Fjala e Kryeministrit Edi Rama në “Forumin për Bujqësinë” organizuar nga Bashkia Lezhë:
Shumë faleminderit!
Është kënaqësi që unë ndalem këtu, bashkë me Viktorin, me Monikën dhe me Mimin. Me siguri do të jetë një forum shumë i frytshëm, pasi në pjesën e dytë të tij, Ministri i Bujqësisë dhe Zëvendësministri do të dialogojnë me ju, për të diskutuar lidhur me stadin aktual të gjërave dhe me mënyrën sesi ne sëbashku mund të shkojmë edhe më shpejt, edhe më tutje, në drejtimin e duhur.
Ajo që është me rëndësi është fakti që reforma administrative territoriale na jep një sërë instrumentesh dhe mundësish për të qenë shumë më pranë njerëzve dhe për të garantuar se bashkitë e reja nuk janë më njësi administrative vendore, siç ishin njësitë e derisotme, por janë njësi zhvillimi ekonomik.
Njësi zhvillimi ekonomik ku si asnjë herë tjetër më parë, marrëdhënia mes qeverisë vendore dhe fshatit merr një peshë jashtëzakonisht të veçantë dhe ku si asnjëherë tjetër më parë, qytetarët e këtij vendi që jetojnë në fshat, që jetojnë me tokën, me prodhimin dhe me gjithë ciklin e prodhimit do të kenë pranë një partner strategjik, siç është qeveria vendore.
Ne, sot jemi në kushtet ku pa asnjë dyshim nuk mund të themi se i zgjidhëm problemet e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, por ku po ashtu pa asnjë dyshim mund të themi se eksperienca e 18 muajve në qeverisje, në raport me fshatin dhe rezultatet e para të politikës sonë të re për zhvillimin e fshatit, janë absolutisht në drejtimin e duhur.
Ne për herë të parë aplikuam një skemë agresive mbështetjeje për investimet sipërmarrëse në fshat, duke bërë përmes AZHBR-së, një partneritet mes shtetit dhe sipërmarrjes në fshat, me pjesëmarrje të barabartë financimi. Praktikisht kemi financuar një numër të konsiderueshëm sipërmarrjesh të llojeve të ndryshme, me 50 % të vlerës së investimit deri në 150 mijë dollarë.
Gjatë kësaj kohe kemi parë kjo është rruga më e sigurt dhe më e shpejtë, jo thjesht për të rritur sipërmarrjen, por për të fuqizuar familjen fermere. Nëse familja fermerë, sot, në tërësi është në kushtet e një bujqësie të mbijetesës për shkak, në radhë të parë, të pamundësisë për të zhvilluar aktivitetin e vet në sipërfaqe të mëdha dhe të integruara si rezultat i copëzimit të madh të tokës, që do të thotë që nëse familja fermerë sot ka në dispozicion disa dynymë ku prodhon atë që mundet, një pjesë e konsumon për frymën e familjes së vet dhe një pjesë tenton ta shesë te rruga, fuqizimi i sipërmarrjes, rritja e kapaciteteve dhe e standardeve të pikave të grumbullimit, rritja e kapacitetit teknologjik dhe e standardeve të agropërpunimit bëjnë që kjo familje fermere të mos jetë më vetëm dhe as të mos e ketë të varur fatin e prodhimit të vet nga rastësia dhe nga çfarë sjell rruga. Kjo bën të jetë pjesë e një cikli prodhimi që fillon tek ato dynymët e një familjeje, por që bashkon shumë familje rreth e rrotull, të cilat janë të lidhura me pikën e grumbullimit.
Kemi bërë një diskutim për të kapërcyer mendësinë, në radhë të parë, mes nesh. Do të duhet ende kohë, por jemi të vendosur që ta bëjmë këtë kapërcim në mendësi, për të gjithë ata të cilët janë të lidhur me fshatin, lidhur me rimbursimin e imputeve.
