Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama me fermerë të fshatit “Asim Zeneli” në Gjirokastër

 

Përshëndetje! Më behet qejfi që jam përsëri këtu dhe këtë herë në cilësinë  e kryeministrit për të folur për gjërat që duhet të vazhdojmë të bëjmë, i bindur qe kemi bërë shumë , por gjithçka kemi bërë nuk mjafton për të thënë që gjërat janë aty ku duhet të jene sepse është e qartë që puna për tu bërë është ende shumë më  e madhe se sa ajo që kemi bërë. Këtë nuk e them se kështu duhet thënë, por se kështu është e vërteta.

Dua ta nis me dy aspekte që besoj janë kuptimplota lidhur me ku ne u nisëm. Ju e dini të gjithë më mirë se unë që në vitin 1991, parlamenti me një vendim bipartizan, miratoi një ligj që quhet ligji 7501. Ligji që i njihte që 25 vjet më parë të drejtën atyre që jetojnë në fshat për t’u bërë pronarë të tokës së tyre. E për fat të keq, pas 25 vjetësh, ne jemi të parët që angazhohemi seriozisht për të zbatuar këtë ligj. Pas 25 vjetësh Shqipëria ende nuk ka një treg të tokës. Është jo vetëm i vetmi vend në Europë, por me siguri duhet të numërohen me gishtat e njërës dorë vendet që nuk kanë treg të tokës. Vendet ku njerëzit e punojnë tokën në bazë të një akti marrjeje në përdorim e as nuk mund ta trashëgojnë, as mund ta shesin, as mund ta vendosin si kolateral për të marrë kredi, as mund ta përdorin si titull pronësie për të marrë mbështetje financiare për projekte që financohen qoftë nga shteti, qoftë nga institucionet e tjera, – i pari ndër ta BE, që ka programe dhe do ketë me hapjen e negociatave programe dhe më të mëdha për të mbështetur bujqësinë, – por nuk mund të jap dot asnjë euro për të financuar projekte sado të mira të atyre që nuk e kanë titullin e pronësisë mbi tokën.

Parafytyroni se çfarë humbje e madhe kohe dhe se çfarë periudhe e gjatë historike ka kaluar pa arritur të vendosim në bazën e punës për zhvillimin e fshatit, të bujqësisë, blegtorisë dhe në tërësi të vendit, këtë element.

Fatmirësisht, ne ia dolëm të bëjmë një reformë që duhet të ishte bërë 20 vjet përpara. Reformën që sot na ka krijuar një mundësi të re si shtet përmes nivelit të dytë të qeverisjes, pushtetit vendor, duke kaluar nga afro 400 bashki e komuna, që ishin pjesë e kaosit dhe e çorodisë së madhe të shtetit, në vetëm 61 të tilla dhe angazhimi parësor i këtyre bashkive të reja, është që të bëjmë të gjithë përpjekjet për të shtyrë me hosten përpara dhënien e titujve të pronësisë në fshat, që nuk është një proces i thjeshtë, edhe pse në gjithë këto vite, problematika e titujve të pronësisë ka shkuar vetëm duke u komplikuar. E ju e dini po kaq mirë sa unë që problematika e pronës ka shkuar vetëm duke u komplikuar dhe ne jemi e para qeveri pas 25 vjetësh që arrtit t’i japi drejtim çështjes së pronës, përmes një baze të re ligjore që merr përsipër dhe krijon kushtet që ne të marrim përsipër më saktë që të mbyllet ky problem madhor çerek shekullor.

Bashkitë sot janë angazhuar fuqimisht për t’i ndihmuar qytetarët që jetojnë në fshat, familjet fermerë që të marrin titullin e pronësisë. Ana tjetër e medaljes është elementi jetik pa të cilin s’mund të flasim as për bujqësi as për zhvillim rural, – uji në parcelë. Sa shumë vite kanë kaluar dhe në këtë vend që është i bekuar nga Zoti apo natyra – për ata që nuk besojnë Zotin, – me të gjitha pasuritë, e mbi të gjitha me një pasuri ujore të jashtëzakonshme, e ndërkohë, mijëra hektarë tokë buke kanë mbetur djerrë, të pashfrytëzuara, duke sjellë gjithë ato probleme sociale nga pas për familjet që mund të nxirrnin jetesën e tyre me punë të ndershme me atë tokë, vetëm për shkak se kanalet ujitëse u bllokuan dhe kurrë, asnjëherë, nuk pati vëmendje për t’i pastruar. Ne kemi angazhuar paketën më të madhe financiare që është angazhuar ndonjëherë nga një qeveri shqiptare për të zgjidhur këtë problem një herë e mirë, duke plotësuar dhe një zotim tonin që të çojmë ujin në çdo parcelë, dhe paralelisht për të pastruar e vënë plotësisht në punë të gjithë kanalet kulluese, në mënyrë që të pengojmë përmbytjet e kota nga një shi vere për shkak të mungesës së kullimit.

