje ndërtimi dhe kur unë i thash “Nuk ka bir k.. dhe nuk ka bir nëne që të dalë dhe të thotë që më ka dhënë mua lekët”..më nxorën dhe një burrë që më ka kërkuar falje një 34 herë deri tani, edhe e kam falur 38 herë po ai vazhdon më kërkon falje. Edhe kur shohin kulla, të njëjtën gjë mendojnë, vetëm se sa përqindje merret nga këto lejet e ndërtimit?! Ndërkohë që një ndër politikanët e “kënetës’’, se ata ashtu e kanë kokën, dhe atë pjesën e pjesës e kanë kuptimin parësor të pushtetit se ai “Zogu i Zi’’ që ta dini ju, kishte brenda dhe një pjesë të pjesës kur u sulmua dhe u prish, siç e patë, me vlerësimin me të mirë të ekspertëve më “të shkëlqyer’’ të vendit, po as këta zhurnalistët nuk i dëgjova kurrë që të thonë një gjë shumë të thjeshtë; ‘’po mirë, meqë nga këto kulla dhe nga ndërtimet u merka gjithë kjo para e madhe për korrupsion, çfarë është kjo taksë e Bashkisë së Tiranës’’, që është sa frëngu pulën. Në 10 vitet e fundit të ardhurat e bashkisë së Tiranës dhe këtë duhet ta dëgjojnë të gjithë ata që i çojn fëmijët në shkollë, në këto shkollat evropiane, duhet ta dëgjojnë të gjithë ata që i çojnë fëmijët në ato kopshtet dhe në ato çerdhet; duhet ta dëgjojnë të gjithë ata që dalin në parqe; duhet ta dëgjojnë të gjithë ata që kur kthehen nga puna i thonë babës ‘’si kalove sot nga liqeni’’- janë rritur nëntëfish, kanë qenë 30 milionë euro kur bashkia gërrhiste, vjet 271 milionë euro të ardhura.
Tani dëgjoni se sa para ka marrë Bashkia e Tiranës nga të pasurit, nga këta, nga ata që ndërtojnë për lejet e ndërtimit. Me taksën e gërhitjes dhe të ekspertëve ‘’të shkëlqyer’’ bashkia mblidhte 930 mijë euro në vit, pjesën e pjesës e dinë ata, unë s’e di.
Unë di pjesën që merrte bashkia kur me propozim të Erjonit taksa u rrit në 2016, filloi që në 2016 dhjetëfish, jo 900 mijë, po 9 milionë euro, ndërsa në 2024 janë mbledhur 157-fish, domethënë 146 milion euro vetëm nga taksat e ndërtimit dhe atyre që thonë s’duam kulla, s’duam beton, s’ duam pallate i them; Po rrugë doni? Po blloqe të reja doni? Po kopshte doni? Po çerdhe doni? Po shkolla doni? Po korsi biçikletash doni? Po autobusë ku sot pensionistët lëvizin falas doni? Po kartë studenti doni? Po ushqim për fëmijët në shkollat 9-vjeçare falas doni? I doni këto? Me çfarë këto? Duke rritur bar në sheshin ‘’Skënderbej”? Se kishte dhe ca që thanë “na e betonizuan sheshin”, po ata i mirëkuptoj se janë delet e kënetës, që bëjnë be-be-be kur këneta bën kua-kua-kua dhe kur bufi del u-u-u.
Dhe totali që bashkia ka marrë se kur sheh se nga e kemi nisur, nga ai ferr, nga ajo çmenduri që e quanin dhe qytet, po ç’të presësh nga ata? Po ça të presësh nga ata kur bufi i tyre thoshte: ‘’ju- atyre atje, që i lanë rrugëve dhe shyqyr që erdhi Rakip Suli dhe i nxorri nga balta – ju keni ba mrekullinë e tetë t’botës, keni ndërtu qytetin e parë pa leje në historinë e njerëzimit’’. Ça të presësh nga këta? Nga këta anti-urbanë, nga këta anti-qytet, nga këta anti-evropianë? Nga këta sqetull-kazanë? Ça të presësh? Gjysmë milionë dollarë ka mbledhur bashkia e Tiranës nga viti 2016 deri në vitin 2024 nga taksa e ndërtimit vetëm, normal pastaj që investimet publike që në kohën e ‘’gërrhimës’’ ishin 10 milionë, në tre vitet e fundit kanë qenë mesatarisht nga 100 milionë.