Ne jemi zotuar që do të rimburosjmë TVSH-në për imputet. Ne e bëjmë këtë sot, por ne as kemi bërë dhe as kemi ndërmend ta bëjmë dhe kush na e kërkon i bie daulles në vesh të shurdhër, atë që është bërë për kaq shumë vite me radhë, që të japim në parapagim heqje TVSH-je, duke praktikisht stimuluar korrupsion, duke stimuluar kontarbandë, duke stimuluar informalitet.
Ne kemi provuar dhe kemi fakte kokëforta për këtë, se duke rimbursuar TVSH-në e grumbulluesit kemi siguruar çmime shumë më të kënaqshme për prodhuesit. Të mos harrojmë se sot kemi një hapësirë rurale, ku familja fermere nuk është në kushte të një ekonomie formale. Është absolutisht ireale të mendosh që si shtet të ndërtosh marrëdhënie tek e tek me individë, ndërkohë që këto marrëdhënie të ndërtuara mes familjes që prodhon dhe pikës së grumbullimit dhe bazuar në heqjen e TVSH-së mbi prodhimin, jo mbi planin, sjellin si rezultat rritjen e çmimit për fermerin dhe mbajtjen e një çmimi normal për tregun. Ky është fakti.
Sigurisht, ne nuk jemi të mbyllur vetëm në këtë skemë, por për momentin, kjo është e vetmja skemë që funksionon, ndërkohë që ne mirëpresim çdo zhvillim të natyrës së organizimit të bashkuar të fermerëve. Por një gjë të jetë e qartë për të gjithë, ne do të rimburojmë në bujqësi, imputin, naftën dhe gjithçka që ka të bëjë me TVSH-në, vetëm mbi prodhimin, mbi faktin dhe jo mbi planin, jo mbi spekulimet “kaq hapësirë e mbjellë, apo kaq hapësirë e shkulur”. Kjo nuk ka çuar asgjëkund në të shkuarën dhe nuk ka ku çon. Është komplet një rrjete e shpuar.
Ajo që ju themi fermerëve është që stimulimi i sipërmarrjes është stimulim i një organizimi të ri në rrjet interesi dhe në një zinxhir vlerash, që fillojnë krijohen që në momentin kur hidhet fara nga fermeri, por që nuk mbeten aty. E nëse deri sot, fermeri ka qenë i detyruar të jetë në mëshirë të fatit, falë kësaj politike, fermeri prodhon dhe e ka të siguruar qoftë prodhimin, në kuptimin farën, fidanin, imputin, plehrat e me radhë, qoftë shitjen, sepse është grumbulluesi që e merr bazuar në kontratën midis tyre. Kështu kalojmë nga fermeri i mbijetesës tek familja fermerë si biznes i vogël, faktikisht. Padyshim, shkalla tjetër është që në pikën e grumbullimit të funksionojë fatura e TVSH-së në raport me subjektet prodhuese, por këtë ne nuk mund t’ia imponojmë sot familjes fermerë, se do të thotë ta “mbysim”.
Prandaj sot, ne heqim TVSH-në tek grumbulluesi dhe indirekt garantojmë shitjen e produkteve nga fermeri tek grumbulluesi, me një çmim shumë më të kënaqshëm, sesa po të ishte se grumbulluesi do të kishte dhe TVSH-në që në fakt do t’ia ngarkonte direkt fermerit.
Ne kemi sot një politikë, e cila është në sinkron me politikën zhvillimore të Bashkimit Europian. Në BE, skemat e mbështetjes financiare me fondet e Unionit janë praktikisht me të njëjtën logjikë, 50 deri në 65 % e vlerës së investimit të realizuar nga privatët. Por edhe këtu kemi imponuar një praktikë që ka bërë që çdo qindarkë të shkojë atje ku duhet, sepse pagesa jonë bëhet pas kryerjes së investimit, pra, bëhet mbi bazën faktuale të investimit, jo mbi letra e plane.