Sigurisht që është jo dhe aq e këndshme që në vitin 2016 të flasim për titullin e pronësisë së tokës apo për ujin, gjëra që duken absurde, por ja që kjo ishte katandia kur ne morëm detyrën. Kjo ishte katandia ku fshati u la në ecurinë e gjithë këtyre viteve, pa llogaritur pastaj gjithë zinxhirin e vështirësive të tjera. Zinxhir vështirësish që lidhen me pamundësinë për të pasur një rrugë të qartë, të drejtë, efektive për të marrë nga prodhimi atë që secili dëshiron dhe meriton nga prodhimi i tij.

Ne kemi bërë shumë në këto 3 vjet për të ndërtuar sistemin e grumbullimit. Kemi bërë shumë këto tre vjet për të stimuluar sipërmarrjen në fshat, duke u larguar nga politika e lëmoshës dhe thërrimeve që shpërndaheshin gjithandej pa asnjë kriter, pa asnjë ide se si do të merrej mbrapsht një rezultat prej tyre, – në një mbështetje për sipërmarrjen në fshat, në një mbështetje për fuqizimin e zinxhirit të vlerës, duke u munduar që të krijojmë modele, mbi të cilat pastaj të mund të zgjerohet shembulli pozitiv se si duhet sot të bëjmë sukses në fshat.

Megjithatë, ne jemi shumë të vetëdijshëm që edhe pse buxheti i shtetit është rritur për fshatin, sado të rritet, nuk arrin dot të përballojë nevojën reale që ka fshati për financime, në funksion të prodhimit, të grumbullimit apo shitjes. E prandaj kemi bërë një përpjekje që e kemi kurorëzuar me sukses për të ndërtuar një linjë të re financimi të sipërmarrjes në fshat, përmes një marrëveshjeje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 6 banka këtu të nivelit të dytë, ku shteti është garant i kreditimit të kredive për fermerët. Që do të thotë, nëse deri sot fermerët nuk mund të shkojnë nëpër banka sepse nuk del llogaria dhe nga ana tjetër kanë vështirësi për shkak të garancisë që kushdo që shkon në bankë dhe për të marrë një kredi duhet të japë, – sot ne e kemi zgjidhur këtë hallkë duke krijuar Fondin Kombëtar të Garancisë për fshatin.  Që do të thotë se është shteti garant për kreditë që marrin fermerët.

Kreditë me këtë mekanizëm do jenë kredi shumë të buta, pra financime me para të lirë për fermerët duke bërë të mundur që në procesin e investimit dhe pastaj të prodhimit, secili mund të dalë me fitim në këtë histori.

Sigurisht që nuk mjafton që të themi se kemi vendosur në dispozicion të fshatit me këtë mekanizëm rreth 300 milionë euro ne tre vitet e ardhshme sepse janë 300 milionë euro që mund të mbeten aty, pa u shfrytëzuar në rast se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë projekte të besueshme, të mirëargumentuara dhe të mundura për financim. Kjo do të thotë që duhet një punë shumë intensive e përbashkët mes bashkive, fermerëve dhe qeverisë që të kemi sa më shumë projekte të tilla dhe që të marrim sa më shumë nga këto para që janë potencialisht në dispozicion të fshatit për tu hedhur në financime projektesh në fshat. Konkretisht po marr një shembull. Nëse në një zonë fermerët kanë problem mungesën e një pike grumbullimi dhe nuk kanë mundësi as vetë ta financojnë, as nuk ka interes nga dikush sipërmarrës që të vijë ta financojë, atëherë është bashkia sëbashku me këtë komunitet fermerësh që përmes një projekti mund të marrin financimin për ta ndërtuar këtë pikë grumbullimi dhe pika e grumbullimit është pronë e këtij komuniteti fermerësh, shfrytëzohet prej tyre dhe nga të ardhurat e saj shlyen edhe kredinë që siç thashë do jete e garantuar nga shteti.

