Mbrojtja dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë hyrë prej kohësh tashmë në rrugën e një transformimi historik, drejt Shqipërisë 2030.
Një bilanc-prezantim i arritjeve dhe sfidave në fushën e mbrojtjes, u zhvillua sot në një ceremoni të posaçme, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili vizitoi këtë të shtunë Komandën e Forcës Tokësore, në Zall-Herr, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Kryeministri Rama u takua me ushtarakë, oficerë e nënoficerë, si dhe studentë dhe të rinj të interesuar për t’u rekrutuar në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Gjatë vizitës, e cila përkon me 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe 76 vjetorin e krijimit të Aleancës, Kryeministri Rama ndoqi edhe një demonstrim nga Regjimenti i Operacioneve Speciale, të cilët stërviten me forcat amerikane, që ndodhen aty çdo ditë, që prej 1 viti.
Pjesë e demonstrimit ishte edhe ekspozita me kapacitetet logjistike, pajisje dhe mjete ushtarake të Forcave tona të Armatosura.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që sot kemi plot gjëra për të thënë në kuptimin e gjërave të bëra dhe bazuar mbi plot gjërat që kemi bërë, kemi plot arsye për të qenë më shumë sesa të inkurajuar për të nesërmen.
Duke kthyer kokën mbrapa dhe duke e rimarrë fillin e fjalës aty ku e la ministri, është një e vërtetë e dhimbshme, që në ndërkohë që, në aspektin e integrimit të ushtrisë sonë, në komunitetin euroatlantik të gjithë bënë përpjekjet e tyre, në aspektin e përkujdesjes dhe mbështetjes për ushtrinë tonë në të përditshmen e vet, Shqipërisë i ndodhi çfarë nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër për hir të së vërtetës, një rënie në humnere dhe pastaj një braktisje shumë e gjatë.
Dhe e them me plot gojën që, nëse ne sot, kemi një trup që mbështetet mbi kapacitete të rëndësishme njerëzore, ky është i vetmi aset i trashëguar nga e shkuara që është kapaciteti i drejtuesve të sotëm të Forcave të Armatosura falë së cilës, dje këto forca i mbijetuan me shumë vështirësi një sfide të paparë si rezultat i shembjes së shtetit dhe pastaj i kthimit të kurrizit nga ana e shtetit ndaj Forcave të Armatosura.
Nga një anë është krenari të them që ne në 10 vite kemi dhjetëfishuar investimet në fushën e mbrojtjes, një rritje që nuk ka ndodhur në asnjë fushë me një ritëm të tillë, por nga ana tjetër është vërtetë dramatike të mendosh se kur ne morëm detyrën Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë mbështeteshin me 28 milionë euro investime, një shifër, që sot është shumë më e vogël sesa shifra që ne kemi investuar vetëm për emergjencat civile.
Më vjen mirë po ashtu dhe jam shumë krenar që kemi arritur dhe e përsëris me shumë mirënjohje për Shefin e Shtabit, për të gjithë Shtabin e Ppërgjithshëm edhe për paraardhësit me të cilët kam pasur privilegjin të punoj së bashku me ministrat e mbrojtjes natyrisht që të kemi sot një Forcë të Armatosur të Republikës së Shqipërisë, ndaj të cilës të rinjtë dhe të rejat nuk janë më tërësisht të mbyllur, por përkundrazi drejtë të cilës kanë filluar dhe po i hedhin gjithnjë e më shumë sytë. Këtë e tregon dhe pesëfishimi i rekrutimeve dhe arritja e përmbushjes së objektivit për numër rekrutësh vendosur nga Shtabi i Përgjithshëm, gjë që më parë ishte e pamundur.
Nga ana tjetër, është fakt edhe i konfirmuar në vazhdimësi nga aleatët tanë, që cilësia e mësimdhënies ushtarake është rritur në mënyrë të ndjeshme.
Sot ne kemi ushtrinë më të paguar të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që, kur morëm detyrën kishim ushtrinë më të keqpaguar dhe më të keqtrajtuar në të gjithë rajonin tonë se pastaj po të vazhdojmë më tutje me Europën, as nuk kemi çfarë krahasimi të bëjmë.