Këtë vit, AZHBR-ja, vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit do të lëvrojë 17 milionë dollarë mbështetje për fermerët, bazuar kryesisht tek kjo skeme agresive. Dua të theksoj se, kur thashë pikat e grumbullimit, kam parasysh agropërpunuesit në tërësi, sepse TVSH-ja nuk hiqet vetëm tek grumbulluesi, por edhe tek agropërpunuesi, ai që e merr lëndën e parë nga fermeri, p.sh ai që merr mishin dhe përpunon mishin, apo ai që merr qumështin dhe përpunon qumështin. Ajo që është më e rëndësishmja është se gjithë ky zinxhir, që konkludon tek grumbulluesi apo tek agropërpunuesi, në fund ka rimbursimin e plotë të TVSH-së dhe ja ulim 20%.
6% ishte dhe ishte shumë teorike, sepse në pjesën më të madhe as nuk i fërshëllente njeri. Sot, çdo grumbullues, çdo agropërpunues është dëshmitar që i ulet 20%. Pra, është 20% heqje takse, faktikisht.
Po ashtu, ne jemi shumë afër materializimit të një plani që këtë eksperiencë të mos e lëri vetëm tek 17 milion dollarët që është mundësia aktuale që ka shteti shqiptar. Është më e larta që ka qenë ndonjëherë dhe po të shikojmë rritjen e financimit të shtetit për bujqësinë, kemi një rritje të pakrahasueshme me vitin 2013, që shkon drejtpërdrejtë në mbështetje të fermerëve. Por do të bashkojmë në këtë proces edhe bankat. Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion një fond garancie kombëtare për fermerët. Në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë 143 milionë dollarë që vihen në dispozicion të huamarrjes bujqësore dhe që kanë krijuar interesin e menjëhershëm të bankave të nivelit të dytë, ku ky fond garancie siguron që, së pari, bankat e nivelit të dytë të kreditojnë pa risk. Sepse risku nuk i kërkohet sipërmarrësit, por këtë e merr përsipër ky fond. Bankat e nivelit të dytë të kreditojnë me interesa minimale deri edhe në zero, sepse uljen e interesave e garanton shteti.
Së treti, nuk do të jenë fermerët, sipërmarrësit që do të bëjnë ecejake nëpër banka, ço letra e prit aprovime, por do të jetë shteti si ndërmjetës, nëpërmjet AZHBR-së. Do të jetë AZHBR-ja që do të bëjë ndërmjetësin midis sipërmarrësve dhe bankave. Me të njëjtën procedurë që AZHBR-ja merr aplikimet dhe mbështet sipërmarrjen, bazuar në kriteret dhe në pikët që projektet marrin, me të njëjtën procedurë do të seleksionojë edhe të gjithë sipërmarrjet që do t’i quajë të kreditueshme, për t’ia paraqitur bankave dhe për të bërë të mundur që këto sipërmarrje të kreditohen pa pas gjithë atë stresin burokratik dhe njëkohësisht duke arritur që të marrin pikërisht atë që kanë kërkuar 20 vjet. Dhe që na e kanë kërkuar neve; ka 1 vit e gjysmë që nuk kemi problem që të marrim kredi, por kreditë janë të papërballueshme. Kemi nevojë për mbështetje që kredia të ulet në pikën që të mos ta ndiejë të papërballueshme sipërmarrja në fshat. Skema besojmë do të jetë gati këtë vjeshtë. Kjo do të bëjë që ne të kemi qysh në vitin e parë, duke filluar nga kjo vjeshtë dhe edhe vitin tjetër, 100 milionë dollarë çdo vit në dispozicion të sipërmarrjes.
Këtu vijmë tek pjesa tjetër që ka të bëjë me dijen. Që ne të arrijmë të absorbojmë të gjithë këto para, që fshati të arrijë t’i absorbojë të gjitha këto para, qoftë nga AZHBR-ja, qoftë nga fondi i garancisë kombëtare, qoftë nga fondet e Bashkimit Europian, kemi nevojë për një fermer të ditur. Të ditur në kuptimin të informuar lidhur me mënyrën sesi funksionojnë këto fonde, të trajnuar lidhur me mënyrën sesi aplikohet për këto fonde dhe të mbështetur në shkrimin e projekteve. Për këtë arsye, ne do të bëjmë një reformë strukturore, për të cilën ka filluar puna në Ministrinë e Bujqësisë, në mënyrë që të ndajmë detyrat. Bashkia të ketë Drejtoritë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, të cilat të kenë kryesisht natyrë ekzekutive. Kështu që, nëse flasim për kanalet ujitëse, nëse flasim për kanalet kulluese, nëse flasim edhe për imputet, të cilat ministri përmendi se mund të jepen edhe përmes pikave të grumbullimit, Drejtoria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural në bashki të ketë kompetenca ekzekutive. Ndërkohë që politikat bujqësore dhe monitorimi i të gjithë procesit të implementimit të këtyre politikave dhe i financimit i takon Ministrisë së Bujqësisë.