Shembuj të tillë mund të marrim plot, qoftë nga projekte që janë individuale, qoftë për projekte që janë komunitare, por ajo që është themelore është që duhet që të gjithë te jemi të vetëdijshëm që nuk mund të vazhdojmë të presim nga shteti, por duhet që të ecim në shembullin e gjithë atyre në fshat, që janë shqiptarë, fshatarë, fermerë, njësoj siç jeni ju këtu, të cilët kanë treguar se përmes punës dhe sipërmarrjes në fshat mund të bëhet sukses, mund të bëhen para, mund të krijohet një zinxhir vlerash dhe investimesh dhe mund të përballohen të gjithë ato pengesa që dalin normalisht kur rri ulur dhe pret që të vijë zgjidhja nga shteti.

Patjetër që nuk është fjala se u krijua kjo mundësi dhe ne e zgjidhem problemin, sepse nga ana tjetër unë jam i vetëdijshëm që ne kemi akoma disa çështje për të cilat nuk mund të themi që kemi arritur të japim zgjidhjen e duhur, që nga garantimi i cilësisë së farave, tek garantimi i cilësisë së inputeve, kimikateve ku ende fermerët ndeshen me probleme dhe zhgënjime për shkak se blejnë një farë, blejnë një input dhe në fund iu rezulton se kanë blerë gjënë që kanë menduar se kanë blerë, pasi cilësia është e dobët dhe efekti që kanë pritur të marrin është i dobët ose hiç fare.

Ashtu sikundër, ne kemi marrë një masë shumë më kurajoze duke lënë në buxhet 20% rimbursim për çdo produkt të shitur në rrugë formale për të stimuluar formalizmin e bujqësisë dhe nuk e ka asnjë vend, as në rajon, as në Europë, 20 % rimbursim për shitjen  e produktit, që do të thotë në momentin që ti shet produktin me faturën në dorë ti merr nga shteti 20 % mbrapsht që është goxha. Por e kemi bërë me vetëdijen që kjo mund të ndihmojë dhe të stimuloje formalizmin,që sa më shumë fermerë të hyjnë në zinxhirin formal të ekonomisë dhe të mos vazhdojnë të shesin pa letra rrugëve sepse janë ata të parët që humbasin nga kjo, pastaj është edhe shteti që humbet nga kjo. Nuk mund të them që e kemi zgjidhur ashtu siç duhet mekanizmin e rimbursimit dhe prandaj po punojmë për një mekanizëm që të kalojë përmes bashkive duke qënë të bindur që bashkitë janë dera me e afërt dhe janë institucioni më i interesuar për t’i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve të njerëzve.

Nuk po zgjatem më shumë me këtë hyrje. Sigurisht, fshati nuk është vetëm toke, prodhim, shitje, por ka nevojë edhe për infrastrukture, ka nevojë edhe për shërbime, shkolla, çerdhe, kopshte, kujdes shëndetësor e kështu me radhe. E besoj që edhe në këtë zonë njerëzit janë të vetëdijshëm që edhe pse ka ende shumë gjëra për të bërë ka një ndryshim, ka një kthesë  të rëndësishme në funksion të rritjes së cilësisë së bashkëjetesës komunitare dhe jetës urbane përmes projekteve që ne kemi financuar, që nga Gjirokastra qytet, këtu pranë ku ishim në Goranxi, në Jorgucat, në Libohovë, rrugën ku kaluam dhe pamë se është realisht sot ashtu siç duhet të ishte dhe ishte qamet i madh përpara se të behej dhe patjetër dhe me tutje në Tepelenë, Memaliaj, Përmet e gjithë qarkun. Por patjetër që nuk mjaftojnë këto dhe unë mund të them vetëm që janë një bazë solide për të vazhduar të ndërtojmë sëbashku edhe me ju përmes bashkëpunimit me të zgjedhurit vendorë, atë standard, atë cilësi, atë mjedis dhe atmosferë që të jeni të bindur që do vazhdojë të sjellë gjithmonë e më  shumë  në këtë zonë sepse kjo zonë ka fatin e madh që të jetë një zonë e pasur me thesare të trashëgimisë kulturore dhe kështu rritja e numrit të turistëve do jetë e përvitshme dhe me rritjen e numrit të turistëve do të ketë një impakt patjetër të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe familjare të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë zonë, duke stimuluar edhe vetë shitjen e produkteve, në funksion të një turizmi që do rritet fuqimisht dhe që sipas të gjitha gjasave do të jetë një turizëm që do jetë shumë përtej sezonit veror.

