Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e mjeteve të reja të Policisë:
Duke përgatitur këtë fjalë mu kujtua një raportim i vitit 2010 në media për 5 makina të sapoblera të Policisë së Shtetit, që kishin mbetur në rrugë. Tre prej tyre, të sjella pas një tenderi prej miliona eurosh, kishin hapur kofanon në hyrjen te “Zogu i Zi” për probleme me tubin e ujit, dy të tjera kishin mbetur te kthesa e Rinasit dhe u desh që automjete të tjera të policisë t’i rimorkionin. Ky ishte një episod spektakolar, që nxirrte në pah një vijimësi të mbrapshtë të procedurave dhe të proceseve për pajisjen e Policisë së Shtetit, e cila u bë edhe objekt komedish dhe përqeshjesh, shumë shpesh, për shkak të keqpajisjes, qoftë me mjete, qoftë me uniforma.
Mu kujtua po ashtu, se shumë pak muaj pasi ne ishim në detyrë, ish kryeministri përqeshte Policinë e Shtetit, duke ekspozuar në tabelën e fletë-rrufeve të tij digjitale një makinë që transportonte të burgosur në Shkodër dhe që mbeti në rrugë, duke detyruar spostimin e të burgosurve në makinën tjetër. Përqeshte peshqeshin që na kishte lënë, duke na vënë në pozitën tejet të vështirë për të rimëkëmbur një Polici Shteti të rrënuar, si dhe në tërësi një vend të rrënuar në çdo sektor. Një Polici Shteti që, sipas raporteve të partnerëve, kontrollonte vetëm 55% të territorit të vendit, me më pak se ¼-ën e efektivëve me arsim të lartë, me mbi 70% të automjeteve jashtë funksionit dhe me shumë e shumë probleme të tjera, për të përfunduar me faktin se ishte Policia më e keqpaguar në planet. Policë që binin në krye të detyrës, sepse armët e tyre nuk qëllonin, ose, sepse çoheshin të keqarmatosur në përballje me kriminelë të armatosur deri në dhëmbë. 265 dëshmorë të Policisë së Shtetit, prej të cilëve vetëm 6 përpara vitit 1990, të gjithë të tjerët dëshmorë të një periudhe të vështirë kthesash historike e dramatike, momentesh historike tragjike, por edhe si rezultat i një vijimësie tejet të mbrapshtë në mbështetjen politike, në mbështetjen e përgjithshme në çdo aspekt të trupës më të ekspozuar ndaj rrezikut dhe më të braktisur përballë rrezikut, që ishte Policia e Shtetit për vite e vite të tëra.
Jo më larg se 48 orë më parë, një efektive 24-vjecare e Policisë së Shtetit mund të kishte humbur jetën dhe ishte shpejtësia e reagimit të saj që bëri që të humbte vetëm gishtat e njërës dorë. Ajo vajzë i përket gjeneratës së re të Policisë që Duam, i përket gjeneratës së të rejave dhe të rinjve të shkolluar në Akademinë e riçelur të Sigurisë, – Akademia që u mbyll për vite të tëra për arsye të mosarsyes, duke ndërprerë një cikël studimesh dhe trajnimesh të pazëvendësueshme për efektivët e Policisë së Shtetit, – një ndër shumë vajza që janë dallëndyshet e para të pranverës së saponisur për rigjenerimin e Policisë së Shtetit, përfshirjen në të të vajzave dhe djemve të arsimuar, të trajnuar, që stërviten çdo ditë.
“Humbi gishtat, sepse nuk ishte e trajnuar”, – u tha nga ata, të cilët kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për nxitjen e dhunës dhe për goditjen me lëndë plasëse, të cilën Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e dënon si krim të rëndë.
E kundërta është e vërtetë! Ajo vajzë, si dhe vajzat e djemtë e gjeneratës së saj në Policinë e Shtetit, jo vetëm që janë të arsimuar, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Ishte pikërisht gatishmëria e reagimit që i shpëtoi asaj jetën, sepse sot do të kishim, – lavdi Zotit, kjo nuk ndodhi! – një tjetër dëshmor dhe me sa di të parën dëshmore vajzë të Policisë së Shtetit.