Nga ana tjetër, nëse sot kemi drejtori bujqësie, borde kullimi, të gjitha qëndrojnë midis shtetit dhe fshatit, por asnjëherë nuk arrijnë të kenë efekte si duhet mbi fshatin, duke implementuar si duhet këtë vizion që ne kemi, për shkak të mënyrës sesi janë të strukturuara. Tani ato ndahen midis bashkisë dhe qeverisë që, duke përdorur AZHBR-në si qendër graviteti, krijon në çdo rajon të menaxhimit bujqësor dhe blegtoral, këto laboratorë të dijes. Pra, janë struktura të mirëinformuara, të cilat kanë punë të vazhdueshme me fermerët dhe që dinë ekzaktësisht sa fermerë ka në të gjithë këtë territor, me çfarë merren, si mund të ndihmohen dhe informohen vazhdimisht për mundësitë, trajnohen për të qenë në gjendje që këto mundësi t’i shfrytëzojnë dhe mbështeten në bërjen e aplikimeve. Ndryshe, ne nuk kemi shans që t’i absorbojmë të gjithë këto fonde. Duke si çudi, por kjo është e vërteta. Po të shikojmë historinë e fondeve të Bashkimit Europian, vendet më të zhvilluara thithin më shumë fonde, jo se janë më të pasura dhe se influencojnë me pushtet, por sepse janë më të ditura. Vendet më pak të zhvilluara thithin më pak fonde, sepse kanë më pak dituri lidhur me mënyrën sesi funksionon mekanizmi.
Gjithashtu, me Ministrinë e Bujqësisë dhe me bashkitë do të investohemi për të krijuar një zinxhir shkollash profesionale të zhvillimit rural, të bujqësisë dhe të blegtorisë, për të pasur teknikët e mesëm, të cilët sot pothuajse mungojnë totalisht dhe për t’ia vënë në dispozicion të gjithë këtyre sipërmarrjeve. Kudo ku kemi shkuar, në çdo sipërmarrje nga këto që po flasim, të cilat sot janë edhe në një proces ripërtëritje teknologjike, duke shfrytëzuar heqjen e TVSH-së për importin e makinerive, kanë ngritur këtë problem.
Dje isha në një fabrikë qumështi, ku po bëhej gjithë rinovimi teknologjik dhe pronari i fabrikës më tha falë politikës së qeverisë për heqjen e TVSH-së së makinerive, nuk kishte më nevojë të kërkonte makineri të dorës së dytë dhe të dorës së tretë, por mund të blinte makineri të reja. Sepse, nëse paguaj 300 mijë euro, 60 mijë euro, – tha, – i marr mbrapsht nga qeveria. Atëherë ku është problemi? Mungesa e zanatçinjve, mungesa e teknikëve, që detyrohen t’i marrin pothuajse të gjithë nga jashtë, të huaj. Ndërkohë që sistemi dual që ne kemi krijuar tani, ku të rinjtë në shkollat e arsimit profesional, gjysmën e kohës e kalojnë në shkollë dhe gjysmën e kalojnë në ndërmarrje, i jep mundësinë këtyre fabrikave, këtyre sipërmarrjeve që të nënshkruajnë marrëveshje me shkollën profesionale, për shembull, në Lezhë, me shkollën profesionale bujqësore dhe të fillojnë të rekrutojnë stafin e tyre teknik që në bankat e shkollës ku të rinjtë dhe të rejat marrin dijet teorike, ndërkohë bëjnë edhe praktikën në ndërmarrje. Kjo nuk është shpikje e jona. Ky është modeli gjerman, model shumë i përhapur në Europë, që ka sjellë një sukses të madh në drejtim të punësimit dhe në drejtim të rritjes së kapaciteteve njerëzore, në funksion të prodhimit dhe të përpunimit.
