Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin Ekonomik Shqiptaro-Gjerman:
Së pari, i jam shumë mirënjohës Kancelarit për vizitën e tij në Shqipëri dhe për këtë ndalim këtu, që në një farë mënyre e plotëson kuadrin e aktivitetit të tij, si një reformator i madh, i cili ka qenë dhe mbetet një burim inspirimi për të gjithë ata që duan të ndërmarrin, apo të përfshihen në reforma.
Një personalitet që ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm sesi lidership do të thotë të marrësh përsipër kosto për të bërë gjënë e duhur dhe që jo me dëshirë, por me vetëdije pranoi të humbasë edhe punën për hir të reformave.
Një kancelar që reformoi Gjermaninë, por dhe një lider i familjes së madhe politike të të majtës, që influencoi në mënyrë kritike vetëtransformimin dhe qasjen e të majtës si një forcë e shekullit të ri, jo thjesht si një trashëgimtare e shekullit të kaluar.
Për ne është një nder i posaçëm, edhe për faktin se emri i Gerhard Schröder lidhet me çlirimin e një pjese të kombit tonë nga një diktaturë dhe që kontribuoi drejtpërdrejtë në fatet e Kosovës.
Është po ashtu kënaqësi që krahas me një Kancelar, që tanimë është pjesë e historisë së një vendi të madh, të jem këtu me Michael, që është pjesë e historisë së një vendi të vogël, të një mjedisi si ky këtu, që shënon fillimin shembullor të një modeli për t’u ndjekur në artin e të bërit biznes. Më erdhi mirë se, kur e kam takuar për herë të parë, takova një gjerman që emocionet i mbante për vete, ndërsa sot, kur po bëhet gati për t’u larguar nga Shqipëria, është një gjerman që ka kuptuar sesa bukur është që emocionet t’i ndash me të tjerët. Dëshiroj t’i them që unë gjithmonë kam menduar që italianët janë shqiptarë të veshur nga Versace, ndërkohë që Michael është një gjerman që në Shqipëri mësoi se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që jemi duke bërë plane të tjera dhe është e bukur, siç edhe mund ta dëshmojë ai vetë.
Ky forum vjen natyrshëm në vazhdën e një intensifikimi shumë të dëshiruar prej nesh të shkëmbimeve në të gjitha nivelet me Gjermaninë. Kujtoj me kënaqësi që po në këtë sallë, ne ndamë një moment tjetër të rëndësishëm të këtyre marrëdhënieve me Kancelaren Merkel, ashtu sikundër kemi pasur nderin të kemi mik në shtëpinë tonë, ministrin e Jashtëm, Steinmeier. Shenja këto shumë të rëndësishme për rëndësinë që ne i japim jo vetëm Gjermanisë, por për rëndësinë që Gjermania i jep marrëdhënieve me Shqipërinë.
Mbi të gjitha, ne i jemi shumë mirënjohës Gjermanisë, edhe për faktin se është angazhuar në një proces historik për rajonin. Ai që tanimë ka hyrë në fjalorin tonë si Procesi i Berlinit, i iniciuar me vullnetin e Kancelares Merkel, që mundësoi që, për herë të parë, të gjithë liderët e rajonit të ulen në një tryezë, jo për të bërë sherr për të shkuarën, por për të diskutuar për të ardhmen e përbashkët; për rrugët e përbashkëta të zhvillimit; për gazsjellësit; për korridoret energjetikë; për ndërveprimin përmes infrastrukturës së përbashkët; për zhvillimin e përbashkët të potencialeve turistike të rajonit dhe padyshim për shkëmbimet e reja mes të rinjve.
Unë kam qënë gjithmonë i bindur që ajo që Franca dhe Gjermania bënë për Europën është një shembull rrezatues i asaj që Shqipëria dhe Serbia mund të bëjnë për rajonin.
Ajo që gjermanët dhe francezët bënë duke kapërcyer mbi një rrjedhë shumëshekullore gjaku dhe duke i dhënë jetë njërës prej, ndoshta, veprës më të jashtëzakonshme të mendjes njerëzore, që është Bashkimi Europian, përbën një shembull fantastik se si ne mund t’i japim jetë një Ballkani që nuk është më fuçia e barutit mes Europës, por një rajon paqeje dhe bashkëjetese harmonike mes etnive, feve dhe njerëzve.