Po ua kaloj fjalën juve në mënyrë që ta bëjmë edhe në formë bashkëbisedimi. Pasi jam këtu edhe për të komunikuar me ju, për të dëgjuar jo vetëm përgjigje të shqetësimeve tuaja, por edhe për të mësuar nga ju se çfarë konkretisht ne duhet të kemi parasysh më shumë lidhur me këtë zonë.

* * *

Përshëndetje i nderuar kryeministër! I gjithë komuniteti ju vlerëson për përpjekjet, në raport më bujqësinë. Vetë jam fermer, merrem me bletë. Disa nga momentet më të vështira, ju i përmendët, ato janë reale dhe janë më se të vërteta.

Një nga shqetësimet që kemi ne të gjithë, lidhet me faktin që mund të ketë dhe fonde dhe pare të lira, por nuk arrijmë dot të konceptojmë përse t’i përdorim. Nuk ka qasje se ku mund t’i përdorim këto para në drejtim të bujqësisë. Mund ta ndajmë në 2 fusha konceptin për të cilin të gjithë ne e bashkëvuajmë.  N.q.s. marrim problemin e blegtorisë një nga ‘thembrat e Akilit’ gjithandej, për të gjitha pozicionet është problemi i grumbullimit. Në Gjirokastër për vetë natyrën e prodhimit, përqendrimit, e specializimit ka baxho mjaft moderne që janë gati gati të sofistikuara dhe elektronike madje. Këtë e ka bërë biznesi pa asnjë lloj urdhëri po thjesht në sajë të interesave që ka në sajë të fitimit që realizon. Por tek bujqësia kemi një panoramë krejt të kundërt. Këtu kanë të bëjnë shumë probleme. Pikë së pari, ajo që ne e dimë të gjithë copëzimi i tokës. Por problemi më thelbësor është se asnjë nga fermerët nuk ka një ide se në cilin pozicion duhet ai të investojë. Në këto lloj pozicionesh duhet që realisht qeveria në fakt i takon të ngrejë një staf të fuqishëm ekspertësh dhe të përcaktojë piketat orientuese, jo vendimmarrëse. Në tërë botën e zhvilluar pak a shumë kështu bëhet.

Një pozitivitet që do të vije mbas pak kohësh do të jetë dhe ulliri. Pavarësisht që në Shqipëri janë mbjellë goxha ullinj, do të vijë koha që do të duhet një specializim përqendrim. Por ka një problematikë shkencore, me të cilën do të përballen vazhdimisht fermerët. Nuk mundet do të kemi 20 varietete ullinj se nuk ka asnjë lloj logjikë për të prodhuar sasi ullinj për eksport. Ka një handikap. Qeveria vetë me ekspertët duhet të përcaktoje tre varietete kryesore apo dy apo një. N.q.s. kemi 20 varietete ullinj, kjo do të thotë se nuk do të kemi kurrë treg.

Pa përjashtim pranë qeverisë duhet të ketë një organizëm të kësaj natyre. Të mendojmë për perspektivat e zhvillimit të bujqësisë. Nuk ka rrugë tjetër zgjidhje. Përqendrim, specializimi realizon kosto më të lira, ul fuqinë punëtore, rrit mekanizimin. Në ketë mes, kooperativat bëhen pa asnjë problem sepse janë të gjitha gati thjesht do të duhet menaxhimi i tyre. Ky është mendimi im dhe i shumë specialistëve të cilët realisht duan një ndihmë  nga qeveria. E kemi të vështirë ne fermerët tek e tek për arsye të tokave që kemi copë-copë e të ndara në 20 pjesë. Një orientim qeveritar, ekspertësh flas patjetër duhet.

