Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama në eventin e “Fondacioni 5”, të Lorik Canës:
Komplimente për filmin, ishte realisht i realizuar shumë bukur. Më thanë që është gjysma e filmit sepse ka dhe një gjysmë tjetër që është në versionin më të gjatë. Dua të them vetëm pak fjalë, së pari, duke menduar se çfarë mund të thuhej sot pa marrë kohë në mënyrë të paarsyeshme, më erdhi për mbarë të shënoj këtu në këtë letër diçka që e shkruante pak kohë më parë një gazetë e njohur skoceze, The Herald, për Lorikun. “Pasioni për të kaluarën frymëzon ambiciet e tij të së ardhmes. Historia dhe kultura janë pasioni tjetër i Lorikut dhe ai mishëron të dy elementët”.
Besoj që në këtë rast është nga ato raste kur gazetari nuk është kazan, ka thënë plotësisht të vërtetën dhe besoj që arsyeja pse sot jemi këtu kaq të shumtë në numër e kaq të ndryshëm në prejardhjen e rrugëve të jetës nuk lidhet me faktin se Loriku ishte një futbollist, që ishte patjetër, shumë i zoti, as me faktin që Loriku ishte kapiten i ekipit kombëtar. Asnjë ofendim ju lutem për gjithë kapitenët e tjerë por duhet të ketë një arsye pse Loriku është i vetmi kapiten, që të paktën unë mbaj mend edhe ma ha mendja që përveç Armando Dukës, po t’ju pyes kush ka qenë tjetër kapiten, do jetë e vështirë për të gjetur kapitenin përpara Lorikut. Jam i bindur që kjo lidhet me faktin që Loriku është një nga ata personalitete që siç thuhet në anglisht, “larger than life”. Më i madh se jeta. Edhe pa e njohur nga afër, edhe pa e ditur se çfarë bën, edhe pa pasur informacion për jetën e tij, kur e shikoje në fushë kuptoje që ishte diçka më shumë se sa një lojtar i zoti.
Për të mos marrë më shumë kohë, do doja të shtoja që në të njëjtin artikull, Loriku thotë diçka që shpjegon në fakt edhe që ka mbaruar karriera e tij si futbollist por jam i bindur që nuk ka mbaruar historia e tij si kapiteni që frymëzon. Deri dje ka qenë frymëzuesi i atyre 11 njerëzve në fushë dhe inspiruesi i gjithë atyre që kanë shkuar pas ekipit, ndërsa besoj që kjo jetë e dytë e Lorikut do të jetë frymëzim për ata që siç thotë ai, e shkuara që ai është sot e shkuar, pavarësisht se është ende shumë i ri për të qenë e shkuara, “do t’i shërbejë më të vegjëlve për të qenë krenarë për atë se kush janë dhe nga vijnë”.
Fondacioni besoj që do ta mishërojë më së miri këtë qasje të thjeshtë e shumë të thellë të Lorikut ndaj vetes, ndaj njerëzve dhe vendit. Edhe diçka tjetër, Loriku ka pasur të mundur të luaj me kombëtaren e Francës, patjetër me kombëtaren e Zvicrës. Kështu si erdhën punët në këtë globalizmin permanent, mund të zgjidhte dhe ndonjë kombëtare nga lindja e mesme por që ditën e parë, ëndrra e tij ka qenë të luajë me kombëtaren e Shqipërisë dhe unë besoj që kjo është më shumë se sa karriera e tij futbollistike, kjo është më shumë se sa fusha e futbollit. Ashtu sikundër besoj që duke qenë pa asnjë ofendim për Muratin. Murati është një figurë tjetër shumë e spikatur por Murati nuk i ka qejf librat ndërkohë që Loriku është shume i lidhur me librat e jo rastësisht besoj lidhen fanella kuqezi dhe interesi i tij i veçantë për historinë e Shqipërisë, të shqiptarëve, për historinë e rajonit ku jetojmë dhe në një farë mënyre besoj që Loriku ka arritur të mishërojë atë që është ajo që i bashkon shqiptarët kur shohin ekipin kombëtar, bashkimin e të gjithëve, pavarësisht se janë të lindur në Shqipërinë që kemi, në Shqipërinë që do kemi apo në Shqipërinë që nuk kemi.
Në këtë aspekt, Fondacioni me siguri do të jetë një pikë bashkimi për të gjithë ata që kanë një ëndërr dhe Loriku do jetë gjithmonë shembulli ose një nga shembujt në këtë rast, Loriku në sport por të tjerë kemi në art, në shkencë, që provojnë që një ëndërr që e shikon me sy hapur, njeriu mund ta arrijë. Gjithë pyetja është sa është i gatshëm të paguajë çmimin dhe Loriku ka qenë i gatshëm të paguajë deri në fund çmimin, sigurisht, edhe kur mund të ketë pasur ndonjë moment hezitimi për çmimin, nuk e ka lënë babai që të tërhiqet.
Unë dua ta mbyll duke i thënë babait, që po të mos ishte nëna, ti nuk do ta kishte bërë dot Lorik Canën futbollist. Kështu që ju lutem, një shëndet për zonjë Cana, për nënën që i ka ardhur dita sot, me siguri, që të jetë në qendër të vëmendjes dhe babai ka një të vogël me emrin Bojken, mund ta marrësh tani përdore e të fillosh ta çosh tek ekipet e të vegjëlve të “Fondacionit 5”, e pastaj me radhë ta ndjekësh e kur të jesh gjysh me çunin e Lorikut në kombëtare, të vish prap këtu dhe me një kusht, nuk ja shan dot nënën atij!
Shumë faleminderit!