Po ashtu e them me kënaqësi që pikërisht në kuadrin e këtij Procesi, ne kemi parë dhe frytet e mbështetjes direkte të Gjermanisë, e cila jo vetëm historikisht, në periudhën e kalimit nga diktatura në demokraci, ka mbështetur financiarisht Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, por ka mbështetur edhe projekte të përbashkëta.
Linja e interkonjeksionit me Kosovën, e cila përfundoi në muajin qershor, apo fillimi i punës për linjën e tensionit të lartë me Maqedoninë, në kuadrin e këtij Procesi, janë shembuj kuptimplotë të faktit që Gjermania është një vend që lidh gjithmonë fjalën me veprën.
Protokolli i nënshkruar për bashkëpunim dhe zhvillim me Gjermaninë për vitin 2016-2018 është po ashtu një kuadër mjaft i plotë dhe nxitës për thellimin e bashkëpunimit në energji, në furnizim me ujë, në menaxhimin e mbetjeve urbane, turizëm, bujqësi, arsim profesional e kështu me radhë.
Dua ta vendos theksin tek arsimi profesional, sepse për ne ka qenë jashtëzakonisht ndriçues shembulli i Gjermanisë dhe modeli i gjerman, që përmes reformës tonë në arsim e kemi adoptuar për arsimin tonë profesional, duke lidhur shkollën me ndërmarrjet. Në dy vitet e fundit kemi parë një shumëfishim spektakolar të numrit të vajzave dhe djemve që preferojnë arsimin profesional, i cili deri përpara tre vitesh refuzohej pothuajse kategorikisht, nga gjithë gjenerata e re e shqiptarëve.
Kjo ka sjellë një ndikim fillestar, që do të jetë gjithmonë e më i thellë, në punësim. Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit se mjafton të trokasësh në dyert e të gjitha ndërmarrjeve që janë përgjatë rrugës Tiranë-Durrës, për të kuptuar se në çdo ndërmarrje ka vende të lira pune që kërkojnë njerëz me zanate. Sa më shumë të fokusohemi tek zanatet, aq më shumë krijojmë mundësi punësimi, por edhe mundësi vetëpunësimi, përmes bizneseve të vogla që njerëzit e zanatit priren të hapin.
Për shumë kohë në të shkuarën, përpjekjet e Shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian janë karakterizuar nga një qasje që e përshkruan më së miri një proverb gjerman: “Të duash shumë të arrish diku, por pa dashur të bësh sakrificat që duhen për të arritur atje”.
Përgjithësisht, periudha pararendëse ka qenë e karakterizuar nga një ambicie e madhe, por e pambështetur me sakrificat e domosdoshme, përmes reformave të pazëvendësueshme strukturore, për të ngritur një sistem që funksion në çdo sektor dhe pastaj në tërësi.
Duke i huazuar fjalët një ish Kancelari tjetër të madh, Willy Brandt, ne kemi të qartë se një shtet me ekonomi të suksesshme nuk mund të organizohet si një resort kolektiv pushimesh. Jemi shumë të lumtur që disponojmë ekspresin e cilësisë më të lartë, nganjëherë më të mirë edhe se në Romë, jemi shumë të lumtur për atë që trashëgojmë si kulturë, si natyrë mesdhetare, ballkanike, si fqinjë të mirë të italianëve dhe grekëve që shijen e jetës e kanë të parën dhe punën e kanë të dytën, por bëhemi gjithmonë e më të vetëdijshëm se për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian nuk kërkohet një biletë për të shkuar në Bruksel, por kërkohet një përpjekje e madhe për ta ndërtuar Europën këtu, për të bërë Shqipërinë një vend europian në një shtet funksional të së drejtës, konkurrencës së lirë dhe meritës.