Praktikisht, jemi sot në një pagë mesatare 1550 euro, që më lejoni t’ju garantoj nuk është stacioni ynë i fundit, por është vetëm një nga stacionet për të shkuar drejtë objektivit që e kemi ndarë me ju në krye të herës dhe kemi mirëkuptuar mosbesimin tuaj total, kur ju kam thënë që ne do të arrijmë të kemi një ushtri shqiptare të paguar në mesataren e forcave të armatosura të NATO-s. Jemi duke iu afruar ndjeshëm asaj mesatareje, por kemi ende hapa për të bërë.
Nga ana tjetër, sot falë mikpritjes suaj këtu dhe përkujdesjes së Shefit të Shtabit dhe gjithë bashkëpunëtoreve të tij, na u dha mundësia të shikojmë një ekspoze shumë domethënëse të të gjithë kapaciteteve të Forcave tona të Armatosura në aspektin e fuqisë së zjarrit dhe jo vetëm dhe të gjitha kapaciteteve logjistike. Dhe është vërtete një ekspoze shumë inkurajuese.
Nuk do ndalemi këtu pa diskutim, por ama mund të themi, që sot, kemi një bazë për ta parë të nesërmen me shumë më tepër kurajo dhe për të qenë shumë më të vendosur që nesër dallimi me sot, nuk po e ekzagjeroj, të jetë si sot dallimi me dje.
Dua të them që përkujdesja për efektivët nuk është thjeshtë një çështje pagash, patjetër pagat janë shumë të rëndësishme, por është dhe një çështje respekti për dinjitetin e tyre për kushtet në të cilat ata punojnë, stërviten, jetojnë dhe prandaj dhe ne i kemi dhënë dhe do t’i japim një rëndësi ende më të madhe gjithë infrastrukturës.
Sot këtu jemi përpara një zhvillimi kuptimplotë, që nuk është thjeshtë zhvillimi i disa godinave moderne, po godina që në brendinë e tyre do të kenë pajiset më të avancuara të kohës për të garantuar një cilësi maksimale me standardet e NATO-s, të gjithë përgatitjet e efektivëve. Por ende më tutje ne kemi nisur një program mbështjetjeje për familjet e efektivëve dhe sot janë 179 efektivë që kanë përfituar nga një kredi me zero interes për shtëpi dhe ky program do zgjerohet dhe do të jenë të mirëseardhur të gjithë dhe sidomos rekrutët dhe rekrutet e reja për të pasur akses në këtë program. Natyrisht do të duhet të martohen, kuptohet se beqarët na duhen këtu në front 24 orë. Në momentin kur do të ndani frontin mes luftës dhe dashurisë, atëherë do keni dhe akses në një kredi të butë pa diskutim.
Është shumë pozitive që është pesëfishuar numri i studentëve në Akademi dhe më vjen shumë mirë që investimi madhor që po bëhet për transformimin e gjithë kampusit apo më saktë të gjithë territorit të Akademisë, në një kampus ultramodern ka filluar të duket, por do të vazhdojë të jetë një qendër krenarie për FA dhe ambicia jonë është që të jetë një qendër stërvitore mësimore që t’i tejkalojë kufijtë e Republikës sonë.
Më tutje, dua të shtoj që janë bërë një sërë përmirësimesh që mi kanë listuar këtu, dhe s’dua t’ju mërzis me të gjitha kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve, me vetë flotën e helikopterëve, e cila është përmriësuar ndjeshëm, me dronët, me Bazën Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë dhe po ashtu dhe me Gjadrin, me shërbimin satelitor, me Qendrën e Inovcionit dhe të Sigurisë, që është vetëm në hapat e parë dhe që ne duam ta fuqizojmë me njësinë ushtarake të sigurisë kibernetike, me sistemin e integruar të vëzhgimit të hapësirës detare, si edhe me anëtarësimin në mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, gjëra që janë të gjitha bashkëtregues të këtij transformimi që është në vazhdim.