E pra, fokusi te gjenerata e re, fokusi tek ripërtëritja e vazhdueshme dhe rritja e vazhdueshme e përqindjes se punonjësve të policisë me arsim të lartë, ulja e vazhdueshme e moshës, sepse ende kemi një moshë mesatare të lartë të Policisë së Shtetit dhe mbështetja e gjithanshme e trupave të policisë, është ajo me të cilën gdhihemi dhe me të cilën ngrysemi në përditshmërinë e punës tonë, për ta çuar Policinë e Shtetit në standardet që duam, për ta bërë Policinë e Shtetit një polici me nivel performance në mesataren e policive të Bashkimit Europian, deri në vitin 2021.
Nga ana tjetër, transformim i mënyrës së funksionimit në të gjithë procesin e mbështetjes logjistike të Policisë së Shtetit. Është flota e parë e siguruar me një kontratë ndryshe, me një kontratë 4-vjecare, në bazë të të cilës, të gjitha mjetet do të zëvendësohen me të reja pas 4 vitesh, duke shmangur historitë pafundme të të shkuarës, tenderët e pafundmë dhe përfundimet qesharake që çuan në një Polici Shteti që kishte lloj-lloj makinash me lloj-lloj moshash, me lloj-lloj problemesh, një lloj karnavali me trupën që reflekton dinjitetin dhe seriozitetin e një shteti.
Kjo nuk është një shpikje. Kjo është një metodë e garantimit të logjistikës, e përdorur gjerësisht në vendet e zhvilluara, e cila garanton shumë më tepër automjete, sesa në ato tenderët e degradimit tradicional dhe mbi të gjitha garanton gjendje optimale teknike në vijimësi, pasi është shërbimi që përgjigjet për çdo problem teknik, për çdo defekt, për siguracionin dhe taksat e automjeteve dhe për zëvendësimin e tyre në kohë reale në rast se ato kanë një problem. E them këtë, sepse është shumë e rëndësishme që të nënvizohet se me këtë flotë të re, jo thjesht fuqizojmë dhe shtrijmë në 8 qarqe plotësimin e plotë me të gjitha nevojat logjistike të Policisë së Shtetit, por garantojmë që të mos ketë më kurrë histori, si ato që e kthyen Policinë e Shtetit në objekt komedish, portakallish dhe barsoletash, për shkak të ngecjes në rrugë dhe daljesh jashtë funksionit të mjeteve.
Të njëjtën gjë do të bëjmë me uniformat. Diskutuam me ministrin e Brendshëm për tenderët e uniformave që dështojnë, rihapen, ridështojnë, kthehen dhe nuk garantojnë vijimësinë. Nuk kemi pse të shpikim rrotën, na duhet thjesht të imitojmë ata që e bëjnë më mirë këtë punë, vendet e zhvilluara, vendet e Bashkimit Europian, ku nuk ka tendera uniformash, por ku ka një shërbim të personalizuar për çdo efektiv. 1, 2, 3 kompani të licencuara përgjigjen çdo ditë për çdo efektiv policie që ka nevojë të ndryshojë diçka në uniformën e vet, të marrë diçka të re dhe nuk paguan paratë për tendera, por çdo efektiv ka kartën e fondit personal për uniformën dhe për të gjitha pajimet dhe ka adresat e të gjithë pikave të shërbimit ku shkon dhe merr atë që i duhet. Kështu është secili që kujdeset për uniformën e vet dhe Policia është e gjitha vazhdimisht me uniforma top.
Nga ana tjetër është e domosdoshme që të ecim shumë më shpejt përpara ne inovacionin. E kemi të domosdoshme që përveç makinave të reja, që janë të gjitha të pajisura me sistem gjurmimi satelitor, të kemi monitorimin e rrugëve, kamerat në të gjithë akset kryesore dhe të kemi, shpresoj një orë e më parë, rezultat për një reformë për të cilën më ra goja, reformën e shërbimit lidhur me gjobat dhe lidhur me reklamimet e qytetarëve për gjobat. Nuk mund të vazhdojë më Policia e Shtetit me letra bakalli, duke ndaluar njerëzit rrugëve e duke marrë shënim edhe biografinë kur vë një gjobë. Duhet të kalojmë në sistemin e teknologjisë, ashtu sikundër, duke pasur edhe kamerat, duhet të garantojmë që teknologjia ta bëjë këtë punë, jo policë që rrinë gjysmë të fshehur rrugëve dhe dalin me një tabelë dhe pastaj e vendosin dhe vetë trupën në një pozitë quasi qesharake.