Do kisha shumë dëshirë të flisja gjerë e gjatë për reformat që kemi bërë në prani të dikujt që është gjithmonë një burim inspirimi, edhe personal për mua, sa herë që duhet të përballemi me pikëpyetjen, a duhet ta bëjmë tani këtë reformë, apo duhet të presim zgjedhjet e tjera. Por nuk dua t’ju marr më shumë kohë e t’ju lodh me shifrat e volumit tregtar me Gjermaninë, me eksportet, importet e kështu me radhë, edhe për një arsye tjetër, sepse volumi tregtar me Gjermaninë është rritur, por, nëse unë do them shifrën, atëherë nuk do ndihesha shumë mirë, sepse është një shifër më e ulët sesa xhiroja e një ndërmarrjeje gjermane jo globale.
Hapësira për të rritur volumin tregtar është ende shumë e madhe, por është e gjitha në dorën tonë si shqiptarë, si Shqipëri, për të ofruar maksimumin e mundshëm të kushteve që për gjermanët, siç na ka mësuar historia e vjetër dhe e re, janë të panegociueshme.
Kemi këtu kompani gjermane me famë edhe ndërkombëtare, por kemi edhe shumë hapësirë që të tjera t’i ndjekin ato dhe kjo është e gjithë përpjekja jonë. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Dhomën Gjermane të Tregtisë, e cila ndër të gjitha Dhomat e Tregtisë është më rigorozja dhe më kritikja, sepse i takon, janë gjermanë.
Falë edhe këshillave të Dhomës Gjermane të Tregtisë, por edhe tjerëve, kemi marrë masa të konsiderueshme për të përmirësuar klimën e biznesit, që nga krijimi i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit si një One Stop Shop për të gjitha lejet e ndërtimit; tek sistemi i lejeve të ndërtimit online, që sot është funksional për të gjithë dhe gjithkush mund të marrë një leje ndërtimi brenda 60 ditësh dhe nëse s’merr përgjigje nga administrata, leja konsiderohet e marrë; tek bashkimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit, për të krijuar një tjetër sportel të vetëm për regjistrimin dhe licencimin, duke e bërë këtë një proces shumë të thjeshtë krahasuar me të shkuarën; tek procedurat për regjistrimin e pronës që janë shkurtuar në 6 ditë, nga muaj e muaj të tërë që ishin më parë; tek paketa e re fiskale, që për herë të parë përfshin biznesin, duke i dhënë mundësinë e vetëkorrigjimit të deklaratave para kontrollit; tek përpjekja për të krijuar zona të reja të zhvillimit ekonomik me incentiva fiskale të dedikuara për investitorët e mundshëm gjermanë, apo të tjerë; tek reforma shumë e dhimbshme, por e domosdoshme e liberalizimit të tregut të energjisë dhe diversifikimit të mëtejshëm të tij. Kështu me radhë, për të mos përmendur të gjithë listën që është krenaria e qeverisë sonë, pasi janë reforma për të cilat natyrisht duhen sakrifica, natyrisht duhet kohë.
Por për një gjë jemi të qetë, që, nëse gjenerata e atyre që lindën me rënien e Murit të Berlinit dhe me shembjen e diktaturës në Shqipëri, humbi pjesën themelore të jetës për të marrë arsimimin e duhur dhe humbi shumë shanse për shkak të mosreformimit të sistemit në çdo sektor, gjenerata tjetër nuk do të jetë një tjetër gjeneratë e humbur, por do të jetë një gjeneratë që do të përfitojë frytet, jo vetëm të këtyre reformave, por të gjithë të mirave që rruga e reformave sot do të bëjë të mundura nesër.
Padyshim ka ende shumë për të bërë, por të paktën kemi një qeveri që nuk tradhton interesat publike dhe mbi të gjitha ka krijuar një kontekst tërësisht të ri marrëdhëniesh me sipërmarrjen. Sipërmarrja nuk shihet as si kundërshtare e interesave të publikut, as si kërcënim për sistemin e mbrojtjes shoqërore, as si lopë që duhet vetëm mjelë, pa u kujdesuar se si ushqehet dhe ku ushqehet.
Sot, sipërmarrja është një partner në çdo tryezë dhe vendimmarrjet që e ndikojnë sipërmarrjen burojnë nga ky partnership.