Jam shumë i lumtur që kemi një rritje të pjesëmarrjes së vajzave në FA tonë: ishte 10%, ka shkuar në 20.8% edhe është vërtetë krenari dhe kënaqësi që të shohësh vajza edhe në radhët e forcave më të sofistikuara speciale. Ndërkohë që, kjo forcë ka kryer një numër marramendës dhe mbresëlënës shërbimesh për qytetarët, ashtu sikundër ka pasur dhe impakt në jetën civile të vendit, përmes ndërhyrjeve dhe përmes kontributeve të natyrave të ndryshme. Tani, ajo që sot ka një rëndësi themelore, është ambicia për të kapërcyer në një nivel tjetër, jo thjesht në aspektet që fola deri tani, por në një aspekt themelor që është krijimi i industrisë sonë kombëtare të mbrojtjes.
E dimë shumë mirë historinë se si u shkatërrua totalisht baza industriale e FA, e dimë shumë mirë se sa e vështirë ka qenë për të dalë nga humnera ku ranë Forcat e Armatosura, nuk ka nevojë të bëjmë shumë histori, por dimë shumë mirë dhe diçka tjetër, që sot i kemi kushtet dhe i kemi mundësitë që të ndërtojmë një industry, e cila brenda kësaj dekade të na jape, jo vetëm mbrapsht një aset të munguar të Republikës së Shqipërisë, pikërisht asetin e kësaj industrie, por brenda kësaj dekade të na japë edhe një kapacitet të ri të fitimit në aspketin financiar për të riinvestuar në FA dhe për të riinvestuar në jetën e vendit.
Më vjen shumë mire, që sot kemi dhe një ekip që është ndërtuar pikërisht për këtë, jo vetëm ministry, por zëvendësminstrja Blerina, e cila ka lënë një pozicion pune shumë më të respektuar në nivelet më të larta të qeverisjes së industrisë ushtarake në Lindjen e Mesme pas një eksperience shumë të respektuar në një ndër kompanitë më të mëdha globale të ekselencës ushtarake ‘’Leonardo’’ në Itali; kemi Dorianin që e kemi një aset të rëndësishëm, por që tanimë ia kemi vënë në dispozicion pikërisht Agjencisë së re të Industrisë së Mbrojtjes; kemi Ardin që i kemi besuar drejtimin e KAYO-s që është ndërmarrja jonë e re kombëtare e prodhimit dhe patjetër edhe Enkelejdin, i cili ishte i pari që hyri në këtë grup të drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes si menaxher edhe as si dikush që ishte për t’u akomoduar diku dhe hajt se po e çojmë zëvendësministër tek Mbrojtja se kështu ndodhte në të kaluarën “Ku ta çojmë? Çojeni të mbrojtja, të marrë një makinë e të marrë celular e të vijë vërdallë”.
Kemi, mbi të gjitha, një filozofi të re në këtë drejtim për të investuar të gjitha këto kapacitete të reja financiare në dispozicion të mbrojtjes për të marrë mbrapsht atë që investojmë, jo thjesht dil e blej e pastaj mbaje atje se “jo nuk ka mirëmbajtje, jo po nuk punon kjo, jo po nuk ka pjesë këmbimi për këtë”, por prodhim, prodhim, prodhim e jo bëj kontrata, përveçse për gjëra ekskluzive të cilat nuk bën as sens të mendosh të krijosh bazë prodhuese për zhvillimin në Shqipëri me kompani të huaja, por fto kompanitë e huaja që duan të bëjnë biznes duke shitur për Forcat tona të Armatosura që të bashkohen si partnerë me KAYO dhe të prodhojnë së bashku, edhe për nevojat tona të brendshme edhe për eksport.
Ne do të jemi një vend eksportues i prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade, ky është qëllimi, dhe jemi në rrugën e realizimit, duke parë se si po ecin edhe diskutimet me kompani të mëdha të ekselencës botërore që kanë shprehur gatishmërinë të na bashkohen në këtë aventurë të re.
Ndërkohë që, pa diskutim qëllimi ynë është që të shfrytëzojmë industrinë e mbrojtjes edhe për të krijuar një bazë tërheqëse për vajza dhe djem të talentuar, të specializuar, profesionistë që jo vetëm të mos largohen nga vendi, por edhe të kthehen nga jashtë duke kontribuuar në këtë industri sepse do të kenë paga që do të jenë absolutisht dinjitoze dhe do të jenë absolutisht të arsyeshme për kërkesat e tyre.