Ky quhet vizion, vizion ardhmërie, ky quhet program, program shpëtimi nga historia e një kënete 500-vjeçare; program rritjeje ekonomike dhe sociale, ky quhet lidership dhe kështu është kur kush fiton më shumë, paguan më shumë, oligarkët, oligarkët dhe oligarët. Oligarkët e syve që t’u plaçin zhabave, zhapikëve dhe bretkosave të kënetës. Se çfarë i paguajnë këtu më të pasurit buxhetit të shtetit dhe buxhetit të bashkisë në 1 vit, nuk ia kanë paguar ‘’kënetës’’ për shtetin se për ‘’kënetën’’ nuk di unë se ça kanë paguar, që kur ekziston ‘’këneta’’.
Dhe kështu është kur me taksat e mbledhura bëhen politikat e duhura dhe qytetarët dhe qyteti si pronë e përbashkët marrin mbrapsht atë që iu takon nga zhvillimi i pronave të përveçme dhe ta mësojnë të gjithë, ta mësojnë të gjithë ata që duhet ta dinë mirë përpara se të hapin gojën dhe të flasin për leje ndërtimi sidomos ata që duhet të zbatojnë ligjin apo duhet të ndjekin zbatueshmërinë e ligjit, lejet e ndërtimit nuk janë privilegje, lejet e ndërtimit nuk janë indulgjenca, lejet e ndërtimit nuk janë favore që i bën kryetari i bashkisë, lejet e ndërtimit janë të drejta zhvillimi të pronarëve dhe të investitorëve se bashku. Dhe cilido, kudoqoftë dhe akuzon për ryshfet në dhënien e lejeve të ndërtimit pa prova, thjesht ose e ka bërë vetë ose do ta bënte vetë po ta kishte në dorë.
Kur unë erdha në bashki, dëgjojeni këtë se është e bukur kjo, doja të fusja ngrohjen qendrore në shkolla po atëherë shkollat vareshin nga qeveria dhe ministri i kohës, i Arsimit tha jo.
‘’Ne i kemi klasat -tha- me shumë nxënës, me shumë turne dhe ata mund të ngrohen me sobë dhe me frymën e njëri-tjetrit’’.
Dhe duke folur për shkollat, unë do i bëja një thirrje publike sot, kujtdo që e pranon sfidën. Ma gjej një shkollë, një të vetme që të jetë ndërtuar apo rindërtuar kur “këneta” ishte në pushtet, ishte në qeveri, ishte këtu në Tiranë, në çdo qytet dhe që sot të mos jetë rindërtuar dhe nga ana tjetër, më gjeni një shkollë të re të ndërtuar në dekadën e fundit, ku të doni, Tiranë, Durrës, ku të doni që mos jetë njësoj si shkollat në Europë. Ky është dallimi midis dy botëve tona dhe ky është dhe dallimi midis atyre që luftojnë për një kauz, për një mision. Se Tirana është mision. Shqipëria është mision dhe atyre që urrejnë.
‘Adopto një çerdhe’ ishte programi që ishte shumë i ngjashëm me atë ‘Adopto një segment të Lanës’ apo ‘Adopto një trotuar dhe mbill pemë’, janë 55 mijë pemë dhe shkurre dekorative që kemi mbjellë në Tiranë deri në 2011. Besoj që nja 80% kanë qenë me korrupsion, besoj, duke ua kërkuar kompanive, duke ua kërkuar firmave të ndërtimit, duke ua kërkuar bankave. Ja kështu siç ua thashë më përpara. Ke dhënë ndonjë lekë ti për mua? Po më di budalla?! Shko mbill pemë.