Më sugjeruan ta mbyll me një tjetër proverb gjerman që bën të qartë diferencat, por është edhe një slogan, besoj, perfekt për rrugën e reformave: “Dienst ist Dienst und Schnaps ist Schnaps.”
***
Do të doja të rinënvizoja domosdoshmërinë jetike për ne që të mos e shohim veten si një treg që zhvillohet brenda kufijve tanë dhe të bëjmë çmos që çdo investitori të huaj t’i krijojmë kushtet që, pavarësisht nëse investon në Tiranë, në Prishtinë, në Beograd, në Shkup apo në Podgoricë, faktikisht të investojë në një treg rajonal.
Kjo është arsyeja pse ne kemi marrë nismën për heqjen e barrierave jo tarifore dhe për unifikimin e procedurave mes gjithë vendeve të rajonit. E nisëm këtë sprovë me Kosovën, edhe si një përgjigje ndaj tundimeve dhe ekseseve nacionaliste, duke u munduar të bëjmë të qartë që ajo që duhet të kuptojmë në këtë shekull me bashkim të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës është në fakt ajo që ndodh në Europën e bashkuar. Pra, kufiri administrativ nuk mund të jetë pengesë për ndërveprimin e lirë ekonomik, kulturor, social dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve.
Kemi parë rezultate shumë mbresëlënëse nga heqja e barrierave dhe nga unifikimi i procedurave. Është shumë e lodhshme për një sipërmarrje që të marrë certifikata të njëjta kur niset nga Shqipëria drejt Kosovës, apo nga Kosova drejt Shqipërisë, i duhet të marrë dy herë. Vetëm disa unifikime procedurale dhe heqja e disa barrierave kanë sjellë vitin e kaluar një rritje befasuese të eksportit dhe importit mes nesh.
Këtë shembull, ne e kthyem në një iniciativë për të gjitha vendet e rajonit, me filozofinë që nuk duhet të presim të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, për t’u sjellë me njeri-tjetrin si anëtarë të Bashkimit Europian. Ne nuk duhet të presim të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian që kufirin mes Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi ta bëjmë të padukshëm, siç është mes Gjermanisë dhe Francës, apo vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe të lehtësojmë maksimalisht qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.
Për këtë ndërtuam një plan veprimi që është miratuar tani nga të gjitha vendet, si një iniciativë e përbashkët me Serbinë. Pas pak ditësh do të jemi në Serbi për të lançuar këtë plan konkret, me një kalendar konkret afatesh e masash për administratën e dy vendeve. Po aty do të krijohet edhe forumi i përbashkët i biznesit shqiptaro-serb.
Kjo sigurisht që hap perspektiva të reja për sipërmarrësit shqiptarë, serbë, maqedonas, malazezë e kështu me radhë, por mbi të gjitha hap një perspektivë të re për sipërmarrësit e mëdhenj, që nuk vijnë më në një treg të mbyllur, por investojnë gjeografikisht si fillim në një nga vendet, por biznesi i tyre ka perspektivën e shtrirjes në të gjithë rajonin.
Jam i bindur që në vitet e ardhshme do të shikojmë rezultate befasuese të këtij ndërveprimi, si dhe do të jemi shumë më të gatshëm në ditën kur do të jemi anëtarë të Bashkimit Europain. Hapja e negociatave me Bashkimin Europian është një proces i vështirë, por askush nuk na pengon që edhe pa i hapur negociatat, të lexojmë librat, dokumentet, kushtet dhe të jemi të përgatitur.
Unë jam shumë krenar që me reformën tonë në drejtësi, ne kemi praktikisht ezauruar një pjesë të madhe të kapitullit 23-24, nga pikëpamja legjislative. Pra, pa i hapur ende negociatat, që fillojnë me dy kapituj për drejtësinë, ne kemi avancuar në proces dhe në momentin e negocimit do jemi shumë më përpara, sesa do të ishim, po të prisnim të fillonim negociatat për të bërë reformën.
Faktikisht është një nga paradokset e procesit të integrimit, që nga pikëpamja e reformës legjislative në drejtësi, ne jemi më të avancuar sesa Serbia apo Mali i Zi, që janë në negociata. Atyre do t’ju duhet të bëjnë në këtë proces negocimi, një pjesë të punës që ne e kemi bërë ndërkohë, pa qenë në proces negocimi.