Do të jepja dhe 2 mendime të veçanta. Raportin e ndërtimit të stallave. Gjirokastra e ka kërkesë absolute. Kërkesë sepse ka një ide perspektive nsq realizohet dhe ky sistemimi i bujqësisë sigurisht që blegtoria do të vihet në vështirësi për hatër të tokave bujqësore, të cilat sot nuk po punohen, pra livadhisin në kuptimin negativ të fjalës ose pozitiv të fjalës. Detyrimisht kjo blegtori që ka Gjirokastra, Tepelena apo Përmeti do të vihen në një siklet të madh n.q.s. realisht do të përqendrohemi tek bujqësia, sepse normalisht do të përqendrohen. Atëherë ata kërkojnë ndërtimin e  objekteve stallave. 91 milion lekë kërkon ALUZINI për stallën. Me 90 Milion lekë s’ka nevojë fermeri të punojë për tërë jetën. Ka një handikap të jashtëzakonshëm. Paguhet e njëjta gjë si për stallën, e njëjta gjë dhe për një pallat. Asnjë nga fermerët e blegtorisë nuk kanë mundësi për ta hipotekuar stallën sepse kushton shumë. Tani mund të jap shembuj unë. Ka 2 stalla një këtu në Antigore me rracën alpine, e cila ka bërë një stallë gati 3-4 milion lekë të reja përveç teknologjisë që ka. Ka pyetur pranë ALUIZNIT dhe i thonë që nuk bëhet.

Kryeministri Rama: Edhe në rastin kur është truall shtetëror nuk duhet të ketë një tarifë të tillë.

Ju përshëndes! Jam inxhinier hidroteknik. Kemi 2 mijë metra katrorë sipërfaqe truall në përdorim për të cilin e kemi krijuar sepse ishte një truall mjaft i aksidentuar dhe kemi shpenzuar goxha. Kam aplikuar në ALUIZËM dhe vetëm për 2 mijë metra katrorë më kanë kërkuar 9 milion lekë të reja ose 90 milion lekë, si tarifë për tokën pa u futur akoma në ambiente ndërtimi. Të shikohet mundësia e këtij trualli ndërtimi që është investuar me një situacion të veçantë për të mos patur një tarifë kaq të lartë sikur ndërton pallat.

Dua të ngre një shqetësim edhe përsa i përket problemit të subvencioneve. Ne jemi gati pothuajse industri e prodhimit të qumështit. Këto janë keca të marra në Francë. Janë gati 200 kokë që kam shkuar vetë që i kemi marrë dhe kemi prurë dhinë alpine këtu, e cila mbaj mend që nga vitet 85-87 ka qënë dhe është futur në Shqipëri.

Me këtë mënyrë të subvencioneve që nuk kemi marrë në këto 4 vjetët asnjëherë. pra asnjëherë nuk kemi marrë sepse programi i ndërtuar nga ministria e bujqësisë është kush ka numrin më të lartë të krerëve kur të të vijë radhë atëherë mund të marësh. Radha s’na ka ardhur dot asnjëherë. Sepse ne nuk i kemi në kullotë natyrale, por i kemi brenda regjimit stallor. Tani do futem në profesionin tim. Përsa i përket problemit të asaj që ngritët juve me të drejtë, nuk mund të bëhet dot  bujqësi e blegtori pa u futur sistemi ujitës dhe ai kullimit ku këtu është shkatërruar pothuajse totalisht. Zoti kryeministër, na lejoni të bëjmë garë, nuk më lënë të bëj garë. Vajta 25 vjet nuk bëj dot garë. Në rastin  tonë këtu, thonë që po nuk pate 3 vjet punuar dhe të ketë 50 punëtorë nuk futesh dot në garë. Çfarë janë këto mënyra të aplikimit për të bërë prokurim? Punëtorë ka plot sa të duash. Unë punëtorët i kam tani të tërë pa punë. Gjithë baza materiale më ka mbetur. Pse sepse nuk futem dot në garë. Këtë kanalin unë e kam ndërtuar. 2 gjëra janë, supervizioni duhet të jetë në kuotën maksimale që të kontrollohet puna dhe të mos bëhet për të shitur punën.