“Adopto një çerdhe” ka bërë që në Tiranë një numër i madh çerdhesh të jenë bërë pa buxhet të taksapaguesve dhe janë bërë nga kompanitë, janë bërë nga sipërmarrjet. Me korrupsion. Dhe përveç taksës së ndërtimit, ka dhe një taksë tjetër brenda. Këtyre këtu, atyre atje, atyre atje, gjithë këtyre kullave dhe këtyre ndërtimeve të të pasurve. Duhet ta mësojnë të gjithë se nuk ua thotë dot këneta, nuk ua u thonë dot zhurnalistët, nuk ua u thonë dot ata që ulen si ndërtime pa leje nëpër studio televizive. 3% e taksës ekstra shkon për strehim social. 3%. Pra paguajnë dhe 3% detyrim mbi detyrimin e taksës, me të cilët pastaj bashkia, jep strehime sociale dhe prandaj nuk është e çuditshme që në bashkinë e Tiranës, ne kemi numrin më të madh të familjeve që kanë marrë subvencionim të interesave të kredive. Janë rreth 4 mijë familje, apo kanë përfituar direkt nga ky kontribut i atyre që bëjnë kulla dhe që bëjnë ndërtime të tjera.
Janë shumë gjëra për tu thënë, por unë nuk do të ndalem më tutje te këto, sepse dua ta mbyll fjalën time duke thënë që në vitin 2022, Tirana u bë ‘Kryeqyteti europian i rinisë’. Parafytyroni atë ferr ku ne ndërmorëm këtë rrugë, ‘Kryeqytet europian të rinisë’. Parafytyroni kryeqytetin europian të Sudes, të Xhaferit, të Gjallicës e të Buallicës, ‘Kryeqytet europian të rinisë’. Pastaj u bë, në 2023-shin, ‘Qytet europian i sportit’. Parapërfytyroni Tiranën ‘Qytet europian i sportit’ në një vend ku këneta mbylli fiskulturën. Nuk kishte më Edukim Fizik nëpër shkolla. U zhdukën dhe trajnerët. Dhe kur ne morëm detyrën, palestrat në Shqipëri, jo në Tiranë, në Shqipëri numëroheshin me gishtat e dorës në 2013-tën. Me gishtat e dorës! Ishin akoma ato 3-4 palestra epike të kohës së komunizmit. Sot nuk ka shkollë pa palestër në Tiranë dhe janë palestra moderne dhe ne nuk ndërtojmë më shkolla pa palestra në Shqipëri dhe kështu i kemi futur 12 mijë fëmijë në Lëvizjen Sportive, pa llogaritur se sa e sa të tjerë bëjnë stërvitje në 66 shoqatat sportive që ka bashkia e Tiranës. 54 palestra që funksionojnë çdo pasdite ka bashkia e Tiranës, të gjitha të mbështetura nga bashkia e Tiranës.
Këneta kishte lajmëruar, nuk e di a e patë, që këtu do të bënim një anti miting, punonjësit e bashkisë me mua në krye, madje e kishin bërë dhe njoftimin ‘’U çmend Edi Rama’’. E keni parë si i bëjnë titujt ‘plasi’, ‘shpërthehu’, ‘u çmend’, ‘shokoi’, ‘tronditi’, ‘ra’. I keni parë titujt? Lexon titullin, thua çfarë po ndodh, futesh brënda ‘noc rroku’.
Tani e keni parë, kanë mësuar dhe ‘noc rrokun’ dhe ma thonë mua “noc rrokun”, “noc rrokun”, , por nuk e dinë që “noc rroku” është kur e ndien jo kur ta thonë. Kur e ndien është muhabeti si i bëhet “nocit”, se kur ta thonë, kështu që ja, do vijë ‘noci’ bashkë me pranverën. E keni dëgjuar atë këngën ‘ty edhe pranverën ju kam pritur, të më vini pa trokitur’, kështu do tu vijë ‘noci’. Anti miting që do të protestonin për të burgosurin politik Erion Veliaj.
Tani edhe në këtë rast, ata në fakt si në çdo rast po ta shikoni, edhe kur shpifin nisen nga vetja, se ata kanë nja 3-4 të burgosur politik dhe prandaj dhe vetëm lënë nam dhe zhgarazhubraviten me turp sepse në vend që të mësojnë nga më të mirët, duan të na bëjnë dhe ne si veten. Po në Shqipëri nuk ka të burgosur politik që nga viti 1997-të, kur doli dhe i fundit nga burgu, që e kishte mbyllur ‘këneta’ brenda ndërkohë që qeveritë që bënin antimitingje? Dhe nuk di pse thonë anti miting, nuk thonë miting, se anti miting çfarë do të bëjmë ne këtu? Kush bëri miting që ne të bëjmë anti? Po ata si duket anti mitingun e kanë brandin e vetë dhe nuk e lëshojnë.