Është koha për të kapërcyer në një epokë tjetër dhe janë krijuar bazat e kësaj pune. Tani kjo punë duhet finalizuar dhe komisionet e reklamimit që janë komisione korrupsioni duhet të marrin fund. Duhet të marrin fund pasaportat që iu merren qytetarëve e patentat që iu merren qytetarëve e iu thuhet, paraqitu në komision këtu, paraqitu në komision atje, pastaj flasim rrugës. Duhet të marrin fund! Teknologjia na e mundëson plotësisht këtë gjë.
Nga ana tjetër kemi hequr vetëm në 2017-ën nga organizatat kriminale mbi 40 milionë euro pasuri nga duart e tyre dhe i kemi sekuestruar, ndërkohë që në 2013-ën kjo shifër nuk kalonte 1 milionë euro. Kemi përgjysmuar numrin e vrasjeve dhe shifrat flasin të gjitha në favor të Policisë së Shtetit, që nga institucioni më i korruptuar në sytë e qytetarëve në 2013-ën është sot e gjithë ditën, pavarësisht sprovave, pavarësisht problemeve, pavarësisht propagandës dhe baltës të përditshme që ka ngrënë padrejtësisht, institucioni më i besuar i shqiptarëve. Kjo është gjëja më e rëndësishme mbi të cilën duhet të ndërtojmë hapat në vijim, sepse kemi nevojë për përmirësime në këto aspekte gjithashtu.
Kemi nevojë për një reagim intensiv të vazhdueshëm ndaj të fortëve. Me shpejtësi do të çojmë në Parlament projektin e ri për krijimin e një force tjetër reagimi parandalues, një force të shpejtë reagimi parandalues, një force super speciale që do të merret në mënyrë të dedikuar me të gjithë ata që janë një bezdi për komunitetet dhe që kanë precedentë penalë, apo që kanë profile kriminale mbi të cilët duhet të ushtrohet përditë presioni parandalues i Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, duhet të çojmë përpara dhe të finalizojmë diskutimin për xhandarmërinë, për të marrë një vendim përfundimtar, pas shumë e shumë debatesh të bëra dhe në të shkuarën, nëse po, apo nëse jo dhe për të futur në një proces historik, siç është ky i kalimit nga një epokë shumë problematike në raport me sigurinë e me krimin, në një epokë kontrolli të plotë në fushën e sigurisë dhe zmbrapsje të plotë krimit nëpër skutat e veta, edhe një numër të konsiderueshëm efektivesh nga Policia Ushtarake. Kjo është temë që meriton në debat shterues pa humbur kohë.
Nëse në këto 5 vite, sfida jonë ishte rikthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe krijimi i një profili të besueshëm të Policisë së Shtetit për qytetarët, ne e kemi fituar këtë sfidë, ka kohë. Sot kemi një sfidë të dyfishtë, që me këtë forcë të rikthyer në detyrë dhe të besueshme për qytetarët të jemi shumë më pranë dhe shumë më dinjitozë në funksion të qytetarëve dhe nga ana tjetër të bëjmë të mundur që 3 vitet e ardhshme të jenë vitet e një shkatërrimi spektakolar të krimit të organizuar dhe të çdo forme sfidimi të rregullave të bashkëjetesës nga cilido qoftë.
Unë jam i bindur që i kemi të gjitha kushtet për ta fituar edhe këtë sfidë, ashtu sikundër të gjithë efektivët e policisë duhet të jenë të bindur për mbështetjen maksimale timen personalisht, të qeverisë tonë, të shumicës qeverisëse dhe për vendosmërinë që në çdo moment, Policia e Shtetit të ndihet më e mbështetur se asnjëherë më parë, në çdo aspekt.
Policia e Shtetit është Policia e qytetarëve dhe është forca e qytetarëve në raport me çdo shfaqje dhe me çdo individ që cenon qetësin, sigurinë dhe shpresën e qytetarit në këtë vend që është atdheu ynë i përbashkët, të cilin Polica e Shtetit duhet ta përfaqësojë çdo ditë me dinjitet.
Shumë faleminderit!