Duke u ndalur tek Lezha, besoj që faktet flasin vetë. Ne kemi trashëguar një situatë skandaloze me ujitjen dhe faktikisht kemi bërë një vlerësim që rreth 30% e tokës që mund të jetë shumë produktive, sot është ose e papunuar fare, ose me produktivitet minimal, për shkak se mungon ujitja. 30-35%, ka zona që është edhe më shumë, ka zona që është më pak. Ndërkohë që në Lezhë, në vitin 2013 kemi gjetur vetëm 7% tokë bujqësore të ujitur. Domethënë mesjetë totale. Nga 18 mijë hektarë që janë tokë e punueshme dhe prodhuese, vetëm 1200 hektarë ishin tokë e ujitur. Dhe flas këtu për Lezhën rreth, pa futur Mirditën dhe Kurbinin që kanë 35 mijë hektarë tokë të punueshme dhe prodhuese dhe vaditeshin efektivisht 5 mijë hektarë. Kjo është aktakuza më e fuqishme e fakteve. Jo e jona, por e atyre që bëjnë llomotisin gjithë ditën, për varfërinë në fshat. Të rrish 8 vjet në pushtet dhe në 35 mijë hektarë tokë të punueshme dhe prodhuese, të vaditen vetëm 5 mijë hektarë, kjo mjafton që të mos flasësh fare për 8 vjet të tjera.
Ndërkohë që për 18 muaj, ne jemi në një proces ku për herë të parë kemi deri në fund të korrikut, 5 mijë hektarë tokë më shumë të ujitura. Pra, nga 1200 shkojmë praktikisht në 6200 hektarë. Sigurisht 6200 hektarë nuk janë 18 mijë. Nuk është pretendimi që për 18 muaj gjithçka do të ujitet, por ama 6200 nuk janë 1200 dhe fakti që ne këtë hap e kemi hedhur vetëm në një vit, sepse 6 muaj u desh të kuptonim labirintin e këtij kaosi, është siguri që në vitet e ardhshme, ne do të arrijmë ta vëmë të gjithë tokën në funksion, duke çuar ujin.
E njëjta gjë vlen edhe për kanalet kulluese. 50 kilometra kanale kulluese janë sot funksionale në Lezhë dhe 50 të tjera do të jenë funksionale deri në fund të vitit 2015, pra, 100 kilometra, që është një shumë që është e pamjaftueshme për të thënë që çdo gjë është në rregull, por plotësisht e mjaftueshme për të kuptuar që puna jonë është në drejtim e duhur.
Me shembullin e Irlandës dua të them që kjo që po bëjmë nuk është as një shpikje dhe as një eksperiment në tokë të djegur, por është një politikë e mirëmenduar dhe një qasje e provuar gjetkë. Irlanda në vitet ‘50-të kishte bujqësinë më të prapambetur në Europë. Një bujqësi mbijetese, ngastra të vogla, fermerë që mbanin vetëm frymën gjallë dhe që shisnin nëpër rrugë. Shumica e krahut të punës nga fshati ikte në emigracion në Angli ose në SHBA. Pikërisht rajonalizimi, gjë që ne e bëmë, kultivimi i kulturave intensive dhe incentivimi i bashkimit, jo përmes dhunës dhe ligjeve që nuk i zbaton njeri, por përmes ndërthurjes së interesave e bënë Irlandën, në një periudhë 20 vjeçare, vendin me bujqësinë më të suksesshme në Bashkimin Europian. Nga ekstremi në ekstrën. Ne nuk kemi ambicie të bëhemi më të suksesshmit në BE, por kemi ambicien që asnjë metër tokë të mos mbetet pa ujë dhe asnjë metër tokë të mos mbetet pa punuar, pa prodhuar dhe pa nxjerrë para për njerëzit që jetojnë në fshat. Kjo është ambicia jonë. Pastaj, sa para, kjo është diçka që do të vijë duke u rritur me kohën. Por që njerëzit të ikin të marrin arratinë se nuk kanë ujë dhe toka është praktikisht Sahara, edhe pse është pjesë e një dheu të bekuar, kjo është e patolerueshme.