Pra qeveritë që bënin anti mitingje kanë vdekur, kanë vdekur fiks në vitin 2013 bashkë me ideatorët e tyre që tani kanë statusin monumente të opozitarizmit kënetor. Unë e kërkova këtë takim me ju këtu në këtë mexhlis të madh të shtëpisë që juve ju ka shërbëtorë për t’ju thënë që duhet të jeni shumë krenar për punën tuaj, duhet të jeni shumë krenar për mundin tuaj, duhet të jeni shumë krenar për sakrificën tuaj dhe për t’ju thënë se nesër kur të gjitha llafet t’i marrë era dhe të gjithë specieve të kënetës ti jetë harruar emri, kur të gjithë të vërtetat dhe gënjeshtrat të jenë ormisur në vendet e tyre dhe të gjitha vajtjet e merituara apo të pa merituara të kujtdo që ishte në arenë në kohë plot me gojë të shthurura dhe me mendje të pagdhendura të kenë mbaruar, kur projektet tona ende në rrugë apo në letër të kenë mbaruar dhe të tërë ju këtu që jeni dhe më të rinj do ta jetoni Tiranën e Re të ëndrrave, të mendjeve, të punëve dhe të mundimeve tona të përbashkëta do të keni një krenari shumë më të posaçme sesa gjithë të tjerët dhe do të keni një siguri shumë të madhe që Zoti nuk ju solli kot në këtë jetë por i dhatë një dorë vendlindjes tuaj dhe vendlindjes së fëmijëve tuaj për historinë.
Dhe unë ju kërkova për t’ju thënë dhe pse deri atëherë kemi ende ca punë për të bërë, kemi projekte për të realizuar, kemi beteja për të fituar sepse ndërkohë qyteti bëhet më i madh, bëhet më kërkues, bëhet më i paduruar për tu ngjitur në majën e Shqipërisë 2030 ku Shqipëria do marrë jo vetëm nurin por dhe vulën e Europës, të Ballkanit dhe Tirana do krenohet si kryeqytet i saj.
Tani disa më pyesin çfarë dua unë akoma që nuk iki. Ca të tjerë përgjigjen: nuk ikën ai se është i pangopur. Nganjëherë në fakt, jo shpesh por nganjëherë kur llumi, helmi, zhurma bëhet një potere e madhe e pyes dhe unë veten, ore çfarë dua unë akoma që rri dhe mbaj gjithë këto jashtëqitje gojësh të shthurura, mendjesh gjysmake dhe shpirtrash të varfër mbi fytyrë. E për çfarë arsye duhet që familja ime të durojë gjithë këtë qenëri mesjetare. Por përgjigja është sa e thjeshtë aq dhe e pakundërshtueshme brenda meje. Nuk iki sepse unë kam një luftë për të mbaruar. Dhe e dini se nuk e kam thënë ndonjëherë, mua më ka futur në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të sharrës. Kur erdha atëherë nga Franca për të përcjellë tim atë dhe u kthyem në shtëpi nga varrimi, sikur ishim kthyer nga lufta me baltën deri afër gjunjëve. Dhe prandaj aty nuk i ika dot tundimit që t’i thoja po thirrjes së kahershme të Fatos Nanos për tu përfshirë në qeveri, që deri aty as e kisha marrë ndonjëherë në konsideratë. Pastaj rruga e jetës politike por unë besoj më shumë fati i shkruar mua më nxori në krye të Bashkisë së Tiranës, tamam kur ishte mbledhur gjithë balta, gjithë llumi, gjithë pluhuri i gjendjes natyrore të një lirie pa shtet, pa ligj, pa kontroll dhe të një qyteti që ishte kthyer në tokë të askujt me bekimin e bufit të kënetës ku pushtohej çdo pëllëmbë e lirë dhe pemët binin përditë si ata robërit kur i pushkaton: bam bam bam! Dhe kur i shoh sot ato pemët e mbjella aso kohe që janë rritur në asket kryesore të Tiranës së atëhershme them se edhe për aq do ia kishin vlejtur gurët, do ia kishte vlejtur balta që kam ngrenë