Kryeministri Rama: Unë ju falënderoj që ngritët këto disa çështje, të cilat do t’i marr me radhë. Së pari, kjo tarifa nuk është ashtu. Nuk ka një tarifë të tillë. Tarifa është vetëm 200 lekë për metër katror për tokën dhe vlen vetëm për biznesin kjo, jo për shtëpitë. Pra, në rastin tuaj juve iu bie të paguani me 200 lekë metrin katror. Pra nuk janë 40 milionë sa thua ti. Janë 4 milion lekë të vjetra. Po i bërë llogaritë me këtë mënyrën tënde atë tenderin nuk e fiton dot. Pra, për sa i përket kësaj çështje, ditën e hënë ai drejtori atje do të bëjë legalizimin. (Drejtorit të legalizimit ne zone) -Nuk do vijë ai tek ti, do shkosh ti tek stalla. Të dy stallat do t’i legalizosh të hënën dhe po të hënën në darkë do më çosh mua mesazh: “U bë”.  Të hënën mbyllet kjo histori me llogarinë që u bë këtu. Se mos shkon me një llogari tjetër atje.

Përsa i përket asaj që foli përpara miku im se e mbaj mend se kemi bërë diskutime edhe më parë. Më vjen shumë keq për një gjë, që ne e kemi bërë hartën e rajonalizimit të produkteve pra, ne dhe ekzaktësisht me atë logjikë dhe jo me imponim por, kush janë produktet sipas zonave që ne, që qeveria mbështet edhe me subvencione. Nuk të detyron njeri të provosh të mbjellësh edhe banane, në qoftë se ti do të bësh qejfin tënd, por ama ajo që harta thotë është që në këtë zonë duhen mbjellë këto produkte të caktuara, duke marrë parasysh të gjitha edhe traditën, edhe mjedisin, edhe çfarë natyre ka një zonë dhe një zonë tjetër. Në kuptimin e të gjitha të dhënave që nxjerrin në konkluzionin që ku është më shumë për perime, ku është më shumë për agrume, ku është më shumë për misër, e kështu me radhë.

 

Kështu që ne e kemi bërë. Problemi jonë është që drejtoritë tona të bujqësisë nuk janë në krye të detyrës ashtu siç duhet. Ky është fakt për fat të keq ose nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet sepse puna e parë e drejtorive të bujqësisë është të informojn dhe të asistojnë, se çfarë shkence të madhe bëjnë drejtoritë e bujqësisë këtu, nëse puna e tyre e parë është të informojnë, të asistojnë dhe të ndihmojnë.

Ne e dimë shumë mirë këtë gjë. Kemi bërë një reformë të gjithë strukturës së drejtorive të bujqësisë. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj përgjegjësie i kalon bashkive. Bashkitë kanë filluar të ndërtojnë bërthamat e tyre të bujqësisë dhe ndërkohë ne do të ndërtojmë në çdo bashki një sportel unik, për të gjithë problematikat e fermerëve për t’iu përgjigjur pyetjeve, për t’i asistuar. Edhe për këto projekte që folëm nuk duhet të rrimë të presim se vërtet iu them juve nuk duhet të rrini të prisni, por as ne nuk duhet të presim, por të bashkëpunojmë për të nxjerrë nga duart bashkërisht projekte të besueshme që të mund të financohen.

Pra, këtë e kemi bërë sepse absolutisht jam dakord që nëse nuk e kemi këtë bazë dhe nëse fermerët nuk orientohen në radhë të parë mbi këtë bazë, nuk jemi në rrugën e duhur. Por ne e kemi  këtë bazë. Këtu problemi është që të rrisim informacionin  për fermerët dhe nuk është problemi se toka është e fragmentuar, nuk ka asnjë rëndësi. Deri dje kishim kooperativa të imponuara, partia, ideologjia, ligji, etj, etj. Sot, duhet t’i nënshtrohemi imponimit të interesit. Pra, unë kam dy dynym, tjetri ka pesë ,tjetri ka dhjetë tjetri ka një; s’ka asnjë lloj rëndësie. Rëndësi ka që bashkërisht ne duhet të vendosim çfarë do mbjellim, të ndjekim të njëjtën procedurë me të njëjtën farë, me të njëjtën teknologji, dhe në fund fare ne kemi një prodhim ku aty unë kam kilogramët apo kuintalët apo tonelatat e mia, tjetri ka të vetat, por ama shitjen e këtij prodhimi ne e bëjmë bashkë, nuk e bëjmë veç e veç. Në momentin që ne kemi një prodhim të përbashkët, ne në atë moment kemi të gjitha mundësitë të kemi një treg, jo të dalim me domate në krahë te rruga dhe as të mbetemi pastaj viktima të grosistëve që vijnë nga Greqia, vijnë nga vendet e tjera e të kapin tek e tek dhe marrin çfarë të duan dhe tjerët ngelen dhe i hedhin produktet në lumë.