Faktikisht, ky zhvillim në Irlandë solli, siç do të sjellë edhe në Shqipëri dhe siç i ka dhënë shenjat, rritjen më të artë të punësimit në historinë e atij vendi, për shkak të nxitjes së këtyre tre elementëve që përmbysën inercinë negative të mbijetesës në fshat.
Për rajonalizimin, ne nuk imponojmë asnjëri, por ne nuk financojmë dhe nuk mbështesim aventura, eksperimente apo iniciativa të lira, të cilat i shkojnë ndesh politikës së rajonalizimit. Për shembull, nëse rajonalizimi trego qartë që Malësia e Mbishkodrës siguron 35% të fitimeve nga eksportet e bimëve medicinale, ne kemi vënë qartë prioritetin se kush merret me bimët medicinale, stimulohet. Sot, problemi është që gjithë ky prodhim, shumica dërrmuese shkon jashtë i papërpunuar. Nëse ne e përpunojmë në vend, ne shumëfishojmë çmimin dhe duke shumëfishuar çmimin, pasurojmë njerëzit që merren me këtë kulturë. Ne e kemi thënë se mbështesim çdo nismë nga Malësia e Madhe, që bazohet tek investimi për të përpunuar bimët medicinale. Kjo vlen për të gjithë kulturat në të gjithë hartën e Shqipërisë, kur vjen puna tek harta e rajonalizimit. Prandaj, gjithë fermerët duhet të shikojnë hartën si pikë referimi, nëse duan mbështetje nga shteti. Ne nuk jemi shtet që mund të hedhim para lumë kudo dhe kurdo, por ato para që kemi, dimë si t’i ekonomizojmë për të stimuluar ato pjesë të organizmit tonë që mund të sjellin një ripërtëritje shumë të shpejtë të tij, ashtu siç akupuntura ripërtërin me energji, një organizëm të drobitur.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe jam i bindur që 21 qershori është një oportunitet fantastik për fshatin. Fshati ka votuar gjithmonë për zgjedhjet vendore, por ka votuar për kryetarë komunash dhe për këshilla komunalë që në fund të ditës nuk është se ka pasur ndonjë impakt tek e jeta e fermerit. Sot historia ndryshon. Bashkitë do të kenë impakt të drejtpërdrejtë tek jeta dhe tek puna e familjes së fermerëve dhe zgjedhja do të ketë një rëndësi themelore, sepse varet edhe se kë zgjedh, se nuk është bashkia thjesht si bashki, por varet kush është kryetari i bashkisë dhe kush është shumica. Tjetër është të zgjedhësh ata që e lanë Lezhën me 7 % tokë të ujitur dhe pjesa tjetër e përmbytur, tjetër është të na zgjedhësh ne, që vetëm në 18 muaj, nga 1200 hektarë që ishin të ujitura e çuam në 6200 hektarë, vetëm në Lezhë.
Kjo është zgjedhje shumë e qartë, kush do ujë për tokën, le ta bëjë vet llogarinë: Do zgjedhë Viktorin dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane, apo do zgjedhë kuçedrën që ta mban ujin bllokuar, në kuptimin politikës së vjetër. Unë jam i bindur që Lezha do bëjë zgjedhjen e duhur, në drejtimin e duhur.
Ky forum sot që është një forum i organizuar me fokus tek Lezha, por që ka një format dhe një ambicie për të qenë një model kombëtar. Të gjitha bashkitë tona do të organizojnë forume sistematike të zhvillimit ekonomiko-bujqësor me fermerët dhe me familjet që jetojnë në fshat.
Shumë faleminderit!