që atëherë. Që edhe mbjelljen e pemëve tek ai komisioni hetimor që patë në televizor besoni ose jo ma kanë quajtur pastrim parash të drogës, pemë për pemë, tek kumbullat e kuqe pastrim i parave të drogës. Imagjinojeni sa vite ka ky avaz por sot që ka shumë më shumë se aq për të parë, Tirana është për mua prova se siç kjo luftë e pafundme përballë gjithë fare horrash dhe gjithfarë horrllëqesh nga të katërta anët, nga ata horra dhe ato horrllëqe që nuk e lanë këtë vend të ngrinte kokë as kur ngriti flamurin e pavarësisë që nuk ju ndanë këtij vendi që nga viti 1912, sot e ka bërë qytet europian kandaharin e vitit 2000 dhe fiks si ajo luftë ashtu dhe lufta e pafundme përballë llumit të një kënetë gjithë-politike dhe mediatike dhe një deti paragjykimesh për Shqipërinë dhe për shqiptarët do ta bëjnë Albania-n shtetin e ri të Bashkimit Europian në 2030 dhe kjo e imja është një luftë me historinë dhe është një luftë për historinë dhe ky është një moment kur yjet e Shqipërisë janë rreshtuar për së mbari. Ama na takon ne që këtë moment ta kthejmë në një shenjë të përhershme në flamurin e Bashkimit Europian duke i bërë të gjitha gjërat e duhura me kohën që kemi në dispozicion deri ditën e anëtarësimit që është më afër se kurrë ndonjëherë dhe mos e harroni dhe një gjë tjetër; për ne shqiptarët, për Shqipërinë, anëtarësimi në atë familje është mbi të gjitha çështje dinjiteti, dinjiteti që na u nëpërkëmb me dhjetëra e qindra vite, edhe për fajin tonë pa diskutim. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, ai emri “Albania” aty në tryezën e gjithë atyre që i kemi parë dikur me dylbi dhe që na kanë parë për kaq kohë nga lart poshtë, është hakmarrja e çdo shqiptari të sotëm që është patriot për të gjitha poshtërimet që na i kanë bërë të huajt dhe vetëposhtërimet e të gjitha kohërave që na kanë bërë bufat dhe jashtëqitjet e kënetës ndër shekuj dhe që nga viti 1912 dhe kjo është e vërteta dhe e vërteta duhet thënë me fjalët siç i takon në gjuhën e bukur, të ëmbël dhe kuptimplotë shqipe.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kalon nga Tirana që është lokomotiva e transformimit historik që duhet të vazhdojë me ju në pararojë, që nga skuadra e zëvendës kryetareve dhe zëvendës kryetarit këtu e deri tek lulishtarët, fshesarët, policët bashkiakë dhe i gjithë punonjësve të tjerë të Tiranës.
Këta muaj bashkia e Tiranës duhet të zgjohet edhe më herët se ç’zgjohej dhe të flejë edhe më vonë se ç’flinte kur qe mësuar me mua dhe pastaj kur e rimësoi dhe lali pasi e futi në gjumë, ky figura që tani i është harruar edhe emri.
Tirana ka zgjedhje për të mbajtur ne 11 maj, por ama bashkia e Tiranës ka miq të mëdhenj për të pritur në 16 maj. Kështu që, çdo gjë duhet të shkëlqejë dhe gjithkush nga ju duhet të japë më të mirën e vet.
Unë do të jem këtu me ju dhe për ju me Tiranën për gjithë Shqipërinë. Ditën dhe natën me kokën lart, me mendjen e ndarë, me zemrën në vendin e duhur dhe bashkë me çdo shqiptar e shqiptare që flamurin nuk e ka vetëm për në stadium por e ka në zemër, e ka në mendje dhe e ka në dritën e syve të vet që nga Tirana e të gjitha prejardhjeve e deri tek Shqipëria që sytë i ka tek Tirana.
Çfarë nuk të vret, të forcon. Ditët më të mira janë të gjitha përpara!