Kjo është ajo që po bëhet në disa vende në Shqipëri, me shumë sukses. Aty ku për interesin vetjak fermerët bashkohen me njëri-tjetrin dhe përcaktojnë pesë piketa se si do të trajtojnë çështjen e prodhimit, secili duke punuar në tokën e tij, por ama prodhimin duke e shitur bashkë ndryshon gjithçka. Kështu që ky është thelbi. Këto lloj bashkimesh pastaj, quajeni si të duash, kooperativa, apo ndryshe por, ato janë realisht bashkime interesash që krijojnë sukses dhe e kthejnë gjithë procesin nga një proces mbijetese, në një proces sipërmarrje. Vetvetiu ky grup fermerësh mund të thotë “ok”, na duhet një pikë grumbullimi, bashkërisht do të ndërtojmë pikën e grumbullimit, do aplikojmë, do marrim paratë dhe do ta ndërtojmë.

Na duhet një menaxher për eksportin dhe kështu do krijohen këto ndërmarrje që kanë filluar të krijohen në Shqipëri. Ne kemi detyrën që të vendosim sa më shumë mundësi financiare për stimulimin e këtyre lloj ndërmarrjeve dhe këtë bën fondi i garancisë dhe nga ana tjetër pastaj kemi detyrën të garantojmë pjesën tjetër se bashkohu sa të duash në qoftë se s’ke farën të garantuar, nuk ke kimikatet cilësore, nuk ke ujin të garantuar, e gjitha bie për tokë. Prandaj e theksova që ne e kemi këtë. U bënë dy vjet që ne e kemi hartën e rajonalizimit të produktit dhe drejtoritë e bujqësisë flenë gjumë. Në vend që të merren me këtë punë dhe të flasin me të gjithë dhe tua bëjnë të qartë se si qysh, tek, kur nuk e di ti që je nga më të interesuarit për këtë pjesë edhe që e ndjek si profesionist këtë fushë, llogarit se sa mund ta dinë në një fshat këtu afër se çfarë ka në hartën e rajonalizimit për të.

 

-Përshëndetje z. Kryeministër! Unë që po ju flas tani jam banor i fshatit Golem, d.m.th. njësia administrative Picar, pjesë e bashkisë Gjirokastër. Ne nga qendra e bashkisë jemi 35 kilometra larg. Jemi fshat blegtoral dhe merremi me blegtori. Nga ana e subvencioneve nuk kemi ndonjë problem, jemi të kënaqur. Shteti na ka stimuluar. Por gangrena më e madhe për ne është rruga. Dhe problemi i tregtimit të mishit, gjithashtu një problem sepse kasapët vijën dhe na e marrin për një “copë bukë”. Ne e shesim 250 lek një kile, kur në treg shkon 800 -900 lekë. Jemi fshat malor dhe një problematik tjetër kemi kullotat dimërore. Në fshatin tim, 70 % janë djem të rinj që merren me blegtori. Ne jemi të vetëpunësuar, e vetmja gjë që kërkojmë është infrastrukturë dhe kullota dimërore.

Kryeministri Edi Rama: Të dëgjova me vëmendje, e faktikisht e di historinë e kësaj rruge dhe ne po bëjmë një program të veçantë për ato që i quajmë akse të prodhimit. Nuk të premtoj dot sot që do ta bëmë nesër rrugën, por me siguri, momentin e parë kur ne do fillojmë, e sigurisht që vitin e ardhshëm do fillojmë të shtrihemi jashtë qyteteve, sepse filluam nga qendrat e qyteteve, nga lagjet e do shtrihemi jashtë qyteteve vetvetiu. Patjetër që do e kemi parasysh edhe këtë rrugë në funksion të prodhimit, sepse në rastin konkret, nuk bëhet llogaria me sa shtëpi janë atje, por se me çfarë ekonomie është atje. Ju keni atje një ekonomi lokale shembullore që na detyron ne të bëjmë diçka patjetër.