Është krenari për ne, që modeli ynë i reformës promovohet nga Komisioni Europian në vendet e tjera të rajonit, si një model për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u adoptuar në pjesë të caktuara të tij.
Për sa i përket çështjes së konfesioneve, ne edhe këtu kemi bërë një reformë të rëndësishme, në bashkëpunim me gjithë biznesin e konfesioneve. Ajo që po ndodh falë edhe mbështetjes që i kemi dhënë, duke shkruar sëbashku paketën e masave mbështetëse për këtë industri, po shikojmë kalimin e kësaj industrie nga faza embrionale fason, në ciklin e mbyllur.
Këtu ka protagonistë të kësaj industrie që sot nuk punojnë më thjesht me material porositësi, por kanë angazhuar dizajner dhe teknologët e tyre për produkte “Made in Albania. Ashtu sikundër që, besoj, kjo industri ka një kartëvizitë të shkëlqyer për Gjermaninë, sepse, nëse ka bindur disa nga shtëpitë më të mëdha të modës italiane për t’iu besuar duarve të punonjësve shqiptarë, në këtë pikë, gjermanët, të cilët janë të fortë në çdo fushë, nuk besoj se pretendojnë që janë më të fortë se italianët. Kështu që jam i bindur që është një kartëvizitë e shkëlqyer për industrinë e konfeksioneve gjermane për të bashkëpunuar me industrinë e konfesioneve shqiptare, që ka dhënë prova të një cilësie shumë të lartë.
Perspektiva është shumë e qartë. Sigurisht që ka nevojë për shumë më tepër, por në këtë aspekt kemi shumë çfarë të themi dhe të tregojmë, për të thithur më shumë vëmendje nga investitorët gjermanë dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me ta.
***
Ne kemi pasur disa bashkëpunime të rëndësishme në fushën e arsimit profesional me Gjermaninë. Së pari, ligji ynë bazë i reformës së arsimit profesional është shkruar bashkë me ekspertizë gjermane, të ofruar nga dhoma të tregtisë në Gjermani. Mund të përmend një program bashkëpunimi për formimin e infermiereve dhe infermierëve, që vazhdon e rritet si program. Pala gjermane i zhvillon kurset këtu në Shqipëri. Me certifikatën përfundimtare të formimit, infermieret dhe infermierët që formohen mund të shkojnë të punojnë në Gjermani.
Ka goxha hapësirë në këtë drejtim, për të pasur edhe një lëvizje tërësisht të kontrolluar e dobiprurëse për njerëzit që kërkojnë të shkojnë në Gjermani, për të pasur një lëvizje të organizuar që krijon punësim të sigurt dhe mbi të gjitha, që sjell direkt dhe indirekt të mira edhe për vendin dhe shoqërinë tonë.
Në Procesin e Berlinit, arsimi profesional është një nga temat. Gjermania ka pasur një rol të dorës së parë, në radhë të parë për të krijuar kuadrin mbi të cilin ne të fillojmë të ngremë arsimin profesional. Ne vijmë nga një trashëgimi 20 e ca vjeçare, ku të rinjve iu dha vetëm një mundësi, universiteti. Arsimi profesional faktikisht u shkri komplet. Lënia e vetëm kësaj korsie solli një transformim shumë të dëmshëm të të gjithë botës universitare, me licencimin e dhjetëra universiteteve private. 18 prej të tyre, ne i mbyllim, pikërisht sepse ofronin diploma, por nuk ofronin dije dhe ishin kthyer në skema financiare fitimprurëse, njësoj si piramidat e Ponzi-t dhe të Sudes.
Kthesa është e vështirë, sepse mentaliteti i krijuar dhe i trashëguar është që po nuk pate një diplomë universiteti, mundësisht juridiku, je pa shkollë. Prandaj jemi vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katrorë në Europë. Pastaj, sa të aftë, sa të paaftë, kjo është një çështje tjetër. Ndërsa kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katrorë në Europë, kemi sistemin e drejtësisë më të dobët në Europë.