Thënë të gjitha këto, dua ta mbyll duke nënvijëzuar faktin që edhe në aspektin e pronave të ushtrisë duhet të bëjmë një hap të rëndësishëm. Për një kohë të gjatë, shumë të gjatë, ushtria shqiptare është zhveshur nga shumë prona në mënyrë spontane, në mënyrë kaotike, në mënyrë shpeshherë të pakuptueshme në ndërkohë që sot e gjithë ditën, ushtria shqiptare disponon shumë asete të fjetura të cilat janë aty për inerci por që nuk përdoren dhe as nuk vihen në punë, as nuk lëshohen, një situatë që ne duhet ta adresojmë me të njëjtën filozofi.
Ministria e Mbrojtjes duhet të bëhet qendër edhe e këtij aspekti, domethënë, e zhvillimit të pronave që nuk janë prona që do të përdoren nga Forcat e Armatosura për qëllime ushtarake por që janë prona të cilat janë të Forcave të Armatosura dhe filozofia jonë është që duke ndërtuar, siç bëjnë të gjitha Ministritë e Mbrojtjes së NATO-s, siç bëjnë të gjithë vendet e zhvilluara duke ndërtuar partneritete e jo duke i shuar pronat për hiç asgjë por duke qenë pjesë në këto partneritete edhe në këtë drejtim, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të mund të marrin të ardhura sepse ushtria sot kërkon shumë para, edhe të gjithë po rrisim buxhetet, normal, por ama nga ana tjetër, ky territor, ky sektor, ky drejtim ka një potencial edhe për të bërë shumë para për ushtrinë, pra, për të qenë të mençur në mënyrën sesi investojmë taksat e shqiptarëve dhe për të krijuar një bazë prodhuese, një bazë eksportuese, një bazë administrimi të burimeve në mënyrë që të kemi një ushtri që të jetë vërtetë një pikë referimi kombëtar, të jetë një aset i admirueshëm për të gjithë dhe të jetë një hapësirë ku cilido, cilado të shohë një të ardhme dhe të ketë ambicien që të bëhet pjesë e Forcave të Armatosura qoftë me uniformë e qoftë me kapacitete që lidhen me teknologjinë, që lidhen me shumëçka tjetër që vjen nga jeta civile.
Ju falenderoj shumë, me shumë besim dhe me shumë bindje që si sot shohim mbrapa dhe ndjehemi mirë për çka kemi bërë, në fund të kësaj dekade, kur të shohim këtë ditë ose këtë moment të këtij rrugëtimi ne do të ndjehemi shumë mirë sepse Ushtria, Forcat e Armatosura, Ministria e Mbrojtjes, gjithë sektori delikat i garantimit të sigurisë dhe të integritetit territorial kushtetues të Republikës së Shqipërisë do të jetë vërtetë një nga pikat më të shkëlqyera të gjithë kurorës së vendit tonë.
Shumë faleminderit edhe njëherë tjetër dhe me shumë respekt, me shumë mirënjohje për të gjithë ju dhe me shumë mirënjohje në mënyrë të posaçme për familjet tuaja sepse në fund të ditës, ju e dini më mirë sesa unë, por edhe unë di diçka, që kur ne jemi në detyrë barrën më të rëndë dhe sakrificën më të posaçme në fakt e kanë familjet tona, bashkëshortet, bashkëshortët, e kanë fëmijët dhe të afërmit. Kështu që, me shumë respekt dhe mirënjohje për ta, ju uroj të gjithëve çdo të mirë dhe ndjesë që në një ditë të shtunë, megjithëse ju nuk keni të shtuna e të diela, por në një ditë të shtunë ishit të detyruar të dëgjonit fjalimin tim, gjë që nuk e keni për herë të parë, jam i sigurt dhe gjë që ju ndodh rregullisht kur hapni televizorin por gjithsesi, përsa kohë nuk kam dalë akoma në frigorifer ndjehuni gjithsesi mirë se të paktën kur hapni frigoriferin nuk ju dal unë aty.
Shumë faleminderit!