Kam dhe një problem tjetër në lidhje me drejtësinë. Kullotat në fshatin tonë kanë qenë tradicionalisht shtetërore. tani na kanë dalë 4 persona me dëshmi fallco, me gjyqtarë të korruptuar, posedojnë gjithë dokumentet. Ata e kanë marrë pronë dhe e shesin, na e japin ne me qera. Ne nuk kemi kundërshtim, bashkia ta administrojë jemi dakord, por ata kanë vjedhur shtetin.

Kryeministri Edi Rama: Kur thashë për punën e titujve të pronësisë që është një çështje shumë më e komplikuar se në 91, pikërisht se ndërkohë janë bërë çudira kudo si kjo që thoni ju, e janë bërë me vendime gjykatash. E vendimet e gjykatave ju e dini më mirë se unë që sado të padrejta të jenë, janë vendime gjykatash. Ne kemi filluar një proces për t’i zhbërë, kemi bërë një projekt pilot, në të gjithë zonën e bregdetit në Vlorë, ku janë mijëra hektarë që kanë dalë si këto që thua ti, por kjo është pjesë e gjithë kostove që ne i paguajmë të 20 e kusur viteve pa shtet.

Në fund të fundit, përpjekja jonë është një përpjekje për të bërë shtet. Nuk është një përpjekje e lehtë sepse ju që jeni njerëz të punës, që gdhiheni e ngryseni në krye në punë, e dini shumë mirë se sa mund, sa kohë, sa durim duhet për ta marrë një rezultat nga një punë që nis nga fara, gati e padukshme e grurit apo misrit, apo për të marrë prodhimin nga një kec i sapolindur. Merreni me mend tani për të bërë shtet, me institucione me rregulla, me letra e mekanizma që funksionojnë e që janë në mbështetje të njerëzve.

Megjithatë, jo për justifikim, por kjo është situata. Ne kemi bërë maksimumin në këto tre vjet, por nuk mundet dot kush që në këto 3 vjet të kthejë përmbys e ta bëjë ashtu si duhet atë që është bërë mbrapsht dhe që në fakt duhej bërë prej 20 e kusur vjetësh. Sikur këto reforma që bëjmë ne sot të ishin bërë 20 e kusur vjet më parë, sot do ishim në biseda krejt të tjera. Por nuk u nisën 25 vjet përpara, përkundrazi, u lanë, u bënë mbrapsht e shkuan gjërat kështu. Merreni me mend, është çudi e madhe në Shqipëri, që si ka mundësi që në universitet duhet të hysh me meritë. Ja kjo është çudia. Po çuditen njerëzit pse në universitet nuk mund të shkojë kush të dojë, të hyjë nga të dojë, të dali kur të dojë, e në fund të bëhemi të gjithë me diplomë. Sepse për vite të tëra u krijua kjo mendësi. Mjafton të kesh para apo mik, e ti bëhesh jurist. Nuk ka nevojë fare as të kesh rezultate në shkollë të mesme, as të mundohesh për tu regjistruar, madje mos shko fare në mësim e merre diplomën. U bë çudi e madhe se pse duhej paguar energjia elektrike. Sepse nuk pati njeri për fat të keq besimin që ky vend bëhet. Edhe ata që e qeverisën nuk mendonin që bëhet. Se mendonin vetë e jo më të luftonin që ky vend të bëhej shtet. Megjithatë, ne duam të shtrijmë tani projektin e rilindjes urbane më thellë në komunitetet që janë në fshat, sepse bashkitë e reja kanë një veçori që janë zona urbane me zona rurale e ne duam që të ketë sa më shumë ndërveprim mes tyre.

Ju falënderoj shumë, besoj që përveç bisedës, bëmë dhe një punë të mirë. Ditën e martë do kemi dy stalla të legalizuara se rëndësi ka që të bëjmë punët